Pas takimeve të nivelit të lartë që Sekretari
i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger ka pasur në Tiranë të enjten, pasdite
ai ka zhvilluar një takim dhe me Presidentin e Republikës Ilir Meta. Në takim,
sipas një njoftimi të shpërndarë nga zyra për mediat e presidencës, mësohet se
Meta i ka kërkuar ndihmë OSBE-së për zgjidhjen e krizës, duke ndërmjetësuar
dialogun mes palëve politike në Shqipëri.
“Për rivendosjen e funksionimit normal të
institucioneve demokratike dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të
situatës mjaft kritike ku ndodhet vendi, është në interes të kredibilitetit të
OSBE, të angazhohet për tejkalimin e krizës së rëndë në Shqipëri sa më parë të
jetë e mundur”.
“Ky angazhim do të shërbejë si mundësi tepër
e rëndësishme për rikthimin e vendit në shinat e demokracisë dhe sundimit të
ligjit, por dhe konsolidimit të lidershipit të Shqipërisë si faktor stabiliteti
në rajon, gjatë marrjes së Kryesisë së Rradhës së OSBE, por edhe së ardhmes
europiane të Shqipërisë, për më tepër kur presim që në 17-18 tetor Këshilli i
Bashkimit Europian të vendosë për çeljen e negociatave të anëtarësimit”, –
theksoi Presidenti Meta.
Megjithatë, në deklaratën e shpërndarë nga
presidenca vihet re fakti që në materialin për takimin nuk citohet asnjë fjalë
nga qëndrimi i Thomas Greminger. Gjatë gjithë deklaratës lexohet vetëm kërkesa dhe
qëndrimi që ka mbajtur Presidenti Ilir Meta, ndërsa nuk citohet asnjë fjalë nga
qëndrimet e sekretarit të OSBE. Megjithatë, më herët gjatë takimit me Ministrin
për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, Sekretari i OSBE u shpreh qartë se
“kriza duhet të zgjidhet mes palëve politike dhe brenda kornizës kushtetuese.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Thomas
Greminger tha të enjten nga Tirana se ngërçi politik në Shqipëri duhet të
zgjidhet nga institucionet shqiptare përmes dialogut gjithëpërfshirës. Ai tha
se OSBE inkurajon nisjen e dialogut si rruga e vetme demokratike për zgjidhjen
e ngërçit politik në vend.
“Ne padiskutim i ndjekim nga afër zhvillimet politike të Shqipërisë. Shpresojnë që ngërçi të kapërcehet, zgjedhja duhet të gjendet brenda për brenda, ne inkurajojmë dialogun, kërkimin e përbashkët të problemeve që ekzistojnë në vend. Aktorët politikë të angazhohen të gjithë për funksionin e institucioneve demokratike. Dialogu të realizohet duke respektuar Kushtetutën dhe institucionet. OSBE është e gatshme të ofrojë mbështetje por asnjë zgjidhje nuk mund të jetë e qëndrueshme nëse të gjithë aktorët nuk përfshihen në një zgjidhje”, u shpreh Greminger në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.
Cakaj nga ana e tij tha se qeveria është e
gatshme për të nisur dialogun si me opozitën parlamentare, ashtu edhe me atë jashtëparlamentare
për të diskutuar për rekomandimet e OSBE për reformën elektorale.
“Jemi të gatshëm për dialog me të gjitha partitë
politike në Shqipëri për të negociuar mbi reformën elektorale në përputhje me
rekomandimet OSBE. Kjo nuk nënkupton kompromis për legjitimitetin e institucioneve
aktuale, apo për ndryshime kushtetuese”, tha Cakaj, në të njejtën linjë me
deklaratat e kryeministrit për këtë çështje.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, do të
zhvillojë gjatë ditës takime edhe me kryeministrin Rama dhe Presidentin Meta,
ndërsa vizita e tij është në kuadër të marrjes së presidencës së OSBE-së, për
herë të parë nga Shqipëria, vitin e ardhshëm.
Qeveria shqiptare po përgatit projektligjin e ri për mediat në të cilin përfshihet edhe masat anti-shpifje, regjistrimin e portaleve online dhe monitorimin e tyre nga Autoriteti Shqiptar i Medias (AMA). Në hartimin ligjor të Projektligjit për Shërbimet e Medias në Shqipëri, qeveria ka kërkuar edhe konsulencën e OSBE.
Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Désir ka bërë një analizë të këtij projektligji, ku nënvizon përmirësime të dukshme të tij krahasuar me versionet e mëparshme dhe cilëson se këto ndryshime do të prekin vetëm legjislacionin e medias audiovizive dhe ofruesit e botimeve elektronike.
“Ka përmirësime të dukshme kundrejt versioneve të mëparshme të analizuara. Më së shumti gjë e rëndësishme është ajo dispozita kundërthënëse lidhur me regjistrimin e emrave të domain-it dhe bllokimi janë eliminuar. Për më tepër, propozimet e reja nuk përfshijnë ndryshime në legjislacionin e telekomunikacionit, por vetëm në legjislacionin e medias audiovizive dhe ofruesit e botimeve elektronike. Projekti në mënyrë eksplicite përmend nevojën që Autoriteti Shqiptar i Medias (AMA) të respektojë standardet ndërkombëtare dhe rajonale kur miraton vendimet e saj. Një tjetër element pozitiv është fakti se propozimi përfshin një përshtatje specifike të së drejtës për t’u përgjigjur në mjedisin e ri të mediave online” – thuhet në analizën e OSBE.
Përfaqësuesi i OSBE, theksoi se “Është e nevojshme që legjislacioni i ardhshëm të respektojë standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së për lirinë e shprehjes dhe që të mos ndikojë negativisht në lirinë e medias në vend“. OSBE ka vlerësuar bashkëpunimin konstruktiv me autoritetet shqiptare që çuan në përmirësime të shumta megjithatë shtoi se “ende nevojiten përmirësime të mëtejshme të ligjit. Shpresojmë që kjo të bëhet gjatë procesit parlamentar.”
Përfaqësuesi i OSBE-së deklaroi se rregullimi i versioneve elektronike të medias së shkruar nuk duhet të jetë e njëjtë me atë të shërbimeve të mediave audiovizive duke rekomanduar që ato të përjashtohen nga kjo fushëveprimi i këtij projektligji.
Ai theksoi se “Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), rregullatori i mediave audio-vizuale nuk duhet të jetë zëvendësim i gjyqësorit të pavarur apo mekanizmave të duhur vetërregullues për çështjet e lirisë së shprehjes”, duke shtuar se kjo vlen edhe për bllokimin për përmbajtjen, gjobat për shkelje të ligjit dhe modalitetet e së drejtës për t’u përgjigjur.
“Bllokimi ose pezullimi i botimeve në internet konsiderohet një masë ekstreme e shtetit kundrejt të drejtës së lirisë së shprehjes dhe për këtë arsye pranohet nga standardet ndërkombëtare vetëm në rastet e shkeljeve shumë serioze të të drejtave të tjera të njeriut ose parimeve demokratike, ose kur masa të tjera nuk mund të zbatohen.” – thotë OSBE
Përfaqësuesi vuri në dukje se kompetencat e AMA lidhur me “bllokimin e përkohshëm / kufizimin e aksesit në internet”mund të zbatohen vetëm në tre rastet e qarta të përcaktuara në ligj: pornografia e fëmijëve; inkurajimin e akteve terroriste; dhe shkeljet e sigurisë kombëtare dhe kur masat e tilla konsiderohen si të nevojshme dhe proporcionale, duke marrë parasysh ekzistencën e një rreziku të afërt.
Përfaqësuesi gjithashtu tregoi se “duhet të krijohet një mekanizëm i duhur për apelimin dhe rishikimin përpara gjyqësorit për mbrojtjen e botuesit dhe të qytetarëve. Në rrethana të tjera, masat e tilla duhet të trajtohen nga sistemi i drejtësisë penale. Kompetencat e AMA nuk duhet të shtrihen në trajtimin e çështjeve të tilla si shpifja “.
Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e
Jashtme, Gent Cakaj tha se Shqipëria ka nisur përgatitjen për të marrë kryesinë
e OSBE-së në 2020. Cakaj cilësoi se Shqipëria çdo ditë e më shumë po dëshmon
besueshmërinë dhe kapacitetin e saj për veprim efektiv ndërkombëtar.
Këto deklarata Cakaj i bëri gjatë takimit
informal të Ministrave të Jashtëm të vendeve pjesëmarrëse të OSBE-së që u
zhvillua në Malet e Tatras, në kuadër të Kryesisë sllovake.
“Mbledhja
u përqendrua kryesisht në diskutimet e shteteve pjesëmarrëse mbi praktikat
efektive të parandalimit, menaxhimit dhe zgjidhjes së konflikteve dhe
zhvillimit të multilateralizmit efektiv në tërësi. Ky takim ishte veçanërisht i
vyer për t’i informuar vendet pjesëmarrëse të OSBE-së për përgatitjet e
Shqipërisë në marrjen e Kryesisë në vitin 2020 në tre vektorë kryesorë:
politik, burime njerëzore dhe logjistik-financiar. “ shkruan Cakaj në Facebook
Ministri në detyrë Cakaj nuk la pa theksuar se
ky takim ishte i vyer për të treguar kapacitetet e patjetërsueshme të Shqipërisë
për të kryesuar OSBE vitin e ardhshëm.
“Si
pjesë e Trojkës dhe Kryesuese e Grupit të Mesdheut, Shqipëria çdo ditë e më
shumë po dëshmon besueshmërinë shtetërore dhe kapacitetin e saj për veprim
efektiv ndërkombëtar. Shqipëria disponon kapacitetet e patjetërsueshme për të
marrë kryesinë e Organizatës 57 anëtarëshe, përgjegjëse për një numër të
konsiderueshëm çështjesh politike-ushtarake, ekonomike-mjedisore dhe të të
drejtave të njeriut dhe lirive themelore nga Vankuveri deri në Vladivostok!”
– shkruan Cakaj
OSBE-ODIHR ka publikuar Raportin Paraprak për zgjedhjet lokale të 30
qershorit. Ambasadorja Aundrey Glover foli në një konferencë për shtyp, ku
prezantoi në përgjithësi disa nga gjetjet e këtij raporti. Por, Realstory.al,
ka siguruar të plotë raportin e OSBE-ODIHR për zgjedhjet lokale, duke sjellë në
mënyrë të analizuar gjetjet kryesore të tij. Së pasi, në raport, vlerësohet fakti
që zgjedhjet ishin të qeta, ndërsa në raport, vlerësohet dhe procesi i numërimit.
“Zgjedhjet ishin të qeta, vlerësohet procesi i numërimit: Ajo çka ishte
pozitive, ishte se votimi u zhvillua përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe
paqësore, ndërkohë që numërimi u vlerësua në përgjithësi pozitivisht, ndonëse
disa procedura nuk u ndoqën gjithmonë me korrektesë”, shkruhet në raport.
Megjithatë raporti thekson se interpretimet kontradiktore të dekretit të
Ilir Metës për anulimin e zgjedhjeve, si dhe thirrjet ndaj zgjedhësve për
bojkotim, kanë cënuar, sipas OSBE-ODIHR, besimin e publikut te procesi. “Përbërja
e paekuilibruar politikisht e administratës zgjedhore, thirrjet e partive
opozitare ndaj zgjedhësve për të bojkotuar zgjedhjet dhe interpretimet
kontradiktore të vlefshmërisë së dekreteve të Presidentit që anulonte zgjedhjet
e 30 qershorit cenuan besimin e publikut te procesi”.
Raporti vlerëson pozitivisht progresin që ka bërë vendi ynë në raport
me barazinë gjinore në zgjedhje. Në një prej pikave të tij, vlerësohet fakti që
KQZ-ja nuk ka pranuar të rregjistrojë listat për Këshillat Bashkiake, nga partitë
që nuk plotësonin 50% të përfshirjes së secilës gjini. “Në përputhje me ligjin,
u regjistruan vetëm ato lista kandidatësh për anëtarë këshillash bashkiakë që
plotësonin kushtin e përfshirjes së 50 për qind të secilës gjini, ku një në dy
kandidatë t’i përkiste secilës gjini. Sistemi i kuotave ka krijuar një mjedis
të favorshëm për pjesëmarrje më të madhe të grave në jetën politike, por të
pakta janë gratë që mbajnë pozicione drejtuese në partitë politike”.
Mungesa e partive opozitare në zgjedhje, pamundësoi, sipas OSBE-ODIHR,
zgjedhjen mes alternativave politike, ndërsa shton se ka pasur presione ndaj punonjësve
të administratës për të demonstruar publikisht preferencat politike. “Pavarësisht
kësaj, zgjedhësit nuk patën mundësi të plota zgjedhjeje mes alternativave
politike, duke qenë se partitë kryesore opozitare vendosën të mos marrin pjesë
në zgjedhje. Qytetarët, sidomos ata që punonin për administratën publike, u
përballën me presione direkte dhe indirekte për të demonstruar preferencat e
tyre politike”.
Në raport, evidentohet fakti që mosmarrëveshjet për çështje zgjedhore,
përfshirë dhe dekretin për anulimin e zgjedhjeve, u zgjidhën nga organet
ligjore, për administrimin e zgjedhjeve, KQZ dhe Kolegji Zgjedhor. “Mosmarrëveshjet
zgjedhore u zgjidhën përgjithësisht nga KQZ-ja dhe nga Kolegji Zgjedhor brenda
afateve të parashikuara”.
Zhvillimi i zgjedhjeve në kushte paqësore evidentohet shpesh në raportin e OSBE-ODIHR. Në
një prej paragrafëve të këtij raporti, procesi i votimit vlerësohet pozitiv në
94% të qendrave të votimit, megjithëse, janë vrejtur parregullsi, si votimi në
grup, në 12% të qendrave të votimit. “Dita e zgjedhjeve qe përgjithësisht
paqësore, me protesta të vogla dhe disa raste të izoluara vandalizmi ose dhune
të vërejtura në disa zona. Sipas KQZ-së, votimi nuk mund të zhvillohej në
shtatë qendra votimi. Me ndryshime mes bashkive të ndryshme, pjesëmarrja arriti
në 21.6 përqind në shkallë vendi. Votimi u vlerësua pozitivisht në 94 përqind
të qendrave të votimit të vëzhguara nga MVZ-ja e ODIHR-it. Votimi në grup, duke
përfshirë edhe votimin familjar, si dhe votimi me prokurë u vu re në 12 përqind
të vëzhgimeve. Pothuajse dy të tretat e qendrave të vëzhguara të votimit nuk
krijuan mundësi për hyrjen në mënyrë të pavarur të zgjedhësve me aftësi të
kufizuar”.
Veprimtaria e opozitës gjatë muajit të fushatës, evidentohet gjithashtu
si një nga problematikat e këtij raporti paraprak. OSBE shkruan se dhuna dhe
vandalizmi shënjuan protestat e opozitës kundër institucioneve shtetërore. “Protesta
të vazhdueshme të opozitës, të drejtuara nga PD-ja, u shenjuan nga dhuna dhe
vandalizmi kundër institucioneve shtetërore, duke përfshirë më vonë edhe
administratën zgjedhore”.
Ndërkohë, në raport shtohet fakti që kryeministri Edi Rama kërkoi
mbajtjen e zgjedhjeve më 30 qershor, për të mos cënuar “bashkëjetesën
demokratike” dhe krijimin e një precedenti në të ardhmen. “Kryeministri i hodhi
poshtë kërkesat e opozitës dhe, duke paralajmëruar se kjo mund të çonte në
krijimin e një precedenti që do të kërcënonte atë çka ai e përshkroi si
“bashkëjetesë demokratike” të qeverive të zgjedhura dhe të opozitave të tyre
parlamentare, bëri thirrje që zgjedhjet të mbaheshin siç ishin planifikuar”.
Në një tjetër moment, OSBE-ODIHR, shprehet se dekretet e 10 dhe 27
qershorit të Presidentit Ilir Meta, kontribuan në pasigurinë juridike dhe
politike në vend. “Dekretet e 10 qershorit dhe 27 qershorit të Presidentit dhe
veçanërisht reagimet e ndryshme që ata ngjallën mes aktorëve institucionalë dhe
politikë, kontribuuan të gjitha bashkë në pasiguri juridike dhe politike”.
Më tej, vëzhguesit ndërkombëtar të OSBE-ODIHR, shprehen se thirrjet e opozitës
drejtuar elektoratit për të bojkotuar zgjedhjet, ndikuan negativisht në besimin
e publikut te procesi zgjedhor. “Kombinimi i thirrjeve të opozitës drejtuar
elektoratit për të bojkotuar zgjedhjet, anshmërisë politike të autoriteteve
bashkiake dhe përbërjes së paekuilibruar të administratës zgjedhore ndikuan
negativisht në besimin e publikut te procesi zgjedhor”.
Në këto kushte, OSBE-ODIHR, shkruan se thirrjet e PD dhe LSI, që u kërkonin
qytetarëve të mos ushtronin të drejtën për të votuar, dhe në kushtet e një
numri të vogël kandidatësh, gara thelbësore që iu ofrua qytetarëve, ishte pjesëmarrja
ose jo në zgjedhje. “Si PD-ja, ashtu edhe LSI-ja, u bënë thirrje njerëzve që të
mos ushtronin dhunë në ditën e zgjedhjeve. Në rrethanat e një numri të vogël
kandidatësh dhe shumë garave pa kundërshtarë, zgjedhja thelbësore që iu ofrua
qytetarëve në një mjedis fushate përçarës ishte nëse duhet të merrnin apo jo
pjesë në zgjedhje”.
Media televizive, sipas OSBE-ODIHR, ka qenë neutrale por dhe e
pozicionuar, ndaj partive politike në vend. Ndërkohë, një nga pikat thelbësore të
këtij raporti, është puna e Prokurorisë së Përgjithshme. OSBE-ODIHR shprehet se
akuat për thirrje publike për dhunë, organizime të paligjshme, shkatërrim të pronës
si dhe pengim të administratës zgjedhore, partitë opozitare i kanë motivuar
politikisht disa prej këtyre rasteve. Por, raporti shprehet se mungesa e
efikasitetit në hetimet penale të këtyre krimeve, qoftë edhe në të shkuarën, ka
krijuar perceptimin e pandëshkueshmërisë së krimeve zgjedhore.
“Akuzat përfshinin thirrje publike për dhunë, organizimin ose
pjesëmarrjen në manifestime të paligjshme, bllokim rrugësh, shkatërrim të
pronës me lëndë shpërthyese, si dhe pengim të administratës zgjedhore dhe
shkatërrim të materialeve zgjedhore. Partitë opozitare i konsiderojnë të
motivuara politikisht disa prej këtyre rasteve. Përveç kësaj, disa
bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it shprehën shqetësime rreth mungesës në
përgjithësi të efikasitetit të hetimeve penale, gjë që çon në perceptimin e
përhapur të pandëshkueshmërisë për krime zgjedhore në të kaluarën, përfshirë
edhe veprat e shitblerjes së votave dhe ushtrimin e presionit mbi votuesit”.
Në fund, raporti fokusohet te dita e zgjedhjeve, ku janë vrejtur disa parregullsi,
përfshi hapjen me vonesë të disa qendrave të votimit dhe moszbatimin e
procedurave standarde nga komisionerët për hapjen e këtyre qendrave, megjithatë.
“Hapja e votimit u vlerësua negativisht në 9 prej 73 qendrave të vëzhguara të
votimit, ku gjysma u hapën me vonesë, kurse shumica me më pak se 15 minuta
vonesë. Në 11 qendra votimi, vëzhguesit e MVZ-së së ODIHR-it vunë re se nuk u
ndoqën procedurat e hapjes së votimit, duke përfshirë mosdepozitimin e të
dhënave të vulosjes së kutive të votimit. Votimi qe përgjithësisht i qetë dhe u
vlerësua pozitivisht në 94 përqind të qendrave të votimit të vëzhguara nga
MVZ-ja e ODIHR-it”.
Por, raporti thekson faktin që në shumë bashki, u tentua pamundësimi i
zgjedhjeve nga të zgjedhurit vendor të opozitës, të cilët nuk lejuan përdorimin
e ambienteve publike të përdoreshin si qendra votimi. “Votimi u krye pas një
sërë njoftimesh nga shumica e bashkive të drejtuara nga opozita se zgjedhjet
nuk do të zhvilloheshin më 30 qershor. Disa kryetarë bashkish u përpoqën të
përdorin kompetencat e tyre për të mos lejuar përdorimin e ndërtesave publike
si qendra votimi. Në një numër të vogël qendrash votimi pati dëmtime nga
zjarrvënia para ditës së zgjedhjeve”.
Një tjetër aspekt i raportit është fakti se votuesit kanë shfaqur frikë, se pjesëmarrja e tyre në procesin e votimit, do të shfaqte preferencën e tyre politike, sidomos në ato bashki ku PS kandidonte e vetme. “Disa votues kishin frikë se qoftë edhe vetëm pjesëmarrja në votim do të shfaqte preferencën e tyre politike, sidomos në ato bashki ku kandidatët e PS-së garonin pa kundërshtarë”. Ndërsa, shton më tej, se në pothuajse të gjitha qendrat e vëzhguara, procedurat e mbylljes së kutive janë zbatuar me korrektesë. “Në pothuajse të gjitha rastet e vëzhguara, procedurat e mbylljes u ndoqën me korrektesë dhe KQV-të i transferuan materialet në VNV pa vonesë. Transferimi dhe marrja e materialeve u vlerësuan pozitivisht në të gjitha 62 rasteve të vëzhguara, përveçse në 2 prej tyre”. /Relastory.al/
Vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve lokale
në Shqipëri njoftojnë se do të paraqesin gjetjet e tyre paraprake dhe
përfundimet, në një konferencë shtypi të hënën.
Konferenca për shtyp do mbahet nga shefja e
misionit të vëzhguesve Audrey Glover.
Misioni i OSBE-së për Institucionet
Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) si dhe Misioni i Vëzhgimit të
Zgjedhjeve është vendosur në Shqipëri që nga 24 maji 2019.
“Gjetjet paraprake dhe konkluzionet e
paraqitura në konferencën për shtyp do të japin një vlerësim zyrtar të procesit
zgjedhor për pajtueshmërinë e tij me angazhimet e OSBE-së dhe obligimet e tjera
ndërkombëtare dhe standardet për zgjedhjet demokratike, si dhe me
legjislacionin kombëtar. Misioni vëzhgues i Zyrës së OSBE-së për Institucionet
Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) numëron 174 vëzhgues nga 33 vende
dhe është i vetmi grup ndërkombëtar vëzhgimi në terren në Shqipëri për
zgjedhjet lokale të 30 qershorit”, njofton OSBE.
Pra fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit, do të kemi një vlerësim ndërkombëtar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Raport ky që merr një rëndësi të veçantë në situatën aktuale politike ku ndodhet vendi, ku partitë opozitare nuk do të futen në zgjedhjet e 30 qershorit dhe së bashku me presidentin Meta thonë se kjo datë ka rënë. Por deri tani faktori ndërkombëtarë e ka bërë të qartë se i njeh zgjedhjet e 30 qershorit dhe ka bërë apel për qetësi dhe paqe.
Sulmet ndaj KZAZ-ve dhe fotot e frikshme me
zjarr nga protestat e opozitës që shfaqen në mediat e huaja duket se kanë
trembur Kongresin e Autoriteteve Lokale të KE-së, i cili njofton se nuk do të dërgojë
vëzhgues për zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri.
Shkak për këtë është bërë pasuria në vendin
tonë.
“Në vijim të emailit të mëposhtëm, me të cilin
ju ftojmë në një takim me një delegacion të Kongresit të Autoriteteve Rajonale
e Lokale të Këshillit të Evropës, po ju informojmë se udhëheqja e Kongresit
(Presidenti në konsultim me dy Presidentët e Dhomave, në përputhje me rregullat
e Kongresit) ka vendosur të mos dërgojë në Shqipëri një Delegacion Vëzhgues
Zgjedhjesh nga Kongresi për shkak të pasigurisë së vazhdueshme në lidhje me
organizimin e zgjedhjeve lokale në Shqipëri më 30 qershor dhe për për shkak të
rreziqeve të mundshme për sigurinë në disa zona të caktuara.
Ju kërkojmë ndjesë për çdo problem që mund
t’ju shkaktojë anulimi në çastet e fundit dhe ju falënderojmë për gatishmërinë
për të korresponduar me Kongresin”, shkruhet në njoftimin e tyre.
Nga ana tjetër OSBE është e angazhuar me 150 vëzhguesit e saj që do të monitojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Shqipëri. Shefja e misionit të vëzhgimit Glover pavarësisht debateve politike në vend, ka vazhduar misionin e saj për mbledhjen e informacioneve duke zhvilluar takime në selitë e të gjitha partive politike në vend. Ditën e mërkurë ajo zhvilloi një takim rreth 60 minuta me kreun e PD-së, Lulzim Basha, pavarësisht faktit se ai nuk do të marrë pjesë në zgjedhjen e 30 qershorit.
Faktori ndërkombëtar do të kenë në përfundim një
raport të detajuar nga vëzhguesit e OSBE për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Shqipëri.
OSBE, zakonisht është institucioni ndërkombëtar që certifikon zgjedhjet.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Twitter,
pas publikimit ekskluzivisht nga Realstory.al të letrës, që kreu i shtetit Ilir
Meta i dërgon kreut të OSBE, Miroslav Lajçak, ku i shpreh shqetësimin për situatën
në Shqipëri.
Meta, në letrën dërguar Lajçak, shprehet se
Shqipëria rrezikon të përfundojë në një konflikt të rëndë civil, të cilin e bën
fakt të kryer kur shprehet: “Prej dhjetë ditësh po përpiqem… të ndaloj
konfliktin civil, që për fat të keq mund të dëmtojë procesin e integrimit dhe
kryesimin e ardhshëm tonin të OSBE”.
Kreyministri Rama ka bërë jo pak ironi me këtë
letër të Presidentit kur thotë “inshallah ka humbur rrugës e s`ka arritur në
destinacion”.
“Kjo letra e Ilir Metës për Presidentin e
OSBE inshallah ka humbur rrugës e s’ka arritur në destinacion, se do kujtojnë
bota se është shkruar nga ndonjë humorist që ka dashur të tallet me Presidentin
e Republikës, duke e nxjerrë si një të lajthitur që bërtet pa ditur çfarë flet”,
shkruan Rama.
Në letrën që Ilir Meta i dërgon Miroslav Lajçak, lexohet qartë një pozicionim i kreut të shtetit në krah të opozitës, duke ngarkuar me përgjegjësi qeverinë. Për më tepër lexoni letrën e publikuar ekskluzivisht nga Realstory.al/
Letra e Presidentit dërguar kreut të OSBE në Vienë, që e botoi në mënyrë ekskluzive Realstory.al., meriton analizë të plotë. Cilat janë të vërtetat e letrës dhe cilat janë gënjeshtrat e saj. Cilat janë faktet e argumentet e Presidentit dhe cilat gjëra ai “harroi” t’i thoshte?
Le t’i marrim me rradhë.
1.
“Kryeneçësinë e Kryeministrit për të shkuar përpara me zgjedhjet,
pavarësisht faktit se në 31 nga 61 bashki do të kishin vetëm një kandidat të
regjistruar nga Partia Socialiste; ndërsa 22 të tjera kanë nga një kandidat
alternativ më shumë, të një partie fallco, të regjistruar përtej afateve
ligjore, duke shkelur të gjithë procedurat ligjore dhe administrative”
FAKE: Partia e Astrit Patozit është
regjistruar nga KQZ dhe deri në këtë moment nuk ka asnjë ankimim në Kolegj
Zgjedhor për pavlefshmërinë e këtij akti.
2.
“Duhet të theksohet se:
– Partitë aktuale opozitare politike (PD: LSI, PDIU dhe të tjerë
aleatë) përbëjnë 48. 14% të votave të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare
të vitit 2017, ndërsa Partia Socialiste (PS) dhe aleatët politikë të saj
aktualë përbëjnë gjithsej 49.83% të votave.
– Sa i përket përfaqësimit lokal, blloku aktual i opozitës përbën 48.6%
të votës popullore të vitit 2015, ndërsa Partia Socialiste dhe aleatët e saj
përbëjnë 43% të votave.
– Në lidhje me këto të dhëna, zhvillimi i zgjedhjeve të qeverisjes
vendore më 30 qershor 2019, pa pjesëmarrjen e opozitës, që përfaqëson të paktën
gjysmën e elektoratit shqiptar, shkel parimet kushtetuese cilësuara nga
dispozitat e posaçme kushtetuese”.
FAKE: Në asnjë nen të Kushtetutës nuk shkruhet se vlefshmëria e zgjedhjeve përcaktohet nga pjesëmarrja në votime, falë një ndryshimi të bërë në vitin 2008. Gjithashtu në Kodin Zgjedhor përcaktimet janë të qarta. Dhe sidomos nëse në garë ka vetëm një kandidat (një gjë e ligjshme), për përcaktimin e fituesit mjaftojnë një numër minimal votash nga çdo kuti (tre). Pra edhe ky argument i presidentit është vetëm politik, por jo ligjor.
3.
– Në të njëjtën kohë, mbajtja e zgjedhjeve të tilla do të përbënte një
shkelje e nenit 3, Protokolli 1, i Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut
dhe të klauzolave preambulative të MSA-së me BE-në.
FAKE: Ky është thjesht një interpretim politik i Presidentit. Kushtetuta e Shqipërisë është akti i parë i pranuar nga institucionet ndërkombëtare. Nëse do ishte e vërtete kjo që thotë presidenti, atëherë OSBE do të kishte ndaluar misionin e saj të ODHIR dhe do kishte çuar zonjën Glover në shtëpi. Për më tepër OSBE dhe ODHIR janë bashkëhartues dhe sponsorizues të Kodit Zgjedhor. Pra veç një interpretimi të njëanshëm politik, këto argumente të Metës për OSBE, janë të tipit “Hajde baba, të të tregoj arat”.
4
– Klima shumë e tensionuar politike dhe sociale po shkon drejt sistemit
monopartiak dhe potencialit për të përshkallëzuar konfliktin civil në të gjithë
vendin. Veprimet institucionale që kërcënojnë pluralizmin politik, janë një
sulm ndaj vetë ekzistencës së Republikës;
FAKE: KQZ i vetmi autoritet i pavarur ka regjistruar dhjetëra parti në zgjedhjet e 30 qershorit. Këto mund të mos jenë parti nga ato që i pëlqejne presidentit, por simpatia politike nuk është një argument kushtetues, përkundrazi antikushtetues i veprimtarisë disa mujore të Presidentit.
5.
– Përpjekjet e mia të vazhdueshme institucionale duke apeluar tek të
gjitha palët që të rivendosin dialogun politik dhe për të zgjidhur krizën
kushtetuese: politike dhe përfaqësuese nuk patën sukses, duke përfshirë edhe
ftesën time për të gjitha palët për një marrëveshje të përbashkët që të
caktohet një datë e re për zgjedhjet lokale.
FAKE: Pas intervistës së Kryeministrit Edi Rama në Real Story në 7 qershor, se zgjedhjet janë në 30 qershor, Presidenti foli publikisht dhe tha: “Dëgjova zotin Rama në një emision TV të thoshte se zgjedhjet nuk shtyhen”. Më 8 qershor nxorri dekretin e shfuqizimit të zgjedhjeve dhe të hënën me 9 qershor tha në konferencë për shtyp se nuk e kishte parë të arsyeshme të konsultohej me zotin Rama, i cili ka thënë publikisht se për të zgjedhjet nuk shtyhen”. Pra, presidenti së paku me njërën palë, nuk ka pasur kontakte as formale dhe as joformale për të diskutuar një datë të re zgjedhjesh. NJE DATE TE RE ZGJEDHJESH? Edhe ky, eshte nje tjetër autogol kushtetues i Metës. Sepse ai duhet të kishte nxjerrë menjeherë dekretin e zgjedhjeve të reja.
6.
“Informacioni i poseduar në cilësinë time si President i Republikës për
një përplasje të mundshme gjatë protestës kombëtare të 8 qershorit”
FAKE: Asnjë informacion të posaçëm nuk ka patur për dhunë në protestën e 8 qershorit. Përkundrazi. Ajo ishte ashtu si kjo e fundit, civile dhe me pantomima e mizanskena të këndshme. Një “karnavale” politike para Kryeministrisë. Por pikërisht njoftimi i anulimit të dekretit, u përdor nga lideri i opozitës në fjalimin e tioj, duke e cilësuar “fitore të aksionit opozitar”. Dhe ky lajm, rriti më pas sërish tensione të vogla dhe të izoluara para kuvendit në fund të protestës.
7.
“Kushtetuta jonë përcakton qartë Presidentin e Republikës si të vetmin
autoritet me të drejtë ligjore për të shpallur datën e zgjedhjeve.”
E VËRTETË. Por ky është autogoli më i madh i letrës së Presidentit. Nëse më sipër ai thotë se ka anuluar dekretin për zgjedhjet e 30 qershorit, me kete fjali, ai pranon se ka shkelur Kushtetutën. Sepse siç thotë vetë “Kushtetuta jonë përcakton qartë Presidentin e Republikës si të vetmin autoritet me të drejtë ligjore (vetëm) për të shpallur datën e zgjedhjeve.”
8.
“Për më tepër, me ligj, i vetmi institucion që mund të gjykojë mbi këtë
Dekret të Presidentit është Gjykata Kushtetuese, e cila siç e dini është jo
funksionale.”
E VËRTETË. Por ky duhet të ishte argument plus për Presidentin që të ruante Kushtetutën dhe jo ta përdorte atë me papërgjshmëri, vetëm sepse “s’ka roje”. Sepse edhe ai është roje i Kushtetutës.
9.
“Ngjarjet, në mënyrë alarmante po përshkallëzohen nga kryeministri dhe
ministrat e kabinetit, jo vetëm duke provokuar me retorikë thellësisht
përçarëse dhe konfliktuese me anëtarët e opozitës dhe civilët, por edhe duke
ushtruar presion të paligjshëm për kapjen e të gjitha institucioneve të tjera,
që të çon drejt një grushti institucional të Kryeministrit”.
FAKE: Nëse do ishte e vërtete, atëherë presidenti i republikës duhet të thërriste urgjent mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Do të merrte gjithë masat e duhura kushtetuese në rast të cënimit të rendit kushtetues. Por deri tani i vetmi argument që përdor është botimi në Fletoren Zyrtare i dekretit të tij. Por nëse do ishim në kushtet e grushtit te shtetit, përse qeveria (qe boton fletoren zyrtare), nuk e pengoi botimin e tij? Perkundrazi, qeveria është treguar dinake për të botuar dekretin, ndoshta për ta pasur si fakt të pakundërtueshem në procesin që tashmë ka nisur për shkarkimin e Presidentit.
10.
“Kryeministri Rama refuzon të pranojë Dekretin e Presidentit dhe ka
urdhëruar përfaqësuesit e tij socialistë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të
vazhdojnë përpara me zgjedhjet e 30 qershorit, komplet në shkelje të hapur të
Kushtetutës dhe legjislacionit të vendit”.
FAKE: Ka qënë KQZ që ka shpallur
pavlefshmërinë absolute të këtij dekreti me mosveprim dhe vazhdim të procesit të
përgatitjes së zgjedhjeve. Qeveria me ligj është e detyruar të ndihmojë në këtë
proces. Kaq është roli i saj në bazë të
Kodit Zgjedhor.
11.
“Nga ana tjetër, këta (socialistët) anëtarë të Komisionit Qendror të
Zgjedhjeve kanë bërë thirrje për mosrespektimin e Dekretit të Presidentit të
Republikës dhe për të ecur përpara me zgjedhjet e 30 qershorit, duke i
kërcënuar publikisht të gjithë qytetarët, të cilët vendosin t’i binden këtij
akti ligjor”.
FAKE: Anëtarët e KQZ propozohen nga partitë politike, por në momentin e zgjedhjes, kryejnë funksione jashtë politikës. Anatemimi me sens “pezhorativ” “socialistë”, është i pavërtetë dhe jo etik. Këtu për shembull presidenti nuk përmend dorëheqjen e tre anëtarëve të tjerë të KQZ, bile as nuk i cilëson “demokratë”. Presidenti nuk përmend që Kreu i KQZ qëndron në detyrë, megjithëse nuk është “socialist”. Ai ska marrë pjesë në votime të caktuara, por ka votuar në të tjera. Më e rëndësishmja: atë të shpërndajres së misionit vëzhgues të huaj në terren. Po ky votim, përse nuk quhet antiligjor nga Presidenti?
12.
“Siç thashë më lart, trazirat civile kanë shpërthyer në dhjetëra
bashki, me punonjës bashkie dhe civilë duke u përplasur me Policinë e Shtetit
për zhvillimin e zgjedhjeve lokale njëpartiake.”
FAKE: Letra mban datën 20 qershor. Prej dy ditësh në vend nuk kishte thuajse asnjë trazirë. Por letra ka mbërritur në tryezën e Lajçak, PERPARA mitingut të Ramës në Shkodër. Duket sikur presidenti ka dashur të paralajmërojë përplasje të forta që do të pasonin këtë vizitë. Por ajo që ndodhi ishte një protestë normale me shenja tensioni, por nuk pati përplasje të rënda dhe vetë organizatorët e protestës (Voltana Ademi dhe Flamur Noka) bënë thirrje publike kundër dhunës. Në fund gjithçka shkoi qetësisht.
13.
“Policia e Shtetit po përdoret për të ndaluar këto bashki dhe qytetarë
që të zbatojnë dhe respektojnë Dekretin e Presidentit, sipas ligjit të
Republikës”.
FAKE: Policia në fushatë
zgjedhore ndjek udhezimet e KQZ, autoriteti më i lartë zgjedhor në vend dhe
mbron procesin pergatitor duke ruajtur e shoqëruar materialet zgjedhore.
Qeveria nuk ka vendimmarrje. Ajo është e detyruar të ndjekë urdhërat e KQZ.
14.
“Tensionet janë rritur më tej dhe autonomia e organeve të qeverisjes
vendore është shkelur, duke rritur sjellë në rritje gjendjen e paligjshmërisë
dhe anarkinë.”
FAKE: Pushteti lokal është aq autonom në Shqipëri, sa krerët bashkiakë të opozitës nuk kane zbatuar urdhëresat e KQZ, kanë sulmuar KZAZ dhe prishur materiale zgjedhore si në Kukës. Mbajtja e zgjedhjeve synon vetëm rinovimin e mandatit të të zgjedhurve. Të thuash që zgjedhjet prishin autonominë vendore, është një argument absurd, por jo kushtetues.
15.
“Pavarësisht se kanë kaluar 10 ditë nga dekreti im presidencial, unë
vazhdimisht po u bëj thirrje të gjitha palëve të rivendosin dialogun politik,
që synon zgjidhjen urgjente të kësaj krize gjithnjë në rritje, dhe për të
parandaluar çdo konflikt civil gjë që për fat të keq do të rrezikonte
stabilitetin e Shqipërisë dhe atë të Procesi i integrimit evropian të saj, duke
përfshirë edhe statusin tonë në pritje për Kryesinë e radhës së OSBE-së”.
FAKE: Integrimi europian ka vetëm një kusht: “rezultatet konkrete në reformën në drejtësi”. Lexo: ngritjen e SPAK dhe BKH
OSBE drejtimin e të cilës e marrim në janar 2020, ka qënë e qartë deri tani në pozicionin e saj për zgjedhjet e 30 qershorit, me fjalë (duke mos e përmendur fare çdekretimin dhe duke shprehur shqetesim për dhunimet e KZAZ-ve). Kjo sepse misioni i ODHIR ndjek veprimtarine e KQZ dhe jo të qeverisë, apo kryeminstrit.
Dhe të bën përshtypje përse Presidenti në letrën dërguar Lajçak, nuk i
kërkon atij pikërisht këtë: që në zbatim të dekretit që ai e quan të ligjshëm
dhe meqë ai qenka i vetmi autoritet kushtetues për zgjedhjet, përse nuk i kërkon
kreut të OSBE që ODHIR të ndërpresë misionin e tij për zgjedhjet e 30
qershorit?
Një autogol i fundit, në letrën që kreu i shtetit i dërgon zotit Lajçak.
A thua të ketë harruar?
Në kohë është. Le t’ja kërkojë tani.../realstory.al/
Ajo çka do të lexoni më poshtë, nuk është ndonjë gjë e re. Ilir Meta ka shkruar me dorën e tij, atë që ne e dimë të gjithë. Se Ai nuk është President, por lider i opozitës. Realstory.al është në posedim të Letrës që kreu i shtetit i ka dërguar Miroslav Lajçak, kreut aktual të OSBE, pikërisht në 20 qershor, një ditë para protestës së opozitës, të cilësuar jo vetëm më civilja por dhe më e bukura nga pikëpamja e organizimit politik, me gra, vajza e fëmijë, në vend të maskave, dhunës së egër dhe molotovëve. Letra e Metës flet për rrëshqitjen e vendit në konflikt civil, në dhjetëra bashki, pikërisht kur dhuna në KZAZ kishte ndalur prej më shumë se 24 orësh, falë një paralajmërimi serioz për dy partitë kryesore se do të shfaqeshin në listën e zezë të DASH, si organizata kriminale. Një lajm që nuk u konfirmua, po as u përgënjeshtrua nga ambasada Amerikane në Tiranë. Por ajo që të shokon nga letra, janë jo vetëm të pavërtetat që Presidenti Meta shkruan në letër, por njëanshmëria me të cilën ai vlerëson situatën në vend. Në një pikë të letrës ai analizon shifrat elektorale si Eduard Zaloshnja, duke ia shtuar njërës palë, e dhënë tjetrës për të “argumentuar” se më pak se gjysma e votuesve pranojnë të shkojnë në zgjedhje, duke i bërë ato “antikushtetuese”. Por nuk mbaron këtu.
Pasi i flet në pjesën e parë duke radhitur vetëm argumentet e opozitës dhe asnjë të maxhorancës, Ilir Meta i shkruan Lajçak se nisur nga Kushtetuta që “si përfaqësues i unitetit të Kombit (?!)… vendosa revokimin e dekretit të mëparshëm, duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit për një datë të afërt”.
Ashtu si patën dyshuar mediat për shpejtësinë e botimit, të atij që OSBE dhe amerikanët e quajnë njoftim dhe jo dekret, në Fletoren Zyrtare, Meta i referohet këtij fakti, si argument THEMELOR për detyrimin ligjor të zbatimit të tij, duke shtuar se “presidenti është i vetmi autoritet ligjor për shpalljen e datës së zgjedhjeve”.
Në një stil shokues, më pas, për disa burime perëndimorë që kanë parë letrën, ai përmend argumentin e vetëm sfidues të dekretit, Gjykatën Kushtetuese, me lehtësinë që një hajdut mund të thotë: Vodha, se e gjeta derën hapur. Por papërgjegjshmëria e kreut të shtetit, i cili në mungesë të Kushtetueses, duhet të ishte edhe më garant i dokumentit themeltar të shtetit, shkon deri atje, sa të akuzojë se maxhoranca, kryeministri dhe ministra të tij “po ushtrojnë presion të paligjshëm dhe po kapin të gjitha institucionet, çka po çon drejt një puçi institucional”. (lexo puç shteti)
Por letra vazhdon me një thirrje gati “të përlotur”, në stilin e Ismail Qemailit, kur i kërkon Lajçak të vërë dorën në zemër pasi ndërsa i shkruante këtë letër “në dhjetëra bashki ka shpërthyer kaosi civil dhe ku policia bashkiake po përplasen me policinë e shtetit”, e cila sipas Ilirit po përdoret për mbajtjen e zgjedhjeve monopartiake dhe pengimin e zbatimit. Më pas tabloja (apo më mirë skenari që ka ai në kokë) shprehet hapur: “Prej dhjetë ditësh po përpiqem… të ndaloj konfliktin civil, që për fat të keq mund të dëmtojë procesin e integrimit dhe kryesimin e ardhshëm tonin të OSBE”.
Ankth apo kërcënim ky, i presidentit Meta?
Atë e di ai vetë, në momentet e errëta kur ka vendosur të shkruajë këtë letër, jo si kryetar shteti, e aq më pak si simbol i unitetit ndërkombëtar, por si një sponsor i aksionit opozitar dhe firmëtar i ndërgjegjshëm i akteve që shkojnë kundër Kushtetutës, stabilitetit të vendit, kundër ndërkombëtarëve dhe në fund edhe kundër vetes së tij, në pozicionin e Presidentit.
Në fakt kjo letër mund të ishte letra e dorëheqjes së tij nga posti i kreut te shtetit dhe i kalimit zyrtarisht në krahun e opozitës, që do ishte i vetmi akt i ndershëm i Ilir Metës në fund të kësaj krize.
Përndryshe ai mbetet akti më i rëndë i keqpërdorimit të postit shtetëror tërësisht në konfikt interesik, kundër Kushtetutës që ai duhet të mbrojë. Dhe padyshim në fund “epikriza” e procesit të shkarkimit të tij. Për më rëndë e shkruar vetë, me duart e tij. Më poshtë lexoni të plotë letrën e Metës së bashku me faksimilet e origjinalit të saj./realstory.al/
I dashur ministër (Lajçak)
Po ju shkruaj për gjendjen aktuale në Shqipëri dhe ndikimin e mundshëm në kursin tonë të integrimit europian, si dhe për të angazhimin tonë për të kryesuar OSBE-në gjatë vitit 2020.
Që nga takimi ynë i fundit në Tiranë, situata politike, sociale dhe ekonomike në vend është përkeqësuar, me një përshkallëzim të përditshëm drejt një konflikti të mundshëm civil.
Duke marrë parasysh:
– Një seri skandalesh botuar në mediat shqiptare dhe ndërkombëtare, ku përfshihet përgjime, në posedim të prokurorisë, që zbulojnë një skemë të organizuar mes të zyrtarëve të lartë të Partia Socialiste, ministrave të kabinetit dhe Policisë së Shtetit me banda kriminale për zgjedhjet lokale 2016 dhe zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017;
– Mungesën e gatishmërisë dhe veprimeve nga zyra e prokurorisë për të vazhduar me hetimin dhe ndjekjen e menjëhershme të atyre personave të përfshirë në këtë skemë dhe në raste të tjera të rënda korrupsioni të botuara nga mediat ndërkombëtare;
– Protestat e rregullta kombëtare nga opozita e bashkuar dhe protestat e tjera lokale, që po shfaqen në të gjithë vendin, heqjen dorë en block të opozitës nga mandatet parlamentare dhe mosregjistrimin e tyre en block në zgjedhjet lokale të 30 qershorit;
– Kryeneçësinë e Kryeministrit për të shkuar përpara me zgjedhjet, pavarësisht faktit se në 31 nga 61 bashki do të kishin vetëm një kandidat të regjistruar nga Partia Socialiste; ndërsa 22 të tjera kanë nga një kandidat alternativ më shumë, nga një parti fallco, të regjistruar përtej afateve ligjore, duke shkelur të gjithë procedurat ligjore dhe administrative;
Duhet të theksohet se:
– Partitë aktuale opozitare politike (PD: LSI, PDIU dhe të tjerë aleatë) përbëjnë 48. 14% të votave të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2017, ndërsa Partia Socialiste (PS) dhe aleatët politikë të saj aktualë përbëjnë gjithsej 49.83% të votave.
– Sa i përket përfaqësimit lokal, blloku aktual i opozitës përbën 48.6% të votës popullore të vitit 2015, ndërsa Partia Socialiste dhe aleatët e saj përbëjnë 43% të votave.
– Në lidhje me këto të dhëna, zhvillimi i zgjedhjeve të qeverisjes vendore më 30 qershor 2019, pa pjesëmarrjen e opozitës, që përfaqëson të paktën gjysmën e elektoratit shqiptar, shkel parimet kushtetuese cilësuara nga dispozitat e posaçme kushtetuese.
– Në të njëjtën kohë, mbajtja e zgjedhjeve të tilla do të përbënte një shkelje e nenit 3, Protokolli 1, i Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut dhe të klauzolave preambulative të MSA-së me BE-në.
– Klima shumë e tensionuar politike dhe sociale po shkon drejt sistemit monopartiak dhe potencialit për të përshkallëzuar konfliktin civil në të gjithë vendin. Veprimet institucionale që kërcënojnë pluralizmin politik, janë një sulm ndaj vetë ekzistencës së Republikës;
– Përpjekjet e mia të vazhdueshme institucionale duke apeluar tek të gjitha palët që të rivendosin dialogun politik dhe për të zgjidhur krizën kushtetuese: politike dhe përfaqësuese nuk patën sukses, duke përfshirë edhe ftesën time për të gjitha palët për një marrëveshje të përbashkët që të caktohet një datë e re për zgjedhjet lokale.
– Informacioni i poseduar në cilësinë time si President i Republikës për një përplasje të mundshme gjatë protestës kombëtare të 8 qershorit;
Duke vlerësuar ngjarjet në këtë shkallë shqetësimi, me kompetencat që më jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe duke marrë në konsideratë se si një përfaqësues i unitetit kombëtar, duhet të siguroj që dita e zgjedhjeve të jetë dita e unitetit dhe jo e konfliktit për popullin shqiptar, vendosa më 8 qershor të revokoj dekretin tim të parë që përcaktonte datën e zgjedhjeve lokale, duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit për një datë të mëvonshme, që do të vendosej së shpejti.
Dekreti im dhe arsyetimi i plotë kushtetues, ligjor dhe logjik u botua më 10 qershor. Ky dekret u botua në Fletoren Zyrtare më 11 qershor, dhe sipas nenit 117 të Kushtetutës sonë është në fuqi dhe i detyrueshëm për të gjitha institucionet shtetërore dhe qytetarët.
Unë kam këmbëngulur dhe apeluar publikisht që kjo periudhë kohore për të gjithë palët duhet të përdoret si një dritare e mundësisë për të hyrë menjëherë në dialog politik dhe të zgjidhë krizën e thellë dhe serioze si çështje urgjente, duke pasur parasysh edhe vendimin në pritje të Këshillit për negociatat e Shqipërisë për pranimin me Bashkimin Europian.
Kushtetuta jonë përcakton qartë Presidentin e Republikës si të vetmin autoritet me të drejtë ligjore për të shpallur datën e zgjedhjeve.
Tashmë dihet publikisht që precedenti i parë për shtyrjen e zgjedhjeve lokale nga Presidenti i Republikës u krijua në dhjetor 2006-janar 2007, falë kontribut ekskluziv të Kryetarit të Partisë Socialiste, Z. Rama, në atë kohë Kryetar i Bashkisë së Tiranës. Për më tepër, me ligj, i vetmi institucion që mund të gjykojë mbi këtë Dekret të Presidentit është Gjykata Kushtetuese, e cila siç e dini është jo funksionale.
Presidenti i Republikës është institucioni i vetëm që ka shprehur shqetësim serioz në lidhje me mosfunksionimin e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti bëri çdo përpjekje për të zhbllokuar procesin e themelimit të Këshillit të Emërimeve në Gjyqësor, i bllokuar qëllimisht nga mazhoranca që kërkon të sigurojë kontrollin e plotë të saj, duke rrezikuar rënien e të gjithë sistemit.
Ngjarjet, në mënyrë alarmante po përshkallëzohen nga kryeministri dhe ministrat e kabinetit, jo vetëm duke provokuar me retorikë thellësisht përçarëse dhe konfliktuese me anëtarët e opozitës dhe civilët, por edhe duke ushtruar presion të paligjshëm për kapjen e të gjitha institucioneve të tjera, që të çon drejt një grushti institucional të Kryeministrit.
Kryeministri Rama refuzon të pranojë Dekretin e Presidentit dhe ka urdhëruar përfaqësuesit e tij socialistë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të vazhdojnë përpara me zgjedhjet e 30 qershorit, komplet në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe legjislacionit të vendit.
Nga ana tjetër, këta (socialistët) anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kanë bërë thirrje për mosrespektimin e Dekretit të Presidentit të Republikës dhe për të ecur përpara me zgjedhjet e 30 qershorit, duke i kërcënuar publikisht të gjithë qytetarët, të cilët vendosin t’i binden këtij akti ligjor.
Ndërkohë që ju shkruaj, trazirat civile kanë shpërthyer në dhjetëra bashki, me punonjës bashkie dhe civilë uke u përplasur me Policinë e Shtetit për zhvillimin e zgjedhjeve lokale njëpartiake.
Policia e Shtetit po përdoret për të ndaluar këto bashki dhe qytetarë që të zbatojnë dhe respektojnë Dekretin e Presidentit, sipas ligjit të Republikës.
Tensionet janë rritur më tej dhe autonomia e organeve të qeverisjes vendore është shkelur, duke ppërshkallëzuar gjendjen e paligjshmërisë dhe anarkinë.
Pavarësisht se kanë kaluar 10 ditë nga dekreti im presidencial, unë vazhdimisht po u bëj thirrje të gjitha palëve të rivendosin dialogun politik, që synon zgjidhjen urgjente të kësaj krize gjithnjë në rritje, dhe për të parandaluar çdo konflikt civil gjë që për fat të keq do të rrezikonte stabilitetin e Shqipërisë dhe atë të Procesi i integrimit evropian të saj, duke përfshirë edhe statusin tonë në pritje për Kryesinë e radhës së OSBE-së.
Rrethanat më detyrojnë t’ju informoj siç thashë më lart për këtë çështje urgjente.
Të vetëdijshëm për axhendën tuaj të zënë me çështje të tjera të rëndësishme, mbetem me besim se kësaj situate fatkeqe dhe të rëndë në vendin tim, do t’i jepet vëmendja dhe shqyrtimi i duhur.
Ju lutem Shkëlqesia Juaj pranoni t’ju siguroj për konsideratën time më të lartë.