Olsi Rama: Do rrisim profesionalizmin, Partizani me frymë europiane

Gjatë prezantimit të trajnerit të ri të Partizanit, Franko Lerda, drejtori sportiv Olsi Rama ka shpalosur objektivat për sezonin e ri, ku sipas tij, synim do të jetë rritja e profesionalizmit. “Një nga synimet e mija kryesore është të rris nivelin e profesionalizmit dhe t’iu jap mundësi lojtarëve të përfaqësohen në vazhdimësi. Sfida e parë është në shortin e Champions Ligës. Shpresoj që goglat të na sjellin fat. Sido të jetë punë, do luajmë 11 kundër 11”, u shpreh Rama.

Më tej, Rama tha se Partizani do të grumbullohet në fazë përgatitore në Slloveni, ndërsa u shpreh se Skënder Gegës i ka uruar të jetë si Arsen Venger. “Ekipi do të grumbullohet për fazë në Slloveni. Kanë ardhur lojtarë të rinj, do të vijnë disa të tjerë, në mënyrë që skuadra të plotësohet dhe të bëjë sa më mirë në Champions. Për Gegën urova të jetë si Venger po nuk mendova titullin. E fituam titullin dhe jam i mendimit që një projekt të jetë i gjatë dhe idetë e trajnerit të jenë pjesë e futbollistëve në mënyrë të vazhdueshme. Vjet bëmë një hap të madh dhe tani shpresoj të bëjmë një tjetër hap të madh duke parë stërvitjen dhe marrëdhënien dhe të ngremë nivelin tekniko-taktik të skuadrën”, u shpreh Rama.

Zgjedhja e një trajneri italian në krye të Partizanit, është sepse, sipas Olsi Ramës, kërkohet frymë evropiane në ekip. Lerda ka mbaruar Koverçianon me nota shembullore, ndaj sipas numrit dy të klubit të kuq, mendon se zgjedhja e tij në krye të bankinës është një hap para.

“I kam pasur në konsideratë trajnerët shqiptarë. I vlerësoj dhe janë goxha të përgatitur. Zgjidhja ime është e tillë, pasi kërkoj të fus frymë Europiane në skuadër. Dua diçka më tepër. Bashkëpunëtorët e mia dua që të përmirësojnë problemet. Lerda na ndihmon të shohim një hap përpara. Me trajnerin bëmë një marrëveshje xhentëllmene. Trajneri e ka mbaruar Koverçanon me nota shembullore. Kam pyetur edhe bashkëpuntorët e tjerë, më ka bindur më tepër se çdo gjë, dëshira e tij dhe entuziazmi. Kishte konsideratë për Shqipërinë dhe dëshirë për të bërë më të mirën në karrierë. Në Shqipëri, Partizani duhet të jetë një urë për të gjithë lojtarët e rinj që të lancohen në Europë”, ka thënë ndër të tjera Rama.

Partizani prezanton trajnerin Franko Lerda: Kam ardhur me ambicie

Partizani ka bërë këtë të hënë prezantimin e trajnerit të ri të ekipit, që do të drejtojë kampionët në sezonin 2019-2020, duke nisur me pjesëmarrjen në Kupat Europës. Italiani Fanko Lerda është prezantuar paraditen e të hënës në zyrat e klubit të kuq, në prani të drejtorit Olsi Rama. Gjatë fjalës së tij, Lerda u shpreh krenar që do të drejtojë një klub si Partizani. “Për mua është kënaqësi të jem këtu në këtë vend të ri. Vend i cili është i afërt edhe nga ana kulturore me Italinë. Jam krenar që do të përfaqësoj këtë klub. E njihja si klub se ndjek kampionatet, por e njihja gjithsesi”, tha ai.

Më tej, ai u shpreh se objektivi i parë është paraqitja sa më mirë në Champions League. “Objektivi ynë primar është të përgatitim ndeshjet e Champions, i pari është të përgatitim sa më mirë ndeshjen. Duke folur me drejtorin O.Rama dhe presidentin Demi, objektivi ynë është të krijojmë mentalitet stil e imazh për skuadrën. Nëpërmjet punës, idesë së futbollit për rritjen e tij. Më bën të ndihem krenar që do drejtoj një skuadër kampione. Gjithsecili ka mënyrën e vetë të punës, shpresojmë që të jemi në të njëjta nivele sezonin e ardhshëm dhe të synojmë titullin. Dua të përgëzoj trajnerin e mëparshëm Gega”, tha trajneri i ri i të kuqve.

Më tej, Lerda u shpreh se projekti që i kanë ofruar drejtuesit e klubit është shumë ambicioz, ndërsa u shpreh se gjithçka do ta tregojë fusha e lojës. “Projekti që më ofruan drejtuesit ishte shumë ambicioz. Unë jam një njeri ambicioz. Vij në një realitet të panjohur por ekzistojnë mundësitë për të eliminuar ato që cilësohen si pengesa. Kam trajnuar lojtarë shqiptarë edhe në Itali, si Memushaj dhe Çani, të cilin e bëra unë të debutonte. Futbolli ne Shqipëri, Rusi, Kinë është në fushë, një raport klub shoqëri lojtarë. Gjithçka varet nga puna, fusha dhe strategjia që do të mundohemi të arrijmë”, tha Lerda.

Pesë ekipe liçensohen nga Superliga për Europën

Partizani, Kukësi, Teuta, Laçi dhe Skënderbeu (që mbetet në pritje të vendimit të CAS), janë klubet e liçensuara nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe që mund të luajnë sezonin e ardhshëm në kupat e Europës. FSHF ka treguar ditën e sotme se vetëm katër nga nëntë klubet që e mbyllën sezonin e rregullt në Superligë, kanë marrë liçensën nga komisioni përaktës.

Në fakt, Tirana, Flamurtari dhe Luftëtari nuk janë liçensuar për shkak të problemeve financiare që kanë këto klube, duke nisur me atë kryesorin, likuiditetin e pagave të lojtarëve dhe stafeve përkatëse.

Tani pritet vendimi i CAS, që del këto ditë, për të parë nëse Skënderbeu do të ketë mundësi të luajë në Europa League sezonin e ardhshëm, apo vendin e tij do e marrë Laçi. Një nga këto dy ekipet, edhe pse nuk arritën nga kampionati të kapnin një vend në kupat e europës, përfitojnë nga Kukësi, që të dielën fitoi Kupën e Shqipërisë.

Skuadra verilindore merr pjesë nga kampionati në Europa League, çka do të thotë se vendi i mbetur vakant për të marrë pjesë në kupat e europës si fituese e kupës, i shkon pikërisht Skënderbeut ose Laçit.

Ikën nga Partizani, Skënder Gega: Largohem për arsye personale

Pak minuta, pasi klubi shpërndau deklaratën ku njoftonte largimin e trajnerit, Skënder Gega ka bërë një deklaratë personale, por të publikuar në faqen zyrtare të Partizanit. Ish-trajneri i të kuqve, që riktheu titullin kampion pas 26 vjetësh te Partizani, shprehet se motivet e largimit janë personale.

“Prej një viti pata nderin dhe privilegjin të drejtoj Partizanin, ekipin ku unë fillova dhe e mbylla karrierën si futbollist. Këtë sezon në krye të pankinës të ekipit Partizani ka qenë periudha më e bukur që unë kam përjetuar si trajner, e mbushur me plot emocione dhe kënaqësi. Mbas 26 vitesh ja arritëm të rikthejmë trofeun kaq të munguar. Për arsye personale kam vendosur të mos të jem më në krye të bankinës”, shprehet Gega.

Më pas, në mesazhin e tij, Skënder Gega shpreh falënderimin për drejtuesit e klubit, tifozët, lojtarët, median dhe gazetarët sportiv.

“Dua të falenderoj: Klubin Partizani, Presidentin Demi për besimin dhe mbështetjen e tij gjatë gjithë kohës. Drejtorin Olsi Rama për bashkëpunimin.Të gjithë stafin, ekipin për punën dhe mbështetjen, për kënaqësin që më dhuruan. Tifozët e mrekullueshem të Partizanit për mbështetjen. Gjithashtu dua të falënderoj mediat dhe gazetarët sportiv. Ju uroj të gjithë kolegëve të mi trainer suksese! Me shume respekt Skënder Gega”, e mbyll mesazhin e tij ish-trajneri, që riktheu në Partizanin te titulli.

DEKLARATË E SKËNDER GEGËS PËR MEDIAT DHE OPINIONIN SPORTIVPrej një viti pata nderin dhe privilegjin të drejtoj…

Gepostet von FK Partizani Albania am Samstag, 1. Juni 2019

Verdikti i Superligës, Tirana shpëton dhe shpreson, Partizani, Kukësi e Teuta luajnë në Europë…

Dy gola të Albi Dokës dhe Hasanit shpëtojnë Tiranën nga rënia nga Kategoria Superiore. Ky ishte verdikti përfundimtar që solli java e fundit e kampionatit për këtë sezon, me ekipin bardheblu që arriti të mbijetonte pasi mundi Flamurtarin në “Selman Stërmasi” me rezultatin 3-0.

Ishte Albi Doka që zhbllokoi takimin në minutën e 65″, ndërsa mbrojtësi dyfishoi dy minuta më pas për ekipin bardheblu. Hasani të 79′ shënoi golin e tretë dhe të fundit për Tiranën, duke marrë tre pikët e fundit në kampionat për këtë sezon, pasi i japin mundësi të qëndrojë në Superligë.

Në krahun tjetër ishte Kastrioti ekipi që u rikthye në Kategorinë e Parë, nga e cila erdhi një sezon më parë. Ekipi i drejtuar nga Bledar Devolli u mund nga Kukësi në ndeshjen e fundit të kampionatit me rezultatin 3-1. Ndonëse Kastrioti kaloi në avantazh me Ymeraj në minutën e 29′, Kukësi përmbysi gjithçka me dy gola të Reginaldo (80′ dhe 90+1′) dhe Shkurtaj më (85′), duke mbajtur vendin e dytë në kampionat.

Në Gjirokastër u mbyll 1-1 sfida mes vendasve dhe ekipit kampion, Partizanit. Luftëtari kaloi i pari në avantazh në minutën e 9′, por kur dukej se gjithçka do të mbyllej me vetëm këtë gola, Çinari shënoi në minutën e tretë shtesë duke i dhënë barazimin në ndeshjen e fundit të kampionatit Partizanit.

Dy gola të shënuar në minutat shtesë nga Kallaku dhe Kamara i dhanë fitoren Teutës përballë Laçit, me durrsakët që renditen përfundimisht në vendin e tretë dhe do të marrin pjesë në turet kualifikuese të Europa League sezonin e ardhshëm. Partizani do të luajë në turet kualifikuese të Champions League, ndërsa Kukësi në Europa League.

Megjithatë, nëse Kukësi fiton Kupën e Shqipërisë të dielën, do të jetë dhe Skënderbeu ekipi tjetër që do i bashkohet skuadrave që do të luajnë në Europë, ndërsa nëse fitorja e Kupës i shkon Tiranës, do të jenë bardheblutë që do kenë një biletë për në Europa League.

Olsi Rama: Ka qenë fat që kam punuar me Gaz Demin, secili bëri atë që i takonte

Olsi Rama është një nga hallkat kyçe të suksesit të këtij sezoni për Partizanin. Merkato, trajneri, shuarja e polemikave, disiplina dhe rregulli janë disa nga meritat kryesore të drejtorit sportiv të Partizanit gjatë këtij sezoni, duke e rikthyer klubin në fronin e fitimtarëve këtë sezon. Pas ndeshjes dhe marrjes në dorëzim të titullit kampion, numri dy i klubit të kuq ka folur për mediat duke analizuar gjithçka.

Trofeu për ju…

E kam ngritur një trofe në basketboll dhe ky është trofeu i dytë. Kënaqësi e veçantë, pasi kam kontribuuar me përulësi në shtëpinë e një mikut tim, për të ndihmuar në rikthimin e titullit te Partizani, pas shumë viteve.

Rrugëtimi i Partizanit…

Ka qenë një fat që kam punuar me Gaz Demin, miku im dhe presidenti i Partizanit. Ka qenë fat që kam punuar me Skënder Gegën dhe stafin e tij, por edhe me këta djem të mrekullueshëm. Ne vendosëm që të bënte gjithsecili detyrën që i takonte, por ndonjëherë edhe më tepër, gjithmonë duke shtuar dozën e profesionalizmit. Ky ishte edhe synimi ynë i vërtetë, por për fat të mirë ia dolëm të marrim edhe titullin në fund. Shpresoj të kemi ndërtuar një bazë për të ardhmen dhe të arrijmë edhe më shumë suksese.

Deklaratat e Dukës se “Partizani e fitoi vetë titullin?”

Unë nuk bëj polemika me askënd. Edhe vetë si tip jam i tillë. Qëllimi i Partizanit nuk ka qenë që të krijojë polemika, dhe synimi im ka qenë të mbajmë preisonin larg ekipit. Lojtarët kanë qenë më të qetë, dhe kështu kanë ardhur dhe rezultatet që duhej të vinin. Partizani nuk ka për synim që të bëjë polemika.

Partizani evropian?

Ekipi merr pushimet tashmë, të cilat i meriton plotësisht, pasi kanë kaluar një periudhë vërtetë të ngarkuar. Duhet që djemtë të shkojnë pranë familjeve, për t’u çliruar si fizikisht, ashtu edhe psikologjikisht dhe për të qenë gati për sezonin e ardhshëm. Pjesën e përforcimit të skuadrës ne e kemi në konsideratë çdo ditë, por tani është moment më “i nxehtë” dhe shpresoj që të marrim vendimet e duhura. Unë nuk do të përqendrohem për të ndërtuar një Partizan vetëm për Europën, por dua të sjell elementë që të mund të bëhen pjesë integrale e ekipit dhe të na shërbejë si në garat europiane, ashtu edhe sezonin e ardhshëm.

Skënder Gega rrëfen të ardhmen!

Partizani është zyrtarisht Kampion i Shqipërisë për këtë sezon në Superligë, duke e marrë titullin në dorëzim sot pas ndeshjes me Kukësin, me takimin e luajtur në Selman Stërmasi. Pas ndeshjes, trajneri i kampionëve ka folur për mediat duke shprehur emocionet e triumfit, por njëkohësisht ka folur edhe për të ardhmen e tij te klubi i kuq.

E ardhmja…

Do përpiqem ti përmbahem kontratës. Çdo gjë që mund të ndodhi. Në klub gjithçka ka funksionuar siç duhet. Sot duhet të festoj. Është ditë e lumtur për mua. Vetëm klubi është ai që unë mund të merrem vesh. Nuk ka pasur deri tani oferta dhe nuk ka.

Kush ju ve më shumë në siklet, lojtarët që do largoni apo ata që do afroni?

Në një familje jo gjithmonë mund të përfundohet një projekt. Duhet të jemi të kujdesshëm që ai që vjen të bëjë diferencën. Jam i dashuruar mbas këtij grupi. Klubi ka projektet e veta dhe interesat e veta. Uroj që dikush të largohet për mirë dhe të bëj progres. Asgjë s’është konkrete. Do ulem me klubin me drejtorin dhe presidentin. Do bëjmë më të mirën për klubin. Vitin tjetër është dyfish më e vështirë për ne, sepse do luajmë si kampionë.

Kush të ka shijuar më shumë medalja sot apo ajo e fituar në 1987…

Ndeshja e fundit në derbi ka qenë gëzimi më i madh. 1987 ka shumë kohë, e mbaj mend si sot. Por si trajner jam lodhur më shumë. I jam mirënjohës çdo njeriu që ka bashkëpunuar me mua, tifozët, etj. Ka qenë emocion i jashtëzakonshëm. Sot doja të fitoja. Doja ta mbyllja me fitore. Për fat të mirë, gjithçka shkoi “fair-play”. I uroj Kukësit dhe çdo ekipi të Superiores një vit të mbarë dhe suksese. Sfida të gjata na presin. Duhet të sillemi më mirë, për të çuar mesazh të qartë që ky sport na lumturon. Të shohim diccka që është investim për brezat tonë.

A keni pasur ndonjëherë ndërhyrje gjatë këtij sezoni?

Jo për asnjë moment, në asnjë rast nuk kam pasur ndërhyrje. Për fat të mirë, kemi mbajtur pozicionin, kemi respektuar pozicionet tona. Në raste të veçanta është diskutuar si mund të bëhet më mirë. Ka pasur biseda, por jo për të krijuar presion. Në Shqipëri i kalojnë kompetencat, unë kam qenë me fat, nga hierarkia që kemi ka funksionuar gjithçka. Qëllimi është i mirë, dëshira është e mirë. Gjërat kanë shkuar ashtu siç tashmë e dimë.

Kush ka qenë periudha që keni vuajtur më shumë?

Humbja 1-3 ndaj Luftëtarit ishte një goditje e rëndë. Këto momente të bësh të dyshosh te puna dhe ajo që ke bërë. I gjetëm forcat, ky është sekreti .Kemi qenë konsant, kemi gabuar më pak se ekipet e tjera. Besoj se e meritojmë. Ka shkuar çdo gjë mirë.

Tirana e Kuqe për një ditë. Partizani superfestë për titullin Kampion

Titulli rikthehet zyrtarisht në kryeqytet, është i Partizanit, “Mbretit” të Superligës për këtë sezon. Një pritje e gjatë prej 26 vjetësh ka marrë fund sot pasdite, kur Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka i ka dorëzuar trofeun e titullit kampion kapitenit të Partizanit.

Atmosferë elektrizuese në “Selman Stërmasi”, aty ku mijëra tifozë kanë derdhur lot gëzimi, ashtu sikundër edhe drejtuesit e klubit të kuq. Gjithçka ndodhi pas përfundimit të ndeshjes me Kukësin, me ndeshjen që u mbyll në barazim 1-1.

Në fakt u duke se Partizani do festonte me humbje në ndeshjen e parafundit të kampionatit, por arriti ta shmang disfatën, duke barazuar me Çinarin, pas golit të shënuar më herët nga Reginaldo.

Më pas është zhvilluar dhe ceremonia zyrtare e dorëzimit të titullit, ku kampionët kanë shpërthyer në lot gëzimi, të merituar pas një sezoni spektakolar, të dominuar nga fillimi deri në fund. Skënder Gega pas ndeshjes ka treguar edhe sekretin e suksesit të ekipit të tij.

“Humbja 1-3 ndaj Luftëtarit ishte një goditje e rëndë. Këto momente të bësh të dyshosh te puna dhe ajo që ke bërë. I gjetëm forcat, ky është sekreti .Kemi qenë konsant, kemi gabuar më pak se ekipet e tjera. Besoj se e meritojmë. Ka shkuar çdo gjë mirë”.

“Ndeshja e fundit në derbi ka qenë gëzimi më i madh. 1987 ka shumë kohë, e mbaj mend si sot. Por si trajner jam lodhur më shumë. I jam mirënjohës çdo njeriu që ka bashkëpunuar me mua, tifozët, etj. Ka qenë emocion i jashtëzakonshëm”.

Sot doja të fitoja. Doja ta mbyllja me fitore. Për fat të mirë, gjithçka shkoi “fair-play”. I uroj Kukësit dhe çdo ekipi të Superiores një vit të mbarë dhe suksese. Sfida të gjata na presin. Duhet të sillemi më mirë, për të çuar mesazh të qartë që ky sport na lumturon. Të shohim diccka që është investim për brezat tonë”.

I emocionuar dhe i lumtur njëkohësisht ka qenë dhe drejtori sportiv Olsi Rama, që ka dorën e tij në këtë sukses të Partizanit. “E kam ngritur një trofe në basketboll dhe ky është trofeu i dytë. Kënaqësi e veçantë, pasi kam kontribuuar me përulësi në shtëpinë e një mikut tim, për të ndihmuar në rikthimin e titullit te Partizani, pas shumë viteve”.

Përballja me Partizanin, Gjoka: Duhet sforcim i madh për të fituar

Kukësi mbetet ende në vorbullën e rrezikut për të mos mbajtur dot vendin e dytë në renditje në Superligë, pasi ndodhet vetëm një pikë para Teutës së vendit të tretë. Skuadra e drejtuar nga trajneri Ernest Gjoka do të përballet nesër me Partizanin në një ndeshje e cila mbetet delikate për ekipin verilindor. Ernest Gjoka ka folur gjatë ditës së sotme në konferencë për shtyp, ku ka deklaruar se nesër do të duhet sforcim i madh për të mposhtur Partizanin.

“Ndeshje shumë e fortë, ndaj kampionëve të rinj të cilët i respektojmë. Vendi i dytë nuk është i sigurt tashmë, ndaj ndeshja e nesërme merr kuptim tjetër dhe do duhet sforcim i madh”.  “Shameti do të mungojë, Maliqi po ashtu. Rroca do mungojë për dëmtim, Shkurtaj jemi munduar ta përgatitim dhe të shohim, Valdet Rama është kthyer”.

Gjatë konferencës për shtyp, Ernest Gjoka ka folur edhe për ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës, duke e komentuar kështu: “Nuk dua sukses mbi fatkeqësinë e tjetrit. Me vjen keq për Tiranën, por më duhet te mendoj vetëm për Kukësin. Tirana mund të presë një dhuratë nga Kukësi në fund? Ne duam së pari të fitojmë neser, nuk e mendojmë ndeshjen kundër Kastriotit. Ka kohë deri atëherë”.

🎙️💬 #KFPARTIZANIFKKUKESI ERNEST GJOKA: "Ndeshja e nesërme, do të jetë një përballje shumë e fortë.Luajmë përballë skuadrës, e cila ka siguruar titullin Kampion, por nuk duhet të harrojmë që rrezikohet vendi i dytë në tabelën e klasifikimit, pas dy ndeshjeve të fundit me rezultate negative të skuadrës sonë.Kjo situatë do t'i japë më shumë rëndësi objektivit tonë, i cili është: Sigurimi i vendit të dytë në Superligë."

Gepostet von F.K Kukësi Albania am Samstag, 25. Mai 2019

Gazetarët e kanë pyetur trajnerin e Kukësit edhe për largimin e ndihmësit të tij, Rraman Hallaçi, duke sqaruar atë që ka ndodhur mes tij dhe klubit.  “E dinë të gjithë kush është Hallaçi, karriera e tij flet vetë. Unë mendoj se për të do ishte mirë të punonte me ekipet e moshave dhe e ka nisur që tani punën. Për 3-4 vite mendoj se do jetë gati për të drejtuar ekipe të para. Presidenti i rekomandoi një kontratë 2-vjeçare me Kukësin B. Hallaçi ka refuzuar dhe aty ka pasur një mosmarrëveshje që ka çuar në largimin e tij. Ky është informacioni që kam, nuk di më shumë“. 

Në fund ai ka folur edhe për kupat e europës dhe merkaton. “Më 11 korrik luhet ndeshja e parë, faza përgatitore do nisë me 15 qershor dhe në 25 qershor ekipi do shkojë në Ohër. Sigurisht që kam biseduar me presidentin dhe drejtorin Nexhipi. Na duhen përforcime në mbrojtje, ku kemi pasur shumë probleme me dëmtimet. Në repartet e tjera do ruhet boshti. Nuk dua që të ndryshoj shumë lojtarë, por natyrisht jo gjithçka varet nga trajneri. Ka edhe lojtarë që duan të largohen vetë ndonjëherë, por synimi im është të bëjmë sa më pak ndryshime”.

Partizani merr titullin nesër, Gega: Dua të dhurojmë spektakël ndaj Kukësit

Trajneri i Partizanit Skënder Gega ka folur një ditë para ndeshjes me Kukësin, duke prekur disa tema. Të dielën në “Sleman Stërmasi”, Partizani do të përballet me verilindorët në ndeshjen e parafundit të kampionatit, ku pas takimit do të zhvillohet dhe ceremonia e dhënies së titullit kampion nga FSHF-ja.

Skënder Gega ka folur fillimisht për Kukësin, duke u shprehur se nesër kërkon fitore, për ta mbyllur ndeshjen me emocione: “Kukësi ka qenë ndjekësi jonë konstant, asnjëherë para nesh, por ka qenë ndjekësi jonë. Ta mbyllim me një ndeshje që të krijon emocione dhe spektakël. Jemi përgatitur dhe e kemi vlerësuar, edhe pse ne e kemi siguruar trofeun. Do mundohemi të bëjmë më të mirën, me grupin më të fortë dhe t’i kënaqim tifozat ta mbyllim ashtu siç duhet”.

Gega tha se nesër do të ketë ndryshime në formacion, megjithëse la të kuptohet se titullar mund të jenë lojtarët që kanë luajtur gjithë sezonin dhe i kanë dhënë titullin kampion Partizanit.

Janë 11 veta, është 90 minutëshi i fundit, minimumi 3 do të jenë. Nuk e kemi vendos akoma se kush do të jetë, do të mundohemi të respektojmë atë grup që e kanë çuar Partizanin deri në fund, dhe në fund e meritojnë të luajnë ata që kanë bërë pjesëmarrjen më të madhe”.

Tre lojtarë të Partizanit janë grumbulluara paraprakisht në ekipin kombëtar, çka për Skënder Gegën kjo ka qenë një kënaqsi për të dhë vetë lojtarët. Ai shprehet se Telushi, Trashi dhe Mala do të bashkohen sot pasdite me Partizanin.

“Lojtarët bashkohen sot me ekipin, ikja e tyre në Kombëtare ka qenë një kënaqësi dhe një motivim për vetë ata, kështu kur kthehen i bashkohen grupit atëherë grupi është më i fortë dhe motivimi është vetvetiu. Nuk jemi me presionin e rezultati por me presionin e kënaqësisë dhe ta shijojmë ndeshjen 90 minuta. Jemi stërvitur me të njëjtin ritëm, jemi profesionistë dhe paguhemi për t’u stërvitur dhe për të treguar vlerat. Aq më tepër kundër Kukësit, ndeshjen e nesërme do e vlerësojmë në maksimum, sikur nuk e kemi marrë kupën”.

“Jam i kënaqur, besoj e kanë merituar. Janë shpërblyer. Është pozitive që trajneri i ka marrë, e rëndësishme është që të katërt kanë marrë frutat e punës, por edhe ne jemi të kënaqur ashtu si shokët e tyre. Është e drejta e çdo trajneri për të përzgjedhur, nuk e di listën përfundimtare. Duket që do t’i japë hakun secilit, shpresoj në të ardhmen jo vetëm Partizanit, njerëzit e meritojnë një shans”.

“Është përgjegjësi e trajnerit. Ne kemi lojtarë dhe shihet në fushë. E respektojmë trajnerin e Kombëtares, do të bëjmë përzgjedhjen më të mirë. Është e vështirë të futet çdo njeri. Uroj jo vetëm nga Partizani, por të ketë lojtarë të tjerë nga kampionati. Asani, Bardhi dhe Hebaj kanë të drejtën morale dhe dëshirën për t’u bashkuar, pastaj është zgjedhja e trajnerit të Kombëtares”.

Skip to toolbar