Olsi Rama: Ftoj tifozët të festojmë titullin, do investojmë te të rinjtë

Drejtori Sportiv i Partizanit Olsi Rama ka folur sot për mediat gjatë një aktiviteti me fëmijët jetim të kryeqytetit. Numri dy i klubit të ‘kuq’ u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, duke u bërë një thirrje tifozëve për të qenë të pranishëm në “Selman Stërmasi”, për të festuar së bashku me lojtarët marrjen e trofeut të titullit kampion. Ai ka pohuar se Partizani do të fokusohet te talentet e reja, ndërsa mohoi se ka pasur një tratativë për të afruar mesfushorin e kombëtares Migjen Basha.

Vite më parë Partizani ngjante si një skuadër jetime, por ja ku jemi sot, në ditën e jetimëve më të kompletuar se kurrë në të gjitha drejtimet?

Asnjëherë Partizani nuk është ndjerë jetim ndër vite dhe për këtë duhet të falënderojmë tifozët tanë, të cilët asnjëherë nuk e kanë braktisur ekipin dhe në ditët më të vështira.

Çfarë mesazhi sillni në ditë si këto?

Sporti dhe futbolli duhet ti bashkojë njerëzit dhe duhet të bëjë të ndihen afër sidomos për jetimët që duhet të mësojnë të sillen si kampionë përpara se ndoshta ta bëjnë një gjë të tillë në fushat e jetës ku operojnë.

A mund të quhet me shaka kjo ndeshje me jetimët përgatitje për ndeshjen me Kukësin. Si i komentoni deklarat për “gjunjët” e Partizanit?

Të shkuara të harruara, respektojmë çdo rival dhe shpresojmë të jetë një ndeshje e bukur. Partizani është zyrtarisht kampion por kemi detyrim ndaj tifozëve të luajmë për të fituar. Shpresoj që stadiumi të jetë plot sepse do jetë edhe ceremonia e titullit kampion.

Cila do jetë strategjia në merkato?

Normalisht unë kam shumë dëshirë të fokusohem te të rinjtë, por liga e kampioneve është një aktivitet që kërkon dhe gërshetim të lojtarëve me përvojë dhe do operojmë me kujdes në këtë sektor.

A është Basha një opsion?

Nuk kemi tratativë zyrtare me të. Ai doli një foto me lotjarët e Partizanit në grumbullimi e Kombëtares, por kjo nuk do të thotë që do jetë lojtar i Partizanit.

Në cilin stadium do luajë Partizani sezonin e ardhshëm?

Unë besoj te premtimi i presidentit Demi që do të kemi stadiumin e Partizanit. Do shohim me qetësi nëse “Selman Stërmasi” apo “Arena Kombëtare” do na ofrojnë kushtet më të mira në gjithë drejtimet. Shpresojmë të kemi dhe më shumë tifozë në sezonin pasardhës.

Partizani merr titullin të dielën në “Selman Stërmasi”

Partizanit do t`i dorëzohet trofeu i titullit Kampion i Shqipërisë të dielën më 26 mars në ndeshjen e radhës në kampionat kundër Kukësit. Takimi do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi”, teksa FSHF-ja ka vendosur që të shfrytëzojë këtë ndeshje, që Partizani e luan përballë tifozëve të vetë, për t`i dorëzuar titullin kampionëve.

Do të jetë një ditë emocionuese për tifozët dhe drejtuesit e klubit të kuq, të cilët kanë pritur 26 vjet për të fituar titullin e radhës në kampionat. Lajmin për dorëzimin e titullit të dielën në ndeshjen e parafundit të kampionatit e ka dhënë FSHF-ja, ku ka publikuar një listë me datat dhe oraret e të gjitha ndeshjeve finale të kampionatit në të gjitha nivelet, ku përfshihet dhe dhënia e trofeut të kampionit për Partizanin.

Duke nisur prej ditës së sotme deri në datën 2 qershor, do të luhen disa ndeshje të rëndësishme në nivele të ndryshme të kampionatit tonë të futbollit. Pikërisht këtë të mërkurë do të luhet finalja e Kategorisë së Dytë midis Tërbunit dhe Devolli, ku do të vendoset se cila nga këto dy ekipe do të fitojë trofeun e madh, pas ngjitjes në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, më herët është luajtur finalja e Kategorisë Superiore për ekipet e moshave, ku Tirana është shpallur kampione duke fituar ndaj Shënkollit me rezultatin 1-0. Nesër do të zhvillohet finalja e Kategorisë së Parë midis Vllaznisë dhe Bylisit, ku dy ekipet do të synojnë trofeun e madh, pas promovimit në Superligë për sezonin e ardhshëm.

Në datën 24 maj do të luhen dy ndeshjet e Play-Off për Kategorinë e Parë. Veleçiku-Shkumbini dhe Elbasani-Luzi, ku do të përcaktohen dy ekipet e tjera që mbijetojnë apo vazhdojnë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë.

Tabela me datat dhe oraret për të gjitha ndeshjet finale:

Skënder Gega: Tani do provoj lojtarët me pak minuta!

Partizani është mundur nga Teuta këtë të shtunë në ndeshjen e javës së 34-ër të kampionatit. Mirëpo kjo gjë nuk e ka shqetësuar shumë trajnerin Skënder Gega, i cili pas ndeshjes ka folur për mikrofonin e “Supersport”, ku ka deklaruar se në këtë takim aktivizoi lojtarët në moshë të re. Fillimisht, Gega ka shprehur falenderimin për përshëndetjen që i bënë rivalët e Teutës për fitoren e kampionatit.

Për herë të parë një skuadër kampione përshëndetet nga kundërshtarët…

Gega: Surprizë e bukur, i falënderoj çunat e Teutës. Është risi në Shqipëri, dhe ndihem mirë dhe i respektuar.

Lojtarët pa minuta…

Gega: Kemi punuar që grupi që luajti pjesën e parë, t’i jepej mundësia e duhur. Aktivizuam edhe lojtarë me moshë të re. Jam i kënaqur me pjesën e parë. Patëm raste për të kaluar në avantazh. U goditëm te një vend ku ishte dikush me moshë të re. Ishte një ndeshje pa presion për të marrë maksimumin. Kjo nuk është për nënvlerësim të kampionatit, por qëllim kishim t’i jepnim minuta lojtarëve që s’kanë luajtur, edhe pa dalë nga formati ynë.

Partizani i ardhshëm…

Gega: Kjo është arsyeja, që këto ndeshje të jemi të kujdesshëm, kur të bëhet grupi final për në Champions dhe për të ardhmen. Nuk kemi krijuar presion te ta, për t’i ngarkuar me përgjegjësinë e rezultatit. Çdo ditë në stërvitje do jemi të saktë në përzgjedhje të largimeve, dhe afrimeve. Do doja që të respektoja sa më shumë këtë grup, por na del punë për të ardhmen.

Juvja dhe PSG janë kryqëzuar sepse nuk kanë respektuar garën, pasi janë shpallur kampion. Mund të kritikoheni ju sot?

Gega: Është e drejta e çdokujt për të më kritikuar, por unë jam i pari i kësaj shtëpie. Jam munduar t’i trajtoj të gjithë njësoj. Është pyetur pothuajse çdo javë, për lojtarë që nuk kanë marrë minuta. Por, unë tani do i provoj. Ne luajtëm kundër Teutës, deri pak më parë ka qenë pretendent. Është folur edhe si kandidate për titullin. Në Durrës këtu, kemi bërë një ndeshje jo brilante, por janë situata të ndryshme. Ne i vlerësojmë, por arsyeja pse luajti ky grup sot, është disniveli. Prandaj edhe nuk kanë pasur hapësira më parë.

Teuta mund kampionët, rikthehet Skënderbeu, Flamurtari mposht Laçin!

Janë luajtur takimet e radhës të Kategorisë Superiore, ku ka pasur disa rezuktate surprizë. Flamurtari priti në shtëpi Laçin, në një ndeshje deçizive për luftën për një vend në kupat e Europës.

Në fund fitimtar kanë dalë të besuarit e Ilir Dajës, të cilët arritën një fitore minimale me gol të Idi Bathës, shënuar në minutën e 26′-të. Me këtë fitore Flamurtari mban vendin e katërt në kampionat, me tre pikë më pak se Teuta e vendit të tretë.

Skënderbeu është rikthyer te fitorja duke mundur në transfertë ndaj Kukësit. Ekipi i Orges Shehit ka bërë një ndeshje të madhe duke shënuar tre herë ndaj ekipit të Ernest Gjokës. Muzaka hapi serinë e golave duke shënuar nga penalltia në minutën e dytë, ndërsa Dejvi Bregu ka dyfishuar në minutën e 26′.

Marko Pervan vulosi shifrat në 3-0 për skuadrën e tij në minutën e 90-të. Pas fitores së sotme, Skënderbeun shkon në kuotën e 49 pikëve, ndërsa Kukësi mban vendin e dytë me 55, një më shumë se Teuta e vendit të tretë.

Gerhard Progni dhe Sherif Kallaku (33′ dhe 52′) i kanë dhënë fitoren 2-0 Teutës ndaj Partizanit. Ekipi kampion i drejtuar nga Skënder Gega ka lënë pushim disa nga titullarët, duke aktivizuar lojtarët që kanë marrë pak minuta gjatë sezonit.

E gjithë kjo situatë është shfrytëzuar nga durrsakët të cilët kanë marrë tre pikë të arta në luftën për të arritur një vend në Europa League.

Skënder Gega analizon Partizanin pas fitores së titullit!

Partizani është zyrtarisht Kampion i Shqipërisë për këtë sezon, me titullin që u sigurua matematikisht në ndeshjen derbi ndaj Tiranës. Trajneri Skënder Gega ka folur në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së radhës në kampionat, duke komentuar fillimisht çështjen e festës së titullit kampion.

“Çdo ditë po bëhet edhe më e vërtetë ajo që kemi arritur. Kishim emocione pas ndeshjes. Ndoshta dukej e pabesueshme. Sot jemi më të qetë dhe kemi punuar gjatë javës. Nuk ka mbaruar asgjë. Të shohim përpara. Kemi plane, kemi një ide që këtë javë të luajnë ata që nuk kanë pasur hapësira të luajnë. Kanë dhënë kontributin e tyre edhe ata. Impenjimi ka qenë maksimal, veç Alban Hoxhës që e kemi lënë pushim për shkak të probleme shëndetësore”.

Pavarësisht se titulli tashmë është çështje e kryer, Gega tregon se Partizani do të vijojë të luajë futboll njësoj edhe në ndeshjet e mbetura. Ndërsa gjatë fjalës së tij ka komentuar edhe të ardhmen personale te Partizani.

“Shkojmë në Durrës për të luajtur futboll, nuk kemi presionin e dështimit. Përfaqësojmë Partizanin dhe do luajmë me dinjitet. Fusha do tregojë kush e meriton fitoren”.

“Do ulem me presidentin dhe drejtorin dhe do flasim. Pa zbehur vlerat e askujt, do shikojmë të jemi të kujdesshëm që ata që nuk kanë pasur hapësira të luajnë. Nuk varet e ardhmja e tyre, duam t’u japim kënaqësinë e asaj qe kemi arritur. Nëse nuk kanë luajtur, do të thotë që ka pasur diferenca. Kualiteti është i pari. Ata që kanë luajtur më shumë kanë treguar se kanë qenë më të denjë”.

Gega mundohet të jetë i përmbajtur kur flet lër merkaton, duke shtuar se grupi aktual duhet të respektohet.

“Kur e kam nisur, baza ka qenë. Nuk ishte brilante, pasi kemi pasur probleme. Edhe Ibrahimi që u tha se ishte ne limite, u rrit dhe korrigjoi veten. Ndërhyrjet nuk do jenë drastike. Nuk është vetëm Championsi sezoni ynë, punojmë për të ardhmen. Nuk do tentojmë të bëjmë spektakël. Kemi nevojë për afrime, sikurse Reali dhe Barcelona”.

“Kam dëshirë që ky grup të respektohet. Po të ishte për mua, do i mbajmë të gjithë. Sezoni i ardhshëm do jetë ndryshe, do na presin si kampionë. Kam lexuar emra, por asnjë nuk është në lupën time apo të kemi bërë biseda. Nëse bashkohet dëshira dhe mundësitë, pse jo. Shitjet? Nëse një lojtar fiton titullin pas 26 vitesh dhe merr një ofertë shumë të mirë, do e mbështesja. Gjithsesi ka marrëveshje mes tij dhe klubit, janë të tjerë që drejtojnë”.

Në fund trajneri i Partizanit ka folur edhe për heroin e derbit dhe të titullit, Erald Çinari: “Nuk ka pasur asnjë problem. Është një garë që luajnë 11 deri në 14 lojtarë. Lojtarët kanë marrë pjesët e veta. Nëse te Vllaznia ka pasur hapësirë, është ndryshe këtu. Partizani nuk është Shkodra, që është në Kategorinë e Parë. Ka qenë 19 vjeç kur ka luajtur atje. Ka ardhur i mirëpritur”.

“Jemi të kënaqur për atë që ka bërë. I duruari i fituari. Gjërat nuk merren të shkëputura. Nuk ka as marrëveshje për minuta. Nëse bën më mirë se shoku, do luash nga fillimi. Për fat të mirë kushdo që ka luajtur ka bërë mirë”.

Heroi i Partizanit, Çinari: I doli fjala Sukajt!

Eraldo Çinari ishte heroi i Partizanit në derbin ndaj Tiranës. Sulmuesi anësor u fut në historinë e klubit të kuq, pasi me dy golëshin  e tij i dha fitoren e titullit kampion në derbi skuadrës së Skënder Gegës. Pas ndeshjes ai foli për mediat duke u shprehur emocionet e fitores së titullit dhe shënimit të dygolëshit në derbi.

“Në radhë të parë, i doli fjala Sukajt. E dyta, i doli fjala drejtorit Rama, se kishte 3 ditë që më thoshte do bësh gol. Këtë sezon, në çdo ndeshje kam bërë maksimumin, por nuk e mendoja se do bëja 2 gola sot. Ne shkodranëve na ecën me Tiranën”.

“Që kur kam ardhur, kam firmosur një kontratë të gjatë, dhe nuk kam ardhur për të provuar veten për 1 vit. Drejtuesit kanë besuar te unë. Edhe pse nuk kam pasur shumë hapësira, e kam treguar që kam qenë pjesë e mirë. Me Sukajn do flas më vonë, se tani kemi qenë duke festuar”.

“Unë jam munduar të jap më të mirën sa herë jam futur. Kjo mbetet në dorë trajnerit, zgjedhjet janë të tij. Do jap maksimumin në stërvitje dhe në ndeshje”.

Partizani kampion, Edi Rama: Zëvendësi im juventin fitoi dy herë!

Partizani priti 26 vjet për të fituar titullin Kampion i Shqipërisë. Një pritje e gjatë, që u kurorëzua në ndeshjen derbi ndaj Tiranës, e luajtur ditën e djeshme, ku klubi i kuq fitoi dhe siguroi matematikisht fitoren e kampionatit për këtë sezon.

Shumë kush ka shprehur urimet për fitoren e Partizanit, teksa mes tyre ka qenë dhe Kryeministri Edi Rama, që ka uruar të kuqtë për fitoren e kampionatit, por njëkohësisht dhe Zëvendës Kryeministrin, Erion Braçe, që është tifoz i “Demave”.

Ja çfarë shkruan kreu i Qeverisë në postimin e tij në Instagram: “Mua më mbeti vetëm kampionati italian këtë vit, ndërsa zëvendësi im juventin fitoi edhe këtë shqiptarin”, përfundon Rama.

Olsi Rama: Tani dua të festoj, s`më intereson sezoni i ardhshëm!

Olsi Rama nuk mund t`i përmbahej emocioneve pas ndeshjes derbi, ku Partizani fitoi përsëri ndaj Tiranës, duke festuar njëherazi dhe titullin kampion. Pas ndeshjes, numri dy i klubit të kuq ka folur për mediat duke treguar edhe modesti gjatë fjalës së tij në lidhje me fitoren e titullit. Më tej gjatë fjalës së tij, ai ka theksuar se për momentin është i përqëndruar te festa e titullit, ndërsa më pas do të mendohet për merkaton dhe kupat e europës.

“Besoj se erdha në një klub me shumë traditë dhe ku pjesa më e madhe e punës ishte bërë. Me ndihmën e presidentit dhe me të stafit, kurorëzuam një sukses që kishte kohë për të cilin punohet”, u shpreh drejtori sportiv i Partizanit.

“Partizani është një klub i madh dhe me të gjithë vështirësitë që mund të kesh, ka suport të madh nga njerëzit. Humbje do të ketë gjithmonë, por rëndësi ka si ngrihesh pas humbjes. Sado të bëjmë ndryshime të mëdha në ekip, parësore për ne ka qenë të instalojmë një skuadër një frymë besimi dhe të jemi sa më të afërt me njëri-tjetrin”.

“Nuk ka mbaruar akoma kampionati, pasi ka dhe tre ndeshje. Duhet të japim maksimumin tonë, ta ngrejmë trofeun kundër Gjirokastrës. Unë e kam kuptuar potencialin e ekipit në ndeshjen kundër Mariborit. Ju mbase nuk e besoni, por në humbjen aksidentale në Korçë në javën e parë, ekipi tregoi që ishte në rrugën e mbarë”, zbuloi Rama.

“Mua nuk më intereson fare për momentin sezoni i ardhshëm. Dua të shijoj fitoren e sotme. Se sa përqind e ekipit do të rikonfirmohet, ende nuk ka ardhur në axhendën time. Preferoj të punoj me lojtarët që kam, por aty ku do të jetë nevoja, do të ndërhyjmë në merkato, si për Champions League, ashtu dhe për sezonin e ardhshëm”, deklaroi drejtuesi i lartë i kampionëve.

“Unë nuk i ndaj lojtarët, pasi i gjithë ekipi punon që të shkojë te goli. Megjithatë, ata që shënojnë marrin merita më të mëdha. Falënderoj Shkodrën, pasi na ka dhënë dy fitore në derbi. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të shikoni seriozitetin e Partizanit. Futbolli luhet me karakter dhe këta çuna që janë këtu, e kanë kuptuar që ndeshjet nuk fitohen ditën e diel, por gjatë gjithë javës”,

Flet Gaz Demi: Pas titullit, investojmë te kompleksi sportiv!

Gazmend Demi është i lumtur, që pas gjashtë vjetësh presidet i Partizanit, arriti të fitojë një trofe të rëndësishëm, madje më të rëndësishmin e munudur, titullin Kampion i Shqipërisë, që mungonte prej 26 vjetësh në shtëpinë e kuqe. Numri një i klubit të kuq ka folur për emisionin “Zona Gol”, ku ka shprehur emocionet për fitoren e titullit, teksa ka theksur se tashmë do të nis investimi për përfudimin e kompleksit sportiv të klubit.

“E mora Partizanin kur ishte në Kategori të Dytë. E mora për biznes, me ngeci Partizani dhe me dashuri e qetësi ia arritëm pas 6 viteve të marrjes të siguronim titullin kampion. Të gjitha janë për tifozët, nuk i kam bërë shpenzimet si biznesmenët se kam gabuar me akademinë. Tani do të bëhet akademia, ato do të jenë të mbaruara brenda vitit, minimalisht ministadiumi dhe dy fushat stërvitore. Për momentin investoj i vetëm. Jam i hapur për partnerë”, – tregon Demi fillimisht.

“Rama është një djalë simpatik siç e shihni në televizor, për vlerën që ka është një djalë korrekt. Gega është një burrë korrekt, një zotëri i vërtet që e ka mbajtur grupin fort. Marrëdhënia jonë ishte  xhentëlmenësh, që ditën që jemi njohur i kemi shtrënguar dorën njëri-tjetrin”.

“Unë nuk ndërhyj në formacion. Një herë e kam bërë kur ishim duke luajtur kundër Teutës, para disa vitesh, në pjesën e dytë i thashë Starovës të fusë në fushë Bardhin. Ai hyri dhe shënoi gol. Kjo është hera e parë dhe e fundit që kemi futur në formacion lojtar nga unë”.

“Shpresoj që të kemi fatin e Skënderbeut me punën që ka bërë, që një ditë të shkojmë në grupe, në Europa League apo Champions, nuk është çudi. Para dy orësh kisha mbledhje me drejtuesit e mi dhe jemi duke punuar për të forcuar ekipin sa më mirë në grupet e Champions”.

Gega: Ishte ëndrra që më solli këtu!

Skëder Gega do të futet në historinë e klubit të Partizanit, pasi është trajneri që e rikthen klubin e kuq te titulli pas 26 vjetësh. Pas ndeshjes derbi me Tiranën, ku Partizani fitoi jo vetëm takimin, por matematikisht u shpall kampion i Shqipërisë për këtë sezon, trajneri Gega u shpreh i kënaqur me rrugëtimin që ka bërë ekipi i tij këtë sezon.

“Ishte ëndrra që më solli këtu. Nuk kam qenë kurrë më krenar dhe i lumtur. Këtë sukses ja dedikoj çdo njeriu që më ka mbështetur, familjes, Demit dhe Ramës, djemve. Janë mijëra emra që mund t’i falënderoj. Jam i lumtur që ia dolëm”, u shpreh mes entuziazmit Gega.

 “Çelësi i suksesit? Është festë dhe nuk dua të flas për probleme. I jap meritë ekipit, klubit, mbështetësve, kolegëve e gazetarëve. Kur erdha ka pasur paragjykime pa dashje. Ndjej keqardhje. Sot jam i lumtur dhe i falënderoj të gjithë ata që më kanë besuar”.

“Nuk më besohet që jemi kampionë. Çdo minutë që kalon do më pëlqejë më tepër për lodhjen e sakrificën, për familjen që ka qëndruar larg meje. Kam shumë miq që kanë jetuar me shqetësimin pranë meje. Janë edhe miqtë. Kam merita bashkë me çunat, por Gaz Demi është njeriu që më dha kurajo në momentet më të vështira. Kur të jem më i qetë do ndaj gjërat e mira, jo të këqijat”,

Skip to toolbar