Mitsotakis: Së shpejti njohim patentat shqiptare

Zbardhet takimi i Kryeministrit Edi Rama me homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis. Në një deklaratë të zyrës për shtyp të  Kryeministrisë, thuhet se “Kryeministri Edi Rama është pritur në një takim me frymë pozitive nga Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis. Në këtë takim u diskutuan të gjitha çështjet e përbashkëta. Kryeministri i Shqipërisë theksoi se pavarësisht vendimit të Këshillit të BE-së, Shqipëria do të vazhdojë zbatimin e reformave me të njëjtën vendosmëri”.

Sipas informacionit zyrtar dhënë nga zyra për shtyp e Kryeministrit Edi Rama, mësohet se “Kyriakos Mitsotakis theksoi se Greqia mbështet prespektivën europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për sa kohë këto vende përmbushën të gjitha kërkesat për anëtarësim”. Ndërkohë, kreu i ekzekutivit shqiptar, deklaroi gjatë takimit se pavarësisht vendimit të Këshillit të BE-së, “Shqipëria do të vazhdojë zbatimin e reformave me të njëjtën vendosmëri”.

Në takimin mes dy kryeministrave, një vëmendje e veçantë i është kushtuar diskutimit për çështjet ende të pazgjidhura mes Shqipërisë dhe Greqisë. Pasi shprehi mbështetjen e Greqisë ndaj Shqipërisë për perspektivën evropiane, Kyriakos Mitsotakis “mirëpriti angazhimin e palës shqiptare për të vazhduar punën me çështjet e pronave dhe të vetëdeklarimit/censusit, të cilat janë shqetësime për minoritetin grek në Shqipëri. Veç kësaj, Kryeministri grek theksoi se marrëveshja bilaterale për njohjen e ndërsjelltë të patentave do të kalojë së shpejti për miratim në parlamentin grek”, thuhet në deklaratën e Kryeministrisë. Në fund, thuhet se “Kryeministri i Shqipërisë ftoi Kryeministrin e Greqisë për të vizituar Shqipërinë në të ardhmen e afërt, ftesë të cilën ai e pranoi”, thuhet në deklaratën e Kryeministrisë.

Më 8 shtator hyn në fuqi marrëveshja Itali-Shqipëri për patentat

Duke nisur prej këtij 15 gushti, kanë hyrë në fuqi rregullat e reja për pajisjen me leje drejtimi, e njohur ndryshe patenta. Një ndër këto rregulla është ajo që i mundëson qytetarëve shqiptarë, rezidentë në Itali, dhe atyre që udhëtojnë drejt Italisë me mjetet e tyre, që të mos kenë më nevojë të nxjerrin patentë ndërkombëtare. Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj, me anë të një reagimi në rrjetet sociale, shprehet se duke nisur nga 8 shtatori, hyn në fuqi marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë, për konvertimin e lejeve të drejtimit.

“Një lajm shumë i mirë për shqiptarët në Itali! Më në fund mbaroi edhe marrëveshja ndryshuese për konvertimin e lejeve të drejtimit që do të hyjë në fuqi më datën 8 shtator 2019  Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ndryshuese i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë rezidentë në Itali, pasi bën njohjen e modeleve të reja të lejeve të drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar, duke lehtësuar shpenzimet dhe kohën për konvertimin/pajisjen me leje drejtimi italiane pa kaluar testet teorike e praktike të drejtimit të automjetit”, shkruan Cakaj.

Më tej, ai shpjegon se marrëveshja prek edhe qytetarët shqiptarë që do të udhëtojnë deri në 3 muaj drejt Italisë me mjetet e tyre. Sipas ministrit Cakaj, pas 8 shtatorit nuk do të nevojitet me leje drejtimi ndërkombëtare për të udhëtuar drejt Italisë. “Gjithashtu, shtetasit shqiptarë me lejet e reja të drejtimit që vizitojnë e qëndrojnë në Itali për deri 3 muaj, nuk kanë nevojë të pajisen me leje ndërkombëtare të drejtimit të automjetit. Shqipëria ka ndërmarrë të njëjtat përpjekje e hapa edhe me shtete të tjera evropiane. Përgjegjësitë e palës shqiptare janë kryer të gjitha me përpikëmëri! Për arsye e procedura të brendshme të këtyre shteteve ato nuk janë përfunduar ende. Ministria e Jashtme do të vijojë të nxisë realizimin e marrëveshjeve të tilla edhe me këto vende duke i ardhur sa më shumë në ndihmë bashkëkombasve tanë nëpër botë”, përfundon Gent Cakaj.

Pyetje shpërqëndruese për shoferët e rinj, ndryshon testi teorik i patentave

Testi Teorik për pajisjen me leje drejtimi, (Patentën), do të jetë më i lehtë duke nisur nga java e ardhshme. Drejtoria e Transportit të Përgjithshëm Rrugor ka publikuar një komunikatë në rrjetet sociale, ku njofton se Testit Teorik për pajisjen me leje drejtimi i janë bërë disa ndryshime.

Sipas njoftimit të Drejtorisë së Transportit Rrugor, testit të ri i janë hequr 1199 fjali ngatërruese për kursantët, ndërsa janë korrigjuar1848 fjali me gabime.

Sipas këtij njoftimi, Testi Teorik është rishikuar në 45% të volumit të tij, duke bërë korrigjime dhe ndryshime të konsiderueshme.

Kështu, disa nga fjalitë dhe pyetjet e hequra nga Testi Teorik për pajisjen me leje drejtimi për kategorinë e patentave B, është pyetja si vijon:

“Shenjat e fillimit të gjendjes së shokut janë zbehtësi, djersë të ftohta, gjendje e tensionuar, rrahje të zemrës të dobëta por të shpeshta….shfaqja e njollave mbi lëkurë…. mund të shkaktohet nga një dhembje e fortë”, por edhe të tilla pyetje si:

“Abuzimi me qumështin shkakton shpërqendrim dhe moskuptim të rrezikut?”, shkruhet në njoftimin e Drejtorisë së Transportit Rrugor.

Skip to toolbar