Zëvendës kryetari i Kuvendit, Myslym Murrizi,
njëherazi deputet i opozitës së djathtë në parlament, ka reaguar me një status
të gjatë në rrjetet sociale, në lidhje me çështjen e shpenzimeve për bileta udhëtimi
dhe fjetje në hotel të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj. Murrizi, duke u
shprehur se ‘nëse do të ishte kjo ndjeshmëri, si në rastin e Etildës, Shqipëria
do të ishte Zvicër’, tregon disa nga rastet kur do të duhej që të reagohej në këtë
mënyrë. Ndër to, ai përmend vjedhjen e arit në Krrabë, apo 700 mijë eurot e
bllokut të famshëm.
“Po sikur ta kishit patur këtë ndeshmëri për
700 mij euro e bllokut të famshëm? Po sikur ta kishit patur këtë zell për
vjedhjen dy herë të thesarit të Krrabës? Po sikur të kërkonit me të drejtë në
vitin 1992 qeverisë së asaj kohe se ku shkuan mbi 300 milion dollarë që Ramiz
Aliaj dhe qeveria komuniste në fund të saj “humbi” nga kambiumi në bursë i monedhave
të arit?”, shkruan Murrizi, duke përmendur dhe rastin e Bankës së Shqipërisë
apo raste të tjera. Në këto kushte, ai shprehet se nëse do të kishte pasur të njëjtin
reagim, askush ‘nuk do ti shiste më dëngla shqiptarëve si i moralshëm”.
Më tej, me ironi dhe sarkazëm, Myslym
Murrizi, shprehet se propozon që tilda të shkarkohet, dhe të ‘pushkatohet’ si
shkaktarja e të gjitha të zezave të këtij vendi. “Kjo është ‘koka’ e korrupsionit,
koka e ‘krimit’ shkaku i fukarallëkut, arsyeja e mos hapjes së negociatave,
faktori kryesor i keq qeverisjes, i shtetit arbitrar, i mjerimit dhe i largimit
të Shqiptarëve nga vendi. Kjo detyroi PD të dali nga parlamenti, kjo ishte pengesa
kryesore që PD nuk hyri në zgjedhjet e 30 qershorit. Nga nesër të gjithë në
protestë me parullën: ‘Etilda Ik’, Rama dhe gjithë ju të tjerët rrini se nuk
keni përgjegjësi. Eh moj Etilda sa e mbuluar paske qenë”, shkruan ndër të tjera
Murrizi.
Pas akuzave të bëra nga Sekretari i Përgjithshëm
i Partisë Demokratike, që publikoi një vendim të prokurorisë së Janinës për dënimin
e Agim Kajmakut, kryebashkiaku i Vorës ka bërë një reagim publik. Me anë të një
shkrimi në rrjetet sociale, Kajmaku ka siguruar qytetarët e Vorës, se u qëndron
pikë për pikë atyre që ka deklaruar në formularin e dekriminalizmit.
“Që pas marrjes së detyrës si kryetar i
Bashkisë së Vorës, ata s’u përballen nga frika e humbjes së padiskutueshme, më
janë vërsulur me tërbim! Por unë siguroj me bindje, në radhë të parë qytetarët
e Vorës se i qëndroj pikë për pikë asaj që kam deklaruar edhe më herët lidhur
për këtë sulm”, thotë Kajmaku.
Më tej ai sqaron se nuk është marrë kurrë me
trafiq, duke u shprehur se emrin e ka ndryshuar si të gjithë shqiptarët në Greqi,
për të përfituar lehtësira në këtë shtet, gjatë kohës që ka jetuar atje. Sipas Kajmakut,
këtë gjë e kanë bërë shumë shqiptarë, ndërsa e cilëson Partinë Demokratike si ‘limon
të shtrydhur’, që s`i duhet më asnjeriu.
“Unë nuk jam marrë kurrë me trafiqe dhe
krime. Kam qenë dhe jam punëtor e familjar. Kam punuar për të nxjerrë bukën e
gojës në Shqipëri e në emigracion dhe emrin e kam ndryshuar si të gjithë
shqiptarët, që të më jepej mundësia të rrija atje dhe punoja. Partia
Demokratike po merret me limona dhe me mandarina emigrantësh shqiptarë, të
cilët halli i ka shtyrë të punojnë në një vend të huaj! Ata bëjnë sikur nuk e
dijnë se çfarë kanë hequr shqiptarët për të mbijetuar me emra e me mbiemra nga
më të ndryshmit në Greqi. Në fakt PD është limoni i shtrydhur që s’i duhet më asnjeri”,
është shprehur Kajamku.
Në fund të reagimit të tij, Agim Kajmaku shkruan se janë autoritetet ato që do të thonë fjalën e tyre, ndërsa siguron qytetarët e Vorës, se sipas tij, do të jetë në çdo moment në krye të detyrës. “Le ta thonë autoritetet fjalën e tyre dhe të na falin qytetarët për këtë shqetësim. Unë dua të siguroj qytetarët e Vorës se pavarësisht kësaj poshtërsie, jam dhe do të jem në çdo moment në krye të detyrës! Ju më besuat në 30 qershor për t’i ndryshuar faqen Vorës sonë dhe për t’a vënë bashkinë në shërbim të qytetarëve”, ka përfunduar Kajmaku.
Partia Demokratike ka publikuar të hënën dokumentin ku sipas saj akuzohet kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku për të veprën penale të falsifikimit të kartëmonedhave. Sipas PD, Agim Kajmaku është kapur në flagrancë gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera me para të falsifikuara.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi
tha se Kajmaku duke përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas
dhe amësi Parashivi, është në procedim penal në Greqi për falsifikim parash, një
krim që dënohet me 10 vite burg dhe dëmin
që Kajmaku nuk e ka kryer sipas PD-së. Bardhi deklaron se Kajmaku nuk e ka
kryer ende dënimin në Greqi, pasi ai është lënë fillimisht në masën “detyrim
paraqitje” pas arrestimit në 2003. Pas ngritjes së akuzës për arrestimin tij,
drejtësia greke e ka pasur të pamundur ta dënojë, pasi Kajmaku është larguar menjëherë
nga territori grek drejt Shqipërisë, ka thënë Bardhi gjatë konferencë për
shtyp.
“Agim
Kajmaku alias Jorgo Toto është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën
e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale “Përdorim dhe shpërndarje
kartëmonedhash të falsifikuara”. Kajmaku
ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi
Parashivi. Pasi është marrë në pyetje nga hetuesi paraprak dhe ka qëndruar disa
ditë në burg, oficeri i policisë gjyqësore ka vendosur që hetimet ndaj tij të
zhvilloheshin nën masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, derisa çështja t’i
përcillej prokurorisë dhe gjykatës. Krimi i kryer nga Agim Kajmaku alias Jorgo
Toto, sipas prokurorisë greke, duhet të dënohej me jo më pak se 10 vjet burgim.
Për këtë arsye, Prokuroria ka urdhëruar arrestin e tij të menjëhershëm për falsifikim
parash, por vendimi nuk është ekzekutuar, për shkak se gjatë periudhës së shqyrtimit
gjyqësor, ai ishte arratisur menjëherë nga territori i shtetit grek dhe ka
ardhur në Shqipëri. Këtu ka ndryshuar menjëherë edhe identitetin, nga Jorgo
Toto në Agim Kajmaku.” – tha Bardhi duke shtuar se Kajmaku vijon të jetë në
procedim penal në Greqi, pasi për shkak të krimit të rëndë, gjykata kërkon prezencën
e tij për dhënien e akuzës. Për shkak të mungesës Gjykata ka pezulluar gjykimin
e çështjes. Sipas PD Kajmaku ka një urdhër arrest me burg të pa ekzekutuar dhe nuk
e ka marrë ende pafajësinë nga prokuroria greke.
“Sipas
ligjit grek në këtë lloj gjykimi, shtetasi duhet të jetë vetë prezent në
gjykim, për shkak se bëhet fjalë për krime të rënda. Urdhri i arrestit të
gjykatës greke nuk është ekzekutuar, pasi shtetasi Jorgo Toto nuk është gjendur
në Greqi. Ai ka të pa ekzekutuar një masë arresti me burg dhe nuk ka marrë
kurrë pafajësinë mbi akuzën e ngritur nga Prokuroria greke. Pra, praktikisht
është edhe sot nën procedim penal nga autoritetet greke, me një masë “arresti
në burg” në fuqi. Të gjitha këto të dhëna provojnë se Agim Kajmaku është
subjekt ndalimi për të ushtruar një funksion publik nga ligji i
dekriminalizimit.”- thotë Gazmend Bardhi gjatë deklaratës për mediat.
Këto akuza janë hedhur poshtë më herët nga vetë Agim Kajmaku, i cili përmes një statusi në facebook, thotë se ai vërtet ka pasur në Greqi emrin Jorgo Toto dhe këtë e ka të deklaruar në formularin për dekriminalizimin, por atësia dhe mëmësia nuk kanë qenë të ndryshuara, por kanë qenë emrat e vërtet të prindërve pra atësia Ymer dhe mëmësia Maxhe, dhe jo Thanas dhe Parashivi siç pretendon PD.
Në lidhje me rastin Kajmaku, edhe Prokuroria e Përgjithshme ka nisur një letërporosi për autoritet greke, për verifikimin dhe dhënien e informacionit si dhe ka kërkuar nga kryebashkiaku i Vorës dhënien e shenjave të gishtave në njësinë e dekriminalizimit.
Ky është rasti i dytë që Partia Demokratike akuzon kryebashkiakët e rinj të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, pas atij të Shkodrës Valdrin Pjetri. PD “fundosi” Valdrin Pjetrin, për të cilin nxori dokumente, që tregonin se ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge. Pas dokumenteve të publikuara nga PD, Pjetri dha dorëheqjen nga detyra, për t’u përballur me drejtësinë si qytetar i thjeshtë.
Pas reagimit të Ministres së Drejtësisë,
Etilda Gjonaj, që përgënjeshtroi lajmet për çmimet e kripura të biletave të udhëtimit
jashtë vendit dhe hoteleve ku është akomoduar, ka reaguar Partia Demokratike. Ish-deputetja
e PD, Albana Vokshi, ka shkruar në rrjetet sociale, se Gjonaj gënjen. Sipas Vokshit,
ministrja ka fjetur vetëm në hotel, që sipas saj vërtetohet nga faturat e
publikuara, të cilat “janë në emrin e
Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj”. Gjithashtu, po sipas Vokshit, ‘dhomat
kanë qenë teke, ndërsa është paguar për 1 person, ku normalisht nuk mund të
gjente strehë gjithë delegacioni, siç mashtron ministrja e Edi Ramës”, shkruan
Vokshi.
Më tej, Albana Vokshi shkruan se askush nuk e
ka detyruar “Etildën të zgjedhë hotele me 5 yje”, që sipas ish-deputetes
demokrate nuk janë kryer në kohë ‘bumi turistik’, që të mos ketë dhoma. “Edhe
kontrollin e brendshëm e ka porositur sa për të larë duart me opinionin publik,
që e refuzon luksin e qeverisë së vendit më të varfër në Europe! Askush nuk e
ka detyruar Etildën të zgjedhë hotele me 5 yje gjatë vizitave të saj, vizita të
cilat nuk rezultojnë në kohë bumi turistik, që Etilda të mos gjejë një dhomë të
zakonshme, pa shumë luks dhe komoditete të tjera speciale”.
Në fund, Vokshi ka dhe një tjetër pretendim,
duke u shprehur se ministrja Gjonaj ‘gënjen’ për kohën e publikimit të lajmit. “Dhe,
së fundi, zonja ministre e një qeverie hajdute gënjen edhe për kohën e
publikimit të lajmit, i cili është shpërndarë parmbrëmë, jo para 24 orësh, siç
përpiqet të mashtrojë Etilda, në mënyrë që të justifikojë heshtjen e gjatë për
shpenzimin e parave publike si t’i kishte fituar në bixhoz”.
Në Shqipëri Partia Demokratike dha disa detaje
të tjera me të cilat ajo shoqëroi akuzat ndaj kryebashkiakut socialist të Vorës
Agim Kajmaku, i cili sipas saj rezulton të ketë qenë i dënuar dhe më pas i
dëbuar nga Greqia. PD duket se po ndjek të njëjtën strategji si në rastin e ish
kryebashkiakut të Shkodrës Valdrin Pjetri duke nxjerrë hap pas hapi të dhëna në
mbështetje të akuzave të saj.
Sekretari i Përgjithshëm demokrat Gazmend
Bardhi shtroi tre pyetje që përfaqësojnë dhe elementë të rinj në lidhje me
zotin Kajmaku, duke kërkuar të dijë se “çfarë përfaqëson data 14 Janar 2003”
për kryebashkiakun e Vorës, se pse ai “nuk ka shkuar në Greqi prej vitit 2003
dhe pse menjëherë pas këtij viti ndryshoi gjeneralitetet në Shqipëri?” dhe
“çfarë lidhje ka me shtetasin me identitetin e rreme “Jorgo Toto, me atësi
Thanas dhe amësi Parascevi?”.
Përmes një postimi në Facebook të datës 6
Gusht 2019, zoti Kajmaku ka pranuar se ka ndryshuar emrin në vitin 1996. “Këtë
gjë nuk e kam bërë në shkelje të ligjit, por me Vendim të Këshillit të Komunës
Prezë, Nr 06/1, Datë 06.02.1996, “Ndryshim emri dhe mbiemri nga Agim Kajmaku në
Jorgo Toto”. Përmes këtij ndryshimi, munda që të siguroj një vizë nga Ambasada
Greke për vete dhe familjen”. Por Partia Demokratike megjithatë flet për një
emër tjetër të përdorur sipas saj nga zoti Kajmaku, jo Jorgo Toto, por Jorgo
Toro.
Kryebashkiaku i Vorës, është shprehur
gjithashtu se “pavarësisht ndryshimit të emrit për arsye dokumentare, unë Agim
Kajmaku gjithmonë kam mbajtur të njëjtin emër të babait, nënës dhe të ditës
time të lindjes edhe me emrin Jorgo Toto. Prandaj është shumë kollaj e
verifikueshme a kam qenë i dënuar apo jo”. Por sipas PD-së, emri tjetër që ajo
thotë se lidhet me zotin Kajmaku, pra Jorgo Toro, ka tjetër amësi dhe atësi.
Pak ditë më parë, PD-ja ju drejtua zyrtarisht
Prokurorisë së Përgjithshme duke kërkuar prej saj nisjen e verifikimeve duke
qenë se sipas saj ekzistojnë të dhëna, të bëra publike më parë, se zoti Kajmaku
është subjekt i Ligjit të Dekriminalizimit dhe nuk mund të ushtrojë funksion
publik. Si shkresë së PD-së “ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në
Greqi dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga
autoritetet përgjegjëse greke” dhe se “në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi
Agim Kajmaku alias Jorgo Toro ka deklaruar se ka jetuar për 5 vite në Greqi.
Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se nga periudha 2004 –
2016 ai nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë, çka
përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë.”,
theksohet në letrën e zoti Bardhi.
Pas kërkesës së PD-së, nuk vonoi reagimi i
zotit Kajmaku, i cili u shpreh për mediat se “me përgjegjësi ligjore dhe bindje
morale deklaroj se nuk jam dënuar dhe as jam dëbuar asnjëherë nga ndonjë shtet
i BE, as nga Greqia. Ndërkohë që për vite të tëra kam qenë udhëtues i shpeshtë
dhe korrekt në shumë vende të BE, për llogari të biznesit tim familjar”. Ai
shton më tutje se gjithçka sipas tij është një shpifje për qëllime politike,
duke paralajmëruar se “autorët dhe akuzuesit publik që shpifin ndaj personit
tim do të vihen përballë drejtësisë dhe detyrimit të gjetjes së provave të
pretenduara. Të paqenën nuk mund ta pretendosh si të ndodhur”, shprehet
kryebashkiaku i Vorës.
Mbetet të shihet nëse Partia Demokratike, ashtu si në rastin e ish kryebashkiakut të Shkodrës Valdrin Pjetri, zotëron ndonjë dokument zyrtar ku mbështet denoncimin e saj. Edhe zoti Pjetri fillimisht mohoi akuzat e ngritura nga PD-ja, se kishte qenë i dënuar dhe më pas i dëbuar nga Italia. Por pas publikimit të dokumenteve të autoriteteve gjyqësore italiane nga ana e Partisë Demokratike, u detyrua të japë dorëheqjen javën e shkuar./VOA
Të premten ka mbrritur në Prokurorinë e Përgjithshme
kërkesa e Partisë Demokratike, ku kërkohet hetimi mbi pastërtinë e figurës së
kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku. Në kërkesën e PD-së, dyshohet se
Kajmaku, i zgjedhur në krye të Bashkisë së Vorës, ka qenë i dënuar vite më parë në Greqi, shtet, që sipas
PD, e ka dëbuar më pas Kajmakun. Ndërkohë, Realstory.al, ka mësuar të premten
nga një burim në Prokurorinë e Përgjithshme, se pas mbërritjes së kërkesës së bërë
nga PD, sektori i Dekriminalizmit do të nis hetimin.
“Sot ka mbrritur kërkesa e PD në Prokurori.
Dekriminalizimi do të nis hetimin”, shprehen burimet për Realstory.al nga
Prokuroria e Përgjithshme. Hapi i parë i verifikimit do të jetë nisja e letërporosisë
për autoritetet greke, të cilat do të vërtetojnë ose jo akuzat e ngritura nga
PD, për dënimin e Kajmakut. Në bazë të përgjigjes që do të japin autoritetet
greke, pritet të merret dhe vendimi për fatin e kryebashkiaku të ri të Vorës, nëse
ai do të dalë i pastër, siç ka deklaruar, apo PD, si në rastin e Shkodrës, do të
ketë të drejtë për dënimin e Kajmakut.
Megjithatë, ndryshe nga Valdrin Pjetri, që dha dorëheqjen dhe pranoi përfshirjen në një ngjarje në Itali, Agim Kajmaku është shprehur i bindur se nuk është dënuar ndonjëherë në Greqi. Ai ka sqaruar edhe çështjen e ndërrimit të emrit, që sipas tij ka qenë për arsye dokumentesh, ndërkohë që pas kthimit nga Greqia, Kajmaku është shprehur se ka udhëtuar shumë herë jashtë vendit në shtete të ndryshme të Europës për arsye të biznesit privat. /Realstory.al/
Pas Valdrin Pjetrit, Partia Demokratike akuzon kryebashkiakun e Vorës se ka qenë i arrestuar dhe i dëbuar nga Greqia. Për të vërtetuar këtë, PD i ka dërguar një kërkesë zyrtare Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë sa më parë procesin e verifikimit të Kajmakut, bazuar në ligjin për dekriminalizimin.
Shkresa e firmosur nga sekretari i përgjithshëm
i PD-së, Gazment Bardhi i është dërguar prokurorisë së përgjithshme dhe për
dijeni ambasadës Amerikane në Tiranë, delegacionit të BE-së dhe të gjitha
ambasadave të tjera të huaja.
PD pretendon se Kajmaku për 12 vite me radhë nuk ka udhëtuar drejt Greqisë, ndërkohë që ka jetuar atje me një emër tjetër, Jorgo Toro dhe ka qenë i arrestuar, fakt të cilin e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit.
“Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në
Greqi dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga
autoritetet përgjegjëse greke.
Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Agim
Kajmaku alias Jorgo Toro ka deklarur se ka jetuar për 5 vite në Greqi. Nga
verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Agim Kajmaku
alias Jorgo Toro nga periudha 2004 – 2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të
vetëm në drejtim të Greqisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave
të bëra publike më parë”,- argumenton PD në kërkesën për verifikimin e figurës
së Agim Kajmakut, që mban.
Njësoj si në rastin e Valdrin Pjetrit, PD e ka shoqëruar kërkesën e saj me 500 firma qytetarësh.
“Nisur nga interesi i lartë publik që paraqet
kjo çështje, Partia Demokratike e Shqipërisë pret një verifikim dhe reagim
institucional të shpejtë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, me synimin që
të arrihet qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit. Konkretisht, qëllimi
i ligjit është të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të
zgjedhura shtetërore, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to të
personave, të cilët janë dënuar për kryerjen të krimeve”, – thuhet në kërkesën
e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.
Publikimi më herët i dokumenteve nga PD që vërtetuan se Valdrin Pjetri i Shkodrës kishte qenë i dënuar disa vite më parë në Itali, bëri që Pjetri të dorëhiqej nga posti dhe të mos kryente betimin si kryebashkiak i Shkodrës, duke shkaktuar ngërç në drejtimin e kësaj bashkie. PD synon të shkarkojë edhe kreun e Bashkisë së Vorës, në rast se akuzat e saj rezultojnë të vërteta.
Pas pushimeve të gjata verore, duket se Partia Demokratike planifikon të nis aksionin politik duke iu rikthyer protestave në muajin shtator. Ky është plani i Bashës, përmes të cilit ai shpreson se do të largojë vëmendjen nga kritikat që po has gjithnjë e më shumë brenda të djathtëve si dhe për të kamufluar dështimet e tij politike që rrënuan PD. Lajmi për protesta është thënë nga kryedemokrati Basha më herët dhe është konfirmuar edhe më tej nga vartësi i tij Aldo Bumçi. Ish deputeti demokrat Bumçi tha se në shtator opozita do t’i rikthehet protestave si rruga e vetme për të rrëzuar qeverinë dhe për t’i hapur rrugë shpresës së qytetarëve.“Beteja për demokracinë, nuk ndodh aq shpejt, me mendje do e kishim rrëzuar që në protestën e pare. Pa mund nuk rrëzohet asgjë. Maduro në Venezuelë, i ka dalë e gjithë bota kundër, do rrëzohet, nuk ka jetë. Ai vijon, se një pushtet autoritar vijon mban njerëz kërcënon, edhe këtu Rama me lekët e drogës e kërcënime, dhe largime masive është një njeri pa oksigjen më i dobët se kurrë. shqiptarët dolën masivisht në protesta. Ne do vijojmë protestat, në shtator rifillojmë. Është folur për narkoshtet mes Europës. Largimi i tij hap rrugën e shpresës, njerëzve sot iu mungon buka e përditshme.” u shpreh Bumçi.
Ish deputeti demokrat bëri krahasimin me rastin e Maduros se e gjithë bota i ka dalë kundër, por harron që në fakt të gjithë ndërkombëtarët i dolën kundër edhe Partisë Demokratike në vetëvrasjen e saj politike me djegien e mandateve dhe ushtrimin e dhunës në protesta duke mos e mbështetur askush në këtë rrugë pa kthim që ajo kishte nisur. Sot PD është kthyer në një parti jashtë çdo pushteti parlamentar dhe vendor duke lënë të pa përfaqësuar elektoratin e saj dhe duke mos u dhënë dot mundësi zgjedhje qytetarëve shqiptarë. PD zhvilloi 5 muaj protesta duke kërkuar largimin e Ramës dhe kërcënuar se zgjedhjet më 30 qershor nuk do të mbaheshin. Por realiteti tregoi se kërkesat e saj thjeshtë mbetën në të shkuarën si premtime boshe dhe pa vlerë për ato që i besuan dhe e ndoqën në këtë aksion, ndërsa i bëri ndërkombëtarët t’i tërhiqnin vazhdimisht veshin për t’u përmbajtur nga dhuna deri në kërcënimin e SHBA se do ta fuste në listën e organizatave terroriste nëse nuk ndalej.
Bumçi ka folur edhe për transferimin e dosjes 184 në prokurorinë Dibër, pasi Krimet e Rënda shpallën moskompetencë për të hetuar krimet zgjedhore. Sipas tij kjo është një mënyrë politike e zgjedhur nga qeveria që ka kapur drejtësinë dhe prokurorinë. Ish deputeti demokrat akuzon kryeprokuroren Marku se për 3 vjet nuk bëri asgjë në lidhje me këtë dosje që të hetohej. “U përmend dosja e Dibrës, janë përgjime zyrtare të Prokurorisë, kanë tre vjet që i mbajnë. Pse Rama duhet të fitonte me çdo kusht Dibrën ne 2016, sepse do të marrë gjithçka. Zgjidhja është politike, nuk ka shpresë që zgjidhja të vijë nga drejtësia. Kjo dosje ka 3 vjet, Arta Marku duhet të bënte gjithçka që ajo të hetohej.” Në fakt sipas një deklarate të ish ministrit të PD-së, Arben Imami në emisionin Real Story, tha se kryetari Basha i ka pasur në zyrë këto dosje po ashtu prej 3 vitesh dhe nuk preferoi t’i bënte publike në atë kohë. Këto audio-përgjime u publikuan gjatë kulmit të protestave të opozitës nga media gjermane BILD.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha
ka reaguar pas lajmit për dorëheqjen e Valdrin Pjetrit nga marrja e detyrës së
kryebashkiakut të Shkodrës. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Basha
shprehet se tashmë ka “një kriminel më pak në politikë”, ndërsa shton se nuk
ndryshon asgjë deri sa të largohet Edi Rama.
“Një kriminel më pak në politikë; një uzurpator më pak në pushtetin
vendor. Asgjë nuk ndryshon deri sa të largojmë Edi Ramën, kokën e krimit politik”,
shprehet Basha.
Ky reagim i Lulzim Bashës vjen vetëm pak pas
njoftimit në rrjetet sociale të Valdrin Pjetrit, ku lajmëronte se nuk do të
merrte mandatin e kryetarit të Bashkisë së Shkodrës. Megjithatë, edhe pse e
quan “kriminel” Valdrin Pjetrin, Lulzim Basha harron se ishte partia e tij që e
promovoi në politikë në vitin 2010, kohë kur vendi qeverisej nga Partia Demokratike.
Madje, në atë kohë, PD i besoi Valdrin
Pjetrit në krye të pasurive të konfiskuara nga trafiku i drogës. Madje po në
kohën e PD, kryebashkiaku i dorëhequr i Shkodrës, ende pa marrë detyrën, mori
dhe çertifikatën e sigurisë. Ndaj, Basha duket se e harron këtë fakt, ndonëse e
kujtoi indirekt një ditë më parë, kur sulmoi Jozefina Topallin, duke e akuzuar
ish-deputeten e PD, si personi që “promovoi Valdrinin në politikë”.
Gazeta zyrtare e Partisë Demokratike, “Rilindja Demokratike”, ka sulmuar ashpër ish-kryeparlamentaren dhe numrin dy të kësaj partie, Jozefina Topalli. Kjo, pas akuzave të ashpra të Topallit, në drejtim të Lulzim Bashës. Ajo që të bën përshtypje në këtë sulm, është gjuha denigruese e “RD”-së, ndaj një prej figurave më të rëndësishme të Partisë Demokratike për më shumë se dy dekada. Por, në PD kjo gjë nuk është një gjë e re, pasi kush del kundër vijës zyrtare të Sali Berishës, sulmohet dhe denigrohet në mënyrën më të poshtër të mundshme. Nuk ka rëndësi se kush është ai/ajo dhe kontributi që ka dhënë ndër vite për Partinë Demokratike.
“U shfaq sërish Jozefina. Ajo që nuk flet
ansjëherë par hallet e shqiptarëve, por kujtohet sa herë ka hall Rama. Sa herë
i del ndonjë kriminel, ajo shfaqet me telekomandën e Kryeministrisë dhe si një
robot përcjell në facebook statuset që i shkruajnë oborrtarët në qeveri.
Një shpërfytyrim i asaj që ka pasur të gjitha
privilegjet e pushtetit të PD dhe tani mundohet të kapë çfarë të mundet nga
regjimi kriminal duke u kthyer një pastruese të njollave të kreut të
organiztaës kriminale. Përpiqet të hiqet si mbrojtëse e të djtahtës shkodrane
në një kohë që kur ishte atje ku ishte në pushtet shkonte në Shkodër dhe
kërkonte të majtët, se të djathtët mendonte se i kishte në xhep. E mbushi
administratën e Kuvendit me të majtë nga Shkodra dhe në krye të institucioneve
kryesore të Shkodrës vendoste ata pak të majtë që ti kërkoje me qirinj nuk i
gjeje në Shkodër.
Rama e tundi sërish sot Jozefinën nga gjumi
letargjik për të hequr sado pak vëmendjen nga kriza e rëndë në të cilën ndodhet
dhe bomba që i ka shpërthyer me trafikantit të rradhës të drogës që e emëroi në
krye të Bashkisë së Shkodrës. Jozefina që mundohet të bëjë opozitën e opozitës
pa kuptuar se përtej luksit të saj të siguruar nga privilegjet e pushtetit të
djeshëm dhe regjimit të sotëm, ka një popull që nuk jeton si ajo dhe që të
vetmin shpëtim e shikon tek largimi i së keqes.
Jozefina e ka kuptuar se tani është një kartë
e djegur, se askush nuk i shkon më pas dhe se koha e saj ka perënduar një herë
e mirë ndaj ka venosur ti ngjitet nëpër këmbë kreut të qeverisë për të kapur
çfarë të mundet. Mirë e bën. Kap çfarë mund të kapësh, por vetëm shpejt se nuk
i dihet, dhe ndoshta nga Tetori nuk do të kesh më çfarë të kapësh”, thuhet në
shkrimin e “RD”, që duket se është bërë me dorën e vetë Berishës, i cili në
këto raste përdor pseudonime.
Për më tepër që dihet se kjo gazetë kontrollohet pikërisht nga Berisha dhe nuk sulmohet askush nga PD, pa lejen e tij. (Tema)