PD e merr malli për protestat: Rikthehemi në shtator (sapo të mbarojnë pushimet)

POLITIKË


Pas pushimeve të gjata verore, duket se Partia Demokratike planifikon të nis aksionin politik duke iu rikthyer protestave në muajin shtator. Ky është plani i Bashës, përmes të cilit ai shpreson se do të largojë vëmendjen nga kritikat që po has gjithnjë e më shumë brenda të djathtëve si dhe për të kamufluar dështimet e tij politike që rrënuan PD. Lajmi për protesta është thënë nga kryedemokrati Basha më herët dhe është konfirmuar edhe më tej nga vartësi i tij Aldo Bumçi. Ish deputeti demokrat Bumçi tha se në shtator opozita do t’i rikthehet protestave si rruga e vetme për të rrëzuar qeverinë dhe për t’i hapur rrugë shpresës së qytetarëve.“Beteja për demokracinë, nuk ndodh aq shpejt, me mendje do e kishim rrëzuar që në protestën e pare. Pa mund nuk rrëzohet asgjë. Maduro në Venezuelë, i ka dalë e gjithë bota kundër, do rrëzohet, nuk ka jetë. Ai vijon, se një pushtet autoritar vijon mban njerëz kërcënon, edhe këtu Rama me lekët e drogës e kërcënime, dhe largime masive është një njeri pa oksigjen më i dobët se kurrë. shqiptarët dolën masivisht në protesta. Ne do vijojmë protestat, në shtator rifillojmë. Është folur për narkoshtet mes Europës. Largimi i tij hap rrugën e shpresës, njerëzve sot iu mungon buka e përditshme.” u shpreh Bumçi.

Ish deputeti demokrat bëri krahasimin me rastin e Maduros se e gjithë bota i ka dalë kundër, por harron që në fakt të gjithë ndërkombëtarët i dolën kundër edhe Partisë Demokratike në vetëvrasjen e saj politike me djegien e mandateve dhe ushtrimin e dhunës në protesta duke mos e mbështetur askush në këtë rrugë pa kthim që ajo kishte nisur. Sot PD është kthyer në një parti jashtë çdo pushteti parlamentar dhe vendor duke lënë të pa përfaqësuar elektoratin e saj dhe duke mos u dhënë dot mundësi zgjedhje qytetarëve shqiptarë. PD zhvilloi 5 muaj protesta duke kërkuar largimin e Ramës dhe kërcënuar se zgjedhjet më 30 qershor nuk do të mbaheshin. Por realiteti tregoi se kërkesat e saj thjeshtë mbetën në të shkuarën si premtime boshe dhe pa vlerë për ato që i besuan dhe e ndoqën në këtë aksion, ndërsa i bëri ndërkombëtarët t’i tërhiqnin vazhdimisht veshin për t’u përmbajtur nga dhuna deri në kërcënimin e SHBA se do ta fuste në listën e organizatave terroriste nëse nuk ndalej.


Bumçi ka folur edhe për transferimin e dosjes 184 në prokurorinë Dibër, pasi Krimet e Rënda shpallën moskompetencë për të hetuar krimet zgjedhore. Sipas tij kjo është një mënyrë politike e zgjedhur nga qeveria që ka kapur drejtësinë dhe prokurorinë. Ish deputeti demokrat akuzon kryeprokuroren Marku se për 3 vjet nuk bëri asgjë në lidhje me këtë dosje që të hetohej.  “U përmend dosja e Dibrës, janë përgjime zyrtare të Prokurorisë, kanë tre vjet që i mbajnë. Pse Rama duhet të fitonte me çdo kusht Dibrën ne 2016, sepse do të marrë gjithçka. Zgjidhja është politike, nuk ka shpresë që zgjidhja të vijë nga drejtësia. Kjo dosje ka 3 vjet, Arta Marku duhet të bënte gjithçka që ajo të hetohej.” Në fakt sipas një deklarate të ish ministrit të PD-së, Arben Imami në emisionin Real Story, tha se kryetari Basha i ka pasur në zyrë këto dosje po ashtu prej 3 vitesh dhe nuk preferoi t’i bënte publike në atë kohë. Këto audio-përgjime u publikuan gjatë kulmit të protestave të opozitës nga media gjermane BILD.




Skip to toolbar