PD proteston kundër Valdrin Pjetrit në Shkodër, Bardh Spahia drejton militantët, lë në hije Voltana Ademin

Në qytetin e Shkodrës pasditen e të mërkurës është mbajtur një protestë nga militantët e Partisë Demokratike, kundër Valdrin Pjetrit. Protesta e drejtuar nga funksionarë të lartë të PD-së në Shkodrë, është zhvilluar përpara Prefekturës së qytetit verior. Me parulla “Bijtë e etërve persekutorë larg Shkodrës”, “Tik-tak, Edi Rama në batak”, apo thirrje “Rama ik”, militantët e Partisë Demokratike kanë marshuar drejt bashkisë së këtij qyteti.

Ajo që ka rënë në sy gjatë protestës ka qenë roli protagonist i ish-deputetit Bardh Spahia, i cili ka drejtuar militantët e PD gjatë protestës. Spahia është shfaqur gjatë gjithë kohës i vetëm krahë militantëve, pa praninë e zyrtarëve të tjerë të PD në Shkodër. Madje në protetsë nuk është shfaqur as Voltana Ademi, kryebashkiakja aktuale e Shkodrës. Të paktën nga pamjet e transmetuara drejtpëdrejt Ademi nuk është dukur gjatë kohës që protestuesit marshonin nga prefektura në drejtim të bashkisë.

Edhe në fund të protestës, kur Bardh Spahia ka mbajtur një prononcim për mediat, ai është shfaqur vetëm i rrethuar nga protestues, ndërsa mungonte Voltana Ademi. Ademi ka qenë në protestë, por mesaduket ka zgjedhur të mos marrë rol protagonizmi në këtë protestë. Gjithsesi, nga fillimi deri në fund, kanë qenë qytetarët shkodranë dhe Bardh Spahia, që kanë folur për mediat në lidhje me organizimin e protetës të së mërkurës, kundër “uzurpimit të bashkisë së Shkodrës” nga Valdrin Pjetri.

Pas publikimit nga PD të disa dokumenteve, ku pretendohet dënimin i Pjetrit në Itali, konsituimi i këshillit bashkiak dhe betimi i kryetarit të ri të bashkisë ka mbetur pezull, deri në daljen e të vërtetës zyrtare nga institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme. Valdrin Pjetri ka mohuar të jetë dënuar në Itali për shitje droge, ndërkohë që opozita pretendon se dokumentet e saj janë origjinale.

Për rastin në fjalë kryeministri Edi Rama ka shprehur qëndrimin e tij, duke u distancuar deri në pritje të së vërtetës zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme. Ndërkohë, në rast se vërtetohen akuzat e PD për Valdrin Pjetrin, në Shkodër do të duhet të përsëriten zgjedhjet për kryetar bashkie. Ky zhvillim i fundit në skenën politike në vend, parashihet edhe si një mundësi për t`i dhënë fund krizës së gjatë politike që ka nisur prej shkurtit të këtij viti.

Bilanci i Bashës në PD, në 6 vjet përjashtoi 53 figura të partisë

Përpos humbjes në të gjitha betejat elektorale, lokale, parlamentare dhe të pjesshme, me përjashtim të zgjedhjeve të pjesshme për Kavajën në 2017, Partia Demokratike nën drejtimin e Lulzim Basha ka humbur edhe 53 figura me kontribut në këtë parti. Që kur Lulzim Basha mori drejtimin e Partisë Demokratike në korrik të vitit 2013, një listë me eksponentë të kësaj partie janë përjashtuar dhe mënjanuar nga forumet e larta drejtuese, e për rrjedhojë edhe nga angazhimi në fushatat zgjedhore. Vendin e tyre e zuri gradualisht një rreth i ri njerëzisht, të besuar të kryetarit, por që megjithatë nuk ia dolën të ndalonin spiralen e humbjeve të Partisë Demokratike. Që kur u zgjodh në krye të PD, përmes një procesi i cili u denoncua dhe u kontestua publikisht nga rivali i tij i atëhershëm Sokol Olldashi, Lulzim Basha ka folur për bashkimin e Partisë Demokratike. Madje, Basha krijoi edhe një departament për Kontributet Historike në PD, me qëllim për rikthimin e figurave që kishin kontribuar në PD.

Në krye të këtij departamenti u emëruan Jemin Gjana, i cili deklaroi se do të kthente edhe Ylli Pangon në PD. Disa vjet më vonë, jo vetëm që nuk u rikthye asnjë figurë historike, por u përjashtuan edhe ata që kishin mbetur. Lulzim Basha la jashtë parlamentit në 2017 grupin e parë i konsideruar si kundërshtar, i përbërë nga Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Majlinda Bregu, Genc Ruli, Ridvan Bode, Arben Imami dhe Eduard Selami. Në lista nuk u përfshinë as Keltis Kruja, Myqerem Tafaj, Bedri Hoxha Roland Keta, Igli Cara, Kozma Dashi, Bedri Mihaj, Arbiola Halimi, Eleina Qirici, Gjergji Papa, Mimoza Hajdarmataj, Albina Deda etj., gjithsej 24 deputetë. Që të gjithë, me humbjen e statusit të deputetit, humbën automatikisht postet në kupolën drejtuese të Partisë Demokratike, së bashku me statusin e anëtarit të forumeve më të larta drejtuese të kësaj partie. Lulzim Basha nuk bëri pjesë të strukturave as 36 figura të tjera, të cilat u lanë jashtë listave për kandidatë për deputetë në zgjedhjet e 2013 nga Sali Berisha. Pjesë e kësaj liste ishin edhe Ilir Rusmajli, Fatos Hoxha, Viktor Gumi, Osman Metalla, Selami Xhepa, Arenca Trashani, Astrit Bushati, Fatos Beja, Ramiz Çobaj, Ilir Bano, Lajla Përnaska, Paulina Hoti, Ismail Hoxha etj.

Si mos të mjaftonin largimi i të lartpërmendurve, Lulzim Basha gjatë dy vitit të fundit ka mënjanuar nga PD edhe Arben Ristanin, i cili mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm, post të cilin tashmë e mban Gazmend Bardhi. Nga Partia Demokratike u përjashtua edhe deputetët Myslym Murriz dhe Rudina Hajdari, të cilën nuk zbatuan vendimin politik të partisë për të dorëzuar mandatet e përfaqësimit në parlament. Gjithashtu u mënjanuan nga strukturat edhe Fabian Topollaj, Leonard Olli, Endira Bushati, Valbona Mezini, Edith Harxhi etj./Shqiptarja.com

Figura e mënjanuara dhe të përjashtuara nga Basha në PD

Jozefina Topalli

Astrit Patozi

Majlinda Bregu

Genc Ruli

Ridvan Bode

Arben Imami

Eduard Selami

Mesila Doda

Sherefedin Shehu

Myqerem Tafaj

Igli Cara

Arben Ristani

Myslim Murrizi

Rudina Hajdari

Fabian Topollaj

Leonard Olli

Keltis Kruja

Suzana Guxholli

Endira Bushati

Valbona Mezini

Edith Harxhi

Edvin Kulluri

Fabian Topollaj

Gjergj Lezhja

Besnik Mustafaj

Kozma Dashi

Ferdinand Shehu

Roland Keta

Dashnor Sula

Shaban Memia

Bedri Mihaj

Vasillaq Ngresi

Ndue Paluca

Ilir Krosi

Bedri Hoxha

Arbiola Halimi

Mimoza Hajdarmataj

Albina Deda

Gjovalin Bzhetaj

Liljana Elmazi

Ilir Rusmajli

Fatos Hoxha

Viktor Gumi

Osman Metalla

Selami Xhepa

Arenca Trashani

Astrit Bushati

Fatos Beja

Ramiz Çobaj

Ilir Bano

Lajla Përnaska

Paulina Hoti

Ismail Hoxha

Bashkia e Kamzës ndryshon sot kryetarin. A do të përsërisë PD skenarin e Devollit?

 Të mërkurën (sot) pritet të bëhet betimi i kryetarit të ri të Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, i dalë nga procesi zgjedhor i 30 qershorit. Prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari ka thirrur mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të Kamzës që do të bëhet në ambientet e shkollës “Hillary Clinton” në qendër të Kamzës. Por, ky vendim i marrë nga prefektja e Tiranës solli edhe reagimin e Partisë Demokratike. PD akuzoi Jahollarin se ka abuzuar me detyrën dhe për këtë, PD ka bërë kallëzim penal ndaj saj.

Sipas selisë blu mbledhja e Këshillit Bashkiak të Kamzës është thirrur para kohe, pasi këshilli aktual ka mandat deri në datë 14 gusht.

“Padurimi i Edi Ramës për të kontrolluar çdo pushtet në vend dhe, nëpërmjet tij, të grabisë çdo pasuri të vendit, e ka shtyrë atë në thellimin e paligjshmërisë së 30 qershorit, duke urdhëruar prefekten e Tiranës të uzurpojë kompetencat e pushtetit lokal në Bashkinë e Kamzës. Këshilli Bashkiak i Kamzës ishte thirrur për konstituim në datën 14 gusht nga sekretari aktual i Këshillit, por, në shkelje flagrante të ligjit, prefektja e Tiranës ka vendosur që e njëjta mbledhje të bëhet nesër, sepse Edi Ramës nuk i pritet që të pushtojë Bashkinë e Kamzës. Ligji i pushtetit lokal ia jep këtë kompetencë sekretarit aktual, por, megjithëse ai e ka ushtruar atë rregullisht, duke thirrur konstituimin e Këshillit Bashkiak të Kamzës brenda afatit, përfaqësuesja e Edi Ramës ka vendosur të cenojë autonominë e pushtetit lokal dhe të uzurpojë kompetencën e sekretarit të Këshillit Bashkiak”, deklaroi Spaho.

Bashkia e Kamzës e drejtuar nga Xhelal Mziu shihet si një ndër bastionet më të forta të PD-së. Mziu njëlloj si Voltana e Shkodrës kanë deklaruar se nuk do e lëshojnë zyrën deri në zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Nuk dihet ende se si do të veprojë Mziu sot kur të betohet kryebashkiaku i ri i Kamzës dhe nëse PD do të përsërisë skenarin për mbrojtjen e bashkisë njëlloj siç ndodhi në Devoll dhe Kavajë.

Në të dyja këto bashki të djathta militantët demokratë zhvilluan protesta për gati 8 orë dhe nuk lejuan kryebashkiakët e rinj që të merrnin zyrat, por pas këtij orari zyrtar ata u dorëzuan pavarësisht se në instruksionet në dokumentet e partisë Demokratike deklarohet që “populli” do të përgjigjet për zgjedhjet e paligjshme të 30 qershorit.

Sipas një dokumenti të publikuar nga Realstory.al, demokratët u urdhëruan nga lidershipi që të bëjnë qëndresë dhe të mbrojnë me çdo kusht dhe me çdo mjet bashkitë e djathta, pasi zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme. Këtë deklaratë kreu i PD-së Basha, përveç dokumentit të shpërndarë e bëri dhe vetë me zë e figurë gjatë një takimi në Devoll. Por ai u tradhtua nga të vetët, pasi militantët e PD-së nuk qëndruan në protestë me shumë se 8 orë dhe u shpërndanë duke dështuar skenarin e dhunës të përgatitur nga lidershipi. Vlen për t’u parë nëse Basha do ta provojë edhe njëherë në Kamëz këtë skenar, apo është tërhequr përfundimisht nga bllokimi i bashkive./Realstory.al

Rriten kritikët, Basha rrit mbrojtjen. Quan sukses aksionin 6 mujor

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vlerëson lart dy vendimet kryesore të tij, siç janë djegia e mandateve të deputetëve dhe bojkoti i zgjedhjeve të 30 qershorit. Dy vendime këto që janë kundërshtuar nga figura të rëndësishme të PD-së dhe janë bërë shkak që PD të mbetet sot pa asnjë pushtet.

Por për Bashën këto dy vendime janë të drejta pasi sollën refuzimin e Ramës  nga socialistët e tij në zgjedhjet e 30 qershorit.

Kreu i PD-së tha në Patos se 1/3 e socialistëve refuzuan më 30 Qershor qeverisjen hajdute dhe kriminale të Edi Ramës. Basha vuri në dukje se ky nuk është rezultat i arritur brenda një jave, por i protestave dhe i qëndrimeve politike të PD dhe opozitës, siç ishte djegia e mandateve parlamentare.

“Janë pikërisht protestat popullore, është qëndresa juaj, kurajo juaj, vendosmëria juaj që ka zgjuar kurajon dhe ka vetëdijësuar gjithë shqiptarët përfshirë zgjedhësit e ndershëm socialistë, se 30 qershori nuk bëhej për ta, por për një klikë hajdutësh, që ka thyer çdo rekord babëzie dhe hajdutërie në Shqipëri dhe në Ballkan”, tha Basha.

E ndërsa Basha vlerëson lart vendimet që lanë PD-në pa asnjë pushtet, brenda PD-së po përvijohet grupimi që në shtator do të nisë lëvizjen “Basha Ik”. Disa prej figurave më të rëndësishme në parti kanë kritikuar vendimet e Bashës siç ishte djegia e mandateve të deputetëve dhe braktisja e zgjedhjeve. Realstory ka shkruar më herët se lëvizja “Basha ik”, do të nisë në shtator si një revoltë e organizuar nga të mënjanuarit e PD, të cilët pas zgjedhjeve të 30 qershorit, kanë qenë mjaft kritikë me qëndrimet e tyre ndaj kreut të opozitës.

Pjesë të kësaj lëvizje do jenë zëra të fortë kritikë të Bashës, që nga Jozefina Topalli, Arben Imami, Edit Harxhi, Edvin Kulluri dhe shumë të tjerë, të nxjerrë jashtë strukturave drejtuese të PD, të cilët kanë mbajtur qëndrime të forta kundër Bashës pas zgjedhjeve të 30 qershorit, duke kërkuar që kryedemokrati të mbajë përgjegjësi, si për djegien e mandateve, ashtu edhe për bojkotin e zgjedhjeve.

Kritika këto që deri tani nuk janë lexuar drejtë nga Basha, i cili vazhdon turin e takimeve në strukturat e PD-së ku vijon të mbrojë vendimet e tij./Realstory.al

Shpërthimi në banesën e nënkryetarit të Kamzës, Policia përgënjeshtron PD: Ndodhi në pallat

Pas denoncimit të Partisë Demokratike se Policia e Shteti po fsheh ngjarjen e atentatit që i është bërë me tritol banesës së nënkryetarit të Bashkisë së Kamzës, Vendim Demajt, ka ardhur edhe reagimi i efektivëve blu.

Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar PD-në duke thënë se shpërthimi i ndodhur të dielën në orën 23:30 ka qenë në pallatin e Vendim Demajt, por jo në banesën e tij. Policia njofton se lënda plase ishte vendosur në banesën e shtetasit Paulin Gjegjaj.

Shpërthimi ka ndodhur në katin e tretë të një pallati në një banesë të marrë me qera nga Gjegjaj dhe në momentin e ngjarjes në banesë nuk ka pasur njeri. Nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale, ndërsa policia njofton se po hetohet për zbardhjen e saj dhe identifikimin e autorit.

“Më datë 04.08.2019, rreth orës 23.30, tek kthesa Kamzës në katin e tretë të një pallati,  në pjesën e derës së banesës së marrë me qera nga shtetasi P.Gj,  ka shpërthyer  një sasi  e vogël lënde e dyshuar plasëse, ku në momentin e shpërthimit brenda në banesë nuk ka pasur njeri  dhe si pasoje ka vetëm dëme materiale.” – njofton policia

Afati i fundit! LSI dhe aleatët tërhiqen nga 13 tetori, nuk regjistrohen në KQZ

Aleatët e Bashës dhe LSI nuk i janë drejtuar KQZ-së të hënën për të regjistruar partitë e tyre në zgjedhjet e datës 13 tetor, pavarësisht se kishin deklaruar se do ta bënin një gjë të tillë. Ata kishin njoftuar se do të regjistroheshin ditën e hënë në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 Tetorit të dekretuara nga presidenti Ilir Meta, por as  LSI dhe as PR dhe PAA nuk do të paraqesin kërkesë në KQZ për t’u regjistruar, ndonëse dita e hënë (5 gusht) është edhe afati i fundit.

Shkak i këtij vendimi të aleatëve të Bashës është se KQZ nuk ka marrë ende një vendim rreth kërkesës së drejtuar prej tyre për nisjen e procedurave nga Komisioni për procesin e zgjedhjeve.

Aleatët e PD-së i kërkuan KQZ-së që të nisë procedurat për zhvillimin e zgjedhjeve më 13 tetor, por mbledhja e së shtunës dështoi për shkak se anëtarët e PS-së në KQZ nuk morën pjesë në mbledhje me argumentin se janë me leje vjetore. I vetëm u paraqit vetëm kryetari i KQZ-së, Klement Zguri i cili për mungesë kuorimi e cilësoi mbledhjen të mbyllur, pa marrë në shqyrtim kërkesën e partive aleate të PD-së. Bazuar në Kodin Zgjedhor partitë duhet të regjistrohen në zgjedhje 70 para datës së zhvillimit të tyre, afat ky që përfundon sot. Megjithëse data 13 tetor është një datë e rrëzuar nga Kolegji Zgjedhor në argumentet e dhëna për dekretin e Metës për 30 qershorin. Të njëjtat argumente vlejnë edhe për dekretin për 13 tetorin, pasi që të dy dekretet janë marrë përtej afateve kushtetuese dhe në kundërshtim me kompetencat që kushtetuta i njeh presidentit. Ligjërisht nuk ka zgjedhje në 13 tetor.

Ish-kryebashkiaku i Përmetit tradhton Bashën, liron zyrën paqësisht

Ish-kreu i bashkisë së Përmetit Niko Shupuli, ka vepruar krejt ndryshe nga skenari i përgatitur nga lidershipi i PD-së, në Devoll e Kavajë, duke e liruar zyrën për pasardhësin socialist në mënyrë paqësore duke bërë një gjest të lartë qytetarie. Krejt ndryshe nga udhëzimet e Bashës, Shupuli jo vetëm që është distancuar nga përpjekja për të krijuar kaos e përplasje, por ka bërë të qartë se ai nuk mund t’i sakrifikojë mbështetësit e tij për një karrige.

Përmes një shënimi në faqen e tij ne Facebook, ai përcjell një mesazh ku sqaron se përse nuk kandidoi si i pavarur, ndërsa lë të kuptohet se ai ka qenë kundër vendimit të PD për të bojkotuar zgjedhjet megjithëse e respektoi këtë vendim.

“Opozita e bashkuar me vendime të organeve të saj drejtuese e bojkotoi 30 qershorin (pavarësisht opinionit tim personal nëse duhet të merrte pjesë apo jo ). Unë nuk mund të bëhesha pjesë e një farse duke i dhënë legjitimitet një procesi ku qeveria do të bënte çdo gjë për të garantuar fitoren e përfaqësuesit të saj. Nuk mund të sakrifikoja për një karrige kryetari bashkie mbështetësit e mi duke i bërë ata tabelë presionesh, hakmarrje e privimesh personale apo familjare për mbështetjen që ata do të më jepnin në rast kandidimi si i pavarur”, shkruan Shupuli duke thënë se nëse kandidonte si i pavarur do të sulmohej nga PD.

 Ai gjithashtu shkruan se ka bashkëpunuar me kryeministrin Rama dhe qeverinë për të mirën e Përmetit.

“U përpoqa të krijoj modelin e një kryetari normal, që është një qytetar si gjithë të tjerët e përkohësisht në detyrën e Kryetarit të Bashkisë.

Nuk kam hezituar apo paragjykuar por kam bashkëpunuar intesivisht me KM, qeverinë, donatorë vendas e të huaj, me këdo pa asnjë dallim që kishte në dorë e mundësi financimi për realizimin e projekteve për zhvillimin e Përmetit”, shkruan ish kryebashkiaku demokrat i Përmetit.

Më ketë deklaratë Shupuli nxjerr blof ish deputetin Tritan Shehu i cili pak më herët gjatë ditës bëri një deklaratë ku shkruan se “Përmeti njeh për Kryetar vetëm Z.Niko Shupuli. Askush nuk mund t’i zëvendësojë këta njerëz të nderuar, drejtues të përkushtuar në postet e tyre të ligjshme nëpërmjet një farse elektorale, ku morën pjesë veçse një grusht militantësh si dhe të tjerë të detyruar, të cilët patën kurajon t’i përgjigjen presionit me qindra fletë votimi të pa vlefshme. Shumë shpejt “uzurpuesit” do të detyrohen të braktisin në panik “karriget” e tyre të rrëmbyera”.

Me këtë qëndrim të tij, Shupuli tradhtoi udhëzimet e dhëna nga lidershpi i PD-së, për bllokimin e zyrave të bashkive dhe mos lejimin e të zgjedhurve të rinj vendorë të nisin mandatin e tyre të fituar në zgjedhjet e 30 qershorit.

Si dështoi opozita në dy testet e para për bllokimin e bashkive

Opozita ka dështuar në planin për të bllokuar kryebashkiakët e zgjedhur për të hyrë në zyrë në dy testet e para që ka pasur në Devoll dhe në Kavajë, ku vihet re se rezistenca e tyre nuk ka zgjatur më shumë se 8 orë, sa orari zyrtar i një turni pune, pavarësisht se instruksionet në dokumentet e partisë Demokratike deklarohet që “populli” do të përgjigjet për zgjedhjet e paligjshme të 30 qershorit. Madje, këto protesta kanë shfaqur qartë edhe “mbështetjen” e 85% të qytetarëve që përmend Basha në çdo takim që ka ndërmarrë nëpër bashki për të bindur të vetët, ku në fakt, gjatë betimit të kryetarëve të rinj të bashkive, konkretisht në Devoll dhe Kavajë, janë mbledhur vetëm disa militantë që pas disa orësh janë mërzitur dhe janë larguar, pa provokuar përplasje të mëtejshme me policinë.

Sipas një dokumenti të publikuar nga Realstory.al, demokratët ishin shprehur të vendosur ta çojnë deri në fund skenarin për të bllokuar bashkitë dhe për të mos lejuar marrjen e zyrave nga kryebashkiakët e rinj. Megjithatë, testi i parë i rezistencës së Partisë Demokratike por edhe “popullit” u bë me Bashkinë Devoll. Kryebashkiaku i larguar i zgjedhur nën siglën e PD, Bledian Nallbati nuk pranoi të lironte zyrën e tij duke argumentuar se nuk e njeh kryebashkiakun e ri, Eduard Duro, të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit. Kundërshtimi i tij zgjati vetëm tetë orë , kur Duro u fut në Bashki me hapjen e derës nga policia, e cila ishte mbyllur me çelës. Të nesërmen Bashkia e Devollit vijoi punën me kryebashkiakun e ri, ndërsa të nesërmen pati një protestë të vakët, që u shua gjatë orëve në vijim.

I njëjti skenar u tentua të ndiqet edhe me Bashkinë Kavajë, duke testuar rezistencën e PD për herë të dytë. Gjatë protestave pati përplasje të militantëve të PD me policinë që mbronte godinën e Bashkisë Kavajë si dhe me Prefekten e Tiranës, Suzana Jahollari, e cila ka qenë e pranishme në ceremoninë e betimit të kryebashkiakut të ri. Edhe në këtë rast protesta apo “rezistenca” zgjati sa orari zyrtar i punës dhe pas orën 16:00 kryebashkiaku i ri socialist Redjan Krali u fut në zyrën e tij. Të mërkurën në Kavajë askush nuk doli të protestonte para bashkisë. Qyteti i Kavajës ishte i qetë, ndërsa Krali tha për mediat vizive se e gjithë administrata vijon punët dhe që kishte organizuar mbledhjen e parë me drejtorët dhe shefat e sektorëve, duke u përcjellë qëndrimin se asnjë punonjës nuk do të largohet për bindje politike.

Të dyja rastet treguan se rezistenca e PD dhe e militantëve të saj ishte e dobët dhe pa mbështetje masive të opozitës, por tashmë mbeten bashkitë më problematike që kanë qenë gjatë zgjedhjeve për të parë nëse do ndiqet i njëjti skenar, apo situata mund të precipitojë. Testi i tretë mund të jetë Kamza, por nuk përjashtohen Shkodra dhe Kukësi, disa nga bashkitë historikisht të djathta, që tashmë kanë kaluar në administrimin e mazhorancës.

Paralajmërimet e krerëve të këtyre bashkive për të mos liruar zyrën të lënë të kuptosh se edhe në këto bashki situata e betimit të kryebashkiakëve të rinj nuk do të jetë aspak normale. Voltana Ademi ka qenë një ndër opozitarët që solli jo pak probleme gjatë fushatës elektorale, veprime që e çuan dhe për ndjekje penale. Megjithatë, certifikimi i 30 qershorit duket se i ka tërhequr disi edhe demokratët, edhe nga frika e ndjekjes penale. Neni 249 i Kodi Penal paralajmëron se kushdo që vijon të ushtrojë funksione shtetërorë apo të shërbimit publik, pasi janë lajmëruar se këtyre funksioneve u është dhënë fund mund të dënohen deri në një vit burg dhe ky ligj prek edhe kryebashkiakët e PD që refuzojnë të lirojnë zyrat. Deri më 10 gusht të gjithë kryebashkiakët e rinj pritet të betohen dhe të marrin zyrtarisht detyrën e tyre dhe sipas parashikimeve ky 10 ditësh do të jetë i nxehtë në ato bashki që drejtohen nga demokratët. / Realstory.al

Ibsen Elezi: PD humbi 15% të elektoratit prej LSI, Basha të ikë urgjent

Ish-kryedemokrati i Kukësit, Ibsen Elezi, tashmë mbetur jashtë PD-së si një nga zërat kundër Lulzim Bashës, ka reaguar në një koment në rrjetet sociale, ku shprehet se PD duhet të ringrihet, duke nisur nga largimi i gjithë kupolës aktuale të partisë. “Dështimi i dorëzimit të mandateve së bashku me 10 protestat, si dhe shitja e 61 bashkive kërkon urgjentisht dorëheqjen e gjithë kupolës drejtuese aktuale dhe hapjen e një procesi të ri zgjedhor, një garë të hapur dhe të besueshme brenda PD”, shkruan Elezi. Më tej, ai argumenton se sipas tij, Partia Demokratike është mazhoritare dhe ka mbështetjen e rreth 30% të votuesve në vend, nga rreth 50% që votojnë në përgjithësi në zgjedhjet që mbahen periodikisht.

“Në kuvendin e fundit të PD u shpreha se: “Qeveria e Ramës është prej kartoni”, por arsyeja e humbjes qëndron te PD (rregullat dhe pastrimi i saj) si dhe aleanca e pamoralshme me LSI. Edhe pse këtë gjë e duartrokiti salla dhe në një farë mënyrë ishte edhe miratim i kuvendit, u anashkalua në heshtje. Fill pasi filluan ‘Luldhim`analistat’ argumentonin se “kjo nuk është punë deklaratash euforie dhe se PD nuk mund të fitojë pa LSI, e bla bla bla. Jo vetëm ata por edhe Luldhim`drejtuesit e PD e propagandonin në çdo takim me strukturat e PD”.

“(Psh: Palojka në Kukës si i deleguar, argumentonte: “O thuna, kjo ethtë punë mathematike o thuna. Thipëria othtë e majt ma ka thonë gjythi). Çfarë treguan zgjedhjet e fundit, referuar statistikave të Ramës: -PS me aleatët mori 15% të votuesve, -LSI merr 5% për hatër të Luldhimasve që e duan fortë, -PD-së i mbetet terren i lirë për të marrë 30%, duke marrë të mirëqënë se do votonin 50% të Shqiptarëve. Në një proces domosdoshmërie vetingu, i kërkuar nga elektorati, PD duhet t`i kishte paraprirë me veten e saj. Shtoi kësaj ealeancën me LSI për 5% të votuesve, kjo e çoj PD në humbjen e 15% të elektoratit të djathtë. 30 qershori tregoi që Rama është i rrëzuar, por na ka zënë poshtë, problemi qëndron se ne duhet të çohemi”, përfundon Elezi.

PD i “qan hallin” Metës: KLGJ nuk mund të vendosë pa pyetur Presidentin

Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar në lidhje me vendimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, për të caktuar 2 gjyqtarë të përkohshëm në Gjykatën e Lartë që do të merren me çështjet e ekstradimeve.

Partia Demokratike shprehet e shqetësuar se në këtë vendim është shmangur tërësisht roli i presidentit duke i dalë Metës në mbrojte dhe duke e cilësuar vendimin si antikushtetues që i shërben krimineleve dhe jo interesit publik. PD deklaron se Këshilli i Lartë Gjyqësor ka për detyrë të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të vënë në funksionim sa më parë Gjykatën e Lartë dhe jo të dhunojë Kushtetutën me emërim gjyqtarësh të përkohshëm për të kontrolluar drejtësinë.

Partia Demokratike e Shqipërisë shpreh shqetësimin për dhunimin flagrant të Kushtetutës dhe për degradimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor në një korporatë private të Edi Ramës, që nuk i shërben interesit publik, por vrasësve dhe kriminelëve.

Caktimi i gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë me vendim të Këshillit të Lartë Gjyqësor bie ndesh me Kushtetutën. Sipas Kushtetutës duhet që për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë të japë pëlqimin edhe Presidenti i Republikës.

Për Partinë Demokratike është shumë e rëndësishme që çështjet me natyrë urgjente, të cilat lidhen me shqyrtimin e kërkesave për ekstradim, të zgjidhen brenda afateve ligjore dhe pa rrezikuar që kriminelët të lirohen për shkak të mungesës së gjykatës. Por, kjo duhet të realizohet në përputhje me Kushtetutën, sepse, ndryshe, mund t’u shërbejë kriminelëve si alibi për të kërkuar lirimin e tyre.” – thuhet në deklaratën e PD

Disa ditë me parë KLGJ vendosi emërimin e 2 gjyqtarëve të përkohshëm duke nxjerrë nga gërçi Gjykatën e Lartë dhe shmangien e lirimit të mundshëm të kriminelëve me arsyetimin e kalimit të afateve ligjore për tu hetuar. Në bazë të Kushtetutës anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga presidenti me propozim të KLGJ, ndërsa në këtë rast gjyqtarët e përkohshëm morën miratimin direkt të KLGJ-së pa kaluar më parë në miratimin e presidentit. Megjithatë kriter përzgjedhje edhe në këtë rast ishin që kandidatët të kishin kaluar më parë Vettingun dhe do të merren vetëm me çështjet e ekstradimeve.

Skip to toolbar