Bashkia e Kamzës ndryshon sot kryetarin. A do të përsërisë PD skenarin e Devollit?

AKTUALITET


 Të mërkurën (sot) pritet të bëhet betimi i kryetarit të ri të Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, i dalë nga procesi zgjedhor i 30 qershorit. Prefektja e Tiranës, Suzana Jahollari ka thirrur mbledhjen e parë të Këshillit Bashkiak të Kamzës që do të bëhet në ambientet e shkollës “Hillary Clinton” në qendër të Kamzës. Por, ky vendim i marrë nga prefektja e Tiranës solli edhe reagimin e Partisë Demokratike. PD akuzoi Jahollarin se ka abuzuar me detyrën dhe për këtë, PD ka bërë kallëzim penal ndaj saj.

Sipas selisë blu mbledhja e Këshillit Bashkiak të Kamzës është thirrur para kohe, pasi këshilli aktual ka mandat deri në datë 14 gusht.


“Padurimi i Edi Ramës për të kontrolluar çdo pushtet në vend dhe, nëpërmjet tij, të grabisë çdo pasuri të vendit, e ka shtyrë atë në thellimin e paligjshmërisë së 30 qershorit, duke urdhëruar prefekten e Tiranës të uzurpojë kompetencat e pushtetit lokal në Bashkinë e Kamzës. Këshilli Bashkiak i Kamzës ishte thirrur për konstituim në datën 14 gusht nga sekretari aktual i Këshillit, por, në shkelje flagrante të ligjit, prefektja e Tiranës ka vendosur që e njëjta mbledhje të bëhet nesër, sepse Edi Ramës nuk i pritet që të pushtojë Bashkinë e Kamzës. Ligji i pushtetit lokal ia jep këtë kompetencë sekretarit aktual, por, megjithëse ai e ka ushtruar atë rregullisht, duke thirrur konstituimin e Këshillit Bashkiak të Kamzës brenda afatit, përfaqësuesja e Edi Ramës ka vendosur të cenojë autonominë e pushtetit lokal dhe të uzurpojë kompetencën e sekretarit të Këshillit Bashkiak”, deklaroi Spaho.

Bashkia e Kamzës e drejtuar nga Xhelal Mziu shihet si një ndër bastionet më të forta të PD-së. Mziu njëlloj si Voltana e Shkodrës kanë deklaruar se nuk do e lëshojnë zyrën deri në zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Nuk dihet ende se si do të veprojë Mziu sot kur të betohet kryebashkiaku i ri i Kamzës dhe nëse PD do të përsërisë skenarin për mbrojtjen e bashkisë njëlloj siç ndodhi në Devoll dhe Kavajë.

Në të dyja këto bashki të djathta militantët demokratë zhvilluan protesta për gati 8 orë dhe nuk lejuan kryebashkiakët e rinj që të merrnin zyrat, por pas këtij orari zyrtar ata u dorëzuan pavarësisht se në instruksionet në dokumentet e partisë Demokratike deklarohet që “populli” do të përgjigjet për zgjedhjet e paligjshme të 30 qershorit.

Sipas një dokumenti të publikuar nga Realstory.al, demokratët u urdhëruan nga lidershipi që të bëjnë qëndresë dhe të mbrojnë me çdo kusht dhe me çdo mjet bashkitë e djathta, pasi zgjedhjet e 30 qershorit janë të paligjshme. Këtë deklaratë kreu i PD-së Basha, përveç dokumentit të shpërndarë e bëri dhe vetë me zë e figurë gjatë një takimi në Devoll. Por ai u tradhtua nga të vetët, pasi militantët e PD-së nuk qëndruan në protestë me shumë se 8 orë dhe u shpërndanë duke dështuar skenarin e dhunës të përgatitur nga lidershipi. Vlen për t’u parë nëse Basha do ta provojë edhe njëherë në Kamëz këtë skenar, apo është tërhequr përfundimisht nga bllokimi i bashkive./Realstory.al




Skip to toolbar