Partia Demokratike ka reaguar menjëherë pasi Komisioni
Qëndroi i Zgjedhjet deklaroi shifrën zyrtare të pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhjet. Përmes një deklarate për mediat,
Gazmend Bardhi tha KQZ ka gënjyer me shifrat e paraqitura pasi sipas PD, shifra
reale është 6.4 % më e ulët.
Shifra zyrtare e paraqitur nga KQZ ishte 771
863 votues në të gjithë Shqipërinë ose 21.6 %, ndërsa Bardhi tha se kanë votuar
534 528 votues ose 15.2 %.
Kjo shifër është hedhur poshtë edhe nga ish deputeti i PD-së, Flamur Noka i cili tha nga studio e gazetarit Sokol Balla se KQZ ka 3-fishuar shifrat reale të votuesve në zgjedhje
Sekretari për Çështjet Zgjedhore i Partisë
Demokratike, Ivi Kaso, ka mbajtur një konferencë për shtyp, ku ka deklaruar se
sipas shifrave të PD-së, pjesëmarrja në votime ka qenë 15% e personave me të
drejtë vote. Sipas Ivi Kaso, komisionerët po bëjnë mbushje fiktive të listave të
votuesve me emrat e emigrantëve.
“Pjesëmarrja totale në rang vendi është 15%.
Po bëhet mbushja fiktive e listave të votuesve me emrat e emigrantëve. Paniku i
Ramës nga braktisja dhe refuzimi popullor e ka shtyrë drejt manipulimit të
numrit të votuesve. As mbushja e kutive që po ndodh tani, as manipulimi nuk e
shpëtojnë Ramën. Shqiptarët e kanë refuzuar”.
Dhuna e ushtruar në KZAZ numër 6, ku ju vu
flaka palestrës së shkollës “Ndre Mjeda’, është mohuar në mënyrë kategorike që
të jetë e shkaktuar nga opozita. Si PD ashtu edhe LSI kanë reaguar duke e
cilësuar këtë si një skenar të organizuar nga qeveria për të inkriminuar
opozitën, por që do të dështojë.
Partia Demokratike mohon sulmin ndaj KZAZ se
është kryer nga militantë të saj. Në një reagim Gazmend Bardhi e ka cilësuar
dhunën si një skenari të parapërgatitur nga Qeveria, për të inkriminuar
opozitën.
“U bëjmë thirrje mbështetësve tanë të mos bien
pre të këtij skenari dhune. Partia Demokratike është në dijeni të planit
kriminal që është hartuar me gjakftohtësi nga Edi Rama, dhe që ka disa ditë që
po tentohet të vihet në jetë. E siguroj në emër të Partisë Demokratike se do të
dështojë, pavarësisht retorikës konfliktuale të vazhdueshme apo përhapjes së
panikut tek qytetarët dhe bizneset private.” – thotë Bardhi
Të njëjtën retorikë mbajti edhe kryetarja e
LSI, Monika Kryemadhi, e cila tha se asnjë mbështetës i LSI nuk ka lidhje me
këtë ngjarje.
Kryemadhi dënoi sulmin në KZAZ dhe tha se ky
është skenar i qeverisë dhe ministrit të Brendshëm, për të tensionuar në mënyrë
të qëllimshme situatën dhe të akuzojnë opozitën.
“Dënojmë me forcë djegien e KZAZ në Bushat. Asnjë mbështetës i Lëvizjes Socialiste për Integrim nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje. Dënojmë me forcë deklaratën kriminale dhe mashtruese të Ministrit të Brendshëm të inkriminuar gjer në fyt, si pjesë e një skenari të parapërgatitur nga qeveria për të tensionuar në mënyrë të qëllimshme dhe të inskenuar situatën. Së shpejti do i tregojmë me emra e mbiemra këta autorë të këtij provokimi policesk.’- shkruan Kryemadhi në Facebook.
Nisja e procedimit penal ndaj kryetarit të Bashkisë Lezhë Fran Frrokaj dhe atij të Mallakastrës Agron Kapllanaj, për PD-në është provokim i opozitës. Të paktën kështu u shpreh Gazment Bardhi gjatë një konference për shtyp nga Selia Blu. Madje, Bardhi shkoi më tej, duke i cilësuar veprimet e deritanishme për pengimin e zgjedhjeve, si “përgjegjshmëri” dhe “vetëpërmbajtje” e opozitës. “Partia Demokratike ka treguar deri më tani vetëpërmbajtje. Partia Demokratike ka treguar deri më tani përgjegjshmëri, për të ruajtur rendin kushtetues dhe stabilitetin demokratik të vendit”, u shpreh Gazment Bardhi.
Sipas Gaz Bardhit, opozita
nuk do të trembet dhe do të jetë në këmbë për të mbrojtur, sipas Gazit, krimin
elektoral të 30 qershorit. “Por ne as nuk shantazhohemi, as nuk trembemi, as
nuk tolerojmë dhe as nuk harrojmë. Kryetarët e Bashkive që drejtohen nga
opozita, janë në ushtrim të përgjegjësive të tyre kushtetuese dhe ligjore. Ata
do të vazhdojnë t’i binden vetëm ligjit. Ne jemi në këmbë, së bashku me
qytetarët, për të ndaluar krimin elektoral të Edi Ramës në 30 Qershor!
Shqiptarët janë të vendosur të mbrojnë demokracinë dhe të ardhmen e fëmijëve të
tyre”.
Gazmend Bardhi 30
qershorin e pranon si datë të zgjedhjeve. “Në 30 Qershor ligjërisht nuk ka
zgjedhje. Në 30 Qershor qytetarët janë në të drejtën e tyre të mos pranojnë
diktaturën autokratiko-kriminale të Edi Ramës. Në 30 Qershor në paligjshmëri
është vetëm Edi Rama dhe banda e tij”. Në fund, Gaz Bardhi thotë se “kush
procedohet penalisht për pamundësimin e zgjedhjeve, do të përfitojë statusin e
të burgosurit politik”.
Nëse zgjedhjet e parakohshme parlamentare do
të mbaheshin sot, Partia Socialiste do të fitonte me 55-59% të votave. Sipas GPF Inspiring Research, Partia Socialiste ka pësuar rritje të theksuar
me 5% , krahasuar me sondazhin e kryer një muaj më parë.
E kundërta ka ndodhur me Partinë Demokratike
duke pësuar një rënie në përqindje, pasi mbështetja për të ishte 30-34% , por gjithashtu shënon një rritje të saj
krahasuar me zgjedhjet e 2017, ku mori vetëm 28.9 % të votave. Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim, nën
drejtimin e Monika Kryemadhit, vijon të humbasë mbështetjen e shqiptarëve, që në
sondazhin e fundit rezulton 4-5% të votave.
Kreyministri Edi Rama ka vijuar turin e tij elektoral në Gjirokastër mbrëmjen e së dielës, ku theksin gjatë fjalimit të tij, e ka pasur te kriza aktuale politike në vend. Rama u shpreh se Partia Demokratike, e cila u krijua nga ëndrrat e shqiptarëve, ka përfunduar tashmë në një organizatë të dhunshme, që kërcënon se do të marrë peng shtetin. “E ktheyn nga një parti në një organizatë të dhunshme që kërcënon se do marri peng shtetin. Një parti që u krijua nga ëndrrat e një populli dhe që po mbytet në filxhanin e fallxhores më keq se sa të mbyteshin në një lugë ujë. Ne sot kemi shumë keqardhje për ta, por jemi të bindur se ka ardhur koha që ata të treten rrugëve”, u shpreh Rama.
Kreu i ekzekutivit vijoi më tej duke u shprehur se ka ardhur koha që atyre të mos u jepet asnjë mundësi, siç u është dhënë në të shkuarën. Kështu, Rama la të kuptohet se nuk do të ketë negociata me PD-në para zgjedhjeve. “Ka ardhur koha që atyre të mos u jepet asnjë mundësi e vetme sic u është dhënë në të shkuarën, për ti shpërblyer në asnjë formë, pasi i hyn një rruge të tillë”, u shpreh kryeministri.
Më tej, Rama shtoi se më 30 qershor do të vijë dhe përgjigja për Partinë Demokratike dhe këdo, që në të ardhmen do të merret me politikë, se nuk do të tolerohet më shkelja e rregullave, pasi do të përfundojnë rrugëve. “Ajo kohë që PS i hapte rrugë budallait ka mbaruar. PS jo vetëm që nuk ka për ti hapur rrugë çetave që kërcënojnë, por më 30 qershor do tu japë një përgjigje siç e meritojnë. Ata dhe kushdo tjetër që nesër do dojë të merret me politikë, do të duhet të mësojnë se; kush shkel rregullat ka vetëm një fund, përfundon rrugëve”, shtoi Kryeministri.
Edhe në Gjirokastër, Rma përsëriti se ata që
do të tentojnë të bllokojnë procesin zgjedhor më 30 qershor, pas kësaj date nuk
do të kenë më mundësi të punojnë në shtet, pasi do të jenë subjekt i trajtimit
të ligjit të dekriminalizimit. Më herët, para se Kryeministri Edi Rama të mbërrinte
në Gjirokastër, disa militantë të Partisë Demokratike me në krye ish-kryetarin
e komunës së Lazaratit, Dasho Aliko, tentuan të bllokojnë rrugën nga ku po
kalonte shefi i qeverisë. Megjithatë, gjithçka përfundoi pa incidente, pasi
efektivët e policisë nuk lejuan bllokimin e rrugës.
Klement Zguri është përfaqësuesi i PD-së në Komisionin Qëndror Zgjedhor dhe megjithëse mban postin e kryetarit, ka deklaruar se eshte kundër zhvillimit të zgjedhjeve në 30 qershor. Megjithatë në mbledhjen e së premtes të KQZ-së ai ka votuar pro vëzhguesve të OSBE-së që do të vijnë në Shqipëri për të monitoruar mbarëvajtjen e procesit, ashtu sikurse ndodh në çdo zgjedhje.
Në dy mbledhjet e fundit që janë zhvilluar kryetari i KQZ-së, Klement Zguri është larguar në mënyrë demonstrative duke kërkuar zbatimin e dekretit të Presidentit, por ne mbledhjen e te premtes, ai veproi ndryshe duke drejtuar mbledhjen. Në rendin e ditës ishin disa pika për miratim nga vëzhguesit afatshkurtër të OSBE/ODIHR, gazetarëve dhe operatorëve të televizioneve, por edhe disa anëtarëve të KZAZ- ve.
Kryetari i KQZ-së votoi pro rendit të ditës vetëm për pikën e miratimit të 150 vëzhguesve të OSBE/ODIHR, ndërsa për të tjerat kundër. Zguri theksoi se qëndrimin e tij për dekretin e ka bërë publik, pra që është kundër, por shtoi se institucionet nuk po i binden. “E kam bërë qëndrimin tim publik për dekretin e Presidentit. Nuk ka asnjë përpjekje nga asnjë institucion për të bërë një lexim të dekretit. Unë personalisht jam kundër vendimmarrjeve të KQZ-së. Vetëm për vëzhguesit do të votoj për të çdo vendimmarrje tjetër jam kundër”, tha Zguri.
Megjithatë Zguri ka firmosur edhe fondin e parave per reklamen e zgjedhjeve. Duke ja dhene shumicen gazetave që sot bëjnë thirrje për lufte dhe për prishje te zgjedhjeve në 30 qershor.
Ndryshe nga sa premtoi kreu i opozitës para pak ditësh se “Shqipëria nuk do të digjet”, të mërkurën opozita ka ndërmarrë një aksion të fortë në të gjitha bashkitë e djathta duke sulmuar KZAZ-të me militantë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, ku janë përplasur me forcat e policisë, që kanë në mbrojtje këto ambiente. Nga këto përplasje ka pasur edhe disa të lënduar ndërkohë që në disa raste është përdorur forca dhe gazi lotsjellës nga policia për të shpërndarë turmat e paligjshme.
Reagimi i bashkive të tjera të djathta ka ardhur pas përplasjeve të së martës në Shkodër dhe në Tropojë, ku të mërkurën, i janë bashkuar Kamza, Kukësi, Burreli, Pogradeci, Bilishti, Çorovoda, Gjirokastra, ndërsa kanë paralajmëruar Kavaja, Lezha dhe bashki të tjera të drejtuara nga opozita.
Vau i Dejës
Ndryshe nga situatat e krijuara në KZAZ-të e tjera që ndodhen në godinat nën administrimin e bashkive opozitare, në Vaun e Dejës nuk është shkaktuar dhunë apo incidente. Përfaqësuesi i Bashkisë i është drejtuar kësaj KZAZ, që mbrohet nga policia e rendit, për të parë nëse ultimatumi i dhënë të martën nga Bashkia e Vaut të Dejës ishte zbatuar. Gjatë diskutimit me policinë, përfaqësuesi i bashkisë, Gentjan Ndoj tha se nuk ndodhet këtu për të dëmtuar godinë, por për të parë nëse urdhri i bashkisë ishte zbatuar. “Mos u shqetësoni ne nuk kemi ardhur për të bërë luftë me ju, mos u përgatitni për të vënë maska, se këto janë ambientet tona ne do i ruajmë më shumë se ju. Nuk kemi punë me policinë e Shtetit.” Ndoj tha se godina duhet të lirohet, pasi zgjedhje më 30 qershor nuk ka dhe se bashkia është në zbatim të dekretit të presidentit.
Bashkia e Vaut të Dejës
iu drejtuar të martën me një shkresë zyrtare Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,
ku i jepte një ultimatum që të lironte KZAZ numër 6, që ndodhet në ambientet e
shkollës profesionale ‘Ndre Mjeda’ para orës 16:00 të ditës së mërkurë.
Kamëz
Përplasjet e para janë shënuar në Kamëz, ku
policia është detyruar të përdorë gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Nga
kjo ngjarje mbeti pa ndjenja edhe një punonjës i policisë bashkiake, i cili është
dërguar në spital. Nënkryetari i bashkisë që drejtohet nga Xhelal Mziu, Vendim
Demaj tha se nëse duan që kjo situatë të përfundojë atëherë ministri i
Brendshëm të arrestojë Presidentin Meta, por për sa kohë ai është në detyrë dhe
ka një dekret, ai u shpreh se do të bëjnë çmos për të mos lejuar që zgjedhjet
të mbahen më 30 qershor.
Kukës
Po ashtu në Kukës, në KZAZ-në nr. 11, e cila është vendosur në ambientet e një palestre, militantë të PD-së në bashki dhe simpatizantë kanë tentuar të hyjnë me forcë për të nxjerrë nga KZAZ materialet zgjedhore. Militantët kanë thyer edhe xhamat e palestrës. Ka pasur përplasje mes tyre dhe forcave të rendit, por situata më e rëndë është bërë kur militantët kanë marrë një kamionçinë dhe me të kërcënojnë të hapin me dhunë derën e KZAZ-së. Është tentuar të shqyhet dera përmes një kabllo për ta lidhur me kamionçinën. Në këto situata me përplasje të forta, policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë hedhur gaz lotsjellës. Debate të forta ka pasur mes policisë bashkiake dhe asaj të rendit, pasi ata kanë mbërritur para KZAZ me dekretin e Metës të botuar në Fletoren zyrtare.
Pas tensioneve dhe situatës në Kukës ku
zyrtarë të Bashkisë dhe militantë të PD-së, dogjën e shkatërruan KZAZ-në numër
11 të vendosur në një palestër në gjimnazin e Kukësit, policia e Rendit pas një
marrëveshje me policinë bashkiake, kanë larguar materialet zgjedhore pa dhunë
duke i transportuar me një furgon të policisë. Materialet zgjedhore janë
kryesisht mjetet e nevojshme për të mundësuar votimin e fshehtë në një
minidhomë kartoni për qytetarët.
Klos
Militantët e PD-së janë futur brenda ambienteve të KZAZ-së Nr. 17 në Klos duke hedhur materialet zgjedhore nga dritarja, ndërsa më pas u vendosën flakën nën thirrjet ‘Rama ik’, Nuk ka zgjedhje pa PD-në’. Policia nuk ka arritur që t’i ndalojë militantët e opozitës.
Çorovodë
Në Çorovodë janë shënuar përplasje në KZAZ-në
nr. 66. Organizatorët e drejtuar nga LSI-ja, përfaqësuesi i së cilës drejton
edhe bashkinë, u mblodhën në Çorovodë, në sallën e kinemasë të pallatin të
kulturës që mban emrin Riza Cerova duke tentuar që të futen me forcë, ndërsa
janë ndaluar nga policia e rendit, e cila është përplasur me militantët e
LSI-së.
Bilisht
Në Bilisht gjithashtu janë shënuar incidente.
Nënkryetari i bashkisë Ylli Taho i ka kërkuar shefit të komisariatit të lirojë
ambientet e KZAZ-së 70. Ndërsa shefi i komisariatit Fejzollari u shpreh se nuk
mund të hyni në objekt. “Është objekt i rëndësisë së veçantë. Nuk kam
njoftim nga KQZ për anulimin e zgjedhjeve. Unë di që zgjedhjet do bëhen më 30
qershor, ju thoni që nuk do bëhen. Nuk keni për të hyrë”, u shpreh shefi i
komisariatit. Anëtarët e PD dhe simpatizantët kanë tentuar që të hyjnë në
ambientet e KZAZ, por që nuk janë lejuar nga policia.
Pogradec
Përplasje janë shënuar edhe në Pogradec midis
militantëve të PD-së që kanë tentuar që të futen në ambientet e KZAZ-së 67 dhe
drejtuesve të policisë. Klevis Balliu ndodhet në Pogradec, ndërsa ka deklaruar
se “kërkojmë të largohen materialet nga KZAZ-ja. Është shkelje ligji. Nuk
ka zgjedhje deri në vendosjen e një date tjetër për zgjedhjet. Nuk është
legjitime”, deklaroi ai.
Burrel
Në Burrel, në KZAZ-në numër 16 që ndodhet në Pallatin e Sportit, punonjësit e policisë bashkiake dhe militantë të Partisë Demokratike kanë tentuar të mësyjnë brenda KZAZ-së. Policia e Rendit në mbrojtje të KZAZ-së brenda së cilës ka materiale zgjedhore, kanë hedhur gaz lotsjellës. Situata ka qenë mjaft e tensionuar mes militantëve dhe policisë, ku janë të pranishëm dhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, të cilët kanë nisur shoqërimet e para të personave më aktivë në këto situata. Mes tyre edhe kryetari i PD-se së Matit, Arjan Leka. Ka pasur tentativë të militantëve të PD-së për të hapur me forcë derën e KZAZ-së dhe për të shkatërruar materialet zgjedhore, megjithëse janë frenuar nga forcat e rendit. Sërish më vonë, zyrtarë të Bashkisë së Matit kanë mësyrë në Pallatin e Sportit Ferit Hysa ku kanë marrë materialet zgjedhore brenda KZAZ-së dhe i kanë vënë flakën. PD deklaroi se nga përplasjet një person është plagosur në Burrel. Ai quhet Alfred Lika, i cili është vëllai i Kryetarit të PD Burrel.
Gjirokastër
Debat dhe tensione ka pasur edhe në
Gjirokastër. Policia nuk ka lejuar përfaqësuesit e PD dhe LSI-së që të futen në
ambientet e KZAZ nr. 78 që është vendosur te Pallati i Sportit për ta liruar. Nënkryetari
i Bashkisë Gjirokastër, Aurel Lapa kërkon nga kryetari i KZAZ-së Roland Skëndi lirimin e ambienteve.
“Policia deklaron se njeh KQZ-në dhe jo Presidentin. Jemi në momentet e puçit institucional. Do të rezistojmë. Nuk pretendojmë që të ndodhë ajo që ndodh në trevat e tjera, pasi jemi në Gjirokastrën e kulturës” tha ai.
Dropull
Debate dhe tensione janë shënuar edhe në
KZAZ-në nr. 80 në Jorgucat, ku përfaqësuesit e PD-së dhe LSI-së kanë kërkuar
lirimin e ambienteve nga anëtarët e KZAZ-së. Por kryetari i KZAZ-së nuk ka
pranuar duke shkaktuar debate me përfaqësuesit politikë. Ahilea Deçka, kryetar
i bashkisë së Dropullit i ka kërkuar kryetarit të KZAZ-së që të tregojë
dokumentin ku është bazuar që është vendosur në atë godinë, pasi sipas tij
ekziston një urdhër për gjetjen e një ambienti nga bashkia.
Delvinë
Tensione ka pasur edhe në Delvinë, ku
përfaqësuesit e LSI mësynë KZAZ-në nr. 87. Pas tensioneve dhe shtyrjeve në
Delvinë në KZAZ-në nr. 87 mes punonjësve të bashkisë që drejtohet nga
përfaqësuesi i LSI-së Rigels Balili e militantëve të PD-së me policinë,
opozitarët i kanë lënë afat deri nesër
në orën 16:00 që të lirojnë ambientet në të kundërt situata do të përshkallëzohet,
tha kryetari i PD-së, Hari Imeri. “Nuk trembemi nga banda e Edi
Rames”, deklaroi ai.
Bashkitë e tjera
Ndërkaq, këto bashki nuk janë të vetmet, pasi pritet që në orët në vijim t’i bashkohen edhe bashki të tjera të opozitës, siç është Lezha dhe Kavaja. Bashkia e Kavajës i ka dërguar një kërkesë zyrtare KQZ-së, Ministrit të Brendshëm dhe Prefektit të qarkut Tiranë që në 14 qershor për të ndërprerë të gjitha veprimet dhe afishimin e listave të zgjedhësve në KZAZ nr.42. Po ashtu ka vepruar që dje edhe Bashkia e Lezhës dhe i njëjti skenar po ndiqet nga të gjitha bashkitë e opozitës. Edhe Bashkia e Mallakastrës ka bërë kërkesë për largimin e materilave zgjedhore. Kërkesë e bërë i drejtohet kryeministrit dhe presidentit. Kryetari i Bashkisë Mallakastër Agron Kapllanaj tha se kërkesa i është drejtuar njëkohësisht kryeministrit dhe presidentit të Republikës. Numri një i Bashkisë së Mallakastrës theksoi se është detyrim që të zbatohet dekreti i presidentit. Kapllanaj nënvizoi se po përgatitet kallëzim penal për këtë çështje.
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është paraqitur
paraditen e së mërkurës në Prokurorinë e Tiranës për t’u njohur me akuzën për
lobimin e PD-së me paratë ruse në SHBA. Afati i fundit i vënë nga prokuroria
ishte data 20 qershor, pra dita e enjte dhe më pas ai do të merrej me forcë. Por
kreu i PD-së vendosi të shkonte vetë dhe pasi u njoh me akuzën tha për mediat
se prokuroria nuk ka asnjë provë kundër tij.
Basha gjithashtu kërcënoi qeverinë se do të
publikohen nesër në BILD të tjera përgjime kundër saj.
“Arsyeja e vetme që unë jam këtu është që të shërbej
si shpërqëndrim për ju për skandalet nga Bild dhe ato që do plasin nesër. Kjo është arsyeja
e vetme. Prokuroria nuk ka asnjë fakt, asnjë provë ndryshe, apo shtesë që nga
25 marsi kur unë isha këtu herën e fundit. Ma konfirmuan këtë zyrtarisht. Kjo akuzë
është e montuar në zyrën e Edi Ramës për llogari të Edi Ramës.
U njoha me akuzën që nuk është akuzë sepse nuk
ka asnjë provë, asnjë fakt, asnjë transaksion parash për pastrim parash, nuk ka
asnjë rus të vetëm. Është akuzë e formuluar me qëllim për të shpërqëndruar
shqiptarët nga skandalet e BILD-it dhe skandalet që do plasin nesër po nga
Bildi”, tha Basha pasi doli nga prokuroria.
Basha së bashku me dy zyrtarë të tjerë të PD-së,
akuzohen për pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh për paratë e përdorura për
të lobuar në SHBA për të cilën po hetohet edhe nga FBI.
Lulzim Basha akuzohet se ka fshehur financimin
prej 650 mijë dollarëve në SHBA për fushatën e elektorale të vitit 2017.
Për këtë arsye, prokuroria ka nisur procedimin
për veprat penale të parashikuara nga nenet 190 dhe 187 të Kodit Penal,
konkretisht “Falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve” dhe “Pastrimi i
produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Prokuroria deklaronte se njëra nga këto pagesa
rezulton të jetë bërë nga “Biniatta Trade”, që rezulton një kompani fantazmë, e
regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të rusëve dhe pjesë e
një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belize, një shtet i Amerikës Qendrore
i njohur si “parajsë fiskale”.
Militanët e Partisë Demokratike të udhëhequr nga
ish-deputet dhe drejtues të degës lokale të kësaj force politike në Shkodër, i
kanë vënë flakën shkollës “Shejnaze Juka” në këtë qytet, aty ku ndodhej KZAZ me
nr.3. Militantët e PD, mesa duket pasi kanë lexuar ultimatumin publik të
Voltana Ademit, (dhënia e urdhrit direkt prej saj mbetet për tu verifikuar nga
autoritetet ligjzbatuese) që kërkonte mbylljen e shkollave ku ndodhen qendrat e
votimit në Shkodër, kanë mësyrë me forcë këtë të martë pasdite në shkollën “Shejnaze
Juka”, duke tentuar marrjen e materialeve zgjedhore.
Por, militantët dhe punonjësit e Bashkisë Shkodër të udhëhequr nga ish-deputetët demokratë, janë përplasur me forcat e rendit, të cilat kanë qenë në këtë shkollë për të ruajtur materialet zgjedhore. Sakaq, disa prej militantëve kanë thyer xhamat e dritareve të shkollës dhe kanë hedhur lëndë djegëse, duke tentuar që ti vënë flakën shkollës. Situata është tensionuar deri në përplasje mes militantëve të PD-së dhe forcave të rendit, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë mbrritur punonjësit zjarrëfikës, të cilët kanë shuar zjarrin e ndezur nga militantët e PD-së dhe ish-deputetët e kësaj force politike.
Por, kjo situatë ishte e paralajmëruar nga
kryetarja e Bashkisë Shkodër,Voltana Ademi, që mesaduket ka marrë flamurin e “heroinës”
për të mbrojtur dekretin e Metës për anulimin e datës së zgjedhjeve. Kryebashkiakja
e Shkodrës, pasditen e të martës u dërgoi një kërkesë drejtuesve të shkollave në
Shkodër që të mos lejonin të hynte në këto institucione arsimore asnjë person i
pa autorizuar nga ajo vetë.
Voltana, ka shkuar dhe më tej. Ajo nuk ka pritur që kërkesa të shkonte në adresat e drejtuesve të shkollave, të cilëve u kërkonte të mos lejonin hapjen e shkollave për persona, që sipas saj, nuk janë të autorizuar nga bashkia. Ishte vetë PD ajo që shpërndau videon e sulmit mbi shkollë, por e cilësoi atë si “pengesë nga policia ndaj autoritetit të bashkisë për të administruar shkollat që i ka në varësi të saj, dhe të zbatoje dekretin e Metës për 30 qershorin”. Se cila është e vërteta, gjykojeni vetë nga pamjet.
Më herët gjatë ditës së martë, Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi se kush do të mundohet të pengojë procesin zgjedhor, do të përballet me forcën e ligjit. “Kryetaret e bashkisë dhe individët duhet ta heqin nga mendja fjalën dhunë. Procesi zgjedhor do të vijojë pavarësisht tensioneve. Kush mundohet të pengojë procesin zgjedhor do të përballet me forcën e ligjit”, deklaroi ministri Lleshaj. Por tani pas këtyre ngjarjeve, a do të veprojë policia e Sandër Lleshajt?!