Ministria e Drejtësisë ka shpërndarë një komunikatë këtë fundjavë, ku njofton se gjatë kontrolleve të kryera në dy burgje të vendit, ku sipas njoftimit, mësohet se janë sekuestruar 22 doza narkotike dhe 4 aparate celularë.
“Në kuadër të rritjes së kontrolleve e sigurisë në sistemin e burgjeve dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga ana e SHKBB-së, u konstatua se në datë 18.05.2019 në IEVP Korçë, i dënuari B. L, i sapo kthyer nga leja shpërblyese kishte transportuar 22 doza narkotike, në qese plastike, duke i gëlltitur. Pasi u krye ekografia u konstatua se në stomak ka edhe doza të tjera”.
“Veç masave të menjëhershme të ndërmarra nga autoritetet e burgut, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje dhe Policia e Shtetit, po kryejnë veprimet proceduriale dhe hetimore për veprën penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” parashikuar nga neni 283 i Kodi Penal dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.
Më tej, në vijim të komunikatës, mësohet se nga i njëjti kontroll rutinë në burgun e Peqinit, janë gjetur dhe sekuestruar 4 aparate cecularë, të cilët ishin fshehur në pajisjet elektroshtëpiake.
“Në po këtë datë, në vijim të kontrolleve në sistemin penitenciar nga ana e Policisë së Burgjeve, në IEVP Peqin, u krye kontroll në disa qeli në sektorin e sigurisë së lartë dhe u gjetën 4 aparate celular të fshehura në pajisjet elektroshtëpiake të të dënuarve D. H dhe E. H”.
“Pas masave të menjëhershme të ndërmarra nga autoritetet e IEVP-së, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje po kryen veprimet e para proceduriale dhe hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin për veprën penale të “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal”.