Veliaj: Tirana kthehet në normalitet pas valës së vandalizmit

Kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj ka reaguar menjëherë pas protestës së dhunshme të opozitës dje në Tiranë. Në një mesazh në twitter, Veliaj shkruan se pas valës së vandalizmit, Tirana është edhe më i fortë dhe progresiv.

Teksa thekson se qyteti nuk i përkulet urrejtjes dhe dhunës, Veliaj nënvizon se Tirana respekton të gjithë ata që shërbejnë dhe jetojnë këtu.

“Tirana kthehet në normalitet pas valës së vandalizmit të krahut të djathtë! Qyteti ynë është i fortë dhe progresiv! Nuk do t’i përkulet urrejtjes dhe dhunës! Ne jemi në shtëpi për 140 kombësi, dhe respektojmë të gjithë ata që shërbejnë dhe jetojnë këtu”, shkruan Veliaj.

Rama-Bashës: Lëri xhirot bosh, por kur do flasim?

Marshimin e protestës së opozitës nëpër institucionet e ndryshme të vendit, kryeministri Rama e ka cilësuar si xhiro bosh që nuk nxjerrin askund.

Rama gjithashtu i ka bërë thirrje Bashës se kur do të flasin dhe të takohen për të zgjidhur problemet.

“Marshimet për të rrëzuar qeverinë me kapsolla janë xhiro bosh që nuk nxjerrin askund. Përsëri respekt për Policinë e Shtetit në taksiratin që e ka zënë. Dhe një mesazh për LB: Lëri kapsollat! Autobusin e këtij qershori e humbe po mos humb trenin e qershorit 2021! Kur do flasim?” – shkruan Rama në Twitter

Protesta nis e qetë, por tensionet në institucionet e policisë

Protesta marshim e Opozitës së Bashkuar ka nisur e nga Sheshi “Skëndërbej” drejt Kryeministrisë, ku u mbajt edhe fjala e kryedemokratit Basha. Përveç disa tymueseve në drejtim të Kryeministrisë nuk ka pasur asnjë lloj incidenti, madje protestuesit nuk i janë afruar as kordonit të policisë. Më pas ashtu siç ishte paralajmëruar turma ka marshuar drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policë, ku situata është tensionuar. Në drejtim të institucionit janë hedhur tymuese dhe kapsolla duke thyer edhe disa xhama të ndërtesës si dhe është lënduar një efekti policie.

Më pas marshimi ka vijuar drejt Parlamentit ku ka pasur hedhje të kapsollave dhe shkulje të gardhit rrethues të ndërtesës nga protestuesit. Ndërsa konfrontime me policinë nuk ka pasur, madje as hedhje të gazit lotsjellës.

Ndalimi i radhës ka qenë tek Ministria e Brendshme duke simbolizuar kështu me radhë të gjitha institucionet që Basha i ka cilësuar të kapura nga krimi. Këtu situata ka qenë e qetë dhe nuk ka pasur sulme ndaj institucionit të ministrisë.

Ndërsa gjendje është bërë shumë e ndezur para Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku qëndrojnë të burgosur edhe disa nga protestuesit e 11 majit.

Gjendja është tensionuar mjaft ku janë hedhur tymuese, kapsolla, janë thyer thuajse të gjitha xhamet e goditës dhe madje është hedhur edhe një bombë molotov. Protestuesit kanë thirrur “Rama Ik” dhe “Lironi vëllezërit tanë”.

Më pas protestuesit janë nisur drejt selisë së PD, ku Basha mbajti fjalën e tij përmbyllëse të protestës. Protesta ka nisur në orën 18:30 dhe ka mbaruar rreth orës 9:30

Soreca: Veprimet ndaj Borchardt nuk lidhen me demokracinë

Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Luigi Soreca ka reaguar në lidhje frikësimin që i është bërë ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt. Në një postim në Twitter, Soreca shkruan se në një demokraci moderne nuk ka vend për veprime të tilla.

“E dënojmë me gjithë zemër frikësimin që i është bërë ambasadorit të OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt. Dënojmë grafitet dhe të gjitha mënyrat e tjera që janë përdorur kundër tij, kundër autoritetit të tij zyrtar. Nuk ka vend për veprime të tilla në një demokraci moderne”- shkruan Soreca.

OSBE: Dënojmë dhunën, palët të nisin dialogun

Dënimit të dhunës në protestën e 11 majit i është shtuar edhe zëri i përfaqësuesve të OSBE. Udhëheqësit e OSBE shprehën shqetësimin lidhur me protestat e dhunshme në Shqipëri dhe bëjnë thirrje për përmbajtje dhe dialog më të madh mes palëve politike.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Miroslav Lajçák, Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Tomas Greminger, Kryetar i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së (PA OSBE), Xhorxh Tsereteli dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Roberto Montella dënuan sot ashpër përdorimin e dhunës nga protestuesit e kësaj fundjave në Tiranë, si dhe kërcënimet dhe përpjekjet për të frikësuar Shefin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe Organizatës në përgjithësi. Ata gjithashtu i bënë thirrje zyrtarëve të zbatimit të ligjit që të tregojnë vetëpërmbajtje.

Kryesuesi në detyrë, Presidenti i OSBE dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE theksuan se e drejta për të mbledhur dhe protestuar në mënyrë paqësore është një parakusht themelor i një shteti demokratik. Por institucionet e forta vendase – përfshirë, në mënyrë kritike, një parlament efektiv – janë gurë themeli i demokracisë, stabilitetit politik dhe sundimi të ligjit. Dhuna dhe frikësimi i zyrtarëve të organizatave ndërkombëtare janë të papranueshme.

Ata falënderuan autoritetet shqiptare për mbrojtjen e shpejtë ofruar shefit të Prezencës së OSBE-së dhe inkurajuan të gjitha palët të tregonin moderim gjatë protestave të sotme.

“Trazirat nuk janë zëvendësuese për angazhimin politik demokratik. Ata prenë çdo shans për dialog dhe për këtë arsye çdo shans për të gjetur një bazë të përbashkët. Ne u bëjmë thirrje të gjithë liderëve politikë dhe qytetarëve të Shqipërisë që të tregojnë përgjegjësi, të demonstrojnë në mënyrë paqësore dhe të veprojnë me përmbajtje. OSBE do të vazhdojë të mbështesë procesin demokratik në Shqipëri. Një shtrëngim i krizës në mënyrë të pashmangshme do të pengonte përparësitë strategjike të brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë. Ka ardhur koha për të hartuar një platformë të brendshme për dialog, e cila përfshin të gjithë aktorët relevantë, duke përfshirë të gjitha palët, shoqërinë civile dhe akademinë, për të kapërcyer dallimet dhe për të punuar së bashku në interesin më të mirë të Shqipërisë “.- thuhet në deklaratën e OSBE

Basha: Rama i përgjigjet qytetarëve me dhunë e gaz lotsjellës

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ashtu siç pritej ka mbajtur fjalën e tij para Kryeministrisë gjatë protestës duke u bërë edhe një herë thirrje qytetarëve të bashkohen për të rrëzuar qeverinë e krimit. Basha tha se Rama ju përgjigj protestës paqësore me dhunë dhe gaz lotsjellës, ndërsa prokuroria ka ndalur çdo aksion të saj për të hetuar krimet e qeverisë.

“Shqipëria dhe kryeministri ilegjitim i dalë nga votat e blera me ndihmën e krimit të organizuar ju përgjigj thirrjes tonë me dhunë, provokime, rrahje, gaz lotsjellës e helmues. Qindra mijëra bashkëqytetarë të Tiranës e ndjenë përgjigjen, zgjidhjen e vetme që ka ofruar Rama për plagën që i ka hapur këtij vendi. Përgjigjja e vetme e Edi Ramës ndaj votës së lirë ishte dhuna.

Ky është një parlament ilegjitim, qeveri ilegjitime, kryeministër ilegjitim. Tash 2 vjet prokuroria ka vetëm një mision, të ndalë hetimin e dosjeve kriminale ku janë kapur Rama në bashkëpunim me kupolën e mafias, për të blerë më të shtrenjtën vlerë që ka çdo shqiptar, votën e lirë.

Edi Rama vjedh shqiptarët, u vjedh taksat, u vjedh pronat gjithçka, sepse nuk jep llogari askund përveç se tek krimi i organizuar. Dhunë ndaj sipërmarrjes, ndaj administratës, dhunë ndaj të papunëve, ndaj të rinjve dhe vogëlushëve, dhunë ndaj vogëlushëve të Unazës. Dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron EdI Rama. Jemi sot në këtë marshim për të thënë qartë dhe prerë: E refuzojmë dhunën e qeverisë dhe i përgjigjemi me besimin tonë tek vlerat europiane, me fuqinë e bashkimit dhe vendosmërisë. Nuk ka shqiptar që nuk e di se këtu kemi ardhur si rezultat i dhunës shtetërore, se dhuna shtetërore është produkt i dhunës zgjedhore. Sepse ajo është e vetmja mënyrë e Ramës për të marrë e për të mbajtur pushtetin. Ne nuk jemi këtu për karrige e për pushtet, por jemi kundër dhunës, kundër krimit e kundër qeverisë së paligjshme të krimit. Ejani me ne që ta çlirojmë Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni. Ne jemi në këtë betejë për kushtetutë, për ligj, për dinjitetin dhe lirinë e çdo shqiptari.” – tha Basha

Rruga drejt Evropës mbetet e bllokuar, sepse në Evropë nuk shkohet me zgjedhje të vjedhura, me pa ndëshkueshmëri, drejtësi të kapur që mbron kriminelët dhe politikanët e korruptuar tha Basha.

Duhet thënë se protesta nisi e qetë dhe nuk ka pasur incidente apo sulme ndaj policisë si në protestën e kaluar. Pas fjalës së Bashës, protestuesit kanë nisur marshimin e tyre drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

PD: Dhuna nuk është dhe nuk do jetë kurrë qëllimi ynë

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi i ka cilësuar si dashakeqe dhe sajesë të neveritshme deklaratat e Ministrisë së brendshme për qëllimin e protestës së opozitës. Bardhi tha se dhuna nuk është dhe nuk do jetë kurrë qëllim i PD dhe se nuk ka shpërndarë kurrë bomba molotov.

“Partia Demokratike dënon me ashpërsi deklaratën e Minstrisë së Brendshme si një deklaratë që nxit dhunë dhe nuk i shërben stabilitetit të vendit. Qeveria që qëndron në pushtet me votat e blera nga krimi i organizuar dezinformon dhe mashtron opinionin publik për qëllimin e protestës së opozitës. Dhuna nuk është dhe nuk do të jetë kurrë qëllim dhe as mjet i Partisë Demokratike.

Deklaratat e Ministrisë së Brendshme se Partia Demokratike ka prodhuar dhe ka shpërndarë bomba molotov për protestën e sotme janë një sajesë e neveritshme, që synojnë përplasje, konflikt dhe frikë tek qytetarët.” – tha Bardhi

Bardhi tha se Partia Demokratike ka thirrur sot në një marshim protestë të gjithë qytetarëve kundër dhunës, për Shqipërinë si gjithë Europa.

“I sigurojmë qytetarët se Partia Demokratike është e angazhuar vetëm për protestë paqësore. Partia Demokratike është parti e lirisë dhe e vlerave europiane dhe euroatlantike, ajo ka refuzuar dhe refuzon dhunën dhe bashkëpunimin me krimin për të ardhur në pushtet.” –tha Bardhi

Gjithashtu Bardhi tha se mbishkrimet në banesën e ambasadorit të OSBE nuk janë vepër e protestueseve dhe se i kërkon prokurorisë të zbulojë kush janë autorët e këtij akti të shëmtuar dhe t’i vërë ata përpara përgjegjësisë.

Dhuna në protesta, Eurodeputët: Jepni mesazhin e gabuar për integrimin

Eurodeputetët Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan përmes një letre drejtuar qytetarëve shqiptarë kanë bërë thirrje për protesta paqësore.

Në letër theksohet se e drejta e protestës është thelbësore, por kjo nuk justifikon asnjë formë të dhunës. Eurodeputetët thanë se ndjekin me shqetësim çdo imazh të dhunës duke u kërkuar të gjithë udhëheqësve politikë që të tregojnë përgjegjësi dhe vetëkontroll.

“Por me shqetësim të madh kemi parë imazhet e dhunës në Tiranë të shtunën e kaluar, më 11 maj. E drejta për të protestuar është thelbësore në çdo shoqëri demokratike, por kjo kurrë nuk e bën dhunën një instrument te ligjshëm. Ne, deputetët e Parlamentit Evropian, anëtarë të familjeve të ndryshme politike evropiane, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestat e lajmëruara për ditët e ardhshme në Tiranë, të përmbahen nga të gjitha format e dhunës dhe të qëndrojnë larg nga ngjarje të dhunshme. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të tregojnë përgjegjësi dhe vetëkontroll.” – shkruhet në letër

Fleckenstein dhe Kukan thanë se dhuna në protestën e 11 majit mund të japë përshtypjen e gabuar se vendi nuk është gati për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në qershor të këtij viti.

Letra e eurodeputetëve Knut Flecjkkennstein dhe Eduard Kukan për shqiptarët:

Një thirrje evropiane dhe ndër-partizane për qytetarët shqiptarë:

Të dashur Miq,

Ne, si anëtarë të Parlamentit Evropian kemi mbështetur prej vitesh procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe përparimin e vendit në reformat përkatëse. Ne jemi miq të Shqipërisë dhe jemi të bindur që vendi juaj ofron një vlerë të shtuar për Bashkimin Evropian. Kjo është arsyeja pse ne do të vazhdojmë mbështetjen tonë për integrimin e Shqipërisë në BE edhe në të ardhmen.

Por me shqetësim të madh kemi parë imazhet e dhunës në Tiranë të shtunën e kaluar, më 11 maj. E drejta për të protestuar është thelbësore në çdo shoqëri demokratike, por kjo kurrë nuk e bën dhunën një instrument te ligjshëm. Ne, deputetët e Parlamentit Evropian, anëtarë të familjeve të ndryshme politike evropiane, u bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestat e lajmëruara për ditët e ardhshme në Tiranë, të përmbahen nga të gjitha format e dhunës dhe të qëndrojnë larg nga ngjarje të dhunshme. Ne gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të tregojnë përgjegjësi dhe vetëkontroll.

Si deputetë të Parlamentit Evropian, ne nuk synojmë interferimin ne ngjarjet ne vend. Duam thjesht t’ju kujtojmë se vetëm institucionet dhe proceset demokratike, dialogu parlamentar, procedurat ligjore, zgjedhjet e lira dhe të drejta janë rruga e vetme përmes te cilës shoqëria shqiptare mund të zgjidhë sfidat serioze që përjeton.

Detyra jonë si deputetë të Parlamentit Evropian është të inkurajojmë përparimin e bërë nga Shqipëria dhe të mbështesim vendin në rrugën e tij drejt integrimit evropian. Për ketë arsye, e ndjejmë te nevojshme për t’ju drejtuar juve, qytetarëve shqiptarë. Prandaj, kemi besim dhe presim nga ju, nga qytetarët shqiptare dhe nga shoqëria civile që të punojmë së bashku për të çuar përpara qëllimin tonë të përbashkët.

Pamjet e së shtunës se kaluar mund të japin përshtypjen e gabuar se vendi juaj nuk është gati për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian në qershor të këtij viti. Qytetarë të Shqipërisë dhe anëtarë të shoqërisë civile: Si miq të Shqipërisë dhe përkrahës të integrimit te saj në BE, ju bëjmë thirrje të bëheni pjesë e zgjidhjes dhe të jepni kontributin tuaj për të ndaluar dhunën. Është koha e duhur për t’i dërguar botës një mesazh të qartë se Shqipëria dhe shqiptarët janë të aftë për t’i zgjidhur konfliktet e tyre në mënyrë paqësore dhe demokratike.

Juaji sinqerisht,

Knut Fleckenstein, eurodeputeti, Aleanca e Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, raportuesi i PE për Shqipërinë

Eduard Kukan, eurodeputeti, Partia Popullore Evropiane në Parlamentin Europian, Kryetari i Grupit punues të Komitetit të Punës së Jashtme të PE për Ballkanin Perëndimor

Ambasada Italiane dënon pa rezerva dhunën në protesta

Edhe ambasada italiane i ka bërë thirrje opozitës t’i jap fund protestave dhe të nisë sa më parë dialogun ndërsa ka dënuar dhunën ndaj ambasadorit të OSBE-së.

Ambasadori Alberto Cutillo ka dënuar kanosjet ndaj Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, veprime të cilat i ka cilësuar si të papranueshme në demokraci.

“E drejta për të protestuar është tipar thelbësor i një demokracie të shëndetshme, por protestat duhet të mbeten paqësore.

Gjatë protestës së dhunshme të 11 majit pati të lënduar në radhët e policisë dhe të protestuesve, si dhe u dëmtuan disa godina publike. Ambasada italiane në Tiranë u bën thirrje udhëheqësve të opozitës që të dënojnë dhunën dhe të garantojnë që protestat e ardhshme të jenë paqësore dhe të qëndrojnë brenda kornizave ligjore. I kërkon gjithashtu forcave të rendit të tregojnë vetëpërmbajtje.

Ambasada e Italisë dënon pa rezervë kanosjet ndaj Kryetarit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, veprime të papranueshme në një demokraci. Së fundmi, Ambasada italiane u kërkon të gjitha palëve të fillojnë dialogun si mënyra e vetme për të zgjidhur krizën aktuale politike dhe për të mbështetur rrugën e integrimit evropian të Shqipërisë”, shkruan ambasada italiane.

Protestat, Ambasada e SHBA: Organizatorët të dënojnë dhunën

Ambasada Amerika ka bërë sërish thirrje për protesta paqësore dhe demokratike, duke kritikuar dhunën e përdorur gjatë protestës së 11 majit. Ambasada e SHBA kërkoi që organizatorët e protestës, sidomos Basha dhe Kryemadhi të dënonin publikisht dhunën dhe të sigurohen që të gjitha protestat e ardhshme të jenë paqësore.

“Protestat paqësore janë thelbësore për demokraci të shëndetshme dhe e drejta e qytetarëve për t’u mbledhur dhe për të protestuar kundër qeverisë së tyre është themelore. Megjithatë, forca dhe dhuna nuk kanë vend në një proces demokratik. Ne dënojmë dhunën e pranishme gjatë protestave të 11 majit në Tiranë dhe përgjegjësit e saj. Dhuna çoi në plagosje dhe dëmtime të pronës, përfshirë edhe dëmtim të vendbanimit së Ambasadorit të OSBE-së. Këto veprime të dhunshme ishin të paligjshme dhe jodemokratike. Ne iu bëjmë thirrje udhëheqësve të opozitës, veçanërisht Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, që të dënojnë publikisht veprimet e dhunshme të mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me çdo hetim që synon të identifikojë çdo person që i kreu ato dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të qeta dhe paqësore. Edhe autoritetet ligjzbatuese kanë përgjegjësi për të vepruar me vetëpërmbajtje, përfshirë edhe rastet kur iu përgjigjen provokimeve. Protestat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike dhe perspektivën e vendit për të bërë përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të zmbrapsen nga përplasjet dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv, që synon t’i japë fund ngërçit politik.”- shkruan Ambasada Amerikanë në deklaratën e saj

Skip to toolbar