Basha: Rama i përgjigjet qytetarëve me dhunë e gaz lotsjellës

Më të fundit


Kreu i PD-së, Lulzim Basha ashtu siç pritej ka mbajtur fjalën e tij para Kryeministrisë gjatë protestës duke u bërë edhe një herë thirrje qytetarëve të bashkohen për të rrëzuar qeverinë e krimit. Basha tha se Rama ju përgjigj protestës paqësore me dhunë dhe gaz lotsjellës, ndërsa prokuroria ka ndalur çdo aksion të saj për të hetuar krimet e qeverisë.

“Shqipëria dhe kryeministri ilegjitim i dalë nga votat e blera me ndihmën e krimit të organizuar ju përgjigj thirrjes tonë me dhunë, provokime, rrahje, gaz lotsjellës e helmues. Qindra mijëra bashkëqytetarë të Tiranës e ndjenë përgjigjen, zgjidhjen e vetme që ka ofruar Rama për plagën që i ka hapur këtij vendi. Përgjigjja e vetme e Edi Ramës ndaj votës së lirë ishte dhuna.


Ky është një parlament ilegjitim, qeveri ilegjitime, kryeministër ilegjitim. Tash 2 vjet prokuroria ka vetëm një mision, të ndalë hetimin e dosjeve kriminale ku janë kapur Rama në bashkëpunim me kupolën e mafias, për të blerë më të shtrenjtën vlerë që ka çdo shqiptar, votën e lirë.

Edi Rama vjedh shqiptarët, u vjedh taksat, u vjedh pronat gjithçka, sepse nuk jep llogari askund përveç se tek krimi i organizuar. Dhunë ndaj sipërmarrjes, ndaj administratës, dhunë ndaj të papunëve, ndaj të rinjve dhe vogëlushëve, dhunë ndaj vogëlushëve të Unazës. Dhuna është e vetmja zgjidhje që ofron EdI Rama. Jemi sot në këtë marshim për të thënë qartë dhe prerë: E refuzojmë dhunën e qeverisë dhe i përgjigjemi me besimin tonë tek vlerat europiane, me fuqinë e bashkimit dhe vendosmërisë. Nuk ka shqiptar që nuk e di se këtu kemi ardhur si rezultat i dhunës shtetërore, se dhuna shtetërore është produkt i dhunës zgjedhore. Sepse ajo është e vetmja mënyrë e Ramës për të marrë e për të mbajtur pushtetin. Ne nuk jemi këtu për karrige e për pushtet, por jemi kundër dhunës, kundër krimit e kundër qeverisë së paligjshme të krimit. Ejani me ne që ta çlirojmë Shqipërinë nga krimi dhe korrupsioni. Ne jemi në këtë betejë për kushtetutë, për ligj, për dinjitetin dhe lirinë e çdo shqiptari.” – tha Basha

Rruga drejt Evropës mbetet e bllokuar, sepse në Evropë nuk shkohet me zgjedhje të vjedhura, me pa ndëshkueshmëri, drejtësi të kapur që mbron kriminelët dhe politikanët e korruptuar tha Basha.

Duhet thënë se protesta nisi e qetë dhe nuk ka pasur incidente apo sulme ndaj policisë si në protestën e kaluar. Pas fjalës së Bashës, protestuesit kanë nisur marshimin e tyre drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.




Skip to toolbar