Aleati i Bashës, Nard Ndoka mendon se kryeministri
Rama meriton të marrë çmimin për rekordet Guinness. Sipas Ndokës, Rama duhet vlerësuar
pasi ka shkruar 6 letra për veten e tij dhe s’ka marrë asnjë përgjigje.
Nard Ndoka ishte paraditen e së martës i ftuar
në “A2 Cnn” ku foli për situatën politike
në vend dhe aksionin e opozitës.
Për Ndokën, letrat nuk janë serioze, por janë tallëse.
“Kemi një kryeministër cinik, akuzues, shantazhues, por edhe me një sens tallës
në letrat e tij. Ato do t’i përkasin tashmë historisë së kryeministrit tonë.
Madje, ai do të futet edhe në librin Guinness, pasi është i vetmi kryeministër
që i shkruan 6 letra vetes së tij pa marrë asnjë përgjigje”, tha Ndoka.
Një delegacion me punonjës dhe staf të Kongresit Amerikan ka mbërritur në Tiranë të martën si pjesë e vizitës së tij rutinore vjetore faktmbledhëse në Ballkan.
Delegacioni përbëhet nga staf që punon për Senatorë e Kongresmenë Amerikanë, si dhe të Këshillit të Atlantikut me qendër në Uashington DC, të kryesuar nga Damon Wilson. Delegacioni është takuar të martën në mëngjes me presidentin Ilir Meta. Zyra e shtypit e Presidencës njofton se Meta e ka njohur delegacionin me përpjekjet e Shqipërisë për integrimin në BE.
“Zhvillimet e brendshme politike, zgjidhja sa më e shpejtë e krizës aktuale dhe nevoja për reflektim të menjëhershëm, zbatimi e implementimi i reformës në drejtësi mbështetur në shinat kushtetuese, hedhja e hapave të nevojshme drejt integrimit në BE dhe roli i rëndësishëm i Shqipërisë në rajon si faktor kyç për stabilitetin, ishin temat kryesore të diskutimit”, sipas Presidencës.
Ndërkaq delegacioni i kongresmenëve po zhvillon në takim në zyrën e kryeministrit Rama dhe më vonë në orën 11:15 do zhvillojë një takim me kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi. Ndërsa në orën tre do ketë takim me kreun e opozitës Lulzim Basha.
Partia Socialiste ka zgjedhur “shtëpinë” e
Veliajt për të nisur zyrtarisht fushatën elektorale më 1 Qershor. Pas shtyrjes
me një ditë të çeljes së fushatës, PS ka zbuluar edhe vendin se ku do të bëhet
tubimi hapës.
Nga burime pranë selisë rozë mësohet se çelja
e fushatës do të bëhet në Parkun Olimpik, një investim i premtuar nga Kryetari
i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili është realizuar gjatë këtij mandati
dhe vlerësuar së fundmi edhe ndërkombëtarisht. Sipas të dhënave, për takimin
hapës të fushatës janë njoftuar të gjithë kandidatët për kryetar bashkie dhe të
gjithë kandidatët për këshilltarë.
Takimi hapës do të organizohet ditën e shtunë,
1 qershor, në orën 17.00. Fillimisht ishte njoftuar se fushata do të hapej më
31 maj, por opozita kishte njoftuar se protestën e radhës do ta mbante po atë
ditë. Pas këtij vendimi të opozitës, vetë kryeministri Rama njoftoi se çelja
zyrtare e fushatës do të shtyhej me një ditë dhe do të organizohej më 1
qershor. Pasi Partia Socialiste ka vendosur që të hapë zyrtarisht fushatën më 1
qershor, edhe Partia Demokratike ka zgjedhur të ndryshojë datën e protestës së
radhës, duke caktuar 2 qershorin si ditën kur do të zhvillohet protesta e
shtatë kombëtare. Sipas opozitës, shkaku i shtyrjes së kësaj proteste është se
data 31 maj është vendosur si Nata e Kadrit nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.
Tashmë, Partia Socialiste duket se ka vendosur
përfundimisht, jo vetëm datën dhe orën, por edhe vendin se ku do të realizohet
takimi hapës i fushatës. Parku Olimpik është një kompleks modern, i cili në
muajin prill të këtij viti u vlerësua me çmimin e Arkitekturës Publike Komerciale
për Evropën Juglindore.
Ka nisur të hënën në mesditë shpërndarja e kartave të studentëve. Vetë kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryebashkiaku Veliaj ka marrë pjesë në nisjen e procesit të shpërndarjes së kartave të studentëve. Rama premtoi se studentët do të përfitojnë lehtësira, jo vetëm në shërbimet publike, por edhe në ato private. Rama bëri të ditur se janë ofruar deri tani mbi 40 kompani private që të ofrojë lehtësira për studentët.
“Faleminderit që nuk po protestoni se ka radhë.
Kjo është shenjë e rëndësishme durimi.
Ma ha mendja se bashkë me universitetet e
tjera do të krijohet një sistem ku grupet të vijnë njëri pas tjetrit dhe të
eleminohet fluksi. Janë vendosur bazat për të bërë një bashkëpunim në funksion
të efiçensës së kartës me bashkitë por edhe me sektorin privat. Që do të thotë
që karta nuk do të ketë vetëm përfitimet që i takojnë studentëve në bazë të
tarifave për muzeume, dhe hapsira të tjera publike, por edhe përfitime nga marrëveshjet
me kompanitë që ofrojnë shërbime të ndryshmje.
Për momentin janë mbi 40 kompani por do të
shkojmë shumë shpejt deri te bankat dhe kompanitë celulare”, tha Rama ndërsa
shtoi se në bazë të ligjit kartat e studentëve duhej të ishin shpërndarë nga
vetë universitetet shumë kohë më parë. Kryeministri e cilësoi këtë një premtim
të mbajtur të qeverisë së tij në kuadër të Paktit për Universitetin.
Ndërsa kryebashkiaku Veliaj tha se janë 100 mijë karta gati dhe brenda javës së parë të korrikut do të jenë të pajisur të gjithë studentët.
Pas letrës së pestë publike të kryeministrit
Edi Rama, i cili e ftonte në dialog ka reaguar kreu i opozitës, Lulzim Basha.
Me një postim në Facebook, Basha shkruan se opozita nuk do të bëjë asnjë hap
pas, ndërsa thekon se beteja për demokracinë është misioni më i madh dhe
fisnik, që nuk duhet dorëzuar. Postimin Basha e ka shoqëruar edhe me një album
fotografik nga protesta e djeshme, si një përgjigje për fjalët e Ramës se
protesta e opozitës po tkurret çdo ditë e më shumë
Postimi
i Bashës
Ne jemi Populli i Europës, ne jemi Populli i
Lirisë, ne jemi Populli i Demokracisë. Ne jemi njerëz që besojmë në vlera,
besojmë tek dinjiteti i njeriut, besojmë tek familja, besojmë tek atdheu.
Demokracinë nuk e japim, të drejtat dhe liritë
tona nuk i dorëzojmë. Beteja për to është misioni më i madh dhe më fisnik i
njeriut të lirë. Beteja me të keqen, po e çliron dhe fisnikëron shoqërisë dhe
kombit tonë.
Forca jonë është bashkimi, forca jonë është
qëndresa, forca jonë është përballja deri në fitoren e kësaj beteje për
Shqipërinë si gjithë Europa. Asnjë hap pas!
Kryeministri Edi Rama i është drejtuar sërish me një tjetër
letër kundërshtarit politik, Lulzim Basha të cilin e fton në Tryezën e
Dialogut, për të ulur kostot që mund t’i shkaktojë kjo krizë politike Shqipërisë.
Rama shkruan se edhe në llogoren e luftës armiqtë gjejnë kohë
e dialogojnë me njëri- tjetrin. Kryeministri i kujton Bashës se historia ka
njohur parti që janë tretur në kohë dhe liderë që janë shfaqur dhe janë zhdukur
pa lënë asnjë gjurmë.
“Në historinë e demokracisë janë tkurrur e tretur parti
historike shumë më të mëdha e të lavdishme, se sa grupimi që Ju aktualisht
drejtoni me një papërgjegjshmëri të hatashme. Po kurrë s’ka ndodhur që
pluralizmi të tretet bashkë me to. Janë shfaqur e zhdukur pa lënë gjurmë,
udhëheqës të dështuar në krye të plot partive me peshë dhe jeta politike ka
vijuar e ka prodhuar udhëheqës të rinj pa ndonjë vështirësi të pakapërcyeshme”,
shkruan Ramam teksa i kujton Bashës së nuk ka më kohë për të humbur por të ulet
në dialog.
LETER E KATERT PUBLIKE E EDI RAMËS DREJTUAR LULZIM BASHES
Zoti Kryetar,
nuk dua t’Ju krijohet ideja se ky është një ushtrim serial i
llojit “m’ka çu nana me la gojën”, as një përsiatje e zgjatur ku unë kam
thjesht interesin e ndarjes me publikun, të mendimeve të mia lidhur me situatën
e krijuar prej Jush.
Padyshim që këto letra publike, synojnë të qartësojnë sa të
jetë e mundur edhe opinionin publik, lidhur me pozicionin e me opinionin tim në
këtë situatë. Por nëse një nisëm e tillë, do të ishte pa asnjë interes për Ju e
për grupimin Tuaj politik, sigurisht që s’do zgjidhja këtë rrugë për t’u
sqaruar deri në fund me njerëzit. Kam frikë se Ju nuk e shihni fare interesin e
drejtëpërdrejtë që keni, në leximin e këtyre mesazheve publike drejtuar Juve
personalisht, ashtu sikundër jam i bindur se më herët se vonë, kur t’i lexoni
në një situatë tjetër, do t’Ju vijë keq që s’i lexuat e kuptuat kur duhej, nëse
nuk uleni tani në Tryezën e Dialogut.
Unë e kam ditur dhe fatmirësisht Ju’a kam thënë, shkruar në
një sms të shkurtër, shumë kohë më parë, se ku mund t’Ju çonte heqja dorë nga
frenat e retorikës politike ose, shqip, të folurit e gojës para mendjes, në
kuturisjen e dëshpëruar për të treguar forcën e kërcitjes së dhëmbëve, duke
braktisur forcën e arsyes. Ja ku jemi sot dhe në shumë pak kohë, nëse Ju nuk
frenoni për t’u kthyer në rrugën e arsyes, e tatëpjeta për grupimin Tuaj
politik, po sidomos për Ju personalisht, do të jetë pa mundësi ndalese deri kur
të prekni fundin e saj të dhimbshëm.
Në historinë e demokracisë janë tkurrur e tretur parti
historike shumë më të mëdha e të lavdishme, se sa grupimi që Ju aktualisht
drejtoni me një papërgjegjshmëri të hatashme. Po kurrë s’ka ndodhur që
pluralizmi të tretet bashkë me to. Janë shfaqur e zhdukur pa lënë gjurmë,
udhëheqës të dështuar në krye të plot partive me peshë dhe jeta politike ka
vijuar e ka prodhuar udhëheqës të rinj pa ndonjë vështirësi të pakapërcyeshme.
Kështu që, nuk është as keqardhja ndaj Jush që më mundon, as
dalja e palavdishme nga skena e grupimit Tuaj, të degraduar sot në një masë
depresive muskujsh, inatesh e britmash. Po më shqetëson shumë, humbja e
panevojshme dhe e dëmshme për vendin tonë e kohës dhe energjive, me një histori
kaq të shëmtuar e të kotë politike, sa kjo që po zhvillohet në amullinë e
dëshpërimit të opozitës Suaj, qyshse dogjët qorrazi mandatet parlamentare e
nisët t’i fryni me tërbimin e humbësit zjarrit të barbarisë politike.
Kundërshtarët janë krijuar për t’u mundur, por në demokraci
ata s’janë armiq, nuk trajtohen si armiq dhe nuk munden armiqësisht, sepse
koston e armiqësisë e paguan vendi. Këtu, tek kostoja që ka për vendin mënyra
krejt e papërgjegjshme se si Ju keni zgjedhur të përballeni me frikën nga
humbja e nga drejtësia, e ka burimin edhe keqardhja ime. Edhe marrja e këtij
mundimi letërshkrimesh nga ana ime, buron nga bindja ime se ka ende kohë, për
t’i ulur kostot e kësaj historie krejt të tepërt politike për Shqipërinë sot
dhe nga ndjenja e detyrës për t’i thirrur të kthehet arsyes Suaj të humbur.
Edhe armiqtë dialogojnë, madje edhe kur janë në llogoret e
luftës prej vërteti e ndalin këmbimin e zjarreve dhe i lenë një kohë këmbimit
të fjalëve. Pastaj, nëse fjalët nuk e ndalin dot zjarrin, zjarri rimerr vendin
e fjalëve. Ndërsa kundërshtarët në demokraci hedhin e presin shumicën e kohës,
po ka gjithnjë një kohë kur ulen e flasin, sepse demokracia edhe mur edhe urë,
fjalën ka. Si mund t’i thuhet kundërshtarit në demokraci ik ti dhe pastaj
flasim ose unë do t’i ve zjarrin vendit?! Kur ka ndodhur kjo dhe ku, përveçse
në Shqipërinë e udhëheqësit Tuaj ndjellakeq e çmendurak?! Ah po, e vërtetë, ka
ndodhur edhe në Shqipërinë e dy viteve më parë, kur fiks si në këta muaj, Ju
thoshit ik ti dhe pastaj flasim, madje bjere dorëheqjen me shkrim në Çadrën e
Republikës së Re që të flasim!
Dhe në fakt, dorëheqja me shkrim nuk erdhi se s’kishte si të
vinte, po erdhët Ju në rrugën e arsyes dhe çadra iku bashkë me Republikën e Re,
se s’kishin si të mos iknin. Edhe sot, Ju duhet ta harroni dorëheqjen time për
një arsye shumë të thjeshtë: Unë as jam zgjedhur nga Ju, as punoj për Ju dhe as
mund të tradhëtoj ata që më kanë zgjedhur e të gris kontratën detyruese me ta,
shumicën e shqiptarëve, pse Ju nuk pranoni t’i nënshtroheni vullnetit të
shumicës dhe i frikeni zgjedhjeve si djalli temianit!
Bashkë me dorëheqjen time, Ju i dashur Lulzim, duhet të
harroni edhe se mund ta nënshtroni shumicën, duke imponuar me dalëmendjen e një
pakice në tkurrje, anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit – të cilat nuk i kam
caktuar unë po Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nuk i kam në dorë unë,
po populli shqiptar.
Nëse Ju s’doni të hyni në zgjedhje se keni frikë nga gjykimi
i popullit me votë apo se shihni në bezen e imagjinatës Suaj, një film ku votën
e shqiptarëve pa dallim, e zëvendëson molotovi i ndjekësve Tuaj të verbuar a të
paguar, kjo është llogaria Juaj e gabuar dhe e drejta Juaj për ta vetëasgjësuar
grupimin Tuaj politik duke i besuar kësaj llogarie marroqe. Por Ju duhet ta
harroni po ashtu, se mund ta ktheni përmbys logjikën e sistemit demokratik, duke
ndjekur logjikën e forcës së dëshpëruar të të humburit, që gabimisht kujton se
s’ka ç’humbet tjetër dhe kthehet në të mbyturin që të mbyt!
Keni akoma shumë, sa shumë, për të humbur dhe keni akoma
kohë, shumë pak kohë, për të rifituar kthjelltësinë, qetësinë e drejtimin e
humbur, duke u kthyer në Tryezën e Dialogut e duke i kursyer Shqipërisë, po
edhe vetes e grupimit Tuaj, kostot e një aventure sa qesharake, aq edhe të
kushtueshme për këtë vend në radhë të parë.
Këto letra të miat po zgjaten përditë, sepse po mbarojnë!
Dhe me durim po Ju përsëris, ejani në Dialog. Pa kushte dhe pa frikë. Kushtet
dhe frika, janë pengesat që do Ju nxjerrin nesër si dështak nga politika, nëse
nuk i nxirrni sot fishek nga vetja.
Opozita dhe mazhoranca mbeten larg dialogut, ku
edhe pas tre letrave publike të Kryeministrit Rama, kryeopozitari Basha është i
vendosur në kauzën e tij. Sot pasdite, opozita zhvillon protestën e radhës, ku
vetë Basha e ka cilësuar protestë kombëtare. Edhe pse aleatja kryesore e PD,
liderja e LSI, Kryemadhi bëri thirrje 24 orë para protestës që protestuesit të
distancohen nga dhuna, Basha nuk ka bërë thirrje kundër dhunës.
E kjo duket se i ka frikësuar forcat e rendit, pasi që të premten, në institucionet kryesore, Kryeministria, Parlamenti dhe Ministria e Brendshme janë vendosur barrierat metalike. Shtyllat e ndriçimit janë lyer me graso në mënyrë që protestuesit mos të hipin në to, ndërsa Policia dhe Garda e Republikës kanë kaluar në gatishmëri.
Nga drejtuesit e policisë mësohet se rreth 1500 policisë do të angazhohen për ruajtjen e sigurisë, ndërkohë që masat janë të dukshme që mëngjesin e së shtunës, ku postblloqe janë ngritur në të gjitha rrugët hyrëse të Tiranës, ndërkohë që protesta pritet të fillojë në orën 19:00 dhe leja është marrë deri në mesnatë.
Protesta e opozitës të shtunën
Postblloqe nuk janë ngritur vetëm në Tiranë,
por edhe në rrugët kryesore, që bashkojnë Jugun, Veriun dhe Juglindjen me Tiranën.
Kontrolle ushtrohen kryesisht në autobusë, ose në makina personale të mbushura
me të rinj. Megjithatë, gjatë zhvillimit të protestës, forcat më shumta të
policisë pritet të përqendrohen pranë kryeministrisë, ku do të dislokohen
forcat speciale RENEA dhe Garda e Republikës. Sipas policisë, grumbullimet mendojnë
të fillojnë pas orës 16:00, ndërsa sipas drejtueseve të partive opozitare, do
të jetë protesta më e madhe e organizuar ndonjëherë gjatë historisë së
pluralizmit politik në Shqipëri.
Por këto masa mund të rezultojnë të
panevojshme. Të paktën këtë radhë. Një burim i lartë demokrat i konfirmoi me
siguri Realstory.al se protesta e të shtunës do të jetë paqësore. Mund të jetë
efekti ndërkombëtar, mund të jetë një sinjal që përtej retorikës së ashpër,
edhe Basha është dëshpërimisht në kërkim të një pikënisje dialogu. Por kjo së
paku pritet të prodhojë një të shtunë pa incidente, ose së paku “molotov free”
në rrugët e kryeqytetit.
Nga plani i organizatorëve ka pak detaje sesi
do të vijojë protesta, por mësohet se Lulzim Basha do të mbajë një fjalim para
Kryeministrisë dhe qëllimi kryesor i tyre, ashtu siç është deklaruar nga
kryeopozitari Basha, është largimi i Kryeministrit Rama, si kusht që nuk
negociohet.
Gjithsesi burimi i lartë nga Kryesia e PD i
tha faqes sonë, se nëse protesta e të shtunës do jetë paqësore, krejt ndryshe
pritet të jetë ajo e radhës në qershor. Me gjasë fushata do ketë filluar dhe me
PD e aleatët jashtë zgjedhjeve, protesta e qershorit, data e së cilës nuk është
përcaktuar akoma, pritet të jetë e ashpër dhe agresive. Megjithëse nuk
konfirmohet një datë e mundshme është 29 qershori.
Menjëherë pas pas letrës së tretë publike të
kryeministrti Rama për kreun e opozitës, Lulzim Basha, ka reaguar numri 2 i
LSI, Petrit Vasili, me nota ironie. Ish-kreu i grupit parlamentar të LSI-së,
Petrit Vasili thekson se kryeministri i shkruan çdo ditë nga një letër vetes,
ndërsa pohon se së paku ai duhet të shkruajë tre letra në ditë ashtu siç merren
edhe ilaçet.
“Edi
Ramës s’ka kush t’i shkruajë! Edi Rama i shkruan përditë nga një letër vetes.
Gjynah vërtetë, që shkruan kaq pak. Një letër në ditë s’është asgjë. Së paku
tre letra në ditë duhet të shkruajë se përgjithësisht kështu merren edhe ilaçet
në mëngjes, në drekë dhe në darkë. Por tharja e rrënjëve të mendimit ka bërë që
edhe korteksi i trurit t’i thahet, ndaj për një tru të tharë e të atrofizuar
edhe një leter në ditë nuk është pak, biles është shumë… Ndonjë trutharë më keq
se ai vetë i ka thënë me shumë dashuri “shkruaji nga një letër përditë shefo”. Dhe
Edi e bën se ju kam thënë kaq herë që ai bën çfarë i thonë se vetë nuk mendon.
Dhe ata vazhdojnë ta tallin….e tallin keq….e tallin rëndë. Asnjë nuk i përgjigjet,
asnjë nuk harxhon, asnjë sekond kohë me të, asnjë nuk i hedh vështrimin, e
konsiderojnë “të vdekurin, që ecën”!! Dhe në fund mbetet vetëm që….Edi Ramës
s’ka kush t’i shkruajë!”, shkruan në Facebook Petrit Vasili.
Dy deputetët e parlamentit gjerman Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm kanë dhënë një deklaratë të përbashkët në lidhje me krizën politike në Shqipëri. Deputetët theksojnë se diagolu pa kushte është tepër i rëndësishëm për të zgjidhur krizën poltike në vend. Gjithashtu CDU/CSU kanë dënuar dhunën e ushtruar gjatë protestave, ndërsa bën thirrje për qetësimin e situatës, pasi mund të mbyllet rruga e integrimit drejt BE.
“Po e vëzhgojmë me shqetësim të madh krizën e brendshme në Shqipëri. Për të ardhmen europiane të Shqipërisë nevojitet dialogu mes qeverisë dhe opozitës. Për këtë, të dyja palët duhet të afrohen me njëra-tjetrën dhe të jenë të gatshme për kompromise.
Protestat e përsëritura në Shqipëri janë një shenjë e pakënaqësisë së shumë qytetarëve. Ne bëjmë thirrje që protesta të jetë paqësore. Aktet e dhunës i dënojmë thellësisht. Është përgjegjësia e vendimmarësve të politikës që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Evropës.” – shkruajnë deputetët
Johann David Wadephul dhe Christian Schmidt shprehen të gatshëm të ndërmjetësojnë hapjen e dialogut pa kushte ku të diskutohen të gjitha temat, madje edhe të merren masa të jashtëzakonshme si shtyrja e zgjedhjeve në të mirë të zgjidhjes së krizës dhe garantimin e mundësive për të zgjedhur nga qytetarët.
“Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë.
Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje. Bashkësisë ndërkombëtare nuk i interesojnë konfliktet politike ndërpartiake, por stabiliteti demokratik.” – përfundon deklarata
Pak pas publikimit të kësaj deklarate, ka ardhur dhe reagimi i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, i cili shprehet falenderues ndaj partnerëve politikë të Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike, për vëmendjne e tyre ndaj situatës politike.
“U jam shumë falenderues miqve të Shqipërisë dhe partnerëve politikë të LB&PD në CDU/CSU, për vëmendjen e tyre ndaj situatës politike! Krejt dakord me gjithçka kanë shprehur publikisht dhe për nevojën e dialogut pa kushte. Koha nuk pret sepse 30 qershori s’është në dorën tonë!”, ka shkruar Rama në twitter.
Pas kryeministrit Rama, edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me daklaratën e CDU/CSU. Basha tha se mirëpret bashkëpunimin e Gjermanisë për zgjidhjen e krizës në vend, ndërsa nuk ka dhënë asnjë përgjigje për një dialog të mundshëm.
“Mirënjohje Gjermanisë mike dhe mbështetëse të Shqipërisë, për vëmendjen dhe shqetësimin ndaj problemeve që kanë penguar integrimin europian, si mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, lidhjet e politikës me krimin, mungesa e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit.
Në emër të PD dhe të Opozitës së Bashkuar konfirmoj gatishmërinë tonë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe mirëpres angazhimin e Gjermanisë mike për zgjidhjen e kësaj krize dhe hapjen e rrugës europiane të Shqipërisë.”
Ndërmjetësuesi i njohur Schwarz-Schilling shpjegon për Deutsche Wellen se përse kompromisi është i pamundur mes Ramës dhe opozitës. Schwarz-Schilling thote se opozita e sotme duhet të marrë shembull nga Edi Rama si ish-kreu i opozitës dhe të largohet nga parullat revolucionare duke shkatërruar institucionin e parlamentit. Schwarz-Schilling ka folur gjithashtu edhe për dosjet e përgjimeve duke treguar se vetëm ato nuk mjaftojnë si provë, por opozita duhet të gjejë dëshmitarë për t’i verifikuar.
Deutsche Welle: Në Shqipëri kemi aktualisht një ngërç politik. BE-ja, pra, komisioneri Johannes Hahn, kërkojnë kompromis ndërmjet qeverisë dhe opozitës. Ju jeni një ndërmjetësues i njohur në Ballkan e në botë. A shihni një mundësi për arritjen e këtij kompromisi?
Christian-Schwarz-Schilling: Ndërmjetësimi në këtë nivel mund të arrihet vetëm kur të dyja palët e duan. Kur njëra palë cakton si parakusht të bisedimeve kapitullimin ose dorëheqjen e palës tjetër, atëherë metoda nuk do të funksionojë dhe nuk duhet synuar. Unë jam shumë i çuditur me deklaratat që dëgjoj nga partia e opozitës, si për shembull, deklaratat e ish-kryeministrit, Sali Berisha, i cili, në vend që të thërrasë për ballafaqimin e opinioneve të ndryshme në parlament, lëshon parulla revolucionare duke shkatërruar kështu institucionin e parlamentit.
Por politikanët e opozitës e kanë braktisur tashmë parlamentin…
Po, dhe kanë bërë gabim. Mua më kujtohet viti 2010, kur kam ndërmjetësuar mes Sali Berishës si kryeministër dhe Edi Ramës, asokohe kryetar i opozitës. Situata ishte e kundërta e kësaj që kemi sot: Edi Rama atëherë kishte paralajmëruar se do t’i dorëzonte mandatet, por ai u tregua shumë më i arsyeshëm dhe pranoi të kthehej në Kuvend. Opozita e sotme duhet të marrë shembull nga Edi Rama si ish-kreu i opozitës.
E megjithatë, komisioneri Hahn ka thënë se qeveria duhet të kërkojë dialogun me opozitën. Meqenëse ju e njihni dhe e çmoni personalisht Edi Ramën, çfarë këshille do t’i jepnit në këtë situatë?
Ai duhet të nxjerrë në plan të parë institucionin parlamentar dhe të thotë se Kuvendi duhet të formulojë një opinion për vendin. Nuk mund ta ndryshosh me dhunë maxhorancën parlamentare. Mund të shqyrtohen argumentet që sjell pakica kundër qeverisë, të cilat maxhoranca duhet t’i trajtojë me seriozitet dhe t’i përfshijë në punën e qeverisë. Por nuk është e mundur, që pakica ta shpallë veten si maxhorancë dhe të prishë kësisoj institucionin e parlamentit. Kjo nuk ecën. Maxhoranca mund të ndryshohet vetëm në zgjedhje. Dhe opozita duhet të pajtohet me këtë rezultat.
Duhet të pajtohet edhe pse ka pasur blerje votash në disa qarqe, siç pretendon opozita?
Unë nuk besoj se kjo ka ndodhur. Dihet që në përgjithësi përdoren gjithmonë ca metoda ballkanike, por nuk kam dëgjuar që Edi Rama ta ketë bërë këtë në mënyrë aq masive sa të ketë pasur efekt në rezultatin e zgjedhjeve.
Po dosjet e përgjimeve të prokurorisë, ku dëgjohen persona të lidhur me krimin e organizuar duke blerë vota në emër të kandidatëve të Partisë Socialiste?
Këto janë akuza që duhen dëshmuar. Nëse ka qenë kështu, atëherë opozita duhet të paraqesë dëshmitë dhe të bëjë një kërkesë për verifikim.
Pra, ju mendoni se vetëm përgjimet nga dosjet nuk mjaftojnë?
Jo. Ato nuk mjaftojnë.
Por në Shqipëri ka kohë që ekziston një pakënaqësi e përgjithshme, e cila vihet re jo vetëm te opozita. A pajtoheni?
Unë kam përvojë me disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Jam shumë i lidhur me Bosnjë-Hercegovinën. Më duhet të them, se ato gjëra që ndodhin aty, as që mund të krahasohen fare me Shqipërinë. Kam parasysh partitë djathtiste kroate, HDZ, si në Kroaci, ashtu edhe në Bosnjë-Hercegovinë që bëhen bashkë, jo për ta ndërtuar, por për ta shkatëruar shtetin e Bosnjë-Hercegovinës. Përkundrazi, me projektet e ndryshme që kam në Shqipëri, kam krijuar përshtypjen se atje po bëhen përpjekje shumë serioze për reformat. Kjo duket më së miri në procesin e Vetting-ut në gjyqësor. Është një proces shumë i vështirë, por qeveria dhe Ministrja e Drejtësisë po e menaxhojnë shumë mirë.
Keni biseduar ju edhe me kreun e opozitës, Lulzim Basha?
Po, e kam takuar dy herë. Përshtypja ime është se ai është një njeri mendjemprehtë, por që synon vetëm të çojë përpara karrierën e tij dhe mendon se tani është momenti i përshtatshëm. Nuk kam përshtypjen se po digjet për vendin dhe për reformat. Kam përshtypjen se opozita po kërkon të nxisë zhvillime revolucionare për të arritur rrëzimin e qeverisë. Ne këtë nuk mund ta mbështesim, Ne duhet të mbrojmë me forcë institucionet. Aty ku prezantohen fakte, duhet hetuar më tej, por jo të bëhen polemika dhe demagogji për të shkatërruar institucionet. Kjo është shumë e rrezikshme. Për këtë shkak unë jam i mendimit se arritjet pozitive të qeverisë në Shqipëri duhen vlerësuar dhe nuk duhen përçmuar në këtë mënyrë.
Sipas të gjitha gjasave, parlamenti gjerman, Bundestag-u, do të votojë në shtator mbi çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në. Çfarë duhet të ndodhë gjer atëherë, në mënyrë që kolegët tuaj të CDU/CSU-së t’i japin Shqipërisë dritën e gjelbër për çeljen e negociatave?
Deri atëherë do të duhet të dalë në pah e vërteta, konkretisht, se kush kërkon reforma, e kush përmbysje.
Intervistoi: Anila Shuka, Berlin
Prof. Dr. Christian Schwarz-Schilling ka qenë ministër gjerman për Postën dhe Telekomunikacionin. Në shenjë proteste kundër qëndrimit të qeverisë gjermane në luftën e Bosnjes ai dha dorëheqjen. Nga vitit 2006-2007 ai shërbeu si Përfaqësues i Lartë në Bosnje-Hercegovinë dhe i ngarkuar i BE për Bosnje-Hercegovinën. Në vitet e mëpasshme ai ka punuar si ndërmjetësues në Ballkan. Ekspertizën e tij si ndërmjetësues aktualisht po e përdor edhe Ministria e Drejtësisë e Shqipërisë me një projekt për implementimin e Ligji të ri për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve (2018) në Shqipëri. Projekti financohet nga qeveria norvegjeze.