PS çel fushatën në “shtëpinë” e Veliajt

Më të fundit


Partia Socialiste ka zgjedhur “shtëpinë” e Veliajt për të nisur zyrtarisht fushatën elektorale më 1 Qershor. Pas shtyrjes me një ditë të çeljes së fushatës, PS ka zbuluar edhe vendin se ku do të bëhet tubimi hapës.

Nga burime pranë selisë rozë mësohet se çelja e fushatës do të bëhet në Parkun Olimpik, një investim i premtuar nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili është realizuar gjatë këtij mandati dhe vlerësuar së fundmi edhe ndërkombëtarisht. Sipas të dhënave, për takimin hapës të fushatës janë njoftuar të gjithë kandidatët për kryetar bashkie dhe të gjithë kandidatët për këshilltarë.  


Takimi hapës do të organizohet ditën e shtunë, 1 qershor, në orën 17.00. Fillimisht ishte njoftuar se fushata do të hapej më 31 maj, por opozita kishte njoftuar se protestën e radhës do ta mbante po atë ditë. Pas këtij vendimi të opozitës, vetë kryeministri Rama njoftoi se çelja zyrtare e fushatës do të shtyhej me një ditë dhe do të organizohej më 1 qershor. Pasi Partia Socialiste ka vendosur që të hapë zyrtarisht fushatën më 1 qershor, edhe Partia Demokratike ka zgjedhur të ndryshojë datën e protestës së radhës, duke caktuar 2 qershorin si ditën kur do të zhvillohet protesta e shtatë kombëtare. Sipas opozitës, shkaku i shtyrjes së kësaj proteste është se data 31 maj është vendosur si Nata e Kadrit nga Komuniteti Mysliman Shqiptar.

Tashmë, Partia Socialiste duket se ka vendosur përfundimisht, jo vetëm datën dhe orën, por edhe vendin se ku do të realizohet takimi hapës i fushatës. Parku Olimpik është një kompleks modern, i cili në muajin prill të këtij viti u vlerësua me çmimin e Arkitekturës Publike Komerciale për Evropën Juglindore.




Skip to toolbar