SPAK në prag, Meta akuzon për anshmëri Ramën: Përdori Lu dhe Vettingun për të pastruar KED

Në një kohë që Prokuroria Speciale, që do të hetojë korrupsionin në nivele të larta të politikës edhe krime të së shkuarës, apo Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese, janë duke u krijuar, Presidenti Ilir Meta ka sulmuar përsëri Reformën në Drejtësi. Këtë të martë, Ilir Meta, sipas tij, ka sqaruar arsyet e mosfunksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Sipas Metës, në këto tre vite mosfunksionimi i këtij këshilli, ka ardhur si pasojë e bllokimit që i ka bërë Kryeministri, i mbështetur dhe nga ndërkombëtarët. Meta kujton, sipas tij, sulmin që Kryeministri Edi Rama bëri ndaj anëtarëve të zgjedhur të KED në janar të 2017. “Në datë 31 janar 2017, Kryeministri Rama shpërthen duke i kërcënuar drejtpërdrejt të gjithë anëtarët e KED-së, duke i shantazhuar se do t’i shkarkonte me vetting. Kryeministri shfaqi hapur se kishte në dorë, jo vetëm të bllokonte Këshillin, por edhe t’i shkarkonte më shumë se gjysmën e tyre”, shkruan Ilir Meta.

Sipas Ilir Metës, këtë sulm e mbështeti dhe ish-ambasdori i SHBA në Shqipëri, Donald Lu. “Në ndihmë të këtij projekti, ai përdori duke e keqinformuar dhe ambasadorin e nderuar të SHBA në atë kohë. Në datë 2 shkurt 2017, pra 6-ditë pas hedhjes së shortit ambasadori do të deklaronte publikisht ndër të tjera se: “Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetuta e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, njëri prej disa institucioneve të reja që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit. Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me vetëm tre prokurorë për të plotësuar tre pozicione”, shkruan Meta duke cituar deklaratën e ambasadorit Donald Lu.

Gjithashtu, Ilir Meta tregon se po gjatë 2017, gjatë përgatitjeve për organizimin e një tryeze të përbashkët me BE, EURALIUS dhe aktorët vendas, për të diskutuar rreth problematikave të funksionimit të KED-së, përfaqësuesja e EURALIUS braktisi mbledhjen. “Në punë e sipër për realizimin e kësaj tryeze, në datë 8 nëntor 2017, në mënyrë të papritur EURALIUS njofton në rrugë telefonike për mospjesëmarrjen e drejtueses znj.Agnes Bernhard dhe ekspertëve të EURALIUS në këtë tryezë, pa dhënë asnjë arsye bindëse. Pra ekspertiza e BE-së (EURALIUS) dhe Delegacioni i BE-së, e “braktisën” këtë iniciativë të Kreut të Shtetit”, shprehet Meta duke akuzuar indirekt ndërkombëtarët se u manipuluan nga Kryeministri Rama, për të bojkotuar ngritjen dhe funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, që për rrjedhojë do të bënte të mundur edhe plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Po pse Ilir Meta u kujtua tani, për të akuzuar ndërkombëtarët (mbështetësit kryesor dhe autorët e vërtetë të Reformës në Drejtësi), se penguan ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë? A janë të vërteta akuzat e Ilir Metës, se ndërkombëtarët, qoftë dhe me manipulimin e Edi Ramës, të kenë bllokuar për dy vite funksionimin e KED? Në fakt, qëndron e kundërta, ndërkombëtarët, me në krye SHBA-në, kanë mbështetur vazhdimisht ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Madje, në kulmin e krizës politike, dhe kur Ilir Meta vendosi të bënte një veprim extra-kushtetues, duke çdekretuar datën e zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërkombëtarët forcuan zërin e tyre, për ngritjen sa më parë të Gjykatës Kushtetuese.

Këto deklarata u bën publikisht nga kuinti i ambasadorëve në Shqipëri, dhe nga Ambasada Amerikane, pas zgjedhjeve, në një deklaratë të saj, por edhe para 30 qershorit, nëpërmjet deklaratave të Mathew Palmer. Akuzat e Ilir Metës ndaj SHBA, BE, EURALIUS, janë në paradoks me realitetin. Tashmë institucionet e drejtësisë po krijohen, dhe në fakt, ato po krijohen pas zbatimit të asaj që ishte thelbi i Reformës në Drejtësi, pastrimi i sistemit nga gjyqtart dhe prokurorët e korruptuar, pra Vettingu. Dhe tashmë që ky proces ka kaluar në sitë shumicën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, institucionet e reja të drejtësisë pritet të jenë funksionale të paktën brenda vjeshtës. Mbështetjen e ka shprehur publikisht SHBA dhe BE, dhe çdo organizatë tjetër që ka punuar për reformimin e gjyqësorit në Shqipëri, të cilët, theksin e kanë vënë pikërisht te krijimi i Prokurorisë Speciale (SPAK), që do të hetojë krimet dhe korrupsionin e politikanëve të lartë në Shqipëri. Ndaj në këto kushte, Ilir Meta, me akuzat për të shkuarën, duket se po sulmon të tashmen, krijimin e institucioneve të reja të drejtësisë, me gjyqtarë e prokurorë, që pasi kaluan vetë në “sitë”, pas pak kohësh, të njëjtin proces, ata, (prokuror e gjyqtarë), do e zhvillojnë ndaj politikanëve.  

Mazhoranca gati të votojë dy ligje të Reformës në Drejtësi

Në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, të enjten më 18 korrik, pritet të miratohen dhe dy ligjet e mbetur të Reformës në Drejtësi. Bëhet fjalë për ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Këto dy ligje kanë mbetur pa u miratuar prej dy vjetësh, kur Gjykata Kushtetuese vendosi t`i rikthente për shqyrtim, pasi shfuqizoi 22 nene të tyre.

Në atë periudhë, mazhoranca i kërkoi konsensus PD-LSI për të ndryshuar dy ligjet e Reformës në Drejtësi, sipas sugjerimeve të bëra nga Gjykata Kushtetuese, por opozita e refuzoi kërkesën. Në këto kushte, mazhoranca i la këto dy ligje pa miratuar, pasi nuk kishte 84 vota të nevojshme.

Por duket se mazhoranca ka gjetur tashmë mbështetjen e opozitës parlamentare (që ka konfirmuar më herët mbështetjen për Reformën në Drejtësi), duke i rikthyer këto dy ligje në axhendën e Kuvendit.

Të hënën, në Komisionin e Ligjeve do të diskutohen nen për nen këto ligje, të cilët mund të marrin dhe “ok” për të shkuar më pas për miratim të enjten. Miratimi i këtyre dy ligjeve do të plotësojnë kuadrin ligjor të Reformës në Drejtësi.

Zbatimi i Reformës në Drejtësi, është një ng akushtet themelore për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. Tashmë duket gjithçka në rrugën e duhur, pasi kalimi i Vettingut nga  disa gjyqtar dhe prokuror, i ka hapur rrugë ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë, si SPAK, Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë apo Byroja e Hetimit.

Rama “kërcënon” sërish me precedentin Sanader: Protesta e peshqve të mëdhenj, kundër reformës.

Për herë të dytë brenda dy ditëve, kryeministri Rama thekson një gjë, që më parë, dukej thjesht parullë politike: se dhënia e provës nga Shqipëria se sistemi i drejtësisë funksionon në vend, do të jetë edhe baza e hapjes së negociatave për vendin në BE. Siç realstory.al njoftoi me herët gjatë të premtes, të enjten në kuvend rama e theksoi me forcë këtë për herë të parë. Burime diplomatike thonë se megjithëse jo publikisht, Shqipëria ka një kusht për hapjen e negociatave në muajin tetor. Dhe kjo është ngritja e prokurorisë speciale të hetimit të krimeve të korrupsionit SPAK, si dhe rezultatet e para konkrete të saj. Megjithëse burimet frenohen ta pohojnë, plotësisht, ata kanë lënë të kuptohet qartë për portalin tonë, se kjo përkthehet me arrestime konkrete kokash të mëdha. Të enjten në parlament kryeministri iu referua modelit Sanader, ose ajo qe i ndodhi Kroacisë në vitin 2010, kur arrestoi për korrupsion kryeministrin që firmosi për Zagrebin, anëtarësimin në Bashkimin Europian. Anëtarësim që ndodhi vetëm pas dënimit të tij, në vitin 2013.

Kjo është edhe arsyeja pse opozita po proteston, për të shmangur vettingun dhe reformën në drejtësi tha Rama gjatë një interviste për “Associated Press”, agjencinë më të madhe amerikane të lajmeve. Protestat e opozitës kanë si qellim kryesor të prishin përpjekjen të vendit për t’u integruar në BE tha Rama, që në fakt vetë integrimi do të sillte një drejtësi më të fortë në vend.

Aktualisht në Shqipëri, kreu i opozitës Lulzim Basha është i pandehur në një hetim për përdorim parash nga Rusia për influencim politik në Uashington, një hetim që po zhvillohet në të dyja anët e Oqeanit, ndërsa presidenti Ilir Meta pasi futi krizën politike në një fazë konflikti civil (çka për fat nuk ndodhi), tashmë është subjekt i një shkarkimi nga pozicioni i Presidentit për shkelje të Kushtetutës. Shkarkimi, nëse ndodh, klasifikohet si ndërprerje e mandatit, pra me fjalë të tjera Ilir Meta nuk do të përfitonte nga imuniteti si president apo ish president. Kjo do ta bënte vulnerabil ndaj çdo hetimi të mundshëm të SPAK. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë bërë të qartë që kjo Prokurori nuk do të ketë mandat të kufizuar në kohë, dhe ajo mund t’i rikthehet çështjeve që janë mbyllur më parë. Aktualisht prokuroria po rihap çështjen e mbyllur të vrasjes së Azem Hajdarit, si dhe vazhdon hetimet për çështjen DIA – CEZ, ku emri i Ilir Metës shfaqet dy herë, si në fazën paraprake të privatizimit të ndërmarrjes shtetërore të energjisë OSHEEE, ashtu edhe në atë të mbledhjes së borxheve nga një pale e tretë. Kompania DIA e Kastriot Ismailajt, i cili sot gjendet në burg në kushtet edhe të të dënuarit, edhe të dëshmitarit të mbrojtur, është e përmendur edhe në përgjime të vitit 2009, ku ngjashmërish me ato të BILD, Ilir Meta shfaqet duke kërkuar 200 mijë euro me gjasë, për mbështetje për procesin elektoral, dhe disa kandidatë të tij përfshirë dhe gazetarin Artur Zheji, ndaj Kastriot Ismailajt, i cili tashmë është dënuar për zhdukjen pa lënë gjurmë të më shumë se 6 milionë eurove, të mbledhura prej firmës së tij, për llogari të CEZ. CEZ ishte kompania ceke që privatizoi OSHEE, ku një rol direkt luajti Ilir Meta si Zevendëskryeministër i kohës dhe shefi i tij i kabinetit në Shtator 2009. Dy vite më vonë Ilir Meta u kap në një video ku i kërkonte ministrit të tij të ndjerit Prifti, 700 mijë euro për licencën e një hidrocentrali. Meta u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Lartë e kohës, pasi një ekspert anonim, e cilësoi videon, si provë të pavlefshme. Atëherë për amerikanët, dhe nesër për SPAK, kjo “ekspertizë” mund të quhet nul dhe çështja mund të jetë subjekt i rihapjes. Kjo situatë mesa duket e kanë vënë presidentin e republikës në pozicion mbrojtjeje, fillimisht duke sulmuar. Ndaj gjerësisht besohet se me defektin e shfuqizimit të zgjedhjeve më 30 qershor po mbështet opozitën ne aksionin e saj mbi 5 mujor që prodhoi efekt vetëm djegien e mandateve të tyre dhe bojkotin e zgjedhjeve lokale. Për Associated Press “Rama duket i palëkundur kur thotë se më 30 qershor do të ketë zgjedhje pasi “është koha për të dëgjuar njerëzit”, ndërsa është i hapur për të zhvilluar dialog më të gjitha palët pas tyre. /Realstroy.al

Soreca: Përgjimet duhet të faktohen, po shqyrtojmë pretendimet e opozitës

Ambasadori i BE, Luigi Soreca ka vlerësuar arritjet që Shqipëria ka bërë që nga qershori 2018 duke vënë një theks të fortë te reforma në drejtësi. “Kemi të bëjmë me një reformë të pashembullt të reformimit të gjyqësorit në Shqipëri, që nuk është parë në Europë e në botë” ka thënë Soreca në një intervistë për Euronews. “Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm që nga qershori 2018. Së pari progres ka pasur në fushën e drejtësisë, ku janë bërë hapa me rëndësi. Këtu vlen të përmendet edhe reforma në drejtësi, si kryereformë e vendit.”

Ambasadori ka folur edhe për protestat e opozitës duke thënë se “kërkesat e saj janë duke u shqyrtuar”, ndërsa rastin e publikimi të përgjimeve për dosjen 339 i cilësuar si “kompromentuese“.

Opozita duhet ta dëshmojë me fakte se kemi të bëjmë me shkelje ligji e nëse vërtetë ka thyerje ligjore, atëherë BE mbështet tërësisht zbatimin e ligjit. I bëj thirrje të gjitha partive politike që të kapërcejnë ngërçin aktual dhe të marrin në konsideratë interesin kombëtar të shqiptarëve si drejtimin më të mirë për vendin” – tha Soreca

Hajdari: Palët politike, bashkëpunim që të humbë besimi te Reforma në Drejtësi

Deputetja demokrate Rudina Hajdari ka folur për reformën në drejtësi dhe domosdoshmërinë e saj për të rikthyer shpresën e humbur. E ftuar në emisionin “Ekopolitikë”, ajo tha se politika po trembet nga kjo reformë dhe se palët do të bashkohen për të humbur kredibilitetin e saj, ndërsa opozita parlamentare nuk duhet të bjerë në këtë kurth.

“Çdo kush do ta marrë flamurtarin se është pro reformës në drejtësi dhe të tjerët kanë frikë nga reforma në drejtësi. Nga ana tjetër unë mendoj se të gjithë janë shumë të frikësuar nga reforma në drejtësi. Shumë shpejt interesat do t’i bashkojnë dhe do bëjnë të pamundur që kjo reformë të humbë kredibilitetin tek popullsia dhe tek njerëzit. Ne nuk duhet të futemi në këtë kurth dhe duhet të mundohemi të tregohemi sa më koshientë se kjo është e vetmja reformë që mund të na japë shpresë për një të ardhme. Njerëzit e kuptojnë qartë se edhe pse këta janë kundërshtarë kanë interesa të përbashkëta.”

Hajdari i është përgjigjur edhe personave që e cilësojnë atë si tradhtare, duke thënë se qëndrimi i saj në parlament ka forcuar më shumë PD dhe demokratët.

“Do ta them troç fare. Unë duke qëndruar në parlament kam forcuar PD dhe demokratët në tërësi sepse i kam dhënë legjitimitet faktit që ne duhet të qëndrojmë në parlament dhe unë i përfaqësoj ata dhe do vazhdoj ti përfaqësoj ata. Kështu nuk besoj se kjo logjikë është e drejtë duke më quajtur mua tradhtare.”

Admir Thanza dënohet nga Gjykata, i pari gjyqtar që e pëson nga Vettingu

Duket se Reforma në Drejtësi ka nisur të japë sinjalet e para të funksionimit të saj, pasi këtë të premte Gjykata e Tiranës ka vendosur të dënojë me 18 muaj shërbim prove ish-gjyqtarin, Admir Thanza.

Ky i fundit ishte pjesë e sistemit të drejtësisë, duke mbajtur disa poste të larta deri si Gjyqtar i Gjykatës së Lartë, nuk arriti të kalonte në “sitën” e Vettingut, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbuloi një dënim të vjetër të gjyqtarit Thanza.

Ai ishte dënuar në vitin 1999 nga drejtësia italiane me akuzën e vjedhjes së sendeve dhe produkteve kozmetike në një supermarket në zonën e Pescarës.

Kështu, vendimi i sotëm erdhi pasi Prokuroria e Tiranës pretendonte se Admir Thanza kishte fshehur me ndërgjegje vendimin e dhënë nga drejtësia italiane.

Për këtë arsye akuza shqiptare nisi një letër-porosi në shtetin fqinj, ku faktoi dënimin e ish-gjyqtarit Thanza.

Ndërkohë, vendimi i sotëm i Gjykatës së Tiranës, nuk është në përputhje me dënimin e kërkuar nga Prokuroria, pasi kjo e fundit kërkonte dënimin me 18 muaj burg për “falsifikimin e formularëve”.

Frika nga Vettingu rrit numrin e hetimeve të prokurorisë

Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku, deklaroi një ditë më parë në Komisionin e Ligjeve se viti 2018 ka qenë një vit jo i zakonshëm për të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët për shkak të fillimit të procesit të Vettingut. Këtë deklaratë, duke justifikuar disi punën e tyre, e bëri gjatë prezantimit të raportit vjetor të Prokurorisë së Përgjithshme në Komisionin e Ligjeve.

Por duket se presioni i ushtruar ndaj prokurorëve për procesin e Vettingut, ka qenë pozitiv për publikun, pasi pavarësisht mungesave, ngarkesës dhe shkarkimeve të tyre, Prokuroria ka rritur numrin e dosjeve të dërguara në gjykatë gjatë vitit 2018.

Pra vihet re qartë se pavarësisht kohës dhe numrit të kufizuar të prokurorëve për të kryer hetime, impenjimi i tyre ka qenë më intensiv. Kjo bazuar në deklaratën e kryeprokurores Marku, e cila tha se “që kur ka filluar procesi i vettingut, shumë prokurorë kanë qenë gjatë gjithë vitit në kontakt të vazhdueshëm me KPK-në, nëpërmjet pyetësorëve, janë bërë shumë shkarkime”. “Është folur shumë për këtë dhe të gjithë kemi qenë dakord se ky proces, ka qenë i domosdoshëm, por ka qenë i pashmangshëm ndikimi negativ tek prokurorët, pasi i ka bërë apatikë dhe të pasigurt”, deklaroi ajo.

Ndërsa në raport vihet re se vërtetë nuk ka ndonjë rritje të konsiderueshme, por puna e prokurorisë ka shënuar progres në vitin 2018, krahasuar me vitin 2017.

Konkretisht, sipas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme, gjatë vitit 2018 janë përfunduar 30615 çështje, nërkohë që në vitin 2017 janë përfunduar 30036 çështje, ose thënë ndryshe 579 çështje më shumë. Nga këto, 38.5 për qind janë dërguar për gjykim, 21,7  për qind janë pushuar, 35,6 për qind janë pezulluar dhe 4,2 % janë transferuar në prokurorinë kompetente.

Por nuk është rritur vetëm numri i çështjeve të hetuara, pasi rezulton se është rritur ndjeshëm edhe numri i çështjeve të dërguara në gjykatë. “Konkretisht në vitin 2018 janë dërguar në gjykatë 11790 çështje, ndërkohë që në vitin 2017 janë dërguar në gjykatë 11492 çështje, ose e thënë ndryshe 298 çështje më shumë.

Megjithatë, nga reforma në drejtësi vihet re se ka edhe probleme, pasi prokurorët duket se janë më të tkurrur për të nisur hetime kryesisht. Pas reformës në drejtësi, fillimi i çështjeve kryesisht është një atribut i çdo prokurori dhe jo më i drejtuesit të prokurorisë e aq më pak i Prokurorit të Përgjithshëm.

Pra duket se prokurorët për t’i shpëtuar ndonjë penalizmi nga vonesat e hetimeve kanë preferuar më mirë të përfundojnë çështjet e kallëzuara nga qytetarët apo institucionet se sa të nisin hetimet vetë për çështje të caktuara që mund të vijnë nga denoncime publike apo rrethana të tjera.

Prokuroria e Përgjithshme pranon 27 oficerë të policisë gjyqësore me ligjin e shfuqizuar

Pesë ditë pasi hyri në fuqi ligji i ri për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore, 27 persona të rinj do të pranohen në policinë gjyqësore me ligjin e vjetër, duke iu shmangur në këtë mënyre kritereve të vendosura në kuadër të reformës në drejtësi.

Procedura e konkurrimit në fakt ka nisur që në muajin mars, rreth tre javë para se Komisioni për Sigurinë Kombëtare miratoi projektligjin “Për Funksionimin e Policisë Gjyqësore”, por fazat e konkurrimit nuk kanë përfunduar të gjitha.

Duke verifikuar datat rezulton se në 15 mars 2019, Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar për 27 vende vakante për oficerë të policisë gjyqësore, ndërsa më 12 prill ka nxjerrë procedurat e konkurrimit për oficerë të policisë gjyqësore. Më 15 maj, prokuroria ka publikuar listën e 171 kandidatëve për oficerë të policisë gjyqësore që kalojnë në fazën e dytë të konkurrimit, që do të jetë intervista në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas njoftimit, intervistat të do realizoheshin sipas grafikës nga data 20 maj deri në 25 maj.

Por çfarë ndodh?!

Në kohën kur është hapur procedura me ligjin e vjetër për oficerë të rinj të policisë gjyqësore, pra më 15 mars 2019, projektligji i ri për policinë gjyqësore ishte dërguar në Kuvendin e Shqipërisë dhe pikërisht më 9 prill, Komisioni për Sigurinë Kombëtare e ka miratuar projektligjin. Ndërkohë më 25 prill, ligji i ri është miratuar edhe nga Kuvendi, pra 17 ditë, pasi prokuroria vijonte të publikonte procedurat për oficerët e policisë gjyqësore, duke u bazuar ende në ligjin e vjetër. Më 17 maj, Presidenti i Republikës e ka dekretuar ligjin e ri, ndërkohë që dy ditë para këtij dekreti, Prokuroria e Përgjithshme kishte dhënë njoftimin për fazën e dytë të konkurrimit, sërish me ligjin e vjetër. Më 20 maj, ligji i ri është botuar në fletoren zyrtare, ku sipas njoftimit ka hyrë në fuqi menjëherë. Por, në datat 20-25 maj, prokuroria  ka realizuar intervistat për 171 kandidatë, duke u bazuar në ligjin e vjetër, ndërkohë që tashmë është në fuqi ligji i ri, kështu që 27 oficerët e rinj të policisë gjyqësore i shmangen në këtë mënyrë kritereve të vendosura në ligjin e ri.

Një burim nga Prokuroria e Përgjithshme tha për RealStory.al se ky nxitim nuk është bërë për t’iu shmangur kritereve të reja, por është kryer për shkak të ngërçit të krijuar gjatë procesit të Vettingut, pasi prokurorët janë ngarkuar me dosjes, të cilat po vonohen në hetime. Por nga ana tjetër, policia gjyqësore është edhe një strukturë e lakmuar pas ndryshimeve ligjore të reformës në drejtësi që kanë sjellë rritjen e pagave deri në nivelin e 60 për qind të prokurorit. Megjithatë, nga Prokuroria e Përgjithshme deklarohet se nuk ka shkelje të ligjit, pasi procedurat e konkurrimit kanë nisur që në muajin mars, pra para se të hyjë në fuqi ligji i ri. Gjithsesi, ligji i vjetër për policinë gjyqësore ka kritere më të lehta se ligji i ri, duke  filluar që nga mënyra e përzgjedhjes, e deri te arsimi apo eksperienca, që në këtë rast do të shmangen nga Prokuroria e Përgjithshme.

Kreu i KLP: Shoqëria civile të monitorojë reformën

Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, i pranishëm gjatë takimit prezantues të dokumentit metodologjik “Monitorimi i Integritetit Gjyqësor”, u ndal te reforma në drejtësi. Ibrahimi tha se një rrugë tashmë e përdorur në Shqipëri është ndërhyrja legjislative dhe se magjistratët po kontrollohen intensivisht.

“Ky projekt ka përfshirë gjithë aktorët të drejtësisë. Ky është një instrument për të monitoruar reformën e drejtësisë duke garantuar integritetin e sistemit të drejtësisë. Magjistratët e vendit kalojnë në kokën e gjilpërës si asnjë sistem tjetër. Shoqëria civile duhet të bëhet faktor, të monitorojë zbatimin me reformave kyçe për vendin. Detyra e shoqërisë civile duhet të angazhojë sa më shumë projekte për të monitoruar aspekte të veçanta të zbatimit të reformës në drejtësi. Ky dokument është konsultuar me shumë aktorë duke ofruar instrumentin e nevojshëm për monitorimin e reformës në drejtësi”, tha ai.

Reforma në Drejtësi, Gjonaj: Nuk ka kthim pas

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj tha se reforma në drejtësi është në rrugën e saj të mbarë dhe nuk do të ketë asnjë kthim pas pavarësisht pengesave.

Në fjalën e saj në takimin prezantues të dokumentit metodologjik “Monitorimi i Integritetit Gjyqësor”, e para e ministrisë së Drejtësisë përcolli një mesazh të fortë për të gjithë faktorët politikë, të cilëve iu kërkoi që të jenë të bashkuar dhe të lënë ndasitë mes tyre. Për ministren Gjonaj zbatimi i reformës në drejtësi  është një ngjarje historike për vendin.

 “Zbatimi i Reformës në drejtësi është në një moment vendimtar. Sa e rëndësishme ishte  ndërtimi i saj, aq e rëndësishme është edhe zbatimi reformës në drejtësi. Zbatimi i saj, pavarësisht pengesave është në rrugën e mbarë dhe nuk ka kthim pas.

Shqipëria si rrallë herë ndërmori një proces  të jashtëzakonshëm për vlerësimin kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ky është një sukses i vlerësuar së brendshmi, por edhe nga aktorët ndërkombëtar.  Pas më shumë se dy vitesh, dy shtyllat kryesore të Drejtësisë janë ngritur mbi baza të shëndosha dhe kjo do të krijojnë një drejtësi për qytetarët. Në këtë proces të ri reformues, vlerësoj maksimalisht rolin e ndërkombëtarëve me ekspertizës që i kanë dhënë zbatimit të reformës në drejtësi. Në këtë proces vlerësojmë edhe rolin  e shoqërisë civile.

Ashtu siç janë  të mirëpritura  kritikat e shoqërisë civile që kryhen për pasjen e një sistemi të denjë drejtësie për qytetarët.   Zbatimi i reformës në drejtësi është  një ngjarje  historike. Kjo është për tu bashkuar dhe jo për të shkaktuar ndasi politike”-tha ajo.

Skip to toolbar