UEFA “gradon” Enea Jorgjin, i beson Spanjën në kualifikueset e Euro 2020

Enea Jorgji vijon të bëjë hapa të rëndësishëm në karrierën e tij si arbitër i FIFA, pasi së fundi i është besuar gjykimi i një tjetër ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare. Arbitri elbasanas, së bashku me tre arbitra të tjerë shqiptarë, do të gjykojë ndeshjen kualifikuese të Euro 2020 mes Ishujve Faroe dhe Spanjës, që do të zhvillohet më 7 qershor.

Lajmin e ka konfirmuar për “RealStory.al” vetë Enea Jorgji, që prej vitesh mban stemën e FIFA. “Po, jam përzgjedhur për të gjykuar ndeshjen Ishujt Faroe-Spanjë. Unë do të jem arbitër kryesor në këtë takim. Asistentët e mi do të jenë Ridigert Çokaj nga Lezha dhe Rejdi Avdo nga Tirana. Arbitër i katërt do të jetë Juxhin Xhaja”, u shpreh fillimisht Enea Jorgji.

Për Enea Jorgjin kjo do të jetë hera e parë që gjykon Spanjën, ekip që ka fituar Kupën e Botës dhe të Kampionatin Europian të futbollit më herët, duke e shtuar shumë përgjegjësinë e arbitrit shqiptar. Megjithatë, më herët atij i janë besuar edhe sfida të tjera të rëndësishme, siç ishte ndeshja Hungari-Estoni vitin e kaluar, e vlefshme për Nations League.

Por ndeshja e radhës ndërkombëtare, do të jetë shumë e rëndësishme për arbitrin shqiptar, pasi performanca e tij do të jetë deçizive për karrierën. Pas kualifikueseve, gjatë muajit qershor pritet të ketë ndryshim në vazot e arbitrave të FIFA-s.

Aktualisht Enea Jorgji është në vazon e dytë dhe shpreson kapërcimin në vazon e parë, duke  u bërë pjesë e arbitrave më të mirë në botë. Nëse kjo arrihet, Enea Jorgji së shpejti mund të gjykojë edhe ndeshje në nivele më të larta, në grupet e Champions League apo gara si  Kampionati Europian apo Kupa e Botës.

Skip to toolbar