“Shkodranet xheloze” kërcënojnë shoqen me video intime

Dy femra ranë në prangat e policisë pasi përmes një video intime kërcënuan shoqen e tyre, me publikim të saj nëse nuk u jepte paratë e kërkuara. Shtetaset Ersada Fregjaj, 28 vjeçe dhe Merita Bregu, 46 vjeçe u arrestuan, pasi në bashkëpunim me njëra-tjetrën, nëpërmjet kanosjes, i kanë marrë shumën 50 000 lekë një shtetaseje. Dy gratë kërcënuan shoqen e tyre me një regjistrim të sajin në momente intime me një burrë.

Në kushtet e presionit, shtetasja i ka dhënë paratë dy grave, por më pas është penguar dhe i ka denoncuar ato në polici.  Arrestimi i dy grave u bë gjatë operacionit të koduar “Truma”,  në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua shuma 50 000 lekë dhe dy aparate celulare ku ndodhej videoja kërcënuese. 

Vrau kushëririn në Shkodër, burg të riut

Marash Arra do të qëndrojë dhe 40 ditë në burg. Ky është vendimi i Gjykatës së Shkodrës ndaj 25-vjeçarit që dyshohet se është autor i vrasjes së kushëririt të tij, shtetasit Lazër Arra. Prokuroria e qytetit Veri-Perëndimor kërkoi të enjten burg me afat 40 ditë për shtetasin Marash Arra, deri në përfundimin e ekspertimit të rrobave dhe provave të tjera plotësuese.

Gjyqtarja Ermira Dedja pranoi kërkesën e prokurorisë duke lënë në qeli të riun. Marash Arra dyshohet se është autori i vrasjes së shtetasit Lazër Arra, me të cilin kishte lidhje familjare. Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën në fshatin Shosh të Dukagjinit në Shkodër.

Lazër Arra, 55 vjeç kishte shkuar në fshat për të mbledhur prodhimet bujqësore, por gjeti vdekjen. Ai u gjet nga dy të afërm të tij në mesin e rrugës i vrarë me dy plumba, u raportua fillimisht. Megjithatë, pas hetimeve paraprake, policia arrestoi personin i cili kishte telefonuar policinë për ngjarjen, shetasin Marash Arra, i cili ishte kushëri i Lazër Arra.

I riu vrau djalin e xhaxhait. Policia zbardh ngjarjen e Shkodrës

Policia e Shkodrës zbardh vrasjen e shtetasit Lazër Arra. Me anë të një komunikate zyrtare, Blutë e Shkodrës njoftuan se arrestuan shtetasin Marash Arra 26 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri në Shkodër. I arrestuari  është kushëriri i viktimës Lazër Arra.

Ky shtetas, sipas policisë, të hënën në 21 tetor dyshohet se vrau me armë zjarri kushëririn e tij 55 vjeç në fshatin Palaj, në njësinë administrative Shosh. Sipas policisë, motivet e krimit dyshohet se janë për shkak të konflikteve të mëparshme mes dy familjeve. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Por si ndodhi ngjarja?

Të hënën rreth mesditës, salla e policisë në Shkodër u njoftua për një vrasje në zonën e Dukagjinit, në njësinë administrative Shosh. Pas hetimeve paraprake, u raportua se  viktima ishte shtetasi Lazër Arraj, 55 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas u gjet i vrarë nga të afërm të tij në mes të rrugës, u tha fillimisht.

Personat që  gjetën trupin e pajetë ishin të afërm të tij, dy djemtë e xhaxhait. Një prej tyre ishte pikërisht shtetasi Marash Arra, i cili tashmë është vënë në prangat e policisë si autor i dyshuar për vrasjen. Ndërkohë, shtetasi Lazër Arra kishte shkuar të hënën në fshatin Palaj për të mbledhur prodhimet bujqësore, të cilat do t`i merrte me vete në banesën e tij në Shkodër.

Vrasja e 55-vjeçarit, arrestohet kushëriri

Policia e Shkodrës arrestoi një person i dyshuar si autor i vrasjes së 55-vjeçarit Lazër Arraj, i cili mbeti i vrarë të hënën në zonën e Shoshit në Dukagjin.

Ndonëse ende nuk ka dalë me komunikim zyrtar, Policia e Shkodrës arrestoi djalin e xhaxhait të viktimës, ndërsa janë shoqëruar në komisariat babai dhe vëllai i tij.

Dyshohet se autor i vrasjes është personi i cili të hënën lajmëroi në komisariat se kishte gjetur të vrarë shtetasin Lazër Arraj. Ai u gjet i vrarë me dy plumba, ndërsa ishte lënë në mes të rrugës. Lazër Arraj ishte 55 vjeç.

Ai jetonte në Shkodër, ndërsa në malësinë e Shoshit kishte shkuar për të mbledhur disa prodhime bujqësore.

Nipërit e tij lajmëruan policinë për ngjarjen e rëndë. Më pas, efektivët Blu të Shkodrës shkuan në zonë, duke arrestuar autorin e dyshuar. Motivet e vrasjes së Lazër Arraj mbeten ende të pazbardhura.

Vritet 55-vjeçari dhe hidhet në rrugë

Rreth orës 12:00 të mesditës, një person është qëlluar për vdekje në malësinë e Shoshit në zonën e Dukagjinit në Shkodër.

Vitkimë e ngjarjes së rëndë është Llazër Arraj (Pjetrushi), 55 vjeç nga fshati Palaj në zonën e Shoshit.

55-vjeçari është gjetur në mes të rrugës, i qëlluar me dy plumba. Sapo është njoftuar, Policia e Shkodrës është nisur drejt vendit të ngjarjes për të zbardhur vrasjen.

Një telefonatë mërriti në sallën operative të policisë së Shkodrës, duke njoftuar ngjarjen e rëndë. Ende nuk dihen motivet e vrasjes.

Viktima është gjetur në rrugë nga të afërm të tij. Ai ishte duke u kthyer nga Shoshi në Shkodër, pasi banonte në qytet.

Lazër Arraj kishte shkuar në fshat për të marrë zahireë e dimrit. Ndërkohë, policia është duke vijuar punën për identifikimin e autorit.

Helmohen 19 nxënës në Shkodër, dyshimet e para

Rreth 19 nxënës të një shkolle në Postribë të Shkodrës, janë paraqitur në spital me shenja helmimi gjatë ditës së enjte. Sipas mediave lokale të qytetit të Shkodrës, dyshohet se shkak i helmimit është konsumi i ushqimit në një fast-food pranë shkollës, por nuk përjashtohet mundësia që shkak të jetë dhe uji i pijshëm në shkollë.

Pasi shkuan në shtëpi, fëmijët shfaqën shqetësime duke iu drejtuar me urgjencë spitalit të Shkodrës. Mjeku i urgjencës së këtij spitali, Astrit Lahi, shprehet se në mbrëmje “janë paraqitur 15 raste”, por më pas numri është shtuar.

Fëmijët janë paraqitur me temperaturë të lartë, të vjella dhe shqetësime të tjera, që vijnë nga helmimi. Pas ngjarjes, autoritetet vendore në Shkodër nisën hetimet. Policia, AKU, Inspektorati Shëndetësor por dhe Prokuroria, janë duke hetuar rastin dhe pritet një përgjigje zyrtare.

Plagosi shokun me thikë, arrestohet i riu në Shkodër

Policia e Shkodrës zbardhi një ngjarje të rëndë, të datës 4 korrik të këtij viti, ku pas një konflikti për motive banale, mbeti i plagosur një i ri.

Sipas një njoftimi të  Policisë së Shtetit, mësohet se është arrestuar shtetasi A.SH., 20 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim për plagosjen e një 19 vjeçari, me inicialet I.P.

Ngjarja ndodhi në 4 korrik të këtij viti në lagjen “Qemal Stafa” në Shkodër, ku 20-vjeçari A.SH., qëlloi me thikë 19-vjeçarin me inicialet I.P.

Dy të rinjtë patën një konflikt me tyre për arsye banale, ku mësohet se i plagosuri pati sharë bashkëmoshatarin e tij nga familja. Më pas, shtetasi me inicialet A.SH. e qëlloi me thikë shokun, duke e lënë të plagosur rëndë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” e “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Humbi jetën në ring, boksieri bullgar luante me identitet fals

Bota vajtoi boksierin e gabuar. Boksieri bullgar, i cili humbi jetën në ring gjatë ndeshjes pak ditë më parë në Shkodër, ka luajtur me identitet fals. Bullgari që u paraqit si Isus Velichkov në ndeshjen e boksit “Shkodra Boxing Night” në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në të vërtet ishte Boris Stanchov, 21 vjeç. Boksieri 21-vjeçar ka përdorur licencën dhe kartën e kushëririt të tij Isus Velichkov, në ndeshjen kundër durrsakut Ardit Murja. Ai ra pa ndjenja në ring dhe u dërgua në spital, ku humbi jetën nga një arrest kardiak.

Megjithatë kur të gjithë qanin humbjen e jetës së Isus Velichkov, në fakt rezultoi se ai ishte Boris Stanchov, i cili e kishte të ndaluar të merrte pjesë në ndeshje. Kjo ka bërë që ai të përdorte një identitet të rremë.

Sipas Isus Velichkov, Boris luante me licencën e tij që prej 2018, ndërsa u shpreh mjaft i tronditur nga vdekja e papritur e tij. “Që nga viti 2018 ai kishte qenë duke luftuar me kartën time. Ai më tha që kishte një problem dhe trajneri i tij e dinte. Nuk e di pse ai luftoi me kartën time. Ai tha se nuk dëshironte të kishte humbje në emrin e tij.”

Boksieri bullgar ka rënë pa ndjenja në ring, teksa zhvillohej raundi i pestë i ndeshjes mes tij dhe durrsakut Ardit Murja. I gjithë episodi tragjik ndodhi në sy të kamerave dhe spektatorëve, ndërsa shkak i vdekjes ka qenë një arresti kardiak.

Trafikonin emigrantët kundrejt pagesës, arrestohen shkodranët

Dy persona janë arrestuar pasi po tentonin të kaloni ilegalisht 3 emigrantë nga pika doganore e Hanit të Hotit drejt Malit të Zi.

Policia arrestoi në flagrancë P. Gj., 26 vjeç, banues në fshatin Berdicë e Sipërme në Shkodër dhe S. G., 25 vjeç, banues në fshatin Dragoç të Shkodrës, pasi po transportonin 3 shtetas të huaj të tjerë kundrejt pagesës.

26-vjeçari, i cili po drejtonte makinë tip “Fiat” në bashkëpunim me shokun e tij, po transportonin tre shtetasit e huaj në drejtim të Malit të Zi dhe prej andej drejt Europës.

Dy të arrestuarit akuzohen për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt përfitimit monetar.

Masakra ndaj pyjeve, 5 drejtorë e inspektorë nën hetim në Shkodër

Në vijim të operacionit të koduar “Maranaj” policia e Shkodrës ka nisur hetim penal ndaj 5 inspektorëve dhe drejtorëve të pyjeve për shpërdorim detyre.

Gjatë hetimeve u zbuluar se janë prerë në mënyrë të paligjshme pyjet në qarkun e Shkodrës, ndërsa është bllokuar edhe 30 m³ lëndë drusore pa dokumentacionin shoqërues. Kjo ka bërë që përveç arrestimit të abuzuesve, të nis procedimi penal edhe nga punonjësve të Inspektoratit të mjedisit dhe pyjeve. Policia ka nisur hetimin penal ndaj: Gj. Gj., 57 vjeç,  Drejtor i Pyjores, Bashkia Malësi e Madhe, N. D., 48 vjeç  Inspektor i ISHMPUT Malësi e Madhe, P. Gj., 61 vjeç, teknik i pyjores Malësi e Madhe, R. H., 49 vjeç, Teknik Pyjesh, Bashkia Shkodër, A. L., 47 vjeç, Drejtor i Shërbimit Pyjor, Bashkia Shkodër.

Të gjithë të arrestuarit akuzohen për shpërdorim detyre duke mos parandaluar rastet e abuzimit dhe prerjeve të paligjshme të pyjeve.

Skip to toolbar