Shpërthimi në Yzberisht, plagoset pronarja dhe dy punonjëset e byrektores

Mëngjesin e të mërkurës në zonën e Yzberishtit ndodhi një shpërthim i fuqishëm. Një bombol gazi shpërtheu në një byrektore, duke lënë të plagosur disa persona. Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shtetit, ngjarja ndodhi në rrugën “3 Dëshmorët”.

Të plagosur nga shpërthimi kanë mbetur pronarja e biznesit, shtetasja me inicialet K.S., si dhe dy punonjëset, shtetaset me inicialet A.M dhe M.P. Ato kanë marrë plagë të lehta, ndërsa nuk kanë rrezik për jetën.

Ndërkohë, grupi hetimor ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punon për sqarimin e rrethanave të saj. Paraprakisht dyshohet se një bobmbol gazi që përdorej në këtë biznes, ka pasur rrjedhje të gasit dhe më ka shpërthyer. Veç tre të lëndurave, nga eksplozioni janë shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Shpërthen helikopteri, shuhet familja e artistit anglez

Një aksident i rëndë ajror, që i ka marrë jetën një familje të tërë, ka ndodhur në Alpet e Zvicrës. Helikopteri me të cilën po udhëtonte familja e kompozitorit anglez, Jonathan Goldstein shpërtheu në ajër duke lënë atë, gruan e tij dhe vajzën të vdekur.

Helikopteri tip “Piper PA-28 Arrow” shpërtheu ndërsa familja fluturonte drejt Italisë. Trupat e 3 viktimave u gjetën nga policia zvicerane, ndërkohë nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar shpërthimin e helikopterit.  

Shpërthen në flakë karburanti në autostradën Lezhë-Laç, 6 të plagosur, një në gjendje të rëndë

Shpërthimi i një bombole gazi është bërë shkak për përfshirjen në flakë të një karburanti në kryqëzimin e Shën Kollit në superstradën Lezhë-Laç. Forcat zjarrfikëse dhe policia kanë shkuar në vendin e ngjarjes duke bërë të mundur evakuimin e banorëve që jetojnë pranë karburanit.

Policia dhe zjarrfikësja kanë bërë të mundur vënien e flakëve nën kontroll dhe po punojnë për shuarjen e tyre.

Nga shpërthimi raportohet se janë plagosur 6 persona, njëri prej të cilëve është nisur drejt repartit të djegies në Tiranë. 5 të plagosurit e tjerë janë jashtë rrezikut për jetën.

Shpërthimi mendohet se ka ndodhur nga një bombël gazi në karburant dhe më pas ka shkaktuar edhe disa shpërthime të tjera më të vogla. Policia njofton se është shmangur plotesisht rreziku i përfshirjes nga flakët i depozitave të karburantit.

Shpërthen baza ushtarake në Siberi, 6 të plagosur

Një bazë ushtarake ruse në Siberi është përfshirë nga një seri shpërthimesh masive municionesh. Nga shpërthimi raportohet se janë plagosur 6 persona, fatmirësisht jo në gjendje kritike.  

Flakët dhe tymi i zi u ngritën në ajër gjatë shpërthimit duke terrorizuar banorët, flakë që vazhduan edhe gjatë natës. Nuk dihen ende shkaqet e shpërthimit të bazës ushtarake, megjithatë mbi 9500 persona u evakuuan për të shmangur çdo tragjedi të mundshme dhe perimetri i sigurisë u vendos me një rreze prej 20 km rreth depos së armëve.

Dhjetë aeroplanë masivë të ngarkesave Il-76 dhe pesë helikopterë Mi-8 u aktivizuan për të hedhur ujë në zonë.

Shpërthimi ndodhi në një depo të vjetër armësh, ndërsa shumë municione u shpërndanë në ajër duke dëmtuar një shkollë dhe një kopsht fëmijësh në fshatin Kamenka.  

Shpërthimi te Blloku, “Gabim njerëzor”

Shpërthimi në zonën e ish bllokut, ku mbetën të plagosur 5 persona, ka ndodhur si pasojë e një pakujdesie apo gabimi njerëzor. Ky ishte rezultati i hetimit paraprak të kryer nga Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI) , në të cilin thuhet se gabimi njerëzor ose pakujdesia çoi në shpërthimin e fuqishëm që alarmoi banorët e zonës. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, rezulton se biznesi i argjendarisë zhvillonte aktivitet edhe në katin përdhe bodrum, nga ku u nxorën edhe dy bombola të tjera nga forcat zjarrfikëse.

“Nisur nga ambienti, vendi i instalimit të bombolës, në katin nën tokë (bodrum), gjendja teknike e bombolës etj, rezulton se rrjedhja e mundshme e gazit mund të ketë ardhur si pasojë e instalimi i bombolës me pajisjen e shkrirjes së arit nëpërmjet tubit të gomës dhe krijimit të përzierjes eksploduese në kufijtë kritik. Rrjedhja e këtij gazi në ajër, sjell shpërthim të tij sapo vihet në kontakt me faktorë të jashtëm si shkëndijë elektrike, çelësi elektrik apo kyçje – s’kyçje e pajisjeve elektrike, ose ndezja e një shkrepëse. Nga veprimi i gabuar i përdoruesit që mund të jetë :

– lënia hapur e linjës së gazit, ventilit të pajisjes së saldimit (apo të shkrirjes)

– përdorimi i mjeteve ndezëse shkrepëse apo cigare.

Mbi bazën e informacioneve të grumbulluara për momentin dhe nga këqyrja e dy bombolave paraprakisht rezulton se ngjarja ka ardhur si rezultat i një pakujdesie ose gabimi njerëzor.” – thuhet në deklaratën e inspektoratit teknik

Nga shpërthimin mbetën të plagosur 5 persona, fatmirësisht jashtë rreziku për jetën. Dy prej të plagosurve ishin kalimtarë të rastit, një ishte punonjëse në argjendari dhe dy të plagosurit e tjerë ishin pronarët e biznesit.

Shpërthimi në Bllok, çfarë u zbulua në bodrumin e argjendarisë

Detaje të reja janë zbuluar nga raportet e policisë dhe të zjarrfikësve në lidhjen me shpërthimin që ndodhi mesditën e së hënës në zonën e ish Bllokut, që shkaktoi plagosjen e 5 personave, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë në spital.

Shpërthimi ndodhi në një argjendari në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë, në rrugën “Vaso Pasha”. Në fillim u tha se kishte shpërthyer bombola me hidrogjen që përdorej për mbushjen e tullumbaceve që përdoren për zbukurimin e eventeve të ndryshme. Por në të vërtetë ka shpërthyer njëra prej bombolave të mbushura me gaz propan që përdoren në argjendari për shkrirjen e floririt apo argjendit.

Sipas Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial, njëra prej bombolave ishte e mbushur me gazin propan, ndërsa tjetra me gazin kriogjen, i cili quhet ndryshe gaz teknik. Bombola e gazit kriogjen është gjetur me valvul të hapur dhe dyshohet se ka pasur rrjedhje në tubin përcjellës mes bombolës dhe pajisjes, me të cilën punohej.

Në raportin paraprak të përpiluar nga ekspertët zjarrfikës, ngjarja ka ndodhur për shkak të një pakujdesie njerëzore.

Nga tejngopja e ajrit me gaz në prani të një shkëndije në bodrum ka ndodhur shpërthimi, i cili ka shkatërruar plotësisht argjendarinë dhe dyqanin ngjitur. Nga forca shpërthyese është shkatërruar muri lidhës mes dy subjekteve tregtare, si dhe paneli i betonit në pjesën e tavanit. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar edhe 4 automjete të parkuara afër vendit të ngjarjes.

Kujtojmë, që nga shpërthimi i fuqishëm kanë mbetur të plagosur edhe pesë persona, çifti që janë pronarë të argjendarisë, shitësja e dyqanit dhe dy kalimtarë.

Spitali i Traumës raporton gjendjen e 5 të plagosurve nga shpërthimi

Shpërthimi i fuqishëm në zonën e ish-bllokut paraditen e së hënës la të plagosur 5 persona, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Në një reagim për mediat drejtoria e Spitalit Universitar të Traumës ka informuar në lidhje me gjendjen shëndetësore të të plagosurve.

Spitali i Traumës raporton se 5 persona me plagë të ndryshme janë paraqitur pranë kësaj qendre shëndetësore, ku disa prej tyre u dërguan në repartin e djegieve në QSUT.

Të plagosurit Eneda Nura, 18 vjeçe, punonjëse në argjendari, Ardanoel Serani, 23 vjeç, kalimtar i rastësishëm dhe një kalimtar me iniciale A.R, 24 vjeç janë shtruar në spitalin e Traumës. Dy kalimtarët e rastit pasi kanë marrë mjekimin e nevojshëm janë larguar nga spitali. Ndërsa punonjësja Eneda Nura ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve por jashtë rreziku për jetën.

Gjendja paraqitet e rëndë për dy pronarët e argjendarisë, Alma dhe Sokol Pira, të cilët ndodhen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në repartin e djegieve.

Shpërthimi ka ndodhur në rrugën “Vaso Pasha” duke shkaktuar një tym të madh dhe alarmuar banorët e zonës. Policia evakuoi të gjithë banorët e pallatit pasi kishte rrezik të një shpërthimi të dytë për shkak të pranisë së disa bombolave të tjera.

Shpërthimi i kontrolluar i bombës shkatërron një lagje e tërë

Forcat ushtarake britanike kanë bërë një shpërthim të kontrolluar të një bombe të Luftës së Dytë Botërore, por që në fakt la të tmerruar banorët e një lagje të tërë në Londër.

Edhe pse u morën masa duke u evakuuan 1500 banorë dhe u vendos perimetri i sigurisë, sërish shpërthimi dhe forca e tij u dëgjuan mbi 12 km larg duke shkatërruar të gjitha dritaret dhe makinat që ndodheshin rreth zonës.

Në shumë raste bomba të tilla merren dhe hidhen në një vend të largët, por në rastin e bombës së gjetur në një ndërtesë në Kingston, në jug-perëndim të Londrës nuk u veprua në këtë mënyrë.

Banorët e tmerruar thanë se ndjenin muret e shtëpive të tyre të dridheshin, ndërsa e përshkruan skenën si ‘apokaliptike’. Nëse një shpërthimi i tillë ndodhi gjatë një mënyrë të kontrolluar nga forcat ushtarake, çfarë pritej të ndodhte nëse shpërthimi i tij do të ishte i pakontrolluar.

Francë, shpërthim në pedonalen e Lyon, 13 të plagosur, mes tyre një fëmijë

13 persona kanë mbetur të plagosur, mes tyre edhe një vajzë e vogël, nga një shpërthim i fuqishëm në qendër të Lyon në Francë. Mendohet se bomba ishte vendosur mes lokaleve në një pedonale dhe në brendësi të saj ka pasur gozhdë, vida dhe bulona, që u gjetën të shpërndara në rrugë.

Sipas raporteve të policisë autori është larguar me shpejtësi me një biçikletë pas vendosjes së bombës. Fatmirësisht asnjë nga të plagosurit nuk ndodhet në gjendje kritike për jetën.

Ndërron jetë edhe major Klodian Tanushi

Ka ndërruar jetë ditën e sotme njëri nga të plagosur e shpërthimit të minës në kampin “Adazi” të Letonisë.

Major Klodian Tanushi mbeti i plagosur rëndë dhe nuk arriti t’i mbijetonte dot plagëve. Lajmin e dha vetë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka me një postim në Facebook.

“Një lajm tjetër i dhimbshëm vjen nga Letonia. Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO “Enhanced Forward Presence”, major Klodian Tanushi humbi pak çaste më parë betejën e fundit me jetën. Me zemër e me shpirt i gjendemi pranë familjes, bashkëshortes e tri fëmijëve në këtë ditë zije. Do t’ju mungojë atyre, por do të na mungojë të gjithëve ne që patëm fatin ta njohim. Do mbetesh përjetë në mendjen e zemrën tonë Klodi, miku ynë!”-shkruan Xhaçka

Nga shpërthimi humbi jetën edhe ushtarakja Zarife Hasanaj, e cila u përcoll ditën e sotme për në banesën e fundit si dëshmore e atdheut.

Skip to toolbar