Spitali i Traumës raporton gjendjen e 5 të plagosurve nga shpërthimi

AKTUALITET


Shpërthimi i fuqishëm në zonën e ish-bllokut paraditen e së hënës la të plagosur 5 persona, dy prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Në një reagim për mediat drejtoria e Spitalit Universitar të Traumës ka informuar në lidhje me gjendjen shëndetësore të të plagosurve.

Spitali i Traumës raporton se 5 persona me plagë të ndryshme janë paraqitur pranë kësaj qendre shëndetësore, ku disa prej tyre u dërguan në repartin e djegieve në QSUT.


Të plagosurit Eneda Nura, 18 vjeçe, punonjëse në argjendari, Ardanoel Serani, 23 vjeç, kalimtar i rastësishëm dhe një kalimtar me iniciale A.R, 24 vjeç janë shtruar në spitalin e Traumës. Dy kalimtarët e rastit pasi kanë marrë mjekimin e nevojshëm janë larguar nga spitali. Ndërsa punonjësja Eneda Nura ndodhet ende nën kujdesin e mjekëve por jashtë rreziku për jetën.

Gjendja paraqitet e rëndë për dy pronarët e argjendarisë, Alma dhe Sokol Pira, të cilët ndodhen në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në repartin e djegieve.

Shpërthimi ka ndodhur në rrugën “Vaso Pasha” duke shkaktuar një tym të madh dhe alarmuar banorët e zonës. Policia evakuoi të gjithë banorët e pallatit pasi kishte rrezik të një shpërthimi të dytë për shkak të pranisë së disa bombolave të tjera.




Skip to toolbar