Shkatërrohet rrjeti i drogës Shqipëri-Itali, 19 të arrestuar

19 persona kanë rënë në prangat e policisë italiane nën akuzën e trafikimit të drogës dhe veprimit si një organizatë kriminale.

Pas një hetimi 2-vjeçar, të zhvilluar në disa zona të Italisë, si në provincën e Novarës,  Pavia, Varese, Alessandria dhe Massa Carrara, policia ka mundur të sekuestrojë 50 kilogramë kokainë.

Të arrestuarit janë persona me shtetësi të ndryshme, ku përfshihen edhe shqiptarë. Droga vinte nga Shqipëria në drejtim të Italisë së Veriu.  Hetimet kanë nisur që në vitin 2017 duke përfunduar me sukses në 2019 me operacionin e koduar “Contadino”. Gjatë këtyre dy viteve janë arrestuar edhe persona të tjerë që kishin lidhje më këtë rrjet të trafikimit të drogës.

Operacion masiv anti-drogë mes Italisë dhe Shqipërisë, 17 të arrestuar

17 persona janë arrestuar në një operacion të gjerë të zhvilluar në bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Italisë. Arrestimet janë bërë në Sardenja, Emilia-Romagna, por edhe në Shqipëri.  Të arrestuarit akuzohen për organizatë kriminale, trafik ndërkombëtar droge dhe shpërndarje droge.

Arrestimet janë bërë në kaudër të operacionit të koduar ‘Rruga e Detit’  nga Departamenti Territorial i Karabinierëve të Olbia nën koordinimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Antimafiave të Cagliarit dhe të Antiterrorizmit.

Nuk dihen ende detaje të tjera në lidhje me superoperacionin e zhvilluar.

Ndeshje ne klimë të veshtirë, Cikalleshi: mund ta shfrytëzonim erën

Sokol Cikalleshi u rikthye në ekipin kombëtar duke e nisur madje si titullar takimin e së shtunës ndaj Islandës. Sulmuesi kuqezi bëri gjithçka, por fati nuk ishte me të për të shënuar. Megjithatë, pas ndeshjes, kavajasi foli për RTSH, duke u shprehur i zhgënjyer për humbjen, por me besimin se ekipi do të ndryshojë në ndeshjen ndaj Moldavisë.

Humbja? Na ka mërzitur rezultati, sepse me lojën që zhvilluam mund të bënim një ndeshje më të mirë. Për mua të jap kontributim tim është nder gjithmonë. Unë dhe Balaj e ndihmuam ekipin shumë mirë. Na vjen keq që nuk arritëm të shënonim. Nga ne pritet të shënonim, jemi disi të pezmatuar të rezultati.

Kthimi shpesh në mbrojtje? E kisha si detyrë sepse kundërshtarit e përdorte shumë mirë rivënien anësore. Për këtë arsye shkova shumë në mbrojte. Pjesën e parë harxhuam shumë energji spese po kërkonim të shënonim. Ishte penallti ajo që ne pretenduam. Pjesën e dytë nuk e gjetëm forcën për të dalur shumë në sulm.

Ndryshimet? Në pjesën e dytë kishim dhe erën në disfvor, ndërsa në pjesën e parë nuk e përdorëm si duhet. Goli na uli disi vetëbesimin. Por nuk dorëzohemi, do fitojmë. Me trajnerin e ri treguam që mund të luanim. Më vjen keq për rezultatin.

Ndeshja me Moldavinë? Me Moldavinë besoj se do të jetë ndeshje ndryshe. Islanda ishte shumë e fortë fizikisht, edhe trajneri i bëri zgjedhjet sipas ekipit. Luftuam shumë mirë, nuk pësuam gol nga goditjet standarde. Me Moldavinë duhet me arrit fitore, por nuk duhet me fol këtu por duhet bërë një ndeshje shumë të mirë.

Zyrtari amerikan: Zgjedhjet nuk shtyhen. Opozita të respektojë Kushtetutën!

Damon Wilson kryesoi të martën delegacionin e Kongresit Amerikan në Shqipëri të cilët zhvilluan takime me krerët më të lartë të shtetit. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë Wilson, që mban postin e drejtorit ekzekutiv të organizatës amerikane Atlantic Council, tha në një intervistë televizive se zgjedhjet në Shqipëri duhet të mbahen në kohën e caktuar, pra më 30 qershor.

Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për veprimet e ndërmarra nga opozita, si djegia e mandateve, braktisja e parlamentit dhe zhvillimi i protestave të dhunshme, duke i cilësuar këto praktika që dëmtojnë demokracinë në vend.

“Kam pasur mundësinë gjatë vizitës time në Tiranë, për të takuar Presidentin e Republikës, kryeministrin e vendit dhe anëtarë të parlamentit dhe ata në opozitë. Unë jam një mbështetës i fortë i aleancës Amerikane me Shqipërinë dhe mbështes fort evolucionin e saj demokratik. Kemi parë qeveri të ndryshme, tranzicion dhe pushtet dhe këto janë pjesë e demokracisë.

Unë jam pak i shqetësuar në këto momente sepse mendoj se është me rëndësi që institucionet demokratike që shqiptarët kanë ndërtuar t’i përdorin ato, që të mund të funksionojnë. Që njerëzit të kenë mundësinë për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë përmes kutisë së votimit, për t’i bërë të qarta qëllimet e tyre përmes demonstratave paqësore dhe për të marrë rolin e tyre në parlament për të shprehur kundërshtimet e tyre dhe shqetësimi im tani është se ne po shohim pak përpjekje që po shtyjnë në thelbin kushtetues të demokracisë këtu dhe unë besoj fort në atë që partitë politike t’i pranojnë përgjegjësitë e tyre, duke pranuar mandatet e tyre duke përfaqësuar idetë e tyre përmes mjeteve kushtetuese dhe mendoj se është shumë e rëndësishme sepse Shqipëria përfaqëson fytyrën e saj në botë duke e bërë të qartë se Shqipëria jo vetëm që është gati për Bashkimin Europian, por se Shqipëria është një vend i mirë për investime të huaja dhe për këtë njerëzit duan të shohin një nivel të caktuar stabiliteti politik, institucione demokratike që funksionojnë dhe një sistem drejtësie që përgjigjet ndaj këtyre detyrave dhe kërkesave.

Prandaj mendoj se tani është një sfidë fatkeqe ku kemi disa parti që janë larguar nga mandatet e tyre në parlament, që herë pas here janë përfshirë në akte dhune në proteste dhe mendoj se në një Shqipëri moderne që është në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe aleatë e Nato-s, do të shpresoja që këto praktika të jene pjesë e të shkuarës dhe të shikojmë ushtrimin e demokracisë në këtë vend. Ne duhet ta institucionalizojmë mënyrën sesi nuk biem dakord me njeri tjetrin. Nuk mundet të ndodhë që fituesi i merr të gjitha dhe duhet që zgjedhjet të ndodhin sipas planifikimit”, tha Wilson në një intervistë për News 24.

I pyetur për zgjedhjet ai tha se duhet të respektohet kushtetuta dhe zgjedhjet të zhvillohen në datën e caktuar.

“Ekziston një proces kushtetues. Në SHBA kemi një mandat katër vjeçar presidencial, dy vite për dhomën e përfaqësuesve, gjashtë vjet për senatin, dhe ndonjëherë kjo kohë shërben mirë për një parti dhe ndonjëherë është koha më e keqe për një parti për të shkuar në zgjedhje. Këtu në Shqipëri keni rregullat tuaja dhe proceset kushtetuese dhe kodin zgjedhor dhe mendoj se është me rëndësi që të ndiqet ai kod. Keni zgjedhje lokale që mbahen në fund të qershorit që duhet të mbahen sipas planifikimit, keni zgjedhjet parlamentare që mbahen pas disa vitesh dhe duhet t’i përmbaheni. Mendoj se është një ushtrim për muskujt e demokracisë për të treguar se strukturat, institucionet dhe sistemi që keni ndërtuar po i shërben popullit”, tha Wilson, i cili vlerësoi reformën në Drejtësi dhe tha se Shqipëria meriton hapjen e negociatave me BE-në.

Në Shqipëri vetëm 2 milionë votues

Pak ditë më parë Ministria e Brendshme prezantoi listën e qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote për zgjedhjet e 30 qershorit. 3.45 milionë shqiptarë e janë me moshë madhore mbi 18 vjeç, duke pasur mundësi për të ushtruar edhe vullnetin e zgjedhësit.

Sipas studimit më të fundit të Pew Research Center mbi emigracionin, rreth 41% personave me shtetësi shqiptare të moshës madhore (18 vjeç e sipër) jetojnë në vende të tjera të botës (Greqi, Itali, SHBA, Gjermani, etj.).

Duke ndërthurur këto të dhëna, rezulton se në Shqipëri banojnë vetëm 2.1 milionë zgjedhës, ndërsa rreth 1.44 milionë të tjerë jetojnë jashtë saj.

 Ndërkohë, sipas vlerësimit të përafërt të INSTAT-it, numri i banorëve të rritur (18 vjeç e sipër) në Shqipëri është rreth 2.2 milionë (ku përfshihen edhe shtetas të huaj me banim në Shqipëri).

  Për këtë arsye, shifrat e Peë Research Center mund të jenë më të vlefshmet për përcaktimin e numrit të zgjedhësve me banim këtu.

Ish-kryeministri italian apel opozitës shqiptare: Bojkoti s’ka kuptim!

“Nuk ka sens që opozita të mos marrë pjesë në zgjedhje”. Kështu është shprehur në një intervistë për Report Tv, ish kryeministri italian, Massimo D’Alema. Ai u ka bërë thirrje politikanëve në Shqipëri që t’i japin fund protestave të dhunshme dhe të ulen në tryezën e bisedimeve. D’Alema i bëri apel opozitës që të ndalë aktet e dhunës dhe të zhvillojë protesta paqësore.

 “Natyrisht, përtej së gjithash zgjedhjet zhvillohen nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve kështu që zgjedhjet në Shqipëri janë konsideruar të rregullta nga ana e vëzhguesve ndërkombëtare. Dhe natyrisht që opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhje. Nuk ka sens qe opozita të mos marre pjesë në zgjedhje. Protesta demokrate duhet te shprehet ne forma demokratike.

Unë si mik i Shqipërisë jam i shqetësuar për tonet e pakuptueshme e të ashpra që ka marrë konfrontimi politik në vendin tuaj, dhe në bazë të zgjedhjeve dhe sjelljeve që nuk janë të kuptueshme. Ajo që unë shpresoj sinqerisht është që të rifillojë dialogu kombëtar dhe që të jetë e mundur të kthehemi në një përballje civile midis forcave kryesore të politikës.

Një vend demokratik si Shqipëria që është në rrugën e integrimit europian, ideja qe opozita te dezertojë parlamentin është e papranueshme, kështu që apeli im, është të rifilloj dialogu për të mirën e këtij vendi që nuk mund të pranojë motivet e një përplasje kaq të ashpër që në fund sipas meje përfundon me largimin e qytetareve nga politika. Unë njoh shumë qytetar shqiptarë të cilët janë të tronditur përballë kësaj përplasje të cilët ndihen të huaj sepse nuk mund të kuptojnë arsyet e kësaj përplasjeje kështu që ftesa ime është të reflektojnë, të mbizotërojë mirëkuptimi dhe të rimarrin rrugën e një dialogu ndërmjet forcave partiake me të mëdha në vend”, u shpreh D’Alema.

Ndërkombëtarët janë të gjithë në një linjë qëndrimi. Ata i bëjnë thirrje opozitës që t’i japë fund protestave të dhunshme dhe të gjejë gjuhën e dialogut me qeverinë.

Analiza e Washtington Post: Ballkani po tradhtohet nga BE

Washington Post i ka kushtuar një artikull të veçantë marrëdhënieve të BE-së me Ballkanin Perëndimor dhe cështjes së integrimit, duke konkluduar se BE duhet të hapë negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë. Në një analizë të gjatë Washington Post thotë se BE ka 16 vite që i premton Ballkanit, por asgjë nuk është bërë deri më sot. “Përgjatë 16 viteve të fundit, Brukseli i ka premtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor, që janë edhe rajoni më vulnerabël i Kontinentit të vjetër, se e ardhmja e tyre është në Bashkimin Euorpian, por gjatë vitit të fundit, Brukseli ka kryer një rrokullisje të madhe, duke vënë dyshim idenë e zgjerimit”, thuhet në shkrimin me titullin “Si Bashkimi Evropian po e tradhton Ballkanin Perëndimor”. Sipas shkrimit të Jasmin Mujanovic, politiolog i specializuar në  politikën e Europës Juglindore, tema e zgjerimit është zhdukur nga axhenda e liderëve të BE, ndërsa kujton edhe rrezikun rus, kinez dhe turk në Ballkan.

“Ndërsa shtetet anëtare hyjnë në zgjedhjet e Parlamentit Europian, Komisioni Europian pa asnjë pengesë e ka hedhur idenë e vitit 2025 si data e ardhshme më e hershme për një raund të ri zgjerimi. Por në Paris, Emmanuel Macron është i qartë: Nuk do të ketë zgjerim, të paktën jo në të ardhmen e parashikueshme. Edhe në Berlin, zgjerimi është bërë politikisht një temë toksike”, vazhdon analiza.

Por Washington Post thotë se BE ende mund të ndryshojë kursin dhe këtë mund ta bëjë duke hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Ajo duhet të fillojë formalisht negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe të paktën të lejojë statusin e kandidatit të Bosnjes. Kjo do të stabilizojë njëkohësisht anijen.

Detyra e madhe, megjithatë, është krijimi i një plani afatgjatë të qëndrueshëm për rajonin, i cili do të sjellë jo vetëm një angazhim të besueshëm ndaj normave dhe praktikave liberale-demokratike, por edhe një pengesë të fuqishme ndaj pëlqyrave të Rusisë”, thuhet në shkrim.

E për këtë, Washington Post analizon që nëse BE rrëshqet nga komuniteti euro-atlantik, liderët europianë do të fajësojnë vetëm veten e tyre. Nëse BE nuk zgjerohet, politika e Ballkanit shumë shpejt do të bëhet e dëshpëruar dhe e rrezikshme, sidomos për vetë Bashkimin Europian.

“Ende ka hije të së kaluarës në Shqipëri, refuzohet dialogu me kundërshtarin”

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt ka dhënë mesazhe të qarta për politikën shqiptare, ndërsa ka reaguar për herë të parë pas sulmit në rezidencën e tij me shënimin në mur “turp të kesh”.

Ambasadori Borchardt ka qenë sot i pranishëm në konferencën ndërkombëtare shkencore “Fytyra e armikut të popullit gjatë diktaturës së proletariatit në Shqipëri, 1944-1990”, ku ka bërë krahasime të regjimit komunist me zgjatime dhe sjellje të ngjashme të politikës së sotme.

Borchardt tha se zgjatime të së kaluarës totalitare ka ende dhe në Shqipëri dhe se sulmohet kush vendos fakte kundër mitit.

“Po në Shqipëri – sa të gjata janë hijet e së kaluarës totalitare këtu? Sa më shumë nxehet debati, aq më shumë dëgjojmë anatemime në grup të atyre që mendojnë ndryshe. Nuk dëgjojmë argumente kundër pikëpamjeve të tyre. Flitet dhe shkruhet për të zhbërë karaktere – dhe jo për fakte apo argumente logjike kundër qëndrimit që ata përfaqësojnë. Refuzohet dialogu me kundërshtarin politik. Sulmohen ata që përpiqen të vendosin faktet kundër mitit.

Pra, hijet janë të gjata. Tepër aktorë politikë kryesorë, herët a vonë, përfundojnë duke akuzuar njëri-tjetrin me metaforat dhe retorikën karakteristike për mënyrën sesi metoda e “armikut të popullit” e kupton politikën dhe jetën publike. Kjo vazhdon ta dëmtojë shoqërinë edhe sot, shumë kohë pasi regjimi politik diktatorial vrastar ka dhënë shpirt, përmes mbajtjes gjallë të perceptimit se një person i vetëm mishëron kombin dhe ka pushtetin të përcaktojë dhe ndëshkojë armiqtë në emër të një nocioni të fabrikuar të moralit, që gjoja rrjedh nga masat”, u shpreh ai.

Kohët e fundit ambasadori i OSBE-së është sulmuar nga përfaqësues të opozitës.

Islandë-Shqipëri, nis shitja e biletave, ja ku i gjeni!

Veç biletave për ndeshjen me Moldavinë, të cilën kombëtarja jonë do t’a luajë në Elbasan, FSHF ka nxjerrë në shitje edhe biletat për ndeshjen me Islandën që do të luhet në transfertë, më 8 qershor.

Të gjithë tifozët e interesuar, të cilët kanë dëshirë të ndjekin kombëtaren në këtë ndeshje në transfertë, do të kenë mundësi që biletat ti blejnë online në faqen e federatës.

“Federata Shqiptare e Futbollit, njofton të gjithë të interesuarit së kanë dalë në shitje biletat e ndeshjes eliminatore të EURO 2020, Islandë-Shqipëri, përballje e cila do të zhvillohet në datën 8 qershor 2019, ora 13:00 me orën islandeze dhe 15:00 me orën tonë”.

“Kjo ndeshje do të zhvillohet në stadiumin “Laugardalsvöllur”, adresa Laugardalur IS-104, Reykjavik, Islandë”.

“Biletat për përballjen e kuqezinjve, do mund ti blini online në websitin e FSHF-së. Në shitje do të gjeni 2 kategori biletash si mëposhtë:

Biletat në sektorin J dhe K kushtojnë 5,330.00 L.
Biletat në sektorin B kushtojnë 7,280.00 L”, shkruhet në njoftimin e FSHF-së.

Kapen 205 kg drogë në kufirin Shqipëri-Mali i Zi

Një sasi e madhe drogë që vinte nga Shqipëria është sekuestruar në Malin e Zi.

Plot 205 kg kanabis sativa është gjetur në lumin Buna, në vendin e quajtur Sutjel në territorin e Komunës së Ulqinit.

Droga ishte e ndarë në 7 çanta dhe po transportohej nga 4 persona, të cilët janë larguar sapo kanë parë patrullën e policisë kufitare.

Policia po heton për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Skip to toolbar