Greqia mbështet anëtarësimin në BE, nëse Rama plotëson këtë kusht

“Greqia do të mbështesë anëtarësimin e Shqipërisë, nëse respektohen të drejtat e minoritetit grek” ka deklaruar kryeministri grek Alexis Tsipras gjatë një interviste për “Financial Times”. Tsipras ka thënë se mbrojtja e të drejtave të minoritetit grek është një ndër kushtet kryesore për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, madje këtë ia ka shpjeguar edhe kryeministrit Rama.

“Marrëdhëniet greko-shqiptare kanë qenë të vështira duke përfshirë kufijtë detar, ligjin teknik të luftës që ka ekzistuar mes dy vendeve që nga viti 1945 dhe statusin e minoritetit etnik grek, aktualisht të ngecura pas një dialogu premtues të nisur në nëntor të 2017-s. Nëse Shqipëria përmbush detyrimet e saj për të drejtat e njeriut, Greqia dhe unë personalisht do të mbështesim një vendim të mundshëm në qershor për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, që të nisin procesin e anëtarësimit në BE së bashku. Por ne nuk do të vëmë në rrezik procesin e anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut, nëse ka bërë progres. Do të ishte e padrejtë”. – ka thënë Tsipras

Tsipras thekson se Greqia nuk dëshiron të vendosi kushte tepër të ngurta për vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE, por theksoi se popujt e Ballkanit kanë nevojë për një nxitje të reformave.

Kryemadhi takon emigrantët në Itali: Shqipëria ka nevojë për sistem që mbron qytetarët!

Në vijmim të vizitave jashtë vendit, Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është ndalur në shtetin fqinj, Itali. Kryemadhi, sipas një njoftimi shpërndarë nga zyra e shtypit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ka zhvilluar një takim me komunitetin shqiptar që jeton në rajonin e Bolzanos. E shoqëruar nga ish-deputetët e LSI-së, Përparim Spahiu e Viktor Tusha si dhe nga Artan Mullaymeri, Anëtar i Këshillit Territorial për emigracionin të Alto Adige pranë prefektit, Kryemadhi ka thënë në takim me komunutetin shqiptar se shqiptarët po kërkojnë të largohen nga vendi. Ndaj, sipas Monika Kryemadhit, Shqipëria ka nevojë jo për një lider të fortë, por për një sistem që mbron qytetarin.

“Bashkë me Përparimin, Viktorin dhe me shumë ish-deputetë kemi lëvizur në të gjithë Shqipërinë. Po flas për zonën e Dibrës, ishim në zonën e Kalasë së Dodës, ishim në shumë fshatra të braktisura, kishin vetëm pleq dhe plaka dhe nuk gjeje dot një djalë apo një vajzë të re. Mos flasim më për shërbimet e tjera, mungesa e infermierëve dhe mjekeve që të gjithë po na ikin në Gjermani. 82% e gjimnazistëve të Shqipërisë duan të ikin nga Shqipëria. 70% e fëmijëve në shkollat fillore nuk duan të jetojnë në Shqipëri”.

“Që do të thotë që në Shqipëri nuk do të ketë më mësues, nuk do të ketë më mjek, inxhinier, hidraulik, elektriçist, nuk do të ketë më shofer taksish, nuk do të ketë më njerëz që do të punojnë në administratë. Flisni çdo ditë me familjarët tuaj në Shqipëri, por asnjëri nga ju nuk dëshiron të kthehet. Unë mendoj që Shqipëria nuk ka më nevojë për lider të fortë. Ne kemi nevojë për një sistem, i cili u del garant qytetarëve të tij. Përderisa ne të gjithë paguajmë taksa, si nga i pari deri tek i fundit, nuk ka përse sistemi të mos u përgjigjet qytetarëve të tij ”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së theksoi se ajo ka nisur një tur takimesh për të dëgjuar qytetarët, sepse për LSI-në ka një rëndësi shumë të madhe dëgjimi i zërit të tyre. “Prandaj ne kemi nisur një tur, jo për të dhënë mendimet tona, po më shumë për të dëgjuar. Sepse mendojmë se është shumë e rëndësishme për t’i dëgjuar njerëzit”, tha Kryemadhi.

Miqësorja në Paris, Shqipëria U-20 barazon me Katarin!

Ditën e djeshme kombëtarja U20 e drejtuar nga trajneri Ilir Biturku ka barazuar në ndeshjen miqësore me përfaqësuesen e Katarit për të njëjtën grupmoshë, me ndeshjen që u luajt në kryeqytetin francez, Paris.

Në pjesën e parë ishte një lojë e barabartë, e luftuar dhe me dyluftime të forta në mesfushë. Fillimi i lojës ishte më i mirë për Katarin, të cilët arritën të kalonin në avantazh në minutën e 17-të.

Pas minutës së 20-të, kuqezinjtë marrin kontrollin e lojës dhe arrijnë të shënojnë në fundin e pjesës së parë, në minutën e 44-të, me anë të sulmuesit Ildi Gruda.

Fraksioni i dytë i lojës nisi me skuadrën e Biturkut që kishte kontrollin e lojës, duke krijuar më shumë volum loje dhe duke ju afruar portës së kundërshtarit.

Trajneri kreu dhe 7 zëvëndësime duke provuar të gjithë lojtarët që kishte në dispozicion por rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe gjithçka u mbyll 1-1.

Shqipëria luajti me këtë formacion: Qarri; Lekaj, Ramadani, Sheji, Domi, Marku, Sala, Liço, Sula, Gruda, Tedi Cara ©. ( U aktivizuan: Shala, Oshafi, Murati, Ismailgeci, Çobo, Çelhaka, Gecaj

Hahn: Rekomandimin për Shqipërinë e pres para verës

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, ka shprehur besimin e tij se BE do të marrë një vendim pozitiv për Shqipërinë për hapjen e negociatave. I pyetur nëse ky vendim do të vijë në tetor, Hahn tha se ai beson se vendimi do të merret para verës.

 “Jam i fokusuar për të arritur një vendim të BE-së para verës. Sepse ky është qëllimi ynë. Ne do ta paraqesim raportin tonë pas dy javësh dhe me siguri do të japim një rekomandim pozitiv”, u shpreh Hahn.

Ndërkohe, pyetur për kërkesen e Holandës për pezullimin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, Hahn theksoi se nuk ka nisma nga vendet anëtarë për të ndërmarrë këtë hap.

Gjermania pro hapjes së negociatave, por dënon dhunën e opozitës

Ministri i shtetit për çështjen evropiane në Gjermani, Michael Roth është shprehur se Shqipëria meriton hapjen e negociatave me BE-në, ndërsa e cilësoi të papranueshme dhunën e ushtruar nga opozita gjatë protestave.

Këtë deklaratë ministri gjerman e ka bërë gjatë takimit që ka zhvilluar me ministrin shqiptar në detyrë, Gent Cakaj, i cili zhvillon një vizitë zyrtare në Berlin.

“Ministri Roth rikonfirmoi mbështetjen e Gjermanisë, e cila mbetet maksimalisht e angazhuar për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe vlerësoi se për këtë, respektimi i institucioneve demokratike dhe kushtetuese është themelor.

Ministri gjerman vlerësoi ritmin e reformave dhe inkurajoi autoritetet shqiptare të vijojnë me punën e mirë që është bërë. “SHQIPËRIA KA AVANCUAR SHUMË NË RRUGËN E INTEGRIMIT DHE MERITON HAPJEN E NEGOCIATAVE”, u shpreh Ministri Roth. Ai konfirmoi se Gjermania mbetet një mbështetëse e fuqishme e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.

Ministrat vlerësuan se vendimi për hapjen e negociatave është i rëndësisë strategjike jo vetëm për të shtuar ndërlidhjen institucionale, por edhe për BP në tërësi dhe se Procesi i Berlinit duhet parë si instrument i integrimit evropian”, njofton ministria e Jashtme.

“Në një moment kyç( të rendësishëm), jam shumë i shqetësuar nga dhuna e përdorur në protestën e fundit të opozitës. Një mesazh shumë i qartë për opozitën : Dhuna nuk është aspak e pranueshme. Ndërkohë ne vazhdojmë të mbështesim perspektivën europiane të Shqipërisë. Na duhet të mbajmë premtimet e dhëna”, është shprehur ministri gjerman në këtë takim.

Miqësorja me Katarin, Kombëtarja U-20 nis grumbullimin në Paris!

Shqipëria e 20 vjeçarëve është grumbulluar në kryeqytetin e Francës, Paris, për ndeshjen miqësore që do të zhvillojë me Katarin U-20. Trajneri Ilir Biturku ka grumbulluar 18 lojtarë për këtë ndeshje që do të luhet ditën e mërkurë në datë 15 Maj.

Kuqezinjtë janë grumbulluar në Marcoussis Center, në Paris, ku sot dhe nesër do të zhvillojnë dy seanca stërvitore përpara ndeshjes së të mërkurës e cila fillon në orën 18:00.

Për këtë ndeshje miqësore do të vëzhgohen lojtarë të datëlindjeve 1999-2000, kryesisht nga kampionati shqiptar, kjo për faktin se jo të gjithë lojtarët që dëshiron të testojë trajneri Biturku mund të vinin për faktin se nuk është një datë zyrtare nga FIFA.

Më poshtë gjeni listën e lojtarëve të grumbulluar:

Ekskluzive: Nga trajneri gjerman për stolin e Shqipërisë te Rashica, Altin Lala tregon gjithçka!

Për Armand Dukën, periudha 25 mars deri më 10 prill, ka qenë kohë e ngjeshur me telefonata, takime dhe analiza emrash trajnerësh, për të zjedhur pasardhësin e Christian Panuccit në krye të stolit të Kombëtares. Altin Lala është një prej ish-lojtarëve të ekipit kombëtar të Shqipërisë, që vijon të jetë pranë futbollit duke punuar si menaxher lojtarësh. Kjo detyrë i jep mundësi ish-kapitenit kuqezi, që ketë njohje të mira me trajner të huaj.

Për këtë arsye, Armand Duka, ashtu si dhe me ish-futbollistin tjetër të kombëtares Edvin Murati, ka pasur një bisedë me Lalën, duke i kërkuar këtij të fundit që t`i sygjerojë një emër për trajner të ekipit kombëtar. Michael Skibbe është emri që Lala i ka sygjeruar Armand Dukës, por që palët nuk kanë shkuar në negociata pasi, ish-ndihmësi i Rudi Feler te kombëtarja gjermane, kishte firmosur një kontratë me akademinë e Dortmundit.

Megjithatë, emri i Skibbe del për herë të parë në skenë, si një kandidat që mund të merrte drejtimin e Kombëtares kuqezi. Sakaq, Lala analizon emërimin e Edi Rejës në krye të stolit të ekipit përfaqësuese, duke vlerësuar eksperiencën e trajnerit italian. Në fund, ai zbulon për “RealStory.al”, se pas shpërthimit të Milot Rashicës, futbollist që menaxhohet nga Altin Lala, ka nisur interesimi i klubeve të mëdha për sulmuesin e përfaqësueses së Kosovës.

Altin, si të duket emërimi i Edi Rejës si trajner i ekipit kombëtar?

Është emër i njohur në futbollin italian. Shpresoj që ai të njihet sa më shpejtë me skuadrën dhe pastaj të zbatojë idetë e tij për të marrë rezultate pozitive.

Me që ka pasur menaxhim vetëm klube, i trembesh këtij fakti, pasi s`ka eksperiencë me ekipet kombëtare?

Absolutisht jo, ai ka shumë eksperiencë por është dhe njeri që ka energji pozitive. Kjo është diçka pozitive për të transmetuar energji dhe në skuadër. Mbi të gjitha mendoj se trajneri i kombëtares dhe trajneri i klubeve ka diferenca, por jo në të punuar. Madje ke më tepër kohë për të vëzhguar lojtarët dhe për të krijuar grupin. Më pas për t`i transmetuar idetë futbollistëve. Kështu që mendoj se eksperienca që ka ai do të jetë diçka pozitive.

Nëse bën një krahasim me Panuccin, si e sheh Edi Rejën në raport me ish-trajnerin, duke pasur parasysh aspaketin professional si ish-futbollist?

Futbollisti dhe trajneri janë dy gjëra krejt ndryshe. Panucci ka qenë futbollist i mirë, ndërsa Edi Reja ka qenë trajner i mirë. Kjo është ajo që unë do thoja nëse bëjmë një krahasim mdisi tyre. Panucci është i ri në pozicionin e trajnerit dhe natyrisht që ka akoma për të mësuar. Në shumicën e rasteve, lojtarët e mëdhenj janë bërë rrallë trajner po ta marrim në proporcion. Është Mourinho që ka luajatur në ligën e dytë, apo Guardiola që ka luajtur me Barcelonën por nuk ka qenë lojtari më i mirë në ekip. Unë  e shoh ndryshe, pasi duke qenë “lojtar i madh” ndonjëherë bën më shumë gabime.

Shumë lojtarë të ekipit kombëtar luajnë në ligat italiane, mendon se Armand Duka synon trajnerët italian prej këtij fakti, apo ka diçka tjetër sipas teje?

Kemi dhe mentalitetin shumë të ngjashëm me italianët. Fakti që shumë shqiptar jetojnë në Itali është diçka pozitive. Suksesi që patëm me Gianni De Biassin është një precedent, gjuhën e kuptojnë shumica e shqiptarëve, diçka që sipas mendimit tim është pozitive. Natyrisht kemi pasur dhe trajner gjerman siç ka qenë Brigeli, që ka qenë pozitive për kohën. Megjithatë, zgjedhja e Edi Rejës mendoj se është shumë pozitive. Trajneri ka eksperiencë, ka akoma energji të punojë dhe pastaj do t`ia lëmë kohës.

Kontrata e trajnerit të ri është deri në fund të muajit nëntor kur përfundojnë kualifikueset e Euro 2020, si e vlerëson këtë fakt?

Për mendimin tim është zgjidhja më e mirë e mundshme për të dyja palët. Nga njëra anë trajneri ka kohë pët të treguar vlerat e tij, ndërsa në krahun tjetër federata nuk ka rrezik të madh. Në qoftë se kjo nuk do të funksionojë, ka mudësi për të gjetur një trajner tjetër. Megjithatë, unë shpresoj që ai të rinovojë kontratën dhe të vazhdojë për disa vite me Shqipërinë. Them që do ishte gjëja më e mirë.

Altin, Edvin Murati, si menaxher futbolli, i ka propozuar Armand Dukës një emër për trajner të kombëtares. Ju keni pasur kontakt, me që jeni menaxher dhe a i keni propozuar një emër konkret kreut të FSHF-së për përfaqësuesen?

(Qesh), po, i kam sygjeruar dhe unë një emër gjerman. Michael Skibbe, tani ka shkuar në Dortmund tek akademia. Ka qenë ndihmësi i Rudi Feler te kombëtarja Gjermane, ka qenë te Liverkusen. Është një njeri shumë pozitiv. Mirëpo ai ka pasur kontratë dhe mbeti vetëm si sygjerim pa influencuar te presidenti. Por firma me Edi Rejën mendoj se është zgjidhje e mirë, kështu që shpresoj të çdo gjë si duhet.

Me qenë se po flasim për menaxhimin, si është marrëdhënia me Milot Rashicën tani që po kalon një sukses të jashtëzakonshëm te Bremen?

Ai tani është në ritmin, që unë kam besuar se do e merrte. Ka të dhëna jashtëzakonisht të veçanta, që në futbollin e sotëm ka pak lojarë që i kanë ato të dhëna. Unë i kam thënë që duhet t`i prekësh gjërat vetë dhe t`i besosh pastaj. Për këtë më bëhet qejfi, pasi që nga janari deri tani ka marrë një emër shumë të madh në Bundesligë dhe në Europë. Emri i tij tani përflitet shumë, kështu që idea është që të mbajë ritmin konstat, pasi ka dhe faza ku mund të mos japësh më të mirën. Por ai ka kualitet të jashtëzakonshëm, që dhe në një lojë të keqe, mund të nxjerr një assist, apo mund të shënojë një gol nga hiçi. Kjo është e veçanta që ka Miloti dhe për këtë gjë ai akoma duhet të jetë në “Hight Level”.

Kanë nisur klube të huaja ti bjenë telefonit Altin Lalës për Milot Rashicën?

Për momentin ka shumë klube që interesohen, por s`mund të them emra sepse nuk është serioze. Ka inters nga klube të mëdhaja, por është gjë që duhet menduar hap pas hapi. Ai duhet të mbajë këtë ritëm, sepse dhe klubi i Verder Bremenit është klub nga ku kanë dalë lojtarë që kanë shkuar te Real Madrid apo diku tjetër. Ka potencial që të zhvillohet dhe më mirë dhe të jetë më i qëndrueshëm.

Mund të bëhet Rashica lojtari më i suksesshëm shqiptar në histori, duke pasur parasysh vlerën e transferimit që mund të arrijë si lojtar dhe klubin ku mund të luajë në të ardhmen?

Unë e kam thënë pesë vjet më parë. Nga të dhënat që ka ai mund të bëhet një nga lojtarët më të mirë të Shqiptarisë. Është në rrugën e duhur, por duhet të shkosh deri në fund të kësaj rruge. Nëse vazhdon me këtë ritëm, padyshim që do ketë sukses. Ka talentin, por mbi të gjitha është djalë i mirë dhe kjo është pozitive, pasi mund të jesh futbollist i mirë, por mund të jesh dhe “idiot”. Rashica është lojtar shumë i mirë por dhe djalë shumë i mirë. I kam thënë që mos merr për idhull Kasanon apo Balotelin, këto “palaço” që nuk e dinë ku janë. Të jesh futbollist i mirë mbi të gjitha duhet të jesh dhe njeri me karakter.

Presidenti polak: BE të hapë dyert për Shqipërinë

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, i pranishëm në samitin e Brdo- Brijunit në Tiranë i bëri thirrje shteteve të BE që të mbajë të hapura dyert e anëtarësimit dhe të pranojë Shqipërinë në gjirin e saj.

 “Me një mbështetje të mençur me këto vende që do të bëhen pjesë e BE-së në të ardhmen, duhet t’i mbajë dyert e hapura për anëtarësim. Mendimi im përsa i përket politikës së BE-së do të duhet të jetë e dyerve të hapura. Ne jemi pjesë e saj prej 15 vitesh, jemi të lumtur, mbështetja e polakëve është mjaft e madhe dhe gëzojnë lirinë që solli”, tha Duda.

Nga ana tjetër, ai bëri thirrje që për zgjidhjen e problemeve mes vendeve fqinje duhet që të lihet pas historia dhe të diskutohet me qetësi.

“Diskutimet që po zhvillohen mes liderëve në një atmosferë më të qetë, janë të rëndësishme për procesin e stabilitetit pasi çojnë drejt zgjidhjeve të problemeve të rajonit, që më pas do të bëjnë zhdukjen e dallimeve që janë të dukshme. Në vendin tim dhe në vendet fqinje kanë ndodhur këto dukuri gjatë dhe pas luftës. Kjo është pjesë e historisë sot dhe çështjet mund të diskutohen më me qetësi, të qartësohen çështjet në rrugën drejt BE-së, të zgjidhen nëpërmjet dialogut mes liderëve, dialogut mes kombeve, në procesin e ndërtimit të prosperitetit dhe rritjes së standardeve të jetesës. Është detyrë e shteteve të BE-së që ta kuptojnë dhe ta mbështesin këtë proces”, u shpreh Andrzej Duda në konferencën për mediat gjatë Samitit Brdo Brijunit.

Pack: Për Bashën dhe Ramën kam të njëjtat kritika

Eurodeputetja Doris Pack gjatë një eventi të organizuar në Shkodër ka folur për krizën politike në vend, procesin e vettingut dhe shpresat që BE ka në ecjen përpara të Shqipërisë. Pack tha se drejtësia duhet të gjej rrugën të bëhet e pavarur dhe të korruptuarit të dalin para gjykatës.

“Problemi është se drejtësia është në dorë të politikës, në momentin që kjo ndryshon atëherë do ketë një sistem drejtësie që funksionon. Keni vettingun që shpresojmë të ndryshojë situatën. Të korruptuarit duhet të dalin në gjykatë por gjykatë s’ka dhe këtë nuk e kuptoj. Ju duhet ta zgjidhni këtë çështje.” – tha Pack

Gjithashtu Pack cilësoi se si për Ramën, si për Bashën, ka të njëjtat kritika që të punojnë në rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

“Me z.Rama kam patur diferencat e mia dhe ajo që mua më intereson është mirëqenia e qytetarëve. Nuk më interesojnë partitë dhe politika. Kush punon për mirëqenien ajo është politika më e mirë. Edhe Basha po të jetë do t’i them të njëjtat gjëra.”

SHBA, Zvicër dhe Shqipëria, 3 vendet më të sigurta në rast lufte

Ndërsa tensionet mes SHBA dhe Kinës shtohen dhe përshkallëzojnë, ka bërë që shumë njerëz në botë, sidomos britanikët, të mendojnë se shumë shpejt do të zhvillohet një Luftë e Tretë Botërore. Kjo ka bërë një gazeta “Daily Express” të bëj një studim se kush do të ishin vendet më të sigurta, nëse një lufte e tillë do të niste vërtet. Ajo rendit 3: SHBA, Zvicrën dhe Shqipërinë, për shkak të numrit të tyre të bunkerëve që kanë për strehimin e popullsisë.

Shumë nga shtetet amerikane kanë një rrjet bunkerësh. Qeveria e SHBA për herë të parë krijoi bunkerë të fshehtë gjatë Luftës së Ftohtë. Ndërsa Zvicra është unike në këtë drejtim, pasi ajo ka bunkerë nëntokësorë mjaftueshëm për të akomoduar gjithë popullsinë e saj. Në vitin 1963, ligji zviceran diktonte se të gjitha shtëpitë mbi një madhësi të caktuar të ndërtonin edhe një bunker nëntokësor përkrah kësaj.

Ndërsa Shqipëria me më shumë se 170 000 bunkerë u ndërtuan midis viteve 1960 dhe 1980, gjatë komunizmit që llogaritet si 5.7 bunkerësh për çdo kilometër katror në Shqipëri ose një bunker për çdo katër shqiptarë. Ato u ndërtuan gjatë një kohe krize ekonomike dhe strehimi dhe asnjëherë nuk u përdorën për mbrojtje nga lufta. Edhe Suedia me një numër të lartë bunkerësh mund të strehojë në bunkerët e saj 7 milionë njerëz në rastin e një lufte apo fatkeqësie

Vendet më të rrezikshme në botë në rast lufte janë Libia, Somalia, Jemeni, Afganistani, Sudani dhe Mali.

Skip to toolbar