Banka Botërore: Shqipëria po plaket me ritme të shpejta

Një skenar i Bankës Botërore mbi projeksionet e popullsisë së Shqipërisë në tri dekadat në vijim tregon se vendit po i vjen pleqëria në mënyrë jo të natyrshme.

Popullsia mbi 60 vjeç pritet të rritet shumë shpejt duke arritur sa 45% e popullsisë në moshë pune, 15-65 vjeç.

Ajo që për vende të zhvilluara të Evropës ka ndodhur për dekada, në Shqipëri po ndodh brenda vitit. Në vitin 2018, raporti i varësisë së të rinjve (raporti i popullsisë 0-14 vjeç me popullsinë 15-64 vjeç) ka shënuar rënie në krahasim me vitin 2017, nga 26,0% në 25,4%, ndërsa raporti i varësisë së të moshuarve (raporti i popullsisë 65+ me popullsinë 15-64 vjeç) ka shënuar rritje nga 19,4% në 20,1% për të njëjtën periudhë.

Banka Botërore parashikon se deri në vitin 2050, pensionistët do të jenë sa gjysma e popullsisë në moshë pune, shkruan gazeta DITA. Por, duke qenë se jo e gjithë popullsia në moshë pune punon, me shumë gjasa, numri i pensionistëve do t’i afrohet numrit të personave që punojnë. Ky tranzicion demografik në të cilin është futur vendi, lajmëron vështirësi për skemën e pensioneve në një periudhë jo të largët.

Projeksionet e Bankës Botërore përfshijnë zhvillimet nga viti 1967 dhe parashikime deri më 2050. Raporti i varësisë ndaj të moshuarve në vitet 1970 ka qenë vetëm 8% dhe ka qëndruar në këto nivele deri në vitet 1990. Por me ndryshimin e regjimit komunist, popullsia e vendit u përfshi në tranzicion, me lëvizje të shumta të popullsisë brenda dhe jashtë vendit dhe mbi të gjitha, me rënie të numrit të lindjeve. Raporti i varësisë për moshat e vjetra arriti në mbi 20% vitin e kaluar, duke u rritur më shumë se parashikimet.

Në vitin 2011, kur u bë censi i fundit, varësia e të rinjve ndaj popullsisë në moshë pune ishte 30% dhe për të moshuarit 17%. Përqindja e fëmijëve do të ulet më tej (në 17% në vitin 2020, gjysma e përqindjes së vitit 1989) dhe ajo e të moshuarve do të trefishohet në 15% krahasuar me vitin 1989, shkruan Monitor.

Praktikat e vendeve të tjera që kanë kaluar tranzicione të ngjashme të popullsisë, kanë vërtetuar se konsumi udhëhiqet nga moshat e reja. Në kohën e “babyboomers” pas Luftës së Dytë Botërore, për fëmijët 0-14 vjeç në SHBA u shpenzuan 400 miliardë dollarë më shumë se për grupmoshat e tjera.

Ndryshimi i popullsisë në favor të moshave të vjetra nuk është lajm i mirë për kompanitë e teknologjisë që kanë konsumatorë pararojë të rinjtë.

Italia rezolutë për hapjen e negociatave për Shqipërinë

Italia mbështet integrimin e Shqipërisë në BE dhe këtë mbështetje e ka shprehur me hapa konkret duke miratuar një rezolutë në Parlamentin italian që kërkon çeljen e negociatave me Shqipërinë.

Lajmi u bë i ditur nga vetë kryetari  i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi, i cili falënderoi homologun e tij italian Roberto Fico. Ruçi e konsideroi Italinë një fqinj të çmuar dhe partner i fuqishëm për Shqipërinë, marrëdhëniet mes të cilave sa vijnë edhe forcohen.

“Mirënjohje për Rezolutën në mbështetje të negociatave. Italia, fqinj i çmuar dhe partner i fuqishëm. Të bindur për mbështetjen e Italisë në KE në tetor”, ka thënë Ruçi.

Në tetor pritet që BE të vendos për çeljen ose jo të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në raportin e Komisionit Europian theksohet se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj, duke rekomanduar hapjen e negociatave.

Eurostat, Shqipëria me jetëgjatësi më të lartë se Rajoni

Shqiptarët pritet të jetojnë mesatarisht deri në 77.9 vjeç, ku femrat pritet të jenë një jetëgjatësi 4 vjet më shumë sesa meshkujt, sipas të dhënave që janë publikuar nga Eurostat për pritshmërinë për të jetuar kur lind.

Në raport me vendet e tjera të rajonit, jetëgjatësia është më e lartë. Më e ulët është në Bullgari, Rumani (rreth 75 vjeç), Serbia (75.3), Maqedonia e Veriut (75.5), Mali i Zi (76.5), Kroacia (77.8).

Për femrat shqiptare, ky tregues është më i lartë sesa meshkujt, me gratë që janë pritshmëri për të jetuar deri në 80.1 vjeç dhe meshkujt 76.4 vjeç.

Pritshmëria për të jetuar kur lind është numri mesatar i viteve që një fëmijë i porsalindur pritet të jetojë, duke pasur parasysh kushtet aktuale të vdekshmërisë dhe probabilitetit për të ndërruar jetë në çdo moshë.

Ndonëse në raport me vendet e rajonit, pritet të jetojmë më gjatë, kur krahasohemi me mesataren e Bashkimit Europian, jemi më poshtë, sidomos për gratë.

Pritshmëria për të jetuar kur lind në Bashkimin Europian u vlerësua në 80.9 vjeç në vitin 2017, duke arritur në 83.5 vjeç për gratë dhe 78.3 vjeç për burrat, me një diferencë prej 5.2 vitesh.

Shteti ku pritet të jetohet më gjatë në Europë është Spanja (83.2 vjeç), i ndjekur nga Zvicra dhe Italia (82.9 të dyja), Qipro (82.5), Franca (82.4).

Me gjatë femrat jetojnë në Spanjë (86.1 vjeç), ndërsa meshkujt në Zvicër (80.7)

Sipas Eurostat, në të gjitha shtetet anëtare pritshmëria për të jetuar kur lind është më e lartë për gratë sesa për burrat, megjithëse diferenca ndryshon në mënyrë të dukshme. Diferenca më e madhe mes dy sekseve është në Letoni (9.9 vjet), Lituania (9.8 vjet) dhe Estoni (8.8 vjet). Diferencat më të vogla janë në Suedi (3.3 vjet) dhe Holandë (3.2 vjet).

Edhe Shqipëria renditet mes vendeve që ka diferencë të ulët në jetëgjatësinë e pritshme mes meshkujve dhe femrave, ku gratë pritet të jetojnë 4.1 vjet më shumë se burrat./ Monitor

Rama falënderon SHBA: Nuk lejuan që Shqipëria të rrëzohej në 30 qershor

Partia Socialiste ka mbledhur Asamblenë Kombëtare, e paralajmëruar për zhvillimin e një analize të gjerë brenda socialistëve pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Ishte Kryeministri Edi Rama ai që mbajti fjalën e hapjes në asamble, duke e nisur diskutimin e tij me një falënderim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që sipas shefit të qeverisë, garantuan mbajtjen e zgjedhjeve të 30 qershorit dhe nuk lejuan që Shqipëria të rrëzohej.  “Shqipëria u lëkund por nuk u rrëzua. Kjo dhe falë mbështetjes së SHBA ndaj shqiptarëve, në mbështetje të lirisë së zgjedhjeve dhe të të drejtës të çdo qytetari për të zgjedhur. Kështu që ma ha mëndja, se kur të flitet për këtë moment, nuk do të harrohet roli i aleatëve tanë, për të cilin nuk do të jetë kurrë mjaftë falënderimi për gjithçka bën. Shqipëria sot është çliruar nga makthi i gjithë gjysmës së parë të vitit, por mbetet në një plagë të hapur, por mbetet në nevojë për shumë kujdes politikë”.

Më pas, Rama foli për zgjedhjet e 30 qershorit dhe atë që do të ndodhë pas tyre, kryesisht në bashkitë e djathta, që tashmë do të qeverisen nga socialistët. Kryeministri u shpreh se shqiptarët e bën të tyren më 30 qershor, ndaj tashmë është radha e Qeverisë, për të treguar përgjegjshmëri dhe përulësi ndajndaj vullnetit të shqiptarëve.  “Qytetarët shqiptarët e bën të tyren mësëmiri, qoftë ata që votuan, në numra që kaluan edhe pritshmëritë më optimiste për mënyrën se si u zhvillua gjithë procesi deri në 30 qershor, dhe në në një numër votash për kandidatët tanë, që është një bazë shumë domethënëse për të vijuar më tutje. Por tani është radha jonë që të bëjmë tonën, duke e ndjerë forcën e vullnetit të rishprehur të shqiptarëve, jo si një arsye për tu ndierë ne më të fortë, por si një arsye për tu përulur shumë më tepër ndaj tyre, për të reflektuar sa më shumë ndaj tyre”, tha Rama.

Ndërkohë, duke folur pak për kundërshtarët politikë, Rama u shpreh se 30 qershori është një ditë historike, pasi pas kësaj date nuk do të ketë më djegie mandatesh apo molotov. Sipas tij, ata që guxuan të bëjnë këtë gjë, e kanë pësuar përgjithmonë. “Shqipëria nuk do të shohë më djegie mandatesh, nuk do të shoh më parti molotovësh, nuk do shoh më as fronte politike kundër. Ata e guxuan dhe e ndërmorën këtë aventurë e pësuan jo vetëm për vete por edhe për të gjithë ata të tjerë që vijnë pas, besoj përgjithmonë. Por ne nga ana jonë është shumë e rëndësishme që ta besojmë deri në fund, se ne nuk fituam nga që kemi bërë vetëm punë shumë të mira”, tha Rama duke shtuar: “Nuk fituam as sepse kemi bërë aq sa mjafton, se ne nuk kemi bërë shumë punë të mira, sepse kemi bërë edhe punë që më mirë të mos i kishim bërë fare. Sepse i kemi bërë gabim, ndonjë edhe keq. Sidoqoftë punët e bëra deri këtu nuk mjaftojnë më pas 30 qershorit, rendimenti ynë qeverisës nuk mjafton aspak pas 30 qershorit, sidomos niveli i shërbimit të njerëzve të zakonshëm, jo vetëm nuk mjafton, por nuk na nderon fare. Dhe duhet të na shqetësojë shumë fare, të gjithëve. Dhe kjo është gjëja që ne duhet ta kuptojmë thellësisht dhe me të cilën duhet të jetojmë çdo ditë”shtoi kryeministri.

Sipas Edi Ramës, e vetmja meritë e PS për 30 qershorin ishte qëndresa në anën e duhur të historisë. “Ne kemi vetëm një meritë, në fitoret historike të shetit dhe qytetarëve në 30 qershor. Kemi meritën që qëndruam në anën e duhur të historisë, që bëm zgjedhjen më të vështirë. Kjo meritë është padiskutim një shprehje e natyrshme e asaj që ka qenë dhe duhet të jetë Partia Socialiste. Këtë herë PS nuk ju shmang mundësisë së përplasjes sy më sy dhe dhëmbë më dhëmbë. 30 qershori është histori, ndërsa dy vitet e mbetura të mandatit tonë qeverisës, janë një borxh më i madh se sa ishte për ne si histori. Janë një borxh i shumëfishuar ndaj të gjithë atyre që i dhanë Shqipërisë fitoren e 30 qershorit”, tha Rama.

Von der Leyeni: Do të mbështes hapjen e negociatave për Shqipërinë

Një ditë para votimit të kandidaturës së saj për presidente e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen deklaroi mbështetjen e saj për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më herët Von der Leyen iu dërgua një letër nga grupi i  Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian ku kërkonin mbështetjen e saj për integrimin e dy vendeve në mënyrë që të shprehni gatishmërinë e tyre për ta mbështetur në votim.

Von der Leyen i ktheu përgjigje letrës duke deklaruar se “ishte e përkushtuar në fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për anëtarësim të ardhshëm në BE. Ballkani Perëndimor duhet të kuptohet më seriozisht” duke mbështetur kështu politiken e dyerve të hapura për integrimin e vendeve në BE.

PE letër Ursula Von der Leyen: Të mbështesim nëse i thua “po” negociatave me Shqipërinë

Grupi i socialistëve dhe demokratëve në PE i kanë kërkuar Ursula von der Leyen, presidentes së ardhshme të Komisionit Europian që të mbështesë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në hapjen e negociatave. Në një letër dërguar Ursula von der Leyen, kreu i Grupit të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian, Iratxe Garcia kërkoi ndër të tjera mbështetje për hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në vitin 2019.

Votimi për kandidaturën e Ursula von der Leyen do të zhvillohet më 16 korrik që do të zgjidhet si pasardhës i Jean-Claude Juncker dhe do të ketë nevojë për mbështetjen e socialistëve dhe demokratëve dhe Renew Europe të qendrës. Grupi i socialistëve dhe demokratëve dhe Renew Europe përpara se të shprehin mbështetjen e tyre i dërgojnë Ursula von der Leyen axhendat që dëshirojnë që ajo të mbështesë si kryetarja e re e KE.

Një ndër kushtet e Grupit të socialistëve dhe demokratëve në PE është pikërisht mbështetja e integrimit të Shqipërinë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Kandidatura juaj është rezultat i refuzimit të udhëheqësve kombëtarë për të respektuar sistemin, i cili nuk është një mesazh i mirë për t’u dërguar votuesve evropianë. Kjo vendos një detyrim edhe më të madh për ju dhe Komisionin e ri Europian për të treguar se Evropa me të vërtetë punon për njerëzit, duke dhënë një program ambicioz pune që plotëson pritjet e shprehura nga qytetarët në zgjedhjet e BE” – shkruhet në letrën e Garcia

Komisioni Evropian tashmë ka mbështetur hapjen e negociatave të pranimit me dy vendet e Ballkanit Perëndimor, që do të thotë se kjo do të ishte një vazhdim i politikës së saj. Vendimi përfundimtar për këtë çështje do të bëhet nga qeveritë kombëtare.

Kryemadhi si Basha për ndryshimin, si Meta për Shqipërinë!

Disa orë pasi Lulzim Basha publikoi një video të protestës së 8 korrikut, ku fjalën më të përdorur të përshkrimit të tij kishte “ndryshimin”, shembullin e kreut të PD-së, e ka ndjekur dhe partnerja e tij opozitare, Monika Kryemadhi. Kryetarja e LSI-së, ka publikuar gjatë pasdites të së martës një video nga protesta, ku përsëri flet për ndryshimin. Megjithatë, ndryshe nga Basha, Monika është më e përmbajtur te përdorimi i fjalës “ndryshim”, pasi e përdor vetëm një herë këtë fjalë, ndryshe nga Basha, që e përdorte plotë gjashtë herë, në pesë fjali.

Monika Kryemadhi shkruan se “shqiptarët meritojnë një qeveri që mban përgjegjësi para popullit, një sistem demokratik funksional që vjen nga zgjedhjet e lira e të ndershme, një Shqipëri ku të gjithë janë të barabartë para drejtësisë, me mundësi të barabarta për punësim, mirëqenie, shëndetësi, arsim dhe ku dinjiteti njerëzor nuk nëpërkëmbet”.

“Ky është momenti për t’i dhënë Shqipërisë një shtet me institucione të forta dhe sistem që nuk çimenton kontrollin e individit mbi shtetin por garanton fuqinë e popullit mbi pushtetin. Pazaret në kurriz të shqiptarëve për karriket e politikës kanë marrë fund. Ne jemi së bashku në këtë betejë si qytetarë të barabartë që duan më shumë Shqipërinë se sa partinë. Rruga jonë është e mbushur me sfida dhe ne jemi të gatshëm t’i përballojmë. Sepse për ne Shqipëria është e para, shqiptarët janë të parët. Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët”, shkruan në komentin shoqërues të videos nga protesta.

Ndërsa në mesazhin e videos, ndër të tjera theksohet “protestat e shqiptarëve janë për ti dhënë fund tranzicionit 30 vjeçar që ka kapur  Shqipërinë”. Pra, në fakt, shefja e LSI thotë diçka të vërtetë në këtë rast, pasi ajo, bashkëshorti i saj Ilir Meta, Sali Berisha dhe disa politikanë të tjerë, kanë prej 1990-së që mbajnë Shqipërinë në tranzicion.

Merkel: Integrimi i Ballkanit Perëndimor, përgjegjësi strategjike e BE-së

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha të premten se Bashkimi Evropian synon të mbështesë partnerët në Ballkanin Perëndimor në ardhmërinë e tyre evropiane dhe të lehtësojë përparimin e tyre drejt integrimeve, sepse kjo është përgjegjësi strategjike e bllokut.

Ajo i bëri këto komente në përfundim të takimit të kryeministrave nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, me kolegët e tyre nga vendet anëtare të Bashkimit evropian në Poznan të Polonisë, për të diskutuar mbi procesin e anëtarësimit në bllok.

Takimi në Poznan është në vazhdën e atij që është quajtur procesi i Berlinit, i organizuar nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, në vitin 2014, për të demonstruar përkushtimin e Bashkimit Evropian ndaj aspiratave të rajonit për anëtarësim.

“Pra kjo nuk është një ngjarje që e bëjmë për të tjerët, por kjo është edhe në interesin tonë. Nëse e shihni peizazhin më të gjerë, vendet e Ballkanit Perëndimor janë të rrethuar me vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe këtë e shohim si përgjegjësi strategjike”, tha zonja Merkel, sipas së cilës janë shënuar përparime në rajonin e Ballkanit, por vështirësitë mbeten aty.

Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina, po kërkojnë garanci se rruga e anëtarësimit është e hapur, pasi që disa udhëheqës evropiane ngritën mëdyshjet për gatishmërinë e Bashkimit Evropian për t’u zgjeruar.

Të hënën presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se “do të refuzoj çfarëdo zgjerimi para se të kryhen reforma të thella në funksionimin institucional të Bashkimit Evropian”. Zgjerimi kërkon mbështetje të njëzëshme të vendeve anëtare.

“Pajtohem me pikëpamjet e presidentit Macron se mekanizmat e BE-së duhet të përmirësohen”, tha kancelaria Merkel. “Nuk e shoh këtë si braktisje të negociatave për zgjerim”.

Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, e kritikoi sot Bashkimin Evropian për shtyrjen hapjes së negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe i bëri thirrje bllokut që t’iu ofrojë vendeve të Ballkanit një rrugë të qartë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian shtyu për në vjeshtë vendimin për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për shkak të mëdyshjeve të disa vendeve anëtare përfshirë Francën dhe Holandën.

Serbia dhe Mali i Zi, llogariten si favorit ndërsa Maqedonia e Veriut shpreson që marrëveshja me Greqinë rreth emrit të saj, do t’i hapë dyert e BE-së.

Serbia megjithatë, nuk mund të përparojë në proces pa një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës vazhdon ta kundërshtojë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha të premten në Poznan se dallimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndonëse janë të mëdha mund të zgjidhen por ekziston një rrafsh më i gjerë politik, ku duhet të merren vendime të guximshme, tha ai duke theksuar se duhet një kuadër i një marrëveshjeje mbi bisedimet për njohjen e ndërsjellë të të dyja vendeve në kufijtë ekzistues të tyre.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, tha se nuk e kupton “çka do të thotë njohje e ndërsjellë, sepse për ne nuk është e domosdoshme njohja nga Prishtina”.

Beogradi akuzon Prishtinën se ka bllokuar procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me vendosjen e tarifave prej 100 për qind ndaj mallrave serbe në nëntorit të vitit të kaluar dhe kërkon heqjen e menjëhershme të tyre, ndërsa Prishtina akuzon Beogradin për kushtëzim bisedimesh.

Qëndrimet e pandryshuara të palëve bënë që të dështojë edhe një nismë e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emanuel Macron, për një takim në Paris në fillim të këtij muaji për ripërtëritjen e bisedimeve ndërmjet të dyja vendeve që aspirojnë integrimet evropiane. /VOA/

Shqipëria zgjeron rrjetin diplomatik, hapet ambasada në Australi

Shqipëria do të ketë ambasadë në Australi. Qeveria ka miratuar vendimin për të hapur seli diplomatike në Kanberra të Australisë. Lajmin e ka dhënë Ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj. “Qeveria e Shqipërisë sot ka marrë vendim për hapjen e ambasadës të Republikës të Shqipërisë në Kanberra të Australisë! Ky vendim është në shërbim të zbatimit të strategjisë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për të zgjeruar rrjetin e ndërveprimit politik ndërkombëtar dhe rritur numrin e përfaqësive diplomatike të Shqipërisë nëpër botë në përgjithës”, shkruan Cakaj.

Hapja e ambasadës në Australi, sipas Cakajt, ka përfitime të gjera politike dhe diplomatike. Deri më tani, marrëdhëniet diplomatike të Shqipërisë me Australinë dhe disa vende të tjera në Azi, janë mbuluar nga Ambasasda e Shqipërisë në Pekin.

“Për më shumë, hapja e Ambasadës në Kanberra do të mundëson intensifikimin e marrëdhënieve diplomatike, politike dhe ekonomike midis Shqipërisë dhe Australisë. Tutje, kjo Ambasadë do të ketë një funksion shumë të rëndësishëm edhe në ofrimin e shërbimeve konsullore për shqiptarët (dhe jo vetëm) në Australi (dhe jo vetëm). Sipas pritjeve paraprake, Ambasada në Kanberra do të ofron afërsisht 4000-5000 praktika konsullore brenda një viti kalendarik”, shkruan Gent Cakaj.

Ky vendim i Qeverisë shqiptare, vjen fill pas nënshkrimit të marrëveshjes për përfaqësi diplomatike t të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Kosovës në vende të ndryshme të botës. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk merr vlerë në rastin e Australisë, pasi Kosova e ka ngritur më herët selinë diplomatike në kontinentin australian.

Shqipëria dhe e gjithë bota pa internet për 30 minuta, bien serverat e Cloudflare

Pothuajse të gjitha vendet e Europës, Amerika Qendrore, Australia Lindore dhe disa vende të tjera në botë, ka betur për gati 30 minuta pa internet të martën më 20 korrik. Shkak është bërë një problem në serverat e Cloudflare, të cilët kanë rënë në orët e para të pasdites të së mars.

Kompania Cloudflare ka reaguar për problemin me internetin duke u shprehur se “është çështje një problem i rrjetit që është goditur. Cloudflare e ka rregulluar këtë problem dhe është duke e mbajtur nën monitorim. Ne do të përditësojmë të dhënat sapo çështja të zgjidhet përfundimisht”, duke mos dhënë arsye konkrete pse kishte ndodhur ky problem.

Pas këtij problemi te përdoruesit e serverëve të Cloudflare, ka pasur reagime të shumta nga përdoruesit në të gjithë botën, të cilët kanë shprehur indinjatën për mungesën e shërbimit të internetit.

Edhe në vendin tonë, për më shumë se 30 minuta, asnjë faqe online apo portal informativ, nuk mund të aksesohej për shkak të problemit që pati Cloudflare. Megjithatë, kjo situatë është kaluar dhe gjithçka është rikthyer në normalitet.

Edhe në vendin tonë, përdoruesit e internetit kanë pasur këtë problem, pasi serverat ranë në një moment kur lajmi më i lexuar në portale ishte deklarata e ashpër dhe e papërmbajtshme e presidentit Ilir Meta, ku dha një version për zgjidhjen e krizës, dhe sulmoi ambasadat, kryeministrin dhe gazetarët.

Skip to toolbar