Ndryshon skema e pensioneve, një pjesë e sigurimeve kalon te privati

Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) është ngarkuar që gjatë këtij viti të analizojë ndikimet që mund të ketë shtimi i kolonës së dytë në skemën e pensioneve. Bëhet fjalë për kolonën që çon një pjesë të kontributeve të sigurimeve shoqërore tek kompanitë private me detyrim.

Aktualisht skema e pensioneve në vend përbëhet nga kolona e parë që janë kontributet në shtet dhe kolona e tretë që është private vullnetare. Por çfarë ka kërkuar saktësisht Kuvendi nga AMF në rezolutën për aktivitetin në vitin 2019 dhe për detyrat në këtë vit.

“Të fillojë puna për hartimin e një dokumenti fillestar, i cili të shërbejë si orientim dhe prezantim, për nisjen e hartimit të nismave ligjore, në lidhje me zgjerimin e skemës së pensioneve private dhe rregullimin ligjor të mënyrës së organizimit të kolonës së dytë të pensioneve private. Materiali të paraqesë, pa u limituar, analizën e plotë të risqeve dhe anëve pozitive për sa u takon kapaciteteve financiare që AMF-ja beson se janë ende të lira e që parashikohet se do angazhohen në skemat e pensioneve private” thuhet rezolutë.

Me këtë kërkesë i hapet rrugë asaj që ka vite që përflitet për përfshirjen e kolonës së dytë në skemën e sigurimeve. Ekspertë të fushës llogarisin se zakonisht kontributi i detyrueshëm në këtë skemë varion 3-5 për qind e kontributeve totale që paguhen si kontribute të sigurimeve shoqërore.

Kjo do të thotë që sot dikush që është i siguruar paguan 23 për qind të pagës së tij si kontribute pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Nëse shtohet kolona e dytë një pjesë e këtyre kontributeve do të shkojnë automatikisht tek privati sipas përqindjes së miratuar. Kolona e tretë private vullnetare është në dorën e secilit për ta zgjedhur ose jo.

Nga përllogaritjet që janë bërë më herët, në kushtet kur kjo kolonë diskutohet prej vitesh rezulton që në këto skema të grumbullohen në një vit gati 13.5 miliardë lekë të cilat rriten progresivisht çdo vit. Ajo që ndodh me paratë e grumbulluara në këto skema është investimi në instrumente financiare të sigurta, diçka që përcaktohet me ligj për të garantuar kthimin e tyre./ Monitor

Skip to toolbar