Vllaznia e Teuta barazojnë. Sfidën e fiton “terri”

AKTUALITET


Një ndeshje që nisi tre herë, përfundoi pa fitues në Shkodër. Vllaznia dhe Teuta barazuan pa gola, në takimin e së dielës në mbrëmje, ku më shumë se sa ndeshja dhe rezultati, lajmin e bëri shkëputja e energjisë dy herë.

Ndeshja nisi sipas protokollit, në orën 16:30, por pas 16` lojë në stadium u ndërpre energjia elektrike. Kjo bëri që sfida të ndalej për disa minuta, deri në ndezje e gjeneratorit. Më pas ndeshja nisi përsëri, por nuk zgjati as pesë minuta, pasi “Loro Boriçi” u zhyt në terr total.


Kjo irritoi tifozët, ndërsa lojtarët u detyruan të prisnin deri në rregullimin e avarisë në stadium për të rinisur lojën. Dhe kështu, disa minuta nga ndërprerja e dytë e lojës, ndeshja nisi për të vazhduar normalisht. Megjithatë, ndoshta edhe për shkak të ndërprerjes dy herë të ndeshjes, ritmi i lojës në pjesën e parë nuk ishte i kënaqshëm, me të dyja skuadrat që rrezikuan pak në portat kundërshtare.

Në pjesën e dytë loja është me ritme më të mira, por asnjë nga ekipet nuk arrin të tund rrjetën. Kështu, skuadrat ndajnë nga një pikë, me Vllazninë që mbetet në vendin e tetë me 17 pikë, ndërsa Teuta me dy pikë më shumë, ndodhet në vendin e shtatë në renditje. Të hënë do të luhet sfida e fundit e Superligës për këtë javë ajo mes Partizanit dhe Laçit.




Skip to toolbar