Video/ Mbyllet barazim pjesa e parë e derbit Partizani-Tirana

Është mbyllur në barazim 1-1 pjesa e parë e derbit mes Partizanit dhe Tiranës. Ndeshja nisi me dy gola të shënuar brenda 10-të minutave të para të lojës. Sapo nisi loja, të dyja skuadrat nisën sulmin në portat kundërshtare. Ndaj nuk zgjati shumë dhe erdhi zhbllokimi i rezultatit.

Një gol i shënuar nga Idi Batha i dha avantazhin Tiranës në minutën e 7 ta takimit. Mesfushori bardheblu shënoi pas një asisti të bukur nga Torasa, ndërsa Batha me kokë gjeti cepin e portës së mbrojtur nga Alban Hoxha. Por festa zgjati vetëm tre minuta. Partizani u rikthye në sulm për të vendosur barazpeshën.

Në të 10`, ishte Bardhi që tundi rrjetën e Likës. Sulmuesi i të kuqve shënoi pas një rrëmuje në zonë dhe mos kontrolli të topit mirë nga portieri bardheblu. Megjithatë, skuadra e Tiranës pretendon për një pozicion jashtë loje, por gjyqtarët e takimit vendosën të quajnë të rregullt golin. Ndërkohë, atmosfera në “Air Albania Stadium” është fantastike.

Pas shënimit të dy golave, ndeshja ka qenë e ekuilibruar por me ritëm të lartë. Të dyja ekipet kanë shkuar disa herë në portat kundërshtare, por pa arritur të ndryshonin rezultatin. Kujtojmë se Tirana nuk fiton një ndeshje derbi prej 5 vjetësh ndaj Partizanit.

Para fillimit të takimit, tifozët e Partizanit i dedikuan koreografinë e tyre viktimave të tërmetit të 26 nëntorit. Ndërkohë, në tapetin e blertë parakaluan edhe forcat e ushtrisë, zjarrfikësit apo policisë, të cilët punuan për nxjerrjen e trupave nga rrënojat. Partizani ka vendosur të dhurojë një pjesë të arkëtimeve nga biletat për fondin e rindërtimit.

Foto/ Publikohen formacionet zyrtare, Lerda dhe Egbo hedhin më të mirët në fushë

Një orë para nisjes së ndeshjes derbi mes Partizanit dhe Tiranës, janë publikuar formacionet zyrtare të të dyja skuadrave. Trajneri i Partizanit Franko Lerda, zgjodhi në 11-shen e parë portierin Hoxha, në mbrojtje Bitri, Boldor, Belica, Idrizi dhe Trashi. Në mesin e fushës luan Romero, Hyseni dhe Melo ndërsa sulmi i është besuar Bardhit dhe Solomon.

Ndërkohë, trajneri i komanduar i Tiranës, Emanuel Egbo zgjodhi ta nisë lojën me Ilion Likën në portë. Në mbrojtje luan Vangjeli, Muça, Hoxhallari dhe Doka. Ndërsa në mesin e fushës do të jetë Doka, Celhaka dhe Batha. Ndërkohë, sulmi përbëhet nga treshja Halili, Kobina dhe Torasa. Arbitër kryesor i kësaj ndeshje është Enea Jorgji.

Ndeshja derbi mes Partizanit dhe Tiranës është sfida më e rëndësishme e kësaj jave. Për herë të parë kjo ndeshje do të luhet në stadiumin “Air Albania”, ndërsa deri më tani janë shitur zyrtarisht 19.000 bileta. Tirana vjen në këtë sfidë pa fitore prej të paktën 5 vjetësh, ndërsa Partizani ka dominuar vitet e fundit dhe do të tentojë të ruajë traditën.

FORMACIONET ZYRTARE:

PARTIZANI: Hoxha, Bitri, Boldor, Belica, Idrizi, Trashi, Romero, Hyseni, Melo, Bardhi, Solomon. Trajner: Franko Lerda.

TIRANA: Lika, Vangjeli, Muça, Hoxhallari, Doka, Celhaka, Batha, Halili, Kobina, Torasa, Ngo. Trajner: Emuanuel Egbo.

Gjyqtar: Enea Jorgji.

Derbi, Egbo: S`na mungon gjë për të mundur Partizanin

Trajneri që do të drejtojë Tiranën në derbi dhe ndeshjet e mbetura të kësaj faze të kampionatit, Emanuel Egbo, foli për mediat një ditë para sfidës me Partizanin. Ai u shpreh se Tirana është klubi më i madh në Shqipëri, ndërsa u shpreh se derbi duhet fituar. “Tirana është klubi më i madh në Shqipëri dhe e pranoj çdo punë. Është detyrë, pasi është klubi i zemrës. Këtu kam ardhur për herë të parë në Shqipëri. Duhet ta marrim si ndeshje të radhës. Derbi është në fokusin e Shqipërisë, ka edhe nga jashtë që duan ta shohin.  Nuk mund të flasim për objektiva, është ndeshja e radhës që duhet fituar. Objektivat janë të njëjta nga fillimi. Vendi i parë është 6 pikë larg. Do futemi në fushë për të luftuar”, the Egbo.

Emanuel Egbo është i ndërgjegjshëm se nuk mund të jetë ai trajneri i Tiranës deri në fund të sezonit, ndaj shprehet se ekipit i duhet një tjetër trajner. “Nuk mund të them a jam njeriu i duhur apo jo. Më është dhënë besimi për ta drejtuar skuadrën tani dhe Nuk më intereson a jam i duhuri apo jo. Kjo është zgjedhja e klubit . Nuk mendoj ta drejtoj Tiranën deri në fund. Duhet një me eksperiencë. Edhe unë kam drejtuar Bylisin, por Tirana do një staf të plotë. Tani jam vetëm me përgatitësin atletik. Të kalojmë këtë ngërç dhe klubi do vendosë”, tha Egbo.

Më tej, Egbo shprehet se Tiranës nuk i mungon asgjë për të fituar ndeshjen derbi. Sipas tij, fakti që Partizani është në krye të renditjes, është një motiv më shumë që Tirana të fitojë takimin e së premtes. “Nuk na mungon asgjë për të fituar. Duhet të luftojmë çdo ndeshje, duhet durim. Nuk duhet të mendojmë kohën se sa kohë kemi pa fituar dhe të dalim jashtë detyrave nga presioni. Është pak e vështirë, ata janë të parët. Ne jemi më poshtë. Një arsye tjetër që na motivon është kjo. Nesër do japim 100 për qind nga kapaciteti ynë. Me ato tre pikë mund të lehtësohet më shumë kjo situatë që po kalojmë”, shprehet trajneri.

Më tej, Egbo shprehet se Tirana do të ketë disa mungesa, por thotë se ata që do të luajnë do të japin maksimumin. “Edhe ata kanë mungesa, jo vetëm ne. Nuk kemi Hasanin, Dungën, Cale dhe Osmanin. Edhe ata që do të luajnë do të japin maksimumin në fushën e blertë”, shtoi Egbo.

Në fund, ai bëri dhe një rikthim në kohë, kur ishte vetë lojtar i Tiranës. Egbo tha se atëherë  ishte kohë tjetër, Tirana e niste gjithmonë ndeshjen me rezultatin 1-0.  “Kur isha unë, ishte epokë tjetër. Atëherë dilnim kampion. Ka pasur lojtarë më ndryshe. Kishim Fortuzin dhe sa fillonim ndeshjen e dinim që e nisim 1-0. Futbolli ka ndryshuar, nuk ka ekipe të lehta dhe të forta. E shikoni vetë nga diferenca. Atëherë ishin Tirana, Partizani dhe Dinamo. Ekipet e tjera ishin kalimtare”, përfundoi Egbo.

Partizani-Tirana, “luftë” për tribunat. Policia “mbështet” klubin bardheblu

Derbi mes Partizanit dhe Tiranës, që do të luhet të premten në “Air Albania Stadium”, është ndezur ende pa filluar ndeshja. Sapo Partizani, ekipi organizator, publikoi çmimet e biletave dhe tribunat që janë përcaktuar për tifozët e Tiranës, ka ardhur dhe reagimi i klubit bardheblu. Me anë të një deklarate në faqen zyrtare, Tirana shpreh pakënaqësinë për përcaktimin e tribunës nga Partizani. Sipas klubit bardheblu, ata kishin kërkuar që tifozët e Tiranës të qëndronin në tribunën “N”, e cila ndodhet në krahun e RTSH.

Kjo tribunë ka qenë historikisht (në stadiumin Qemal Stafa) e tifozëve të Tiranës. Por, Partizani vendosi që në stadiumin e ri, tifozët bardheblu të vendosen në tribunën “S), e cila ndodhet në krahun e parkut. Sipas njoftimit të klubit të Tiranës, të njëjtën kërkesë për tribunën ka bërë dhe Policia, por klubi i Partizanit ka refuzuar. Ndaj, sipas klubit 24 herë kampion i vendit, Policia e Tiranës ka refuzuar të marrë përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes.

“Klubi i Partizanit si organizator i ndeshjes ka përcaktuar ndarjen e sektorëve të stadiumit “Air Albania” si dhe çmimet e biletave. KF Tirana ka kërkuar zyrtarisht që ndarja të bëhet ndryshe, duke kërkuar tribunën “Fatmir Frashëri” për tifozët bardheblu, tribunë e cila përkon me krahun nga qyteti. Për shkaqe sigurie të njëjtën kërkesë ka bërë dhe Policia e Tiranës, që pas refuzimit të Partizanit, nuk merr përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes”, shkruan klubi bardheblu duke publikuar edhe çmimet e biletave për tifozët e saj.

🎫 | BILETAT | PARTIZANI -TIRANAKlubi i Partizanit si organizator i ndeshjes ka percaktuar ndarjen e sektoreve te…

Gepostet von KF Tirana am Mittwoch, 11. Dezember 2019

Largimi i Ahmataj, Egbo do drejtojë Tiranën në derbi

Tirana është pa trajner për momentin. Julian Ahmataj u largua nga drejtimi i skuadrës, pas humbjes në ndeshjen e fundjavës ndaj Kukësit. Largimi i tij erdhi 5 javë pasi mori drejtimin e skuadrës, pasi më herët u largua ish-trajneri Ardi Mema.

Për të marrë drejtimin e skuadrës janë përfolur shumë emra, nga Gugash Magani, Bledar Devolli, apo dhe dy ish-lojtarë dhe trajnerë të Partizanit, Skënder Gega dhe Sulejman Starova. Megjithatë, deri më tani klubi i Tiranës nuk ka patur asgjë zyrtare, qoftë edhe për largimin e trajnerit Ahamtaj.

Në fakt, trajneri elbasanas e konfirmoi vetë largimin nga klubi. Ndërkohë, sipas mediave sportive në vend, Panorama Sport, trajneri i portierëve Emanuel Egbo, do të drejtojë Tiranën në pjesën e mbetur të ndeshjeve në fazën e dytë. Pra, Egbo do të jetë në krye të stolit kryeqytetas edhe në ndeshjen derbi të së premtes, që do të luhet kundër Partizanit në “Air Albania Stadium”.

Shpërthim tritoli lokalit pranë Kopshtit Botanik

Një shpërthim i fortë tritoli ka ndodhur pranë një lokali gjatë natës në zonën e Kopshtit Botanik në Tiranë. Shpërthimi ka ndodhur në orën 23:55 në rrugën “Shyqyri Brari” në lokalin në pronësi të shtetasit Muhamet Hoxhes.

Nga shpërthimi fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale. Sipas policisë sasia e tritolit ishte e vendosur në pjesën e jashtme të lokalit.

Dyshimet e para të policisë janë se ngjarja mund të lidhet me djalin e pronarit të lokalit, i cili ndodhet jashtë Shqipërisë. Efektivët kanë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë në zonë, në mënyrë që të identifikojnë autorin dhe të gjithë dinamikën e ngjarjes.

Përballja me Tiranën, Ilir Daja tregon pse u takua me Halilin

Ilir Daja shpreson që me rikthimin e disa lojtarëve të dëmtuar, Skënderbeu të rikthehet në rrugën e rezultateve pozitive. Madje, trajneri i Skënderbeut synon tre pikët që në sfidën ndaj Tiranës, që do të luhet të shtunën. Këtë objektiv, Daja e shprehu të premten gjatë konferencës për shtyp në prag të sfidës ndaj bardhebluve.

“Tirana ka objektiva madhorë, si 2-3 ekipe të tjera, kanë lojtarë me eksperiencë që kanë fituar tituj. Është një ndeshje e vështirë, por si në çdo ndeshje futemi me objektivin për të fituar. Edhe pse e dimë që e kemi shumë të vështirë, për të gjithë problematikat që kemi pasur këto dy javë. Gjithsesi do të futemi në fushë të japim maksimumin”.

Dy javët e kanë ndihmuar trajnerin të përgatisë skuadrën, megjithatë formacioni mbetet ende pezull. “Kishim dy javë kohë të përgatitemi, por vetëm dy ditët e fundit grupi ishte i plotë. Kishim 4 lojtarë me kombëtaret, kurse disa titullarë ishin të diferencuar. S’kemi vendosur akoma as formacionin. Praktikisht kishim vetëm dy ditë kohë për t’u përgatitur për Tiranën”, tha Daja.

Në media është përfolur për një takim mes Ilir Dajës dhe presidentit të Tiranës, Refik Halili. Ai pohon se është takuar me presidentin e Tiranës, por ky takim ka qenë vetëm për kafe, jo për probleme sportive. “Të gjithë presidentët i takoj, pasi ky është një vlerësim për punën që kam bërë. Me të gjithë presidentët e Superiores mund të pi kafe. Nuk kam pasur një takim për probleme sportive. Thjesht takim për një kafe. Jo vetëm me Halilin, por takohem edhe me të tjerët”.

Tirana, 75 vjet nga çlirimi i saj

Si sot, 75 vite më parë, u çlirua nga pushtimi nazi-fashist, qyteti i Tiranës. Operacion i madh, nga më të rëndësishmit e më të suksesshmit që kanë zhvilluar njësitë e UNÇSH kundër forcave gjermane e bashkëpunëtorëve të tyre për çlirimin e qyteteve të Shqipërisë.  

Operacioni i mësymjes për çlirimin e Tiranës përfundoi me fitore, pas 19 ditë luftimesh të ashpra brenda në qytet, si dhe gjatë rrugëve të komunikacionit që çonin drejt tij. Më 17 nëntor Tirana u çlirua. Rol të veçantë për suksesin e operacionit luajti beteja e Mushqetasë. Lufta për çlirimin e Tiranës kishte karakterin e luftës së vërtetë ballore, ku u dukën qartë shkalla e organizimit të UNÇSH.

Në luftën për çlirimin e Tiranës, një kontribut të çmueshëm dha populli i kryeqytetit, i cili i mbështeti fuqimisht të gjitha luftimet që u zhvilluan nëpër lagjet dhe rrugët e tij. Menjëherë pas çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor 1944, me urdhër të Qeverisë së Përkohshme Antifashiste, e cila ato ditë ndodhej në Berat, një repart i ushtrisë partizane mori në ruajtje godinën qendrore të Bankës Kombëtare të Shqipërisë në Tiranë. Çlirimi i Tiranës pati rëndësi të madhe politike e ushtarake dhe kurorëzoi fitoren e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Mbyllet në barazim “Derbi i Shqipërisë”

Përfundoi në barazim pa gola ndeshja mes Tiranës dhe Vllaznisë, e njohur ndryshe si “Derbi i Shqipërisë”.

Një ndeshje luajtur me tribuna të zbrazura, për shkak të dënimit që Tirana ende vuan pas trazirave në sfidën derbi ndaj Partzanit, pordhoi pak emocione.

Sfida ishte ekuilibruar, ndërsa Tirana shfaqi më shumë rrezik në portën kundërshtare, por në fund nuk arriti të tundte rrjetën.

Tirana mbetet në vendin e tretë me 19 pikë pas sfidës të së premtes, ndërsa Vllaznia me tre pikë më pak mban vendin e shtatë në renditje.

Të shtunën do të luhen sfidat e tjera të Superligës, ajo mes Bylis dhe Skënderbeut si dhe takimi Luftëtari-Teuta. Të dielën do të luhen dy takimet e fundit të javës së 12-t të Superligës, Laçi-Kukësi dhe Flamurtari-Partizani.

Pas ndeshjeve të fundjavës, kampionati do të marrë dy javë pushim, pasi duke nisur nga fillimi i javës së ardhshme, do të luhen takimet e fundit eleminatore të Euro 2020.

Teuta barazon në fund, Lika i heq Tiranës fitoren nga duart

Ndeshja Teuta-Tirana përfundoi me barazimin 1-1 në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Ekipi bardheblu dominoi gjatë 90 minutave, por në fund u tradhtua nga një gabim i portierit Ilion Lika që i kushtoi 2 pikë skuadrës.

Bardheblutë kaluan në avantazh që në minutën e 19′ me një gol nga Ngoo duke e mbyllur pjesën e parë me 0-1. Por Teuta shënoi përmes Hoxhës në minuetin e 91’ duke mbyllur ndeshjen me barazim.

Ndeshja që pritej të mbyllej me 3 pikë për Tiranën, në fakt u mbyll me barazim dhe me vetëm 9 lojtarë për bardheblutë, pas dy kartonëve të verdhë për Hoxhallarin dhe një kartoni të kuq për Torasën. Në fund, ekipet ndanë nga një pikë, ndërkohë që Tirana ka 18 pikë dhe ndodhet në vendin e parë. Në kuotën e 17 pikëve Teuta mban vendin e katërt.

Skip to toolbar