Kryendeshja e javës së pestë të Superligës, që luhet një javë përpara derbit, ajo mes Kukësit dhe Tiranës, është vendosur të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”. Njoftimin e ka dhënë klubi i Kukësit me anë të një deklarate për shtyp, ku shkruan: “Ndeshja e Javës së Pestë për Kategorinë Superiore, FK Kukësi – KF Tirana, do të zhvillohet në stadiumin “Elbasan Arena”.
“Drejtuesit e Klubit tonë, në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit, kanë vendosur që këtë ndeshje mjaft të rëndësishme ta zhvendosin në Elbasan, pasi në stadiumin e Kamzës po punohet për të arritur standardet optimale. Ndryshe nga sa ishte planifikuar, përballja mes skuadrës nënkampione dhe asaj kryeqytetase do të zhvillohet në orën 19:00, pasi temperaturat parashikohen të jenë mjaft të larta”, thuhet në deklaratën e klubit verilindor.
Në fakt, ndeshja ishte parashikuar të luhej në orën 16:00 të pasdites, por për shkak të temperaturave të larta është vendosur të shtyhet orari. Tirana është aktualisht e vetme në krye të renditjes në Superligë me 10 pikë pas katër javësh kampionat, duke fituar tre nga katër takimet e luajtura dhe barazuar në vetëm një takim.
Gjithashtu, ekipi kryeqytetas ka shënuar 8 gola në katër ndeshje, ndërsa ka pësuar vetëm një. Ndaj, edhe në takimin e kësaj jave, bardheblutë do të synojnë një tjetër rezultat pozitiv përballë Kukësit që aktualisht ka 7 pikë dhe ndodhet në vendin e 3 të renditjes. Pas katër javësh kampionat, Kukësi ka dy fitore, një barazim dhe një humbje. Një javë pas Kukësit, Tirana pret në shtëpi Partizanin në ndeshjen e parë derbi për këtë sezon.