Partizani kampion, Edi Rama: Zëvendësi im juventin fitoi dy herë!

Partizani priti 26 vjet për të fituar titullin Kampion i Shqipërisë. Një pritje e gjatë, që u kurorëzua në ndeshjen derbi ndaj Tiranës, e luajtur ditën e djeshme, ku klubi i kuq fitoi dhe siguroi matematikisht fitoren e kampionatit për këtë sezon.

Shumë kush ka shprehur urimet për fitoren e Partizanit, teksa mes tyre ka qenë dhe Kryeministri Edi Rama, që ka uruar të kuqtë për fitoren e kampionatit, por njëkohësisht dhe Zëvendës Kryeministrin, Erion Braçe, që është tifoz i “Demave”.

Ja çfarë shkruan kreu i Qeverisë në postimin e tij në Instagram: “Mua më mbeti vetëm kampionati italian këtë vit, ndërsa zëvendësi im juventin fitoi edhe këtë shqiptarin”, përfundon Rama.

Olsi Rama: Tani dua të festoj, s`më intereson sezoni i ardhshëm!

Olsi Rama nuk mund t`i përmbahej emocioneve pas ndeshjes derbi, ku Partizani fitoi përsëri ndaj Tiranës, duke festuar njëherazi dhe titullin kampion. Pas ndeshjes, numri dy i klubit të kuq ka folur për mediat duke treguar edhe modesti gjatë fjalës së tij në lidhje me fitoren e titullit. Më tej gjatë fjalës së tij, ai ka theksuar se për momentin është i përqëndruar te festa e titullit, ndërsa më pas do të mendohet për merkaton dhe kupat e europës.

“Besoj se erdha në një klub me shumë traditë dhe ku pjesa më e madhe e punës ishte bërë. Me ndihmën e presidentit dhe me të stafit, kurorëzuam një sukses që kishte kohë për të cilin punohet”, u shpreh drejtori sportiv i Partizanit.

“Partizani është një klub i madh dhe me të gjithë vështirësitë që mund të kesh, ka suport të madh nga njerëzit. Humbje do të ketë gjithmonë, por rëndësi ka si ngrihesh pas humbjes. Sado të bëjmë ndryshime të mëdha në ekip, parësore për ne ka qenë të instalojmë një skuadër një frymë besimi dhe të jemi sa më të afërt me njëri-tjetrin”.

“Nuk ka mbaruar akoma kampionati, pasi ka dhe tre ndeshje. Duhet të japim maksimumin tonë, ta ngrejmë trofeun kundër Gjirokastrës. Unë e kam kuptuar potencialin e ekipit në ndeshjen kundër Mariborit. Ju mbase nuk e besoni, por në humbjen aksidentale në Korçë në javën e parë, ekipi tregoi që ishte në rrugën e mbarë”, zbuloi Rama.

“Mua nuk më intereson fare për momentin sezoni i ardhshëm. Dua të shijoj fitoren e sotme. Se sa përqind e ekipit do të rikonfirmohet, ende nuk ka ardhur në axhendën time. Preferoj të punoj me lojtarët që kam, por aty ku do të jetë nevoja, do të ndërhyjmë në merkato, si për Champions League, ashtu dhe për sezonin e ardhshëm”, deklaroi drejtuesi i lartë i kampionëve.

“Unë nuk i ndaj lojtarët, pasi i gjithë ekipi punon që të shkojë te goli. Megjithatë, ata që shënojnë marrin merita më të mëdha. Falënderoj Shkodrën, pasi na ka dhënë dy fitore në derbi. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të shikoni seriozitetin e Partizanit. Futbolli luhet me karakter dhe këta çuna që janë këtu, e kanë kuptuar që ndeshjet nuk fitohen ditën e diel, por gjatë gjithë javës”,

Flet Gaz Demi: Pas titullit, investojmë te kompleksi sportiv!

Gazmend Demi është i lumtur, që pas gjashtë vjetësh presidet i Partizanit, arriti të fitojë një trofe të rëndësishëm, madje më të rëndësishmin e munudur, titullin Kampion i Shqipërisë, që mungonte prej 26 vjetësh në shtëpinë e kuqe. Numri një i klubit të kuq ka folur për emisionin “Zona Gol”, ku ka shprehur emocionet për fitoren e titullit, teksa ka theksur se tashmë do të nis investimi për përfudimin e kompleksit sportiv të klubit.

“E mora Partizanin kur ishte në Kategori të Dytë. E mora për biznes, me ngeci Partizani dhe me dashuri e qetësi ia arritëm pas 6 viteve të marrjes të siguronim titullin kampion. Të gjitha janë për tifozët, nuk i kam bërë shpenzimet si biznesmenët se kam gabuar me akademinë. Tani do të bëhet akademia, ato do të jenë të mbaruara brenda vitit, minimalisht ministadiumi dhe dy fushat stërvitore. Për momentin investoj i vetëm. Jam i hapur për partnerë”, – tregon Demi fillimisht.

“Rama është një djalë simpatik siç e shihni në televizor, për vlerën që ka është një djalë korrekt. Gega është një burrë korrekt, një zotëri i vërtet që e ka mbajtur grupin fort. Marrëdhënia jonë ishte  xhentëlmenësh, që ditën që jemi njohur i kemi shtrënguar dorën njëri-tjetrin”.

“Unë nuk ndërhyj në formacion. Një herë e kam bërë kur ishim duke luajtur kundër Teutës, para disa vitesh, në pjesën e dytë i thashë Starovës të fusë në fushë Bardhin. Ai hyri dhe shënoi gol. Kjo është hera e parë dhe e fundit që kemi futur në formacion lojtar nga unë”.

“Shpresoj që të kemi fatin e Skënderbeut me punën që ka bërë, që një ditë të shkojmë në grupe, në Europa League apo Champions, nuk është çudi. Para dy orësh kisha mbledhje me drejtuesit e mi dhe jemi duke punuar për të forcuar ekipin sa më mirë në grupet e Champions”.

Gega: Ishte ëndrra që më solli këtu!

Skëder Gega do të futet në historinë e klubit të Partizanit, pasi është trajneri që e rikthen klubin e kuq te titulli pas 26 vjetësh. Pas ndeshjes derbi me Tiranën, ku Partizani fitoi jo vetëm takimin, por matematikisht u shpall kampion i Shqipërisë për këtë sezon, trajneri Gega u shpreh i kënaqur me rrugëtimin që ka bërë ekipi i tij këtë sezon.

“Ishte ëndrra që më solli këtu. Nuk kam qenë kurrë më krenar dhe i lumtur. Këtë sukses ja dedikoj çdo njeriu që më ka mbështetur, familjes, Demit dhe Ramës, djemve. Janë mijëra emra që mund t’i falënderoj. Jam i lumtur që ia dolëm”, u shpreh mes entuziazmit Gega.

 “Çelësi i suksesit? Është festë dhe nuk dua të flas për probleme. I jap meritë ekipit, klubit, mbështetësve, kolegëve e gazetarëve. Kur erdha ka pasur paragjykime pa dashje. Ndjej keqardhje. Sot jam i lumtur dhe i falënderoj të gjithë ata që më kanë besuar”.

“Nuk më besohet që jemi kampionë. Çdo minutë që kalon do më pëlqejë më tepër për lodhjen e sakrificën, për familjen që ka qëndruar larg meje. Kam shumë miq që kanë jetuar me shqetësimin pranë meje. Janë edhe miqtë. Kam merita bashkë me çunat, por Gaz Demi është njeriu që më dha kurajo në momentet më të vështira. Kur të jem më i qetë do ndaj gjërat e mira, jo të këqijat”,

Derbi me Tiranën, Gega: Ndeshje radhe, duam të festojmë nesër!

Skëndet Gega, i shoqëruar nga portieri Alban Hoxha, kanë folur në konfernecë për shtyp një ditë para ndeshjes derbi me Tiranën. Trajneri i të kuqve ka analizuar situatën në ekipin e tij, duke u shprehur se nesër do fitoren, për të festuar titullin kampion bashkë me tifozët që do të vijnë nga i gjithë vendi.

NDESHJA NESËR – Është ndeshje radhe, por tashmë ka ardhur fundi dhe shpresojmë t’ia dalim në derbi, për të mbyllur me sukses gjithë këtë rrugëtim të gjatë. Kemi luajtur 3 derbi, kemi marrë 7 pikë, ndaj nuk është ndonjë ndeshje që do ndonjë përgatitje të veçantë, skuadra e di vetë sa vlerë ka.

SITUATA TE TIRANA – Tirana e di vetë punën e vet, nuk është detyra jonë të analizojmë Tiranën. Është gjë e madhe që tifozët nuk kanë humbur shpresa, uroj t’i gëzojmë, sepse nuk na janë ndarë kurrë. Është një 90-minutësh ku nuk i dihet asgjëje, por kemi shpresën se do të mbushet stadiumi dhe do të festojmë të gjithë bashkë.

MUNGESAT – E vërtetë, na mungojnë 3 lojtarë me kontribut të jashtëzakonshëm, por për fat pjesa tjetër e ekipit ka treguar gjithnjë se di t’i zëvendësojë mungesat. Nesër është diçka tjetër, natyrisht, por e kemi përgatitur ashtu si dimë ne, me filozofi të njëjtë. Asani, Mensah e Telushi janë lojtarë të rëndësishëm, por do të mundohemi t’i zëvendësojmë.

FESTA E TITULLIT NË DERBI – Do doja të ishte ashtu, sepse jam i sigurt që do vijnë tifozë nga e gjithë Shqipëria. Jemi munduar të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje, nesër është ndeshja jonë, jemi pritës dhe do ndizet stadiumi. Gjithsesi, ekipi është me këmbë në tokë, e di që kampionati nuk ka mbaruar, por do të bëjmë gjithçka për të festuar që nesër.

PARAGJYKIMET NËSE PARTIZANI MUNDET NË DERBI – Nuk i kemi ne në dorë. Vetëm Zoti nuk paragjykohet, njerëzit paragjykohen gjithmonë. E rëndësishme është ta kemi ndërgjegjen të pastër. Edhe në Champions League shohim surpriza të mëdha, uroj që të mos na ndodhë ne. Derbi është gjithnjë ndeshje e veçantë, ku renditja nuk ka rëndësi. Duam të jemi të qetë dhe të pastër në mendjen tonë, kaq.

MUNGESA E SHËNUESVE MË TË MIRË – Mungojnë shënuesit më të mirë, por pak rëndësi ka kush shënon, mund të shënojë edhe Alban Hoxha nesër, varet nga situata. Shpresoj të mbarojmë punë, nuk ka rëndësi, me penallti, me goditje këndi a ç’të dalë. Jam krenar për këtë ekip, për këtë klub, kemi luajtur Fair-play dhe kemi qenë seriozë gjithë sezonin.

TIRANA NËN PRESION – Nuk e di, unë uroj që presioni të jetë sa më i vogël te skuadra ime.

MERITA PËR TITULLIN Nëse e mbyllim sezonin me sukses, uroj të takohemi dhe të bëjmë një konferencë shumë të gjatë. Duhet të jemi modestë dhe me këmbë në tokë, duke respektuar të gjithë ata që kanë dhënë kontribut për Partizanin Gaz Demi e ka shpirtin e madh, një xhentëlmen, dhe jam i sigurt që nëse do vijë titulli nesër, torta do jetë e madhe dhe çdokush mund të marrë një fetë.

MEMA I FTUAR NË FESTË – Nuk kemi bërë ftesë për askënd, të mbarojmë ndeshjen një herë, pastaj festa do jetë e hapur për të gjithë ata që kanë dhënë kontribut te Partizani.

PEZULLIMI – Nuk ka qenë një problem, unë jam me ekipin deri në momentin që futen në fushë për ndeshjen. Skuadra e di mirë çfarë duhet të bëjë, e di çfarë jep në fushë dhe stafi im është i shkëlqyer, nuk kemi probleme.

E ARDHMJA E BELICËS – Kam lexuar për atë dhe Asanin, për sot janë të Partizanit, më pas nuk e di çfarë do të ndodhë. Të mbyllim kampionatin me sukses, kjo ka rëndësi, pastaj të shohim. Nuk kam propozuar asnjë futbollist deri tani, sinqerisht, sepse duam të fitojmë titullin, pastaj ka kohë për merkaton dhe janë normale të gjitha zërat. Të mbyllim sezonin dhe pastaj urgjentisht do merremi me merkaton.

Partizani drejt titullit, Guerrils: Është koha për mobilizim!

Partizani udhëton drejt Vlorës për ndeshjen e radhës në kampionat. Kryesuesit aktual të Superligës presin me padurim të konfirmojnë matematikisht titullin kampion për këtë sezon, që so i jepte fund “thatësirës” mbi 25 vjeçare të “demave” pa trofeun e titullit.

Veç lojës në fushë, Partizani këtë sezon ka shkëlqyer dhe në tribuna, me tifozët “Ultras Guerril”, që i kanë mbështetur në çdo ndeshje futbollistët e “të kuqve”. Edhe udhëtimi drejt Vlorës do të ketë një prani të madhe tifozësh, gjë të cilën e kanë lajmëruar vetë “Guerrils”.

“Java e ardhshme luhet në transferte, ndeshje pas ndeshje numri i tifozeve po rritet, dhe të gjithëve bashkë na pret një organizim dhe një angazhim më i madh, na mungojnë edhe 8 pikë në 5 ndeshje. Nuk ka kohë për fjalë por është koha për organizim dhe mobilizim të fuqishëm”.

“Vazhdojmë që tani thirrjet për një nga 3 transfertat e fundit, që sigurisht do jenë më të bukurat e sezonit. Emocionet vetëm po shtohen, adrenalina gjithashtu, zëri kënga dhe mbështetja jonë duhet të marrë trajta të tjera, jashtë të zakonshmes”

“Ndaj bëhuni gati, tifozë të rinj e të vjetër, ky është momenti i gjithsecilit nga ne për të dhënë më shumë se çdo herë, ky është momenti për të sakrifikuar gjithçka dhe për t’i dedikuar gjithë vëmendjen dhe përkushtimin”.

“Së bashku ta marrim titullin dhe së bashku ta festojmë rikthimin e Partizanit atje ku i takon, në majën e futbollit shqiptar… Forca Partizan! Forca tifozë!”, – përfundon njoftimi në Facebook.

Volejboll femra, Partizani mbron titullin edhe për këtë sezon!

Partizani në volejboll për femra është kampion i Shqipërisë edhe për sezonin aktual. Vajzat e “kuqe” kanë mundur këtë pasdite Tiranën në finalen e tretë të play-off, duke mbrojtur titullin e sezonit të shkuar.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Roland Tarja kanë bërë një sezon të mirë, duke fituar dhe tre finalet në fazën paly-off.

Ndeshja e tretë finale e luajtur sot në “Fahrie Hoti” ishte mjaft emocionuese, madje dramatike dhe me shumë rivalitet, ky të dyja skuadrat dueluan fort për fitoren.

Një takim që zgjati 2 orë e 25 minuta, ku gjithçka u vendos në setin final. Tirana u tregua një kockë e fortë, duke shpresuar deri në fund të ndalë të kuqtë, por u dorëzua në setin final.

Partizani, një ekip më i kompletuar, bëri diferencën në momentet vendimtare, duke u shpallur kampion dhe duke festuar gjatë këtë titull.

Messi shënon, Barcelona titullin feston (video)

Barcelona është matematikisht kampione e Spanjës këtë sezon, duke mbrojtur titullin e vitit të kaluar. I përhershmi Leo Messi i ka dhënë fitoren skuadrës së Ernesto Valverdes kundër Levantes me takimin që përfundoi 1-0.

Ky është titulli i 26-të në historinë e klubit katalanas, që këtë sezon ka dominuar përsëri futbollin spanjoll, teksa rivalët e saj nuk kanë mundur të rivalizojnë.

Leo Messi e nisi takimin nga stoli në pjesën e dytë lojës, pasi ekipi i hedhur në fushë nuk po mundte të gjente hapësira në zonën kundërshtare.

“Pleshti”, pasi ka marrë vendin e Coutinho-s në minutën e 46-të, ka gjetur golin që ka vendosur takimin në të 62-ën dhe i ka dhuruar titullin katalanasve.

Argjentinasi ka shënuar 24 gola si zëvendësues në La Liga, më shumë se çdo lojtar tjetër në shekullin e 21-të.

Skip to toolbar