Dorëhiqet Valdrin Pjetri, pranon ngjarjen, por pretendon pafajësi

Pas akuzave të Partisë Demokratike për dënimin 17 vite më parë në Itali, Valdrin Pjetri ka reaguar në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku pranon ngjarjen, por shprehet se është i pafajshëm. Në këto kushte, Valdrin Pjetri jep dorëheqjen nga marrja e mandatit të kryetarit të bashkisë së Shkodrës, duke u shprehur se “nuk e kisha menduar kurrë që do të gjendesha përballë akuzave të tilla”. “Të dashur miq, bashkëqytetar, votues të Bashkisë Shkodër, anëtarë të PS, bashkëpunëtorë të mi…. Ditët e fundit jam gjendur në mes të një stuhie mediatike ku akuzat dhe thashethemet i zunë vendin fakteve dhe të vërtetës. Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor. Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajsinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qënë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem”, shkruan ndër të tjera Pjetri.

Duke vijuar më tej, ai shprehet se tashmë do të përqëndohet në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje, ndodhur 17 vite më parë. Sipas tij, “nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë”. “Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë”, saktëson Pjetri, duke u shprehur se në këto kushte, jep dorëheqjen nga marrja e detyrës së kryebashkiakut të Shkodrës. “I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor t’a ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër”.

Në fund, Valdrin Pjetri shprehet se “fatet e qytetit të Shkodrës nuk mund të lidhen kurrë me fatet e një individi, cilidoqoftë ai”. “Ju jam mirënjohës të gjithëve për ndihmën dhe mbështetjen që më dhatë në fushatë! Ishte një endërr e bukur t’i jepnim Shkodrës atë çka meriton. Por fatet e një qyteti nuk duhen të jenë kurrë të lidhura pashmangshmërisht me fatet e një individi, cilido qoftë ai. Së fundi, ju jam pafundësisht mirënjohës të gjithë atyre që më kanë mbështetur apo dërguar mesazhe solidariteti në këto ditë të vështira për mua. Ju uroj me gjithë shpirt më të mirën për Ju dhe familjen Tuaj”, përfundon komenti në Facebook i Valdrin Pjetrit. Të martën më 13 gusht, opozita publikoi disa dokumente, që sipas saj vërtetojnë se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge. Për rastin në fjalë, Kryeministri Edi Rama reagoi me shpejtësi, duke u distancuar, dhe duke u shprehur se “nuk do të lejojë që PS të marrë kosto për shkak të veprimeve individuale”. Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet për zbardhjen e të vërtetës në lidhje me dënimin e Valdrin Pjetrit.

PD proteston kundër Valdrin Pjetrit në Shkodër, Bardh Spahia drejton militantët, lë në hije Voltana Ademin

Në qytetin e Shkodrës pasditen e të mërkurës është mbajtur një protestë nga militantët e Partisë Demokratike, kundër Valdrin Pjetrit. Protesta e drejtuar nga funksionarë të lartë të PD-së në Shkodrë, është zhvilluar përpara Prefekturës së qytetit verior. Me parulla “Bijtë e etërve persekutorë larg Shkodrës”, “Tik-tak, Edi Rama në batak”, apo thirrje “Rama ik”, militantët e Partisë Demokratike kanë marshuar drejt bashkisë së këtij qyteti.

Ajo që ka rënë në sy gjatë protestës ka qenë roli protagonist i ish-deputetit Bardh Spahia, i cili ka drejtuar militantët e PD gjatë protestës. Spahia është shfaqur gjatë gjithë kohës i vetëm krahë militantëve, pa praninë e zyrtarëve të tjerë të PD në Shkodër. Madje në protetsë nuk është shfaqur as Voltana Ademi, kryebashkiakja aktuale e Shkodrës. Të paktën nga pamjet e transmetuara drejtpëdrejt Ademi nuk është dukur gjatë kohës që protestuesit marshonin nga prefektura në drejtim të bashkisë.

Edhe në fund të protestës, kur Bardh Spahia ka mbajtur një prononcim për mediat, ai është shfaqur vetëm i rrethuar nga protestues, ndërsa mungonte Voltana Ademi. Ademi ka qenë në protestë, por mesaduket ka zgjedhur të mos marrë rol protagonizmi në këtë protestë. Gjithsesi, nga fillimi deri në fund, kanë qenë qytetarët shkodranë dhe Bardh Spahia, që kanë folur për mediat në lidhje me organizimin e protetës të së mërkurës, kundër “uzurpimit të bashkisë së Shkodrës” nga Valdrin Pjetri.

Pas publikimit nga PD të disa dokumenteve, ku pretendohet dënimin i Pjetrit në Itali, konsituimi i këshillit bashkiak dhe betimi i kryetarit të ri të bashkisë ka mbetur pezull, deri në daljen e të vërtetës zyrtare nga institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme. Valdrin Pjetri ka mohuar të jetë dënuar në Itali për shitje droge, ndërkohë që opozita pretendon se dokumentet e saj janë origjinale.

Për rastin në fjalë kryeministri Edi Rama ka shprehur qëndrimin e tij, duke u distancuar deri në pritje të së vërtetës zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme. Ndërkohë, në rast se vërtetohen akuzat e PD për Valdrin Pjetrin, në Shkodër do të duhet të përsëriten zgjedhjet për kryetar bashkie. Ky zhvillim i fundit në skenën politike në vend, parashihet edhe si një mundësi për t`i dhënë fund krizës së gjatë politike që ka nisur prej shkurtit të këtij viti.

Rasti i Valdrinit, një mallkim për Ramën dhe Bashën por jo për Shkodrën

Nga Mero Baze

Problemi i krijuar nga e shkuara e Valdrin Pjetrit, është një sprovë e re për Edi Ramën dhe Lulzim Bashën. Me sa duket, mallkimi i qershorit ka vendosur t’i ndjekë deri në fund. Ky rast nuk është tani një histori zgjedhjesh, por një histori ligji. Edhe pse është e pazakontë që mandati i të zgjedhurit të vihet në rrezik ende pa marrë detyrën, Partia Socialiste ka vetëm një gjest politik për të bërë, dhe atë duhet ta peshojë mirë. Debati është nëse ja vlen ta institucionalizojë formalisht Valdrinin për një minutë dhe pastaj ai të japë dorëheqjen, ose të konstituojë Këshillin dhe kryeministri të emërojë të zgjedhurin e Këshillit si kryebashkiak, deri në zgjedhjet e reja për 45 ditë. Kaq është i gjithë debati që ata duhet të bëjnë mes tyre, duke peshuar përgjëgjësinë që kanë për të mos lënë Shkodrën pa qeverisur deri në zgjedhjet e reja pas 45 ditësh.

Ata që duhet të marrin vendime politike, janë opozitarët. Ata së pari duhet të vendosin nëse do të hyjnë në zgjedhje në Shkodër, ose jo. Në këtë rast nuk vlen qënia e Ramës kryeministër, pasi nëse hyjnë në garë, ata e tojnë Shkodrën. Nëse nuk duan, punë e tyre, dhe ky le të jetë një debat brenda tyre, ku Edi Rama nuk ka pse përzihet. Hapat për të shkuar drejt konstituimit janë detyrim dhe PS nuk mund të kalojë në paligjshmëri kushtetuese. Së pari, duhet të konstituohet Këshilli i ri Bashkiak i Shkodrës dhe të vendosin nëse Valdrini duhet të bëjë betimin dhe të dorëhiqet, apo të dorëhiqet para betimit dhe kryeministri t’i delegojë kompetencat dikujt tjetër deri në zgjedhje. Ndërkohë Partia Socialiste duhet të kërkojë me urgjencë verikimin e e gurës se kryetarit nga Prokuroria. Valdrini le të vazhdojë betejën e tij me drejtësinë dhe të sqarojë pozicionin e tij.  

Kjo çështje tani nuk është më çështje e zgjedhjeve, pasi Kodi Zgjedhor ka mbaruar veprimin e tij. Kjo është një çështje që ka të bëjë me ligjin e dekriminalizimit dhe ai duhet lejuar të veprojë me gjithë forcën e tij. Nëse Prokuroria konstaton papajtueshmëri në këto veprime, atehere vepron mekanizmi i papajtueshmërisë, por jo dëshirat e opozitarëve dhe socialistëve për këtë çështje. Kryeministri në bazë të shkresave që duhet t’i dërgojë Prokuroria, duhet të shkarkojë Valdrin Pjetrin dhe ky, nëse është i sigurtë, le t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për paligjshmëri në këtë vendim. Por hapat e konstituimit të Këshillit dhe vazhdimit të punës për qeverisjen e Bashkisë së Shkodrës janë detyrim kushtetues për qeverinë. Opozita pastaj ka dilemat e veta.

Nëse Lulzim Basha nuk hyn në zgjedhjet e pjesshme të parakohëshme, do ta ketë më të vështirë t’i bindë kandidatët e pavarur në Shkodër të mos kandidojnë. Po kështu dhe partitë e tjera që mund të hyjnë në këtë garë. Dorëheqja e Valdrinit është një mallkim i barabartë për Edi Ramën dhe Luzlim Bashën. Për të parin, për shkak të përsëritjes së precedentit të njerëzve të inkriminuar dhe për të dytin, për shkak të përsëritjes së precedentit të frikës nga zgjedhjet. Të dy do t’i vuajnë problemet e tyre, por Shkodra nuk ka pse vuan qeverisjen e saj. Dikush duhet të zgjidhet për t’i shërbyer qytetit. Voltana Ademi pas datës 20 gusht është e paligjshme. Por mund të rikthehet nëse kandidon.

PD, ultimatum Arta Markut: Verifiko Pjetrin, ndryshe i shërben krimit

Partia Demokratike ka publikuar pasditen e të mërkurës letrën ku i dërgonte Prokurorisë së Përgjithshme dokumentat që dispononte, për arrestimin dhe dënimin e Valdrin Pjetrit në Itali disa vite më parë. Në letrën, që mban datën 13 gusht, ditë kur u publikuan dokumentet, që sipas PD vërtetohet se kryebashkiaku i sapozgjedhur i Shkodrës ka qenë më parë i dënuar, PD kërkon nga Arta Marku që të publikojë sa më shpejt informacionin zyrtar në lidhje me vërtetimin e akuzës së ngritur nga PD.

“Nisur nga intersi i lartë publik që paraqet kjo çështje, Partia Demmokratike e Shqipërisë ka pritur një verifikim dhe reagim institucional të shpejtë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme. Për fat të keq, ku reagim nuk ka ardhur ende, duke zhbërë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to të personave, të cilët janë dënuar për kryerjen e krimeve”, shkruhet ndër të tjera në letrën e PD, e cila është në formë ultimatumi për Prokurorinë e Përgjithshme drejtuar nga Arta Marku.

“Për shkak të vonesës gati dyjavore të prokurorisë, PD i kërkon organit të akuzës që ta informojë atë dhe opinionin publik mbi procedurat e verifikimit që ka nisur dhe rezultatet e deritanishme të këtij verifikimi. “Çdo vonesë e pajustifikuar për rezultatin e këtij verifikimi është rreshtim në anën e krimit të organizuar dhe promovimit të tij në funksione të larta publike.”-thuhet në letrën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi.

Të martën, Partia Demokratike publikoi disa dokumente të cilat sipas Selisë Blu vërtetojnë se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar më parë në Itali. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Kryeministrit Edi Rama, i cili u shpreh se “derisa të e vërteta të dalë zyrtarisht, Valdrin Pjetri dhe PS i kanë rrugët e ndara”.

Valdrin Pjetri drejtor që në kohën e Berishës, PD u kujtua tani (për të shpëtuar Voltanën)

Të martën Partia Demokratike publikoi disa dokumente, që sipas Selisë Blu, tregojnë se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar në Itali. Kryebashkiaku i ri i Shkodrës, zgjedhur nga radhët e Partisë Socialiste në 30 qershor, i ka mohuar akuzat. Për rastin në fjalë ka reaguar dhe Kryeministri Edi Rama, i cili është distancuar duke u shprehur se “Valdrin Pjetri dhe PS i kanë rrugët e ndara derisa të zbulohet e vërteta”.

Por, megjithëse PD i publikoi vetëm këtë 13 gusht dokumentet që akuzojnë Valdrin Pjetrin se ka fshehur të dhënat për të shkuarën e tij, Selia Blu nuk e njeh sot kryebashkiakun e ri të Shkodrës. Valdrin Pjetri është bërë pjesë e politikës në vitin 2010, kohë kur në qeveri ishte PD e drejtuar nga Berisha.

Sipas jetëshkrimit të tij, publikuar në faqen zyrtare të Agjencisë së Regjistrimit të Pronave, mësohet se Pjetri në vitin 2010 mori detyrën e Administratorit të Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (ligji Anti Mafia dhe Financim Terrorizmi). Këtë fakt e citonte dhe Zëri i Amerikës në një shkrim të publikuar gjatë pasdites të së martës.

Çështja Pjetri, a duhet të kandidojë më PS një emër nese zgjedhjet përsëriten?

Më pas, në vitin 2014-2015, Valdrin Pjetri ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Pronave në Ministrinë e Mbrojtjes. 2014-2017, Kryetar i Komisionit të Demontimit të Municioneve në Ministrinë e Mbrojtjes. 2015-2018 ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve Mbështetëse në Minitrinë e Mbrojtjes. Janar 2018 – maj 2018 Regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tiranë.

Pra, Valdrin Pjetri nuk është rastësisht në politikë, madje ai ka mbajtur poste të larta drejtuese, si në administratën e qeverisë Berisha dhe të Ramës. Por publikimi i dokumenteve për dënimin e tij nga PD, vijnë në një moment kur Selia Blu është futur dhe më thellë në krizën që krijoi vetë, duke refuzuar çdo mundësi dialogu me qeverinë, dhe humbur çdo pushtet pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

PD duket i “shpëtoi” përkohësisht zyrën Voltana Ademit në Shkodër, pasi është shtyrë konstituimi i këshillit bashkiak deri në zbardhjen zyrtare të vërtetës për Valdrin Pjetrin. Por njëkohësisht, në media, lëvizja e PD po shihet edhe si një mundësi për zgjidhjen e krizës, duke përsëritur zgjedhjet në Shkodër dhe jo vetëm.

VOA: Dokumentet për Pjetrin origjinale, e dinte që do t`i rishfaqej e shkuara

Dënimi i Valdrin Pjetrit në Itali ka qenë tema e ditës e debatit politik në vend. Pas publikimit të disa dokumentave nga Partia Demokratike, ku pretendohet dënimi i kryebashikaut të ri të Shkodrës, ka pasur reagime të shumta, përfshirë dhe atë të Kryeministrit Edi Rama, që u distancua nga Valdrin Pjetri, deri në zbardhjen e të vërtetës.

Zëri i Amerikës i ka kushtuar gjithashtu një shkrim këtij lajmi, duke cituar mes rreshtash se ka arritur “të verifikojë përmes burimeve të veta se dokumentat e publikuara sot nga Partia demokratike janë origjinale, siç ndodhen në regjistrat e autoriteteve italiane”.

Çështja Pjetri, a duhet të kandidojë më PS një emër nese zgjedhjet përsëriten?

“Edhe sot përmes një statusi në Facebook, ai mohoi sërish akuzat, duke u shprehur se “e vetmja e vërtetë është ajo që del nga zyrat e agjencive të zbatimit të ligjit dhe jo nga foltoret e Partisë Demokratike”. Zëri i Amerikës mundi të verifikojë përmes burimeve të veta se dokumentat e publikuara sot nga Partia demokratike janë origjinale, siç ndodhen në regjistrat e autoriteteve italiane”, shkruan VOA.

Më tej, sipas Zërit të Amerikës, Valdrin Pjetri ka qenë në dijeni të faktit se do të përballej me procesin e dekriminalizmit, ndaj ka kërkaur në 19 korrik certifikatat nga autoritetet gjyqësore italiane.

“Zoti Pjetri duket se ka qenë në dijeni të faktit se e kaluara e fshehur mund t’i rishfaqej para syve, ndyshe nuk ka si shpjegohet se përse me 19 korrik ai ka kërkuar të marrë certifikat nga autoritetet gjyqësore italiane, ndërkohë që denoncimet publike të opozitës nisën disa ditë më vonë, në fillim të gushtit, ndërsa më 23 korrik ai mori nga kryeministri Rama dhe një tjetër shenjë besimi dhe mbështetje të fortë “për të përmirësuar drejtimin politik në Qarkun e Shkodrës, atë do ta drejtojë kryetari i ri I Bashkisë së Shkodrës”, shkruan ndër të tjera VOA.

Çështja Pjetri, a duhet të kandidojë PS një emër nëse zgjedhjet përsëriten? Votoni në Realstory.al

Partia Demokratike ka publikuar të martën dokumente, ku pretendon se kryebashkiaku i ri i Shkodrës, Valdrin Pjetri, ka qenë i dënuar 20 vjet më parë në Itali për shpërndarje droge. Pjetri i ka përgënjeshtruar këto dokumente, duke u shprehur se do të pres ‘institucionet zyrtare’ që të thonë fjalën e tyre.

Megjithatë, publikimi i dokumenteve të tilla, ka dhënë efektin e parë, shtyrjen e konstituimit të këshillit bashkiak të Shkodrës dhe për rrjedhojë betimin e Valdrin Pjetrit. Gjithashtu, për këtë çështje ka reaguar dhe Kryeministri Edi Rama, i cili është shprehur se “Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët të ndara deri sa të zbardhet e vërteta”.

Çështja Pjetri, a duhet të kandidojë më PS një emër nese zgjedhjet përsëriten?

Shefi i qeverisë është shprehur se nuk do të pranojë kurrë më që të marrë kosto të gabimeve individuale. Ndërkohë, nëse dënimi i Pjetrit rezulton i vërtet dhe në Shkodër do të duhet të përsëriten zgjedhjet, Realstory.al fton qytetarët t`i përgjigjen pyetjes “çështja Pjetri, a duhet të kandidojë PS një emër nëse zgjedhjet përsëriten?”.

Sondazhi do të jetë i hapur për të gjithë lexuesit jo vetëm në faqen tonë www.realstory.al, por edhe në rrjetet tona sociale, Facebook dhe Twitter.

Leksioni i hidhur i Valdrinit, për ata që nuk besojnë tek dekriminalizimi

Nga Mero Baze

Valdrin Pjetri është leksion i fundit i hidhur i gjithë atyre që nuk e kanë kuptuar se ligji i dekriminalizmit është bërë për t`i mbajtur larg politikës, të gjithë ata që përpiqen të fshehin të shkuarën e tyre. para tij e kanë pësuar disa kryetarë bashkish dhe deputetë të Parlamentit, dhe për një njeri normal, kjo do të mjaftonte që për një gjë dhe shumë të lehtë se kjo e Valdrinit, t`i qëndronte larg politikës.

Një njeri që është dënuar 20 vjet më parë, ka gjithë të drejtat të jetë qytetar i lire, por ligji ja ka ndaluar të jetë pjesë e politikës. Dhe në këtë pikë, Valdrin Pjetri ngre dyshime serioze, jo vetëm si njeri politik, por dhe për intelektin e tij si qytetar. Poshtërimi i tij publik sot, më shumë se sa një tore e opozitës, është një problem i tij personal, të cilin do ta kishte shmangur, sikur të shikonte punët e veta e të mos merrej me politikë. Është një ndëshkim dhe për inteligjencën e tij të pretenduar. Por meqë guxoi kaq shumë, duhet dhe ta pësojë kaq keq. Në një farë mënyre, fati i tij sot, është një leksion për të gjithë ata që ende besojnë se mund të mbijetojnë në këtë sitë të hollë që politika i ka vënë vetes me ligj.

Çështja Pjetri, a duhet të kandidojë më PS një emër nese zgjedhjet përsëriten?

Demonizimi i elementëve kriminalë në politikë, është një tore e reformës në drejtësi, që po jep frytet e veta edhe në shoqëri. Reagimi i menjëhershëm i Kryeministrit, është një lajm i mirë, që tregon se ai është i pari që e ndjen peshën e përgjegjësisë, për infiltrimin e elementëve të tillë, qoftë dhe ilegalisht në sistem. Por nga ana tjetër, është një leksion për të, për të kuptuar se distanca me elementë të tillë, nuk duhet të jetë vetëm nga letrat, por dhe nga mjedisi nga vijnë dhe nga nuhatja se kush i mbështet.

Rezultati i Valdrin Pjetrit në Shkodër, i identifikuar dhe nga vetë PS, si i mbështetuar nga aleatë “të fortë” të PS në atë qark, rrëzoi në mënyrë drastike rezultatin e Partisë Socialiste në atë qytet. Pjetri ka marrë rezultatin më të ulët historik të PS në qytetin e Shkodrës, duke marrë më pak se gjysmat e votave të Keti Bazhdarit katër vjet më parë, që garoi kundër vullnetit të “të fortëve” të shkodrës. Kjo tregon se shoqëria është më e përgatitur se politikanët tanë, për të nuhatur kush është i sponsorizuar nga të fortët dhe kush është përballë tyre. dhe pjesë e kësaj shoqërie është dhe PS e Shkodrës, që duket se e ka pasur nuhatje këtë. Përveç Valdrinit.

Nga ana tjetër, reagimi i fortë i Edi Ramës, që thotë se nuk do të falte as vëllain e tij, në raste të tilla, ka bërë entuziast Sali Berishën, i cili e quan fundin e botës, që Rama mund të dorëzojë dhe vëllain, nëse bën gjëra të tilla. Se ai me mendjen e tij e quan sukses që nuk e dorëzoi djalin kur vrau në Gërdec, as vajzën kur u kap si seksere e tre milionë eurove. Ai në vend të tyre vrau shtetin dhe tani çuditet se si shteti ndahet nga krimi.

Rama i bën dalje Valdrin Pjetrit: S`mbajmë më kosto veprimesh individuale

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me në Tëitter, rreth akuzave të ngritura nga Partia Demokratike për dënimin e kryebashkiakut të Shkodrës, Valdrin Pjetri. Rama shprehet se përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë, është individuale. Në këto kushte, Rama shprehet se përgjegjësia e PS është se si reagon ndaj një akti individual.

“Jo Valdrini, po vëllai im të jetë, s’ka shans të hedhë asnjë hije dyshimi mbi PS dhe mbi mua, në raport me ligjin e me besnikërinë ndaj popullit! Përgjegjësia për çdo akt individual të padenjë është individuale. Përgjegjësia jonë është si reagojmë ndaj një akti të padenjë individual”, shkruan fillimisht Kryeministri.

Çështja Pjetri, a duhet të kandidojë më PS një emër nese zgjedhjet përsëriten?

Më tej, duke përmendur disa virtyte njerëzore të Valdrin Pjetrit, Edi Rama shprehet se këto nuk mjaftojnë. Madje, ai shton se “kurrë nuk kam menduar se Valdrini do të fshehë të vërtetën në raport me ligjin”, duke treguar se derisa e vërteta ligjore të dalë, kryebashkiaku i ri i Shkodrës, i ka rrugët të ndara me PS.

“I edukuar, i zoti, i respektuar familjarisht në Shkodër e kudo ka punuar, po kjo s’mjafton më! Kurrë s’kam menduar se Valdrini mund të fshehë të vërtetën në raport me ligjin, po deri kur e vërteta ligjore të dalë, Valdrin Pjetri dhe Partia Socialiste i kanë rrugët e ndara plotësisht”.

Në fund, kreu i qeverisë dhe Partisë Socialiste, duket i ndikuar edhe nga rastet e mëparshme kur përfaqësues të PS-së janë përballur me probleme me drejtësinë, shprehet se tashmë nuk do të lejojë që të marrë më kosto për veprime individuale të dyshuara si rasti i Valdrin Pjetrit.

“E me këtë rast, të tërë ta fusin mirë në kokë: Unë s’kam ndërmend të toleroj askënd dhe as të marr përsipër raportin individual me ligjin të askujt! Shkoj në luftë për çdo ide, qëllim a shok armësh, po kosto veprimesh individuale të dyshuara si ky, as marr më, as lejoj më t’i marrë PS”, përfundon kryeministri Rama.

Valdrin Pjetri rrëzon akuzat e PD: Gjyq publik ndaj meje, jam i hapur për verifikime

Kryebashkiaku i ri i Shkodrës, Valdrin Pjetri ka reaguar pas akuzave të PD-së dhe kërkesës që selia blu dërgoi në prokurori për të verifikuar nëse ai ka fshehur të kaluarën në formularin e dekriminalizimit. Pjetri tha se është i hapur për çdo lloj verifikimi, ndërsa hodhi poshtë akuzat e ngritura nga opozita.

“Është e vërtetë që gjatë javës së fundit kam qenë në qendër të sulmeve. Unë kam thënë se jam i hapur për çdo lloj verifikimi. Ky ngjan më shumë me një gjyq publik se me diçka tjetër. Asgjë nuk më ndal të punoj për bashkinë e Shkodrës, Unë kam qenë disa herë në Itali. Asgjë nuk është e vërtetë. Shkresa tashmë është në prokurori.  Nuk kam pasur asnjë gjykim apo arrest”, tha Pjetri.

I pyetur nëse është e vërtetë akuza e PD-së se ai nuk ka udhëtuar për 10 vjet drejt Italisë, Pjetri tha se nuk është e vërtetë dhe mjafton të shikohen të dhënat e TIMS.

“Nuk është e vërtetë, kam shkuar disa herë. Po të shikohet TIMS është e verifikueshme dhe prandaj kam këtë lloj qetësie”, tha kryebashkiaku i Shkodrës.

Partia Demokratike i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme që të verifikojë figurën e Valdrin Pjetrit. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi përmes një letre iu drejtua prokurorisë duke thënë se ka të dhëna publike që provojnë se Valdrin Pjetri nuk mund të ushtrojë funksion publik për shkak të ligjit të dekriminalizimit.

Skip to toolbar