Dorëhiqet Valdrin Pjetri, pranon ngjarjen, por pretendon pafajësi

AKTUALITET


Pas akuzave të Partisë Demokratike për dënimin 17 vite më parë në Itali, Valdrin Pjetri ka reaguar në faqen e tij zyrtare në Facebook, ku pranon ngjarjen, por shprehet se është i pafajshëm. Në këto kushte, Valdrin Pjetri jep dorëheqjen nga marrja e mandatit të kryetarit të bashkisë së Shkodrës, duke u shprehur se “nuk e kisha menduar kurrë që do të gjendesha përballë akuzave të tilla”. “Të dashur miq, bashkëqytetar, votues të Bashkisë Shkodër, anëtarë të PS, bashkëpunëtorë të mi…. Ditët e fundit jam gjendur në mes të një stuhie mediatike ku akuzat dhe thashethemet i zunë vendin fakteve dhe të vërtetës. Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor. Nuk e kisha menduar kurrë që një ditë do të gjendesha përballë akuzave të tilla. Dhe sado i bindur të jem në pafajsinë ligjore dhe pastërtinë morale të personit tim, me keqardhje ju rrëfej se të tilla shpifje kanë shkaktuar dhimbje të mëdha te unë e familja ime dhe se unë kurrë nuk kam qënë pjesë e kësaj kategorie për të cilën sot akuzohem”, shkruan ndër të tjera Pjetri.

Duke vijuar më tej, ai shprehet se tashmë do të përqëndohet në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje, ndodhur 17 vite më parë. Sipas tij, “nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë”. “Në këto kushte, vëmendja dhe energjitë e mia do të përqendrohen tanimë tërësisht në zgjidhjen dhe sqarimin ligjor të kësaj ngjarje të 17 viteve më parë, ngjarje për të cilën në dijeninë time nuk kam pasur asnjë përgjegjësi ligjore në atë kohë”, saktëson Pjetri, duke u shprehur se në këto kushte, jep dorëheqjen nga marrja e detyrës së kryebashkiakut të Shkodrës. “I ndërgjegjshëm për rëndësinë e imazhit politik dhe i vendosur që këtë sqarim ligjor t’a ndërmarr në pozitat e qytetarit të thjeshtë, pa iu bërë barrë askujt, vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër”.


Në fund, Valdrin Pjetri shprehet se “fatet e qytetit të Shkodrës nuk mund të lidhen kurrë me fatet e një individi, cilidoqoftë ai”. “Ju jam mirënjohës të gjithëve për ndihmën dhe mbështetjen që më dhatë në fushatë! Ishte një endërr e bukur t’i jepnim Shkodrës atë çka meriton. Por fatet e një qyteti nuk duhen të jenë kurrë të lidhura pashmangshmërisht me fatet e një individi, cilido qoftë ai. Së fundi, ju jam pafundësisht mirënjohës të gjithë atyre që më kanë mbështetur apo dërguar mesazhe solidariteti në këto ditë të vështira për mua. Ju uroj me gjithë shpirt më të mirën për Ju dhe familjen Tuaj”, përfundon komenti në Facebook i Valdrin Pjetrit. Të martën më 13 gusht, opozita publikoi disa dokumente, që sipas saj vërtetojnë se Valdrin Pjetri ka qenë i dënuar në Itali për trafik droge. Për rastin në fjalë, Kryeministri Edi Rama reagoi me shpejtësi, duke u distancuar, dhe duke u shprehur se “nuk do të lejojë që PS të marrë kosto për shkak të veprimeve individuale”. Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimet për zbardhjen e të vërtetës në lidhje me dënimin e Valdrin Pjetrit.




Skip to toolbar