Erion Veliaj ka zhvilluar një takim elektoral me banorët e Ndroqit, të
cilëve u ka premtuar se në mandatin tjetër do të ndërtohet një treg
agro-ushqimor, i cili do të jetë nën menaxhimin e bashkisë dhe jo të privatit. “Mezi
pres që të bëjmë disa gjëra për fshatin. Në mbledhjen e fundit të Këshillit bashkiak ne themeluam
Agjencinë tonë të tregut të shumicës publik, jo privat, për t’iu përgjigjur
kërkesës së shumë fermerëve këtu”, tha Veliaj.
“Krijimi i tregut të bashkisë, i
tregut publik, që të konkurrojë tregun privat dhe ti japë një alternativë
tjetër, për fermerin tonë ku mund të shesë sa të dojë kur të dojë, pa asnjë
pengesë, është mënyra më e mirë për ta çliruar këtë situatë”, u shpreh
kryebashkiaku.
Më tej, Erion Veliaj u shpreh se në mandatin e ardhshëm fokus i punës së
bashkisë në zonat rurale, do të jetë asfaltimi i rrugëve fundore në të gjitha
lagjet e Ndroqit. Me fokusin tek zhvillimi edhe i zonave rurale, Veliaj theksoi
se krahas përmirësimit të infrastrukturës kryesore, do të vijojë puna edhe për
projektin e rrugëve të brendshme të Ndroqit.
“Do të thotë që nëqoftëse në mandatin e
parë mbyllëm disa nga hallet kryesore, do kemi gjithë energjinë, gjithë
fuqinë dhe gjithë mbështetjen për të mbyllur edhe këto çështje. Tani që edhe
ARRSH-ja po na ndihmon që ne të futemi në rrugë kapilare në të gjitha lagjet e
Ndroqit”, deklaroi ai.
Brenda katër viteve, Bashkia e Tiranës ka kryer një sërë investimesh të
rëndësishme në zonën e Ndroqit. Janë ndërtuar rrugët e brendshme të fshatit
Ndroq , rruga që lidh rrugën nacionale
Tiranë – Durrës me shkollën 9-vjeçare “Seit Brahja”. Gjithashtu janë
rikonstruktuar rrugët e fshatit Haskolje, rruga për makina Pinet – Sauqet,
rruga Ndroq – Kërçukje-Zbarqe, rruga e fshatit Zhurje, rruga e fshatit Kalaç.
Krahas rrugëve, një investim i rëndësishëm është bërë edhe për rrjetin e
ri të ujësjellësit, ndërkohë që është punuare dhe për kanalet ujitëse duke i
dhënë një zhvillim gjithë ekonomisë lokale, sikurse është kanali ”Butac-Pinet”.
Një vëmendje i është kushtuar edhe infrastrukturës arsimore, ku pas shumë
vitesh, është rikonstruktuar shkolla 9-vjeçare në fshatin Shesh dhe terrenet
sportive, ndërkohë që puna do të vijojë edhe për shkollën e mesme “Sadi
Nuri” dhe rikonstruksionin e shkollës 9 – vjeçare “Ymer Kurti” duke
zgjidhur në këtë mënyrë edhe çështjen e arsimit. Gjithashtu puna do të vijojë
edhe me rrugët e tjera lidhëse.