Sulmet ndaj reformës, SHBA: Vettingun e bëjmë ne, të gjithë të barabartë para ligjit

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar me një video të publikuar në faqen zyrtare në Facebook, përmes të cilës sqaron se vettingu është një proces që monitorohet nga ekspertë amerikanë dhe që synon drejtësi të barabartë për të gjithë; duke i kthyer përgjigje në këtë mënyrë, sulmeve të bëra nga presidenti Meta dhe opozita ndaj reformës në Drejtësi.

Në video tregohet në mënyrë të thjeshtëzuar dhe me figura të animuara se çfarë do të thotë proces vettingu, si funksionon ai dhe çfarë i ofron ai drejtësisë shqiptare. SHBA thekson se synimi i vettingut është që të “sigurojë që të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit”.

“Pse është i rëndësishëm vettingu (rivlerësimi). Sipas një sondazhi të kryer në vitin 2012, vetë gjyqtarët pranuan se kishte korrupsion në masën e 25%. Gjyqtarët pranuan se kishte një nivel të caktuar ndërhyrje politike në vendimmarrjet e tyre në masën 57%. Kjo tregonte se sistemi i drejtësisë nuk ishte fort i drejtë.

Shumë qytetarë i shihnin gjykatat dhe prokurorët si institucionet më të korruptuara në Shqipëri. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar shiheshin si të paprekshëm sepse vepronin mbi ligjin.Vettingu shqyrton tri kategori: pasuri të pashpjegueshme, lidhje me krimin e organizuar dhe aftësitë profesionale.

KPK, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shqyrton deklaratat dhe hetimet për pasurinë, informacionin mbi lidhje me krimin e organizuar si dhe historikun profesional të kandidatit.

Kandidatët mund t’iu përgjigjen pyetjeve dhe të ofrojnë informacion shtesë përpara dhe gjatë seancës dëgjimorë të tyre. Pas dëgjesës paneli i KPK merr vendim bazuar në këto informacione.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM) i përbërë nga ekspertë amerikanë dhe europianë mbikëqyr procesin. Ata mund të kërkojnë dokumente, të drejtojnë pyetje, të paraqesin opinione dhe të kërkojnë apelimin e vendimit.

Kandidatët që kalojnë vettingun vazhdojnë të shërbejnë si gjykatës e prokurorë. Ata që dështojnë bazuar në pasuri të pashpjegueshme dhe lidhje me krimin, shkarkohen. Nëse gjyqtari ose prokurorin gjendet i paaftë, ai ose ajo shkarkohet ose mund t’i kthehet shkollës së Magjistraturës.

Synimi i procesit të vettingut është të krijojë një sistem me gjyqtarë e prokurorë kompetentë.

Në ditët e shkuara cilido me para apo pushtet mund të çonte vendimet e gjyqtarit apo prokurorit në favor të vet. Gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar vettingun do të veprojnë sipas rregullave dhe kushdo do të jetë i barabartë përpara ligjit”, sqaron SHBA përmes kësaj video.

Një deklaratë kjo, shumë e qartë për të gjithë ata që sulmojnë reformën në drejtësi. Këtu përfshihet i pari presidenti Meta dhe e dyta PD dhe opozita në tërësi. Prej disa javësh, kreu i shtetit ka mbajtur qëndrime mjaft të ashpra ndaj Reformës në Drejtësi, duke deklaruar se ajo është e kapur nga Rama dhe përfaqësuesit e huaj në Shqipëri. Madje Meta ka sulmuar ashpër edhe ekspertët ndërkombëtar të EURALIUS duke i akuzuar ata për shkelje kushtetuese në propozimet e tyre në kuadër të reformës. Por përmes videos të mësipërme SHBA sqaron se procesi i vettingut, që është parësor në ecurinë e mëtejshme të reformës në drejtësi, po monitorohet nga ekspertë amerikanë dhe të BE-së dhe se e gjithë kjo i shërben vendosjes së drejtësisë në vend, mos lejimin e gjyqtarëve të korruptuar dhe mos lejimin e politikës të ndikojë në vendimmarrjen e gjyqësorit. Përmes i kësaj deklarate SHBA i kthen përgjigje si Metës ashtu edhe opozitës që sulmojnë reformën në drejtësi./Realstory.al

The Vetting Process

🇦🇱 | Në videon tonë të fundit, ne ju njohëm me një përmbledhje të reformës në drejtësi. Këtë javë, do të flasim për vetingun. Me siguri ju keni dëgjuar për këtë proces, por përse është vetingu i rëndësishëm? Përse reforma në drejtësi vendosi një proces rivlerësimi për gjykatësit dhe prokurorët dhe si do e ndryshojë kjo sistemin shqiptar të drejtësisë? Shihni këtë video dhe mësoni se si procesi i vetingut do të sigurojë që të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit. #CfareEshteReformaNeDrejtesi #NdalKorrupsionit🇺🇸 | In our last video we gave you an overview of justice reform. This week, we’re talk about vetting. You have probably heard about this process, but why is vetting important? Why did justice reform establish a process to vet judges and prosecutors and how will that change the Albanian justice system? Watch this video and learn how vetting will help ensure that everyone will be equal under the law. #WhatisJusticeReform #StopCorruption

Gepostet von U.S. Embassy-Tirana am Dienstag, 6. August 2019

Kandidati i SPAK që heton Adriatik Llallën, drejt kalimit të Vettingut

Klodian Braho ka kaluar pa teleshe fazën dëgjimore, ose fazën e parë të Vettingut. Braho është aktualisht prokuror i Krimeve të Rënda dhe një ndër kandidatët e zgjedhur nga KLP për të qenë pjesë e SPAK. Për t’u emëruar nevojitet vendimi i formës së prerë nga institucionet e vetingut.  Braho njihet si prokurori i disa prej çështjeve më të nxehta si ajo e ish kryeprokurorit Adriatik Llalla, dhe ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika.

Braho kaloi të enjten seancën dëgjimore dhe i vetmi problem që ju shfaq ishte një hua prej 5 mijë eurosh që i kishte marrë babait të tij në 2010. Problemi u ngrit nga relatori i çështjes, Roland Ilia duke argumentuar se kjo hua ishte e padokumentuar. Kjo vlerë është përdorur nga Braho për pagesën e një apartamenti.

Lidhur me kriterin e pasurisë, Komisioni verifikoi burimin e krijimit të një apartamenti me vlerë 29 428 euro në Yzberisht, blerjen e një automjeti me vlerë 400 mijë lekë si dhe vlerat e likujditeteve në cash dhe bankë. Komisioni nuk ka konstatuar probleme në blerjen e një autoveture në vitin 2016 në vlerën 400 mijë lekë dhe as në vlerat e likujditeteve dhe kursimeve në cash. KPK ka verifikuar edhe një pasuri të babait të bashkëshortes së prokurorit Braho, e cila sipas relatorit ka rezultuar ashtu siç është deklaruar.

Lidhur me pastërtinë e figurës, si Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, ashtu edhe Komisioni nuk kanë identifikuar kontakte me persona me lidhje me krimin e organizuar. Prokurori Braho mori vlerësime pozitive edhe për profesionalizmin.

Apartamenti ka si burim të deklaruar një kredi bankare prej 2.8 milionë lekësh, huanë 5 mijë euro nga babai si dhe të ardhurat e tij nga puna. Prokurori Braho shpjegoi në fjalën e tij se babai i tij, i vetëpunësuar në bujqësi i kishte mundësitë për të krijuar shumën e 5 mijë eurove.

Në KPK kanë mbërritur edhe 9 denoncime nga publiku në adresë të Brahos, për të cilat relatori i çështjes, Roland Ilia tha se subjekti ka dhënë shpjegime, të cilat do të vlerësohen para marrjes së vendimit më 26 korrik.

Procesi i vetingut u drejtua nga Xhensila Pine, me relator Roland Ilian dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin dhe në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar Ferdinando Buatier.

Pretendimet e Salianjit në KPA për Osmanin rrëzohen nga “prova e tij”

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji ka dorëzuar të mërkurën një CD në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku pretendon se ka materiale inkriminuese për prokurorin Gent Osmani.

Salianji pas dorëzimit të CD në KPA, tha në një deklaratë për mediat se  prokurori Gent Osmani shfaqet duke bën biseda inkriminuese me Alfred Alizotin, i njohur në çështjen “Babalja”. Sipas Salianjit në përgjime tregohen lidhjet e tij me krimin për të ndikuar në çështje të caktuara për ‘i shërbyer politikës. Të tillë prokurorë deklaroi Salianji duhet të dalin nga sistemi nëse duam një drejtësi të pavarur.

“Sapo dorëzova një CD me të dhëna përgjuese, të bëra me vendim gjykate nga ana e prokurorisë, në të cilat subjekti në rivlerësim, Gent Osmani, sot anëtar i KLP-së, një prej drejtuesve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili vendos për emërimin, shkarkimin apo transferimin e prokurorëve të çdo niveli, po ashtu edhe për krijimin e SPAK-ut, ka komunikuar në mënyrë jo vetëm miqësore, por edhe duke prishur dhe fshirë një pjesë të përgjimit, siç duket në përgjimin që do ta bëj publike edhe për mediat, me shtetasin Alfred Alizoti. E ka vendosur vetë në përgjim dhe ka komunikuar po kështu në mënyrë miqësore, pa lënë më pas asnjë lloj procesverbali, pa pasur asnjë lloj dokumentimi të të gjithë situatës së komunikimit me të dhe duket që është vendosur në mënyrë joprofesionale në shërbim të politikës dhe padiskutim të ish-ministrit Xhafaj, i cili e ka trysnuar për ta mbajtur peng në Kolegjin e Apelimit, sepse në KPK e ka kaluar vetingun.

Është një rast flagrant se si një prokuror, në mënyrë joprofesionale vendoset në shërbim të politikës, duke montuar një çështje të caktuar. Ne nuk po sulmojmë drejtësinë, por jemi për drejtësi të pavarur. Të tillë prokurorë duhet të dalin nga sistemi. E kam dorëzuar materialin sipas procedurave. Duhet të hapet një hetim për shpërdorim detyre për Gent Osmanin” – tha Salianji

Gent Osmani, prokurori i Krimeve të Rënda dhe anëtarë i Këshillit të Lartë të Prokuroisë, pritet të marrë të enjten vendimin final nga KPA për procesin e vettingut. Ai u konfirmua nga shkalla e parë e Vetingut, por Komisioneri Publik ankimoi vendimin, duke kërkuar shkarkimin e tij nga detyra, me argumentin se nuk justifikon pasurinë.

Ajo që vihet re në një video të shkurtër e përgjimit, të shpërndarë nga vetë PD-ja, është se në bisedën mes Alfred Alizotit dhe prokurorit Gent Osmani nuk ka asgjë miqësore, siç pretendon ish deputeti demokrat Salianji. Madje në një moment prokurori i drejtohet Alizotit, i cili e thërret në emër, duke i thënë “jo Genti, por prokuror Genti, nuk jam shoku jot” Kjo frazë e thjeshtë dhe e shkurtër hedh poshtë të gjithë pretendimin e Salianjit se mes tyre ka pasur një bisedë miqësore.

Gjyqtarja Kosova mbetet në detyrë, tërhiqet KP

Për herë të parë që nga nisja e procesit të Vettingut, Komisioneri Publik është tërhequr nga një ankimin bërë për një pjesëtar të sistemit të drejtësisë. Konkretisht, katër muaj pas ankimimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Komisioneri Publik është tërhequr nga kërkesa e ankimit në Komisionin e Posaçëm ta Ankimit për gjyqtaren e Apelit për Krimet e Rënda, Nertina Kosova. Gjyqtarja Kosova kaloi me sukses Vettingun në 18 korrik të vitit 2018, por Komisioneri Publik nuk ishte dakord me vendimin e KPK-së, duke e ankimuar atë në Komisionin e Posaçëm të Apelimit.

Një vit më parë, gjatë vendimit të KPK thuhej se “gjyqtarja Kosova nuk ka fshehur pasurinë dhe ishte e aftë profesionalisht, ndërsa cilësohej se nuk kishte lidhje me persona të lidhur me krimin”. Pas këtij vendimi të KPK-së, Komisioneri Publik doli me një deklaratë duke argumentuar sipas tij edhe arsyet pse Nertina Kosova duhet të rikthehej në procesin e rivlerësimit.

“Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, referuar pikës 1, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, shkruhej ndër të tjera në njoftimin e Komisionerit Publik.

 Ende nuk dihen arsyet e argumentuar, pse Komisioneri Publik, tërhiqet për herë të parë nga një çështje e ankimuar prej tij në Komisionin e Posaçëm të Apelimit, duke konfirmuar në detyrë rrjedhimisht gjyqtaren Nertina Kosova.

Apeli konfirmon KPK, mbetet jashtë drejtësisë prokurori Dritan Rreshka

Ish-drejtuesi i Prokurorisë së Tiranës, Dritan Rreshka mbetet përfundimisht jashtë sistemit të drejtësisë duke mos mundur të kalojë dot vettingun. Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin përfundimtar të Dritan Rreshka.

Prokurori Rreshka nuk ka mundur dot të justifikojë pasurinë e tij dhe KPK ka kërkuar përjashtimin e tij. Ky vendim nuk është pranuar nga Dritan Rreshka, i cili e ka apeluar atë në KPA.

Sipas njoftimit të KPA, në mbledhjen e mbajtur ditën e mërkurë, ka njoftuar se deklarimi i prokurori të Tiranës në lidhje me pasurinë është i pamjaftueshëm duke lënë në fuqi vendimin  KPK.

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Ina Rama  relatore, Ardian Hajdari, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo, anëtarë, arriti në përfundimin se subjekti i rivlerësimit Dritan Rreshka ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë ndaj në mënyrë unanime anëtarët kanë vendosur:

1- Lënien në fuqi të vendimit nr 55, datë 31.07.2018 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që i përket subjektit të rivlerësimit Dritan Rreshka

2- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm

Prokurori Dritan Rreshka u shkarkua në tetor të 2018 për shkak se nuk ka pasur burime financiare të mjaftueshme dhe ka kryer veprime të fshehjes së pasurisë, ndërkohë që edhe personat e lidhur me të kanë rezultuar me pasuri të pajustifikuara.

Pret Vettingun e dytë, Zaganjori: Jam i qetë

Një vit pasi kaloi shkallën e parë të Vettingut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Xhezair Zaganjori do të mësojë vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit më 26 korrik. Kjo datë është vendosur si dita kur do të jepet vendimi i KPA-së për Kryetarin e Gjykatës së Lartë, i cili u rikthye në rivlerësimin e Vettingut pas animimit që bëri Komisioneri Publik me rekomandim të ONM.

Sipas Komisionerit Publik, gjyqtari Zaganjori nuk justifikon pasurinë e tij, që shkon rreth 1 miliard lekë. Të mërkurën është mbajtur seanca e radhës dëgjimore për Zaganjorin në KPA, ku pala paditëse, Komisioneri Publik, ka shprehur dhe njëherë kërkesën për shkarkimin e tij. Pas mbledhjes, gjytari Zaganjori është shprehur për mediat se ndihet i qetë, pasi sipas tij, pasuria e tij është e justifikuar, dhe për këtë ai ka dorëzuar mbi 120 dokumente shkresore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

“Gjatë gjithë këtij procesi jam përpjekur për të bërë më të mirën që të paraqes jo vetëm dokumentet, por t’u përgjigjem mbi 100 pyetjeve duke sjellë mbi 120 dokumente, ndihem shumë i qetë dhe duhet të presim që Kolegji ti marrë në shqyrtim pretendimet e mia dhe të komisionerit, një pjesë e të cilave janë pranuar nga komisioneri, por faktet dhe deklarimin tim për pasurinë do të presim datën 26 për të marrë përgjigjen”.

“Unë mendoj që ato prova janë. Gjatë hetimit dhe gjykimit dokumentet që janë kërkuar nga Komisioneri dhe OMN apo KPK-ja unë jam përgjigjur, por disa prej tyre u citën si të përsëritura. Unë mendoj se duhet të merren parasysh, janë zyrtare dhe duhet të merren në konsideratë. Ai thotë mos merren, por vendos Kolegji”.

“Detyra e komisionerit është që të mbrojnë interesin e publikut dhe të ngrejë problemet, por mendoj se edhe ngritja e problemeve e ka një kufi, pasi ajo që është dokument zyrtar është prova. Synohet që të bëhet një reformë tërësore dhe ne kemi detyrë që ta respektojmë. Unë deri ditën e fundit dhe deri tani, me kompetencat që më njeh ligji se kam ndier veten në presion edhe dje kam firmosur plot shkresa për dorëheqje të gjyqtarëve të apelit”, është shprehur Zaganjori.

Vetting edhe për prokurorët e rinj, KLP jep “Ok” për 6 të parët

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka emëruar ditën e sot 6 prokurorët e rinj të drejtësisë që do të plotësojnë vendet vakante në prokuroritë e vendit. Zgjedhja dhe miratimi i tyre u bë përmes një metode të që do të zbatohet për vitet në vazhdim: Vetting për kandidatët që emërohen për herë të parë prokurorë. Procesi i vettingut të tyre do të kalojë me verifikimin e pasurisë dhe figurës për kandidatët e diplomuar në Shkollën e Magjistraturës.

KLP pas verifikimit dhe marrjes së informacioneve në të gjitha institucionet ligjzbatuese për këto kandidatë vendosi me 11 vota pro t’i jap “ok” 6 prokurorëve më të rinj të sistemit të drejtësisë.

Këto prokurorë do të plotësojnë vendet vakante në disa prokurori të vendit, konkretisht:

-Eliona Elezi, emërohet në Prokurorinë e Shkallës së Parë në Krujë

-Erida Visoçi, emërohet në Prokurorinë e Shkallës së Parë në Vlorë

-Mediana Meta, emërohet ne Prokurorinë e Shkallës së Parë  në Kavajë

-Françesk Ganaj, emërohet në Prokurorinë e Shkallës së Parë  në Lezhë

-Odeta Todorushi, emërohet në Prokurorinë e Shkallës së Parë  në Korçë

-Albjona Papajani, emërohet në Prokurorinë e Shkallës së Parë në Berat.  

Vettingu, dorëhiqet gjyqtari që shpëtoi Bashën nga burgu

Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë Aleksandër Muskaj për të shmangur vettingun vendosi të largohej vetë nga sistemi i Drejtësisë. Në vitin 2009 ai ishte pjesë e trupit gjykues që pushoi çështjen e Lulzim Bashën për aferën me Rrugën e Kombit 

Deri tani janë katër ish-anëtarë të Gjykatës së Lartë, të cilët ka vendosur të braktisin sistemin e drejtësisë, duke evituar kalimin në skanerin e trefishtë të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë deri në korrik të vitit 2017, nuk ka pranuar të shërbejë në Gjykatën e Apelit, duke u larguar nga sistemi i drejtësisë. Muskaj është emëruar në Gjykatën e Lartë në datë 08.07.2008, nga Partia Demokratike në Parlament. Në datën 10.04.2009, Aleksandër Muskaj ishte pjesë e Kolegjit Penal pranë Gjykatës së Lartë, i cili shpëtoi Lulzim Bashën nga ndëshkimi për skandalin me Rrugën Durrës Kukës, ku u shpërdoruan rreth 230 milionë euro.

Kolegji Penal që shpëtoi Bashën me procedurë kryesohej nga Spiro Spiro, ndërsa pjesë e tij ishin Perikli Zaharia, Irma Bala, Besnik Imeraj dhe Aleksandër Muskaj. Që të pestë gjyqtarët kanë firmosur pushimin e çështjes në ngarkim të Lulzim Bashës, në cilësinë e personit nën hetim si ish-ministër i Transporteve. Asnjë nga pesë gjyqtarët sot nuk shërbejnë në drejtësi. Besnik Imeraj u emërua më pas nga PD në mars të 2013 në Gjykatën Kushtetuese, por u largua nga kjo gjykatë në 31 janar 2018, duke evituar Vetingun. Ai mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej, por nëse qëndronte duhet të kalonte në skenarin e Vetingut. Pas largimit, KPK ndërpreu procesin e Vetingut ndaj Imerajt, i cili për 15 vjet nuk mund të emërohet në sistem./Shqiptarja.com

Zaganjori në Vetting, Komisioneri Publik kërkon shkarkimin e tij

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezai Zaganjori, i cili kaloi Vettingun në korrik të vitit të kaluar, ka dalë për herë të dytë brenda pak javësh, përpara Komisionit të Posaçëm të Apelimit, për të dhënë sqarime për pasurinë e tij. Kthimi i Zaganjorit në Vetting është bërë nga Komisioneri Publik, pas vrejtjeeve të paraqitura nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, që ka gjetur parregullsi në deklaratën e pasurisë së Zaganjorit. Në këto kushte, Komisioneri Publik ka kërkuar shkarkimin e Xhezair Zaganjorit nga posti që mban si drejtues i Gjykatës së Lartë, njëherazi duke e larguar atë nga sistemi i Drejtësisë në Shqipëri.

“Komisioneri Publik vlerësoi se bazuar në provat dhe faktet e administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, subjekti i rivlerësimit, Xhezair Zaganjori, nuk arrin një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë. Nëpërmjet këtij ankimi, Komisioneri Publik kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim çështjen në seancë gjyqësore dhe në përfundim të gjykimit të ndryshojë vendimin nr.46, datë 24.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit duke vendosur shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Xhezair Zaganjori, Kryetar i Gjykatës së Lartë”, ka argumentuar Komisioneri Publik.

Xhezair Zaganjori doli vetëm pak javë më parë përpara trupës gjykuese të Komisionit të Posaçëm të Apelimit, në seancën e parë dëgjimore për ankiminin e bërë nga Komisioneri Publik. Kreu i Gjykatës së Lartë u shpreh pas asaj seance, se ai kishte dhënë deklarata të rregullta të pasurisë, dhe sipas tij ishte e bazuar në fakte. Megjithatë, gjatë të mërkurës pritet dhe një vendim për fatin e Zaganjorit.

Nuk kaluan vettingun, prokurorët dhe gjyqtarët që i drejtohen Strasburgut

Më shumë se 10 gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar me një vendim të formës së prerë nga procesi i vetting-ut i janë drejtuar Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Ish-prokurorja e Apelit Shkodër, Besa Nikëhasani, ish-prokurorja e Prokurorisë së Përgjithshme, Rovena Gashi (Gina) dhe ish-anëtarja e Kushtetueses, Altina Xhoxhaj pretendojnë shkelje të të drejtave themelore të njeriut gjatë procesit të vetting-ut nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

A2 CNN ka mësuar se lista e ankimeve të depozituara në Strasburg kundër vetting-ut e ka kaluar numrin 10 dhe në të bëjnë pjesë ish-gjyqtarë e prokurorë të të tre niveleve. Në thelbin e ankimeve të bëra në Strasburg është cenimi i nenit nr.6 të Konventës, i cili flet për të drejtën e një gjykimi të drejtë. Ankuesit pretendojnë proces të parregullt ligjor. Ata kundërshtojnë ligjin ku bazohet vetting-u, ngrenë dyshime për pavarësinë e KPK dhe KPA, apo edhe në ligjshmërinë e emërimit të anëtarëve të tyre.

Aplikantët kanë pretenduar paragjykim të çështjeve ndaj tyre, pasi hetimi administrativ dhe gjykimi janë bërë nga e njëjta trupë. Ndër argumentet kundër janë listuar edhe vendimmarrjet duke u bazuar vetëm në një nga tre kriteret e rivlerësimit, duke mos i marrë në shqyrtim dy të tjerat.

Por, duke iu referuar faktin se vendimet e Strasburgut janë detyruese, një vendim pro tyre a mund të bllokonte gjithë procesin e vettingut?

Avokati i Popullit, Artur Metani përgjigjet: “Do të shohim vendimin e gjykatës”.

Skip to toolbar