Pëson atak kardiak duke i dhënë makinës, vdes i riu

Një person ka humbur jetën ndërsa po i jepte makinës për shkak të një ataku kardiak. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 17:45, në Bulevardin “Gjergj Fishta” në Tiranë.

Shtetasi me iniciale S.V., 30 vjeç, ishte duke drejtuar mjetin, kur ka humbur vetëdijen dhe kontrollin mbi mjetin, i cili ka dalë nga rruga duke u përplasur me një pemë.

Policia ka nisur hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Cikloni “Fani” shkakton viktimat e para në Indi

Një nga ciklonët më të fortë tropikal në këto 20 vitet e fundit, kështu është cilësuar stuhia që po godet aktualisht Indinë.

Deri tani janë shënuar 7 viktima dhe pritet që numri i tyre të rritet në ditë në vazhdim, ndërsa mbi 1 milionë njerëz janë evakuuar nga zanat ku cikloni “Fani” pritet të ketë fuqinë e tij më të madhe shkatërruese.

Cikloni “Fani” është klasifikuar si një stuhi e Kategorisë 4 me erëra që shkojnë 240 kilometra në orë. Stuhia pritet të dobësohet ndërsa shkon drejt Kalkuta, një nga qytetet më të populluara të Indisë, dhe Bangladeshit. Goditjen më të fortë ky ciklon e ka pasur në 1999 ku la pas 10 000 viktima.

Bilisht, makina përplas për vdekje drejtuesin e motorit

Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur në aksin rrugor Korçë-Bilisht. Një makinë tip “Benz” ka përplasur një motor duke lënë të vdekur, drejtuesin e këtij të fundit.

Sipas policisë viktima me iniciale V.GJ., 60 vjeç ka ndërruar jetë në spital si pasojë e plagëve të marra. Policia ka arrestuar shtetasin A.D., 21 vjeç dhe po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Më datë 03.05.2019, në aksin rrugor Korçë-Bilisht, në hyrje të qytetit të Bilishtit, shtetasi A.D, 21 vjeç, banues në Bilisht, duke drejtuar mjetin tip “Benz” ka aksidentuar shtetasin V.Gj, 60 vjeç, banues në fshatin Baban, i cili drejtonte një mjet motor pa targa.

Shtetasi V.GJ, u transportua për mjekim në Spitalin e Korçës, ku më pas ka ndërruar jetë. Drejtuesi i mjetit shtetasi A.D, ndodhet i shoqëruar në Komisariat ku po kryhen veprimet e mëtejshme proceduriale.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.

Policia ndjek të kërkuarin, e gjejnë të vetëvrarë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Plan i Bardhë të Klosit, ku një person ka vrarë veten me një plumb në kokë.

Viktima është shtetasi Ari Hoxha, 31 vjeç, i cili ishte shpallur në kërkim për dhunë në familje.

Sipas policisë 31 vjeçari po shkonte i armatosur drejt banesës së bashkëshortes së tij dhe kjo ka bërë që efektivët të nisen me urgjencë në adresën ku kishin marrë informacion. Mirëpo kur efektivët kanë arritur kanë dëgjuar një të shtënë me armë.

I riu kishte vrarë veten rreth 150 metra larg banesës së vjehrrit të tij, ndërsa policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plot të ngjarjes.

Bie në kontakt me korrentin, humb jetën peshkatari

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Lezhës, ku një peshkatar ka humbur jetën.

Sipas policisë dyshohet se ai ka rënë në kontakt me energjinë elektrike, por nuk dihen ende detaje të tjera.

Viktima është identifikuar si Aleksandër Dedgjoni 37 vjeç, ndërsa ngjarja ka ndodhur në zonën Balldre të Lezhës.

Përplas për vdekje këmbësorin, largohet nga vendngjarja

Një 42 vjeçar ka gjetur vdekjen, pasi është përplasur nga një makinë, drejtuesi i të cilit është larguar nga vendngjarja.

Ngjarja ka ndodhur në bulevardin “Aqif Pasha” në Elbasan, ndërsa policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit pak minuta më vonë. Arrestohet shtetasi Gentian Sula, 30 vjeç, pasi përplasi për vdekje shtetasin Altin Bahja, 42 vjeç.

Ndaj tij rëndojnë akuzat “Shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largim nga vendi i aksidentit”.

22 vjeçarja humb jetën duke eksperimentuar me…seksin

Një 22 vjeçare britanike ka gjetur vdekjen në rrethana ende të paqarta. Anna Florence Reed ishte duke pushuar me të dashurin e saj, 29 vjeç, në Zvicër, por gjithçka ka shkuar keq gjatë qëndrimit të tyre romantik.

22 vjeçarja u gjet e vdekur në dyshemenë e banjës së hotelit me disa të prera në trupin e saj, ndërsa i dashuri tha se gjithçka ndodhi pas një “loje seksi” që shkoi keq.

Të bërtiturat e saj janë dëgjuar edhe nga personat e tjerë që qëndronin në hotel. Në momentin e mbërritjes së mjekeve viktima kishte humbur jetën duke mos pasur më asnjë shpresë për të, ndërsa policia ka arrestuar të dashurin e saj gjerman.

Zjarri përpin nënë e baba në Pukë, 4 fëmijët hidhen nga ballkoni

Një shtëpi banimi ka marrë flakë gjatë natës në fshatin breg të Pukës, duke shkaktuar vdekjen e çiftit Petrit dhe Dava Ndoj. Por fatmirësisht nga zjarri kanë shpëtuar 4 fëmijët e mitur si dhe gjyshërit e moshuar që jetonin bashkë në të njejtën shtëpi.

Sipas të dhënave të para të policisë, zjarri ka rënë rreth orës 2 të natës teksa banorët ishin në gjumë. I pari që e ka dëgjuar zjarrin ka qenë gjyshi,  i moshuari Pal Ndue Gjoni.

“Dëgjova tullat që kërcisnin dhe më doli gjumi. Jam zgjuar shpejt, kisha hallin e fëmijëve. Thirra djalin që të merrte gruan time, që e kam të paralizuar. Kur e thirra djalin, nuk m’u përgjigj. U gëzova kur pashë fëmijët që kishin dalë në oborr. Ajo që më ndodhi mua, mos t’i ndodhtë njeriu!” është shprehur i moshuari.

Dy të moshuarit janë strehuar tek të afërmit në një banesë pranë. 4 fëmijët pasi u mjekuan, u strehuan tek të afërmit e mamasë së tyre.

Policia dhe zjarrfikëset kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrin pas disa orësh duke gjetur edhe trupat e pajetë të prindërve të fëmijëve.

Skip to toolbar