“Ra nga skela”, vrasja e Indrit Çelës u përpoq të manipulohej si aksident

Ngjarja e pak ditëve më parë ku mbeti i vrarë një i ri 26-vjeçar, Indrit Çelaj, që ishte duke rregulluar një tub kondicioneri në vilën e Bujar Kusit, vijon të paraqesë detaje të tjera tronditëse. Këtë të martë, News 24 ka zbardhur deklarata e bërë në prokurori nga Bujar Kusi, babai i dy vëllezërve të akuzuar për vrasjen e 26-vjeçarit, dhe një tjetër person, Ferdinand Bakallai, i akuzuar për ‘Mos kallëzim krimi’. Në deklarata e dhëna nga Ferdinand Bakalli, i cili është nën masën e sigurisë “arrest me burg”, sipas prokurorisë ka pasur tentativë për të fshehur të vërtetën. Bakalli ka deklaruar se “Indrit Çelaj, kishte rënë nga skela”, ndërkohë që i riu u qëllua me plumb në kokë.

“Menjëherë pas këtij momenti, jam afruar aty te ky objekt dhe kam dëgjuar një person i cili ishte duke ulëritur me zë të lartë, të cilin pasi e kam pyetur se cfarë kishte ndodhur ky person më është prezantuar se ishte vëllai i një personi që ishte plagosur. Kam hyrë brenda objektit ku kam vënë re se një person ishte në gjendje të rënë për jetën dhe ishte i shtrirë në dyshme, të cilin në momentin që e kam parë ishte i shtrirë përmbys dhe në pjesën e kokës po i rridhte gjak, ky person i dëmtuar ishte i vetëm, kur pranë tij nuk kam parë asnjë person tjetër që po i jepte ndihmë, apo që ishte prezent. Menjëherë pas kësaj situate kam dalë jashtë ambjentit dhe rreth orës 11:19 kam marr ambulancën në telefon në numrin 127 duke i kërkuar që të vinte urgjent pasi një person ka rënë nga skela gjatë punës dhe njëkohësisht kam dalë në rrugë të orientoja ambulancën për ta dërguar në spital këtë person të plagosur. Pas rreth 5 minutash ka mbërritu ambulanca dhe së bashku me stafin mjekësor që ishin rreth 3 punonjës kemi marrë personin e plagosur dhe e kemi futur në ambulancë dhe e kanë dërguar në spital. Unë këtë ngjarje e kam dëgjuar vetëm gjakë kohës kur kam qenë duke kaluar nga lokali drejt hyrjes së rrugës Myslym Shyri” ka dëshmuar Bakalli para prokurorëve.

Për moskallëzim krimi, ka mbetur në burg dhe Luan Çaka, që gjithashtu ka deklaruar në prokurori dëshmi të pavërteta. Sipas dëshmisë së Çakës, i ndieri i kishte kërkuar t`i blinte çokollata dhe cigare, para se të ndodhte ngjarja.  “Jam kthyer pas 15 minutash, kur jam kthyer pash se dera kryesore e banesës ishte e mbyllur, dhe aty ndodheshin të pesë punëtorët që të cilët nuk më kanë lejuar të futem në banesë. Ju kam kërkuar shpjegime dhe nuk më kanë dhënë, dhe më pas jam larguar për te makina ime.” është shprehur Çaka.

Ndërkohë, Bujar Kusi, babai i Albano dhe Griseldo Kusit, ka deklaruar se ‘dy djemtë e tij’ ditën e gjarjes kanë qenë në plazh, ndërsa ai vetë nuk kishte qenë në objekt.  “ Më 22/08/2019 në orën 07:00 të mëngjesit kam shkuar në Kombinat te dyqani im i cili ndodhet në qendër të kombinatit është byrektore, aty kam qëndruar deri në orën 12:30 minuta. Rreth orës 11:00 më ka marr në telefon cuni im, Griseldo Kusi dhe më ka kërkuar shumën prej 50 mijë lekësh, unë e kam pyetur se për cfarë i do dhe më ka thënë se do dalë me vëllain Albanon dhe dy shoqe. Unë më pas shkova tërhoqa shumën e parave që më kërkoi cuni, kam edhe faturën e bankës në banesë dhe këtë shumë ia kam dhënë dy çunave”.

:Ndërkohë që kam qenë në banesë dikush i policisë më ka telefonuar dhe më ka thënë se duhet të paraqitem te objekti që ndodhet në ndodhet në rrugën “Muhamet Gjollesha”, ku unë jam pronar dhe kam qenë duke rregulluar tubat e kondicionerit të kësaj banese. Jam paraqitur te banesa ime dhe aty mësova se cfarë ka ndodhur. Rreth orës 13:55 ndërkohë që kam qenë në objekt në prani të punonjësve të policisë kam marr në telefon shtetasin Mond Sula dhe i kam thënë kush janë punëtorët e kondicionerit që më ke sjellë. Mondi më ka thënë se paskën bërë sherr Lorenc Veliaj me këtë punëtorin e kondicionerit dhe Lorenci e paska qëlluar me armë zjarri, punëtorin e tubave të kondicionerit të cilin me emër nuk e njoh, por mësova se ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak. Të dy çunat Albano dhe Griseldo në dijeninë time ndodhen në plazh te Gjiri i Lalzit me dy shoqet e tyre të cilat nuk i njoh” është shprehur Bujar Kusi, para prokurorëve.

Indrit Çelaj u vra në datën 22 gusht në vilën e familjes Kusi në Tiranë, pasi ishte duke hapur një vrimë për tupin  e kondicionerit në mur. Për këtë ngjarje janë arrestuar katër persona, ndërsa janë shpallur në kërkim dy vëllëzerit, Albano dhe Griseldo Kusi, të cilët akuzohen për vrasjen e të riut.

“Mami mos vdis”, burri vret gruan në sy të fëmijës

Një krim makabër ka ndodhur në sy të një fëmije ku një grua është vrarë nga ish-bashkëshorti i saj. Ngjarja ka ndodhur në Turqi, ku çifti i divorcuar ishin takuar në një kafene së bashku me vajzën e tyre, 10 vjeçe. Gjatë një debati burri ka marrë thikë dhe gjuajtur ish-bashkëshorte 38-vjeçare Emine Bulut, me të cilën ishte ndarë prej 4 vitesh.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në sy të fëmijës e cila është traumatizuar dhe vetëm bërtiste “mami të lutem mos vdis.” Policia ka vënë në pranga autorit.

“Të nisesh për punë e të kthehesh i vdekur”. Rrëqeth babai i Indritit

Baftjar Çelaj rrëqeth teksa flet për të birin e vrarë të enjten me një plumb në kokë nga vëllezërit Kusi, teksa ishte duke punuar në vilën e tyre.

Në një reagim për News 24, Baftjar Çelaj ngren supet lart kur thotë se ku ta kërkojë drejtësinë kur djalin e tij e vranë vetëm 26-vjeç teksa ishte duke punuar.

Çelaj thotë se e ka marrë vesh lajmin nga mediat, në orën 19 të darkës ndërkohë që ngjarja ka ndodhur në orën 11 të mesditës së të enjtes.

“Kjo që më ndodhi mua mos i ndodhtë asnjërit. Kjo është fatkeqësi e madhe në Shqipëri. Ti nisesh në punë dhe kthehesh i vdekur është fatkeqësi. E kam marrë vesh nga gazetat. Çuni është vrarë ne 11 paradite unë e mora vesh në orën 7 në darkë se i kishin marrë edhe dokumentet. Çunin e kishte marrë policia. Djali ishte në punë, punonte me kondicionerë se ka mbaruar edhe elektriken. Montonte kondicionerët.

Asnjë konflikt nuk ka pasur djali, ka qenë i kulturuar dhe i sjellshëm. Rrallë gjen djalë si ai, nuk dinte të ofendonte ishte i matur. Ma morën djalin në moshë të re. Në fillim të shtatorit do bënim bufenë. Kur vajta në spital vetëm kam mbajtur veten. Sikur të kisha fuqi nuk dija se ca mund të bëja. Ku do kërkoj drejtësi, kush ma zgjidh mua”, tregon Baftjar Çelaj.

Djali i tij Indrit Çelaj u qëllua me një plumb në kokë nga vëllezërit Kusi në Tiranë, pas një debati për kondicionerin. Vëllezërit Kusi janë shpallur në kërkim nga policia, ndërkohë që të dy janë me precedentë penalë.

U kap me armë në një lokal në Tiranë, i zbulohen vepra të tjera penale

Policia e Tiranës ka arrestuar një 23-vjeçar, i cili qarkullonte me armë zjarri me vete. Arrestimi i tij u bë pas denoncimit të qytetarëve se ky shtetas lëvizte me armë. Menjëherë në lëvizje u vunë forcat blu, të cilët bënë të mundur arrestimin e 23-vjeçarit me iniciale A.Gj.

23-vjeçari është një emër i njohur për policisë pasi më herët ka qenë i dënuar për vjedhje me dhunë dhe prej më shumë se një vit kërkohej për tentativë vrasje. Arrestimi i tij u bë gjatë operacionit të koduar “Aleati”, ku autori ndodhej në një lokal në rrugën “Teodor Keko”, ku pas kontrollit të tij  policia i gjeti në çantë armën e zjarrit dhe 5 fishekë.

Që prej 2018, ai ishte i shpallur në kërkim nga drejtësia për tentativë vrasje me dashje, ngjarje e ndodhur në  bulevardin “Bajram Curri”. Pas një konfikti të çastit, në bashkëpunim me një shtetas tjetër ka qëlluar me armë zjarri shtetasin A. B., i cili ka mbetur i plagosur.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.

Vranë 26-vjeçarin, vëllezërit Kusi të dënuar më parë, për vrasje dhe plagosje

Griseldo Kusi dhe Albano Kusi dy autorët e vrasjes së 26 vjeçarit Indrit Çelaj te “Myslim Shyri” janë emra të njohur për policinë për shkak të kaluarës së tyre kriminale.

Albano Kusi është përballur në gjykatë në vitin 2011 me akuzën e vrasjes me dashje të Shkëlqim Nozllit të ndodhur në tetor të vitit 2010.

Pas hetimeve rezultoi se zanafilla ishte një borxh i papaguar i viktimës  ndaj Kusit. Për këtë ngjarje u arrestuan policët I. Ademi dhe J. Nuhu për moskallëzim krimi ndërsa Albano Kusi si autor i vrasjes. Sipas vendimit të Gjykatës që la në arrest me burg Albano Kusin, motivi i ngjarjes ishte një borxh prej 650 eurosh që i kishte viktima.

Ndërsa vëllai tjetër, Griseldo Kusi në vitin 2011 është arrestuar nga policia pasi ka tentuar të vrasë Maksut Hysën. Ngjarja ndodhi në fshatin Mnik të Tiranës, ku Griseldo Kusi ka tentuar të vrasë Maksut Hysin.

Ndërsa në janar të vitit 2012, Kusi u perfshi ne nje tjeter ngjarje kriminale ku qëlloi në atentat një 26 vjeçar. Aso kohë shtetasi Boiken Spahiu u qëllua teksa parkonte makinën, katër herë me armë zjarri dhe një nga plumbat që ka depërtuar në makinë e ka goditur duke e plagosur rëndë.

Ngjarja u klasifikua “vrasje e mbetur në tentativë” ,  dhe policia vuri në pranga Griseldo Kusin. Sipas burimeve nga policia mësohet se mes të plagosurit dhe të dyshuarit për ngjarjen ka pasur një konflikt për çështje lëndësh narkotike në Angli.

U gjet i vrarë në kanal, 23 vjeçari i arrestuar më parë për vjedhje makine

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me vrasjen e 23 vjeçarit Florian Selimaj i cili u gjet në një kanal në vendin e quajtur  “Kthesa e Hamilit” në fshatin Sulaj të Fierit.

Policia njoftoi më herët se i riu ka ndërruar jetë si pasojë e plagës së marrë me thikë gjatë një konflikti me persona ende të paidentifikuar.

Në vendin ku është gjetur trupi i tij i pajetë është gjetur edhe një makinë me kofano të hapur edhe goma të hequra. Dyshohet se i riu ka qenë duke rregulluar makinën që kishte pësuar defekte dhe është sulmuar me thika nga persona ende të paidentifikuar. Pasi është plagosur me thikë trupi i tij është hedhur në një kanal aty pranë.

Policia njofton se 23 vjeçari është arrestuar në vitin 2015 për vjedhjen e një makine, të cilën me pas e ka djegur në rrethana të paqarta.

Ende nuk dihet nëse vrasja e tij të hënën lidhet me ngjarjen e arrestimit të tij nga policia katër vite më parë.

Vrau 3 veta për hakmarrje, si i shpëtoi burgut përjetë Elidon Kotorri

Elidon Kotorri është një emër jo pak i dëgjuar për policinë dhe mediat shqiptare në vitet 2000. Ai u akuzua për vrasjen e tre personave, duke u dënuar me burgim të përjetshëm. Por ai ka lënë qelinë në burgun e Peqinit, pas përfundimit të dënimit me rreth 20 vite heqje lirie.  

Por si ndodhi ngjarja? Elidon Kotorri u dënua për vrasjen e trefishtë të Andi Hasanit, Sokol Alushit dhe Gazmend Zenelit, ndërsa u plagos shtetasi Grigor Stefani. Kotorri e kreu vrasjen për hakmarrje, pasi viktima Andi Hasani në vitin 1998 kishte vrarë mikun e tij, Elton Zajmi.

Dosja e Kotorrit i ka kaluar të gjitha proceset e gjyqësorit në Shqipëri duke e dënuar atë me burgim të përjetshëm. Pas këtij vendimi autori e dërgoi dosjen në Strasburg, ku kjo gjykatë gjeti shkelje në proces duke e rikthyer për gjykim.

Në rigjykim, shkalla e parë në Tiranë pranoi gjykimin e shkurtuar dhe e dënoi me 25 vite, nga të cilat Kotorri ka kryer rreth 20, ndërsa ka përfituar edhe ulje. Ai ka lënë të enjten qelinë e burgut të Peqinit me mbarimin e dënimit të tij.

Erdhën nga Zvicra për pushime, 61 vjeçari vret gruan 20 vite më të re

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Prizrenit ku bashkëshorti 61 vjeçar ka qëlluar me armë duke lënë të vdekur në vend gruan  e tij 20 vite më të re. Mediat kosovare njoftojnë se ngjarja ka ndodhur ditën e martë rreth orës 23 të mbrëmjes, në lagjen “Hysni Morina” në qytetin e Prizrenit.

Çifti jetonte në Zvicër dhe kishin ardhur në Prizren për të kaluar disa ditë pushimesh. Por pas një sherri mes tyre 61 vjeçari B.V. ka qëlluar më armë gruan e tij 42-vjeçare, vetëm pak metra larg shtëpisë.

Në vendin e ngjarjes policia gjeti 15 gëzhoja të cilat u shkrepën nga revolja me të cilën dyshohet të ketë ndodhur e gjithë ngjarja e rëndë.

Me vendim të prokurorit është bastisur shtëpia e personit të dyshuar dhe policia ka arritur të gjejë armën e tipit revole ZIG M1, të kalibrit 9 mm si dhe 42 fishekë të kësaj armë. Dyshohet se me të njëjtën armë i dyshuari ka kryer veprën penale të ‘vrasjes së rëndë’.  

Hetimet, biznesmeni në Vlorë u vra për një kalë

Pronari i lokalit në Vlorë është vrarë për një kalë. Ka qenë pikërisht xhiroja me kalë në breg të detit që është bërë shkak për nisjen e një konflikti, fillimisht me fjalë e grushte dhe më pas me breshëri armësh që sollën vrasjen e Arben Beqirajt në Vlorë dhe plagosjen e djalit dhe nipit të tij.

Një person ka bërë xhiro me kalë në mes të plazhistëve në plazhin e administruar nga Arben Beqiraj dhe Ergest Beqiraj. Ata janë konfliktuar me personin që po kalëronte duke u përfshirë në konflikt fizik me të. Ai më pas është larguar nga zona  dhe një orë më vonë është kthyer me një makinë dhe katër persona të tjerë, Eduart Xhezon, Ariel Kingjin, Çelik dhe Geno Lenan. Dy prej tyre janë afruar pranë Beqirajve për të diskutuar por debati është përshkallëzuar dhe autorët kanë nxjerrë armët duke qëlluar në drejtim të Arben dhe Ergest Beqirajt dhe kushëririt të tyre.

Beqiraj ka ndërruar jetë pas disa orës në spital. Ndërkohë që policia ka shpallur në kërkim autorët e ngjarjes.

Lëvizte me makinë të blinduar, urdhri i ekzekutimi të Feriz Bardhit erdhi nga jashtë

Vrasja e Feriz Bardhit, të enjten e 1 gushtit, dyshohet se është porositur jashtë kufijve të Shqipërisë, saktësisht në Itali, ku 40-vjeçari ushtronte aktivitetin e trafikimit të drogës.

Prokuroria e Durrësit, pas ngjarjes ka shoqëruar disa persona për t’i marrë në pyetje mes tyre familjarë dhe dëshmitarë të rastit për të arritur në një pistë hetimesh. Bardhi ishte përfshirë në trafikimin e kokainës në Itali dhe kishte krijuar përplasje dhe konflikte me trafikantët atje. Mungesa e konflikteve të tjera në Shqipëri i ka bërë hetuesit të përqendrohen në aktivitetin e trafikimit të lëndëve narkotike.

Në 2012, 40-vjeçari ishte dënuar nga drejtësia italiane pasi ishte kapur me 700 gramë kokainë të pastër, që në treg do të kapte një vlerë prej 100 mijë euro. Droga u gjet në një makinë “BMË X6”, ku Bardhi ndodhej së bashku me Arif Qelinë, edhe ky i dënuar. Atëherë drejtësia italiane theksoi se Bardhi dhe Qelia nuk ishin shpërndarës të thjeshtë droge.

Konfliktet për trafikun e drogës në Itali, e kishin bërë edhe vetë Feriz Bardhin të shtonte masat e sigurisë ndaj tij, i cili kohët e fundit udhëtonte me një makinë të blinduar citon Panorama. Por kjo sërish nuk e ka mbrojtur atë, pasi autorët e kanë ekzekutuar pasi ka dalë nga makina, pranë derës së vilës së tij, që e kishte blerë së fundi.

Në zonë mungonin kamerat e sigurisë dhe për këtë arsye identifikimi i autorëve bëhet edhe më e vështirë. Ekzekutorët kanë përfituar nga mungesa e kamerave të sigurisë, e kanë lënë Bardhin të hyjë në portën e shtëpisë dhe më pas e kanë thirrur duke e qëlluar me 12 plumba. Sipas policisë automjeti që është përdorur nga autorët dyshohet të jetë mjeti i djegur në vendin e quajtur Ura e Gjolës në Fushë-Krujë, brenda së cilës janë gjetur edhe armë.

Prokuroria e Durrësit vijon hetimet intensive në lidhje me zbardhjen e ngjarjes dhe deri tani nuk ka ende asnjë të dyshuar në lidhje me autorët.

Skip to toolbar