Në një intervistë për edicionin e lajmeve në “Vizion Plus”, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj shprehet se presidenti Ilir Meta e ka humbur votëbesimin në Kuvend.
Ai madje e përgënjeshtroi Metën, duke
deklaruar se nuk ka asnjë sinjal nga organet ligjzbatuese për konflikt civil më
30 qershor dhe as nuk do të lejohet një gjë e tillë në asnjë ditë të vitit.
Kujtojmë se një nga argumentet e Presidentit
Meta për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit ishte pikërisht informacioni se
ishte në rrezik siguria e vendit. Por ndryshe nga Presidenti, ministri i
Brendshëm garanton se nuk ka asnjë informacion të tillë dhe se policia do të
marrë të gjitha masat për mbarëvajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor.
Nga ana tjetër, ministri Lleshaj duke u ndalur
tek rezoluta e PS, theksoi se Meta me aktin e tij humbi votëbesimin e Kuvendit.
Ai komentoi gjithashtu edhe veprimet e opozites si dhe protestat e zhvilluara
kunder kryeminsitrit Rama ne Librazhd, ndërsa tha se policia do të bëjë detyrën
sa herë shkelet ligji.
Z.Lleshaj, lideri i opozitës ju ka akuzuar se po bëni arrestime politike. Pse duhej marrë masa e arrestit ndaj drejtuesve të PD, që protestuan në Librazhd?
Ministri Lleshaj: Së pari edhe unë do të doja
ndoshta ta pyesja dhe z.Basha dhe udhëheqjen politike të asaj partie se a janë
politike, a ka diçka politike në lëndët shpërthyese që përdorën kundër Policisë
së Shtetit? A ka diçka politike në bllokimin e rrugëve? A ka diçka politike në
bllokimin dhe në ndalimin e lirisë së qytetarëve për të ushtruar të drejtën e
tyre të zgjedhjes? Në qoftë se këto janë politike pra në qoftëse fishekzjarret,
kapsollat, gurët e hedhura ndaj eskortës së Kryeministrit apo ndaj mitingut
përkatës të një partie politike në zgjedhje janë politike, atëhere duhet të
mendohemi të gjithë mirë ata dhe ne.
Përgjigja ime e shkurtër është kjo: nuk ka
asgjë politike, është thjesht një përgjigje e policisë ndaj veprave të pastra
kriminale të ushtruara nga persona të caktuar, pavarësisht se këto duan të
etiketohen si politikë.
Nëqoftëse Basha do t’i etiketojë si politikë,
kjo është puna e tij po ne, policia është marrë me veprime kriminale të
ushtruara ndaj saj dhe ndaj qytetarëve, që duan të marrin pjesë në fushatë
zgjedhore.
Dje parlamenti miratoi me 100 vota pro rezolutën ku theksohet se Presidenti i Republikës ka shkelur kushtetutën. A do të pasohet kjo rezolutë me shkarkimin e Ilir Metës?
Ministri Lleshaj: Unë di të them që Parlamenti
bëri të paktën diçka ndryshe nga Presidenti; parlamenti nuk zhbëri aktin e vet
të mëparshëm me të cilin e ka zgjedhur Ilir Metën president të vetin, por
shprehu një votë mosbesuese ndaj tij përmes deklarimit ose konstatimit të një
pavlefshmërie absolute të aktit të Presidentit për anullimin e zgjedhjeve.
Dhe, përmes kësaj, gjëja që vlen për t’u
konstatuar është se dje Ilir Meta humbi në një farë mënyre votëbesimin e
parlamentit prej nga ka dalë, prej nga është zgjedhur.
Dikur është zgjedhur me 87 vota dhe dje mori
100 vota kundër, është një shenjë, një mesazh shumë i qartë që përfaqësuesi i
sovranit, pra i popullit i jep Presidentit të Republikës si një shans reflektimi
për të mos shkuar më tej në thyerjen e ligjit dhe shkeljen e kushtetutës.
Këtë shoh unë si lajmin themelor të djeshëm.
Se çfarë do të bëhet më tej, kjo është një çështje që meriton kohën e vet.
Gjithsesi si kundërpërgjigje ndaj parlamentit, sot Presidenti i ka kërkuar informacion KQZ sa deputetë ka aktualisht parlamenti. Ka të drejtë Presidenti të shpërndajë parlamentin dhe çfarë do të bëjë mazhoranca nëse Kreu i Shtetit ndërmerr një hap të tillë?
Ministri Lleshaj: Sigurisht që është
interesante kërkesa e presidentit për të mësuar sa deputetë ka Parlamenti i
Shqipërisë. Do të duhej që ta dinte edhe më përpara, do të duhej që ta dinte në
çdo çast numrin e deputetëve që ka Kuvendi i Shqipërisë, megjithatë kjo është
çështje e presidentit.
Unë dua edhe mund të them vetëm këtë; di që në
Kushtetutën e Shqipërisë, për shkak të faktit që Shqipëria është republikë
parlamentare, parlamenti zgjedh presidentin, ose presidenti zgjidhet nga
parlamenti dhe nuk kuptoj se si mundet që presidenti të shkarkojë, të zhbëjë,
të shpërndajë organin prej të cilit ka dalë, prej të cilit buron, prej të cilit
i buron fuqia e tij.
Kështu që nuk besoj që mund të kishte as
hapësirë ligjore, as kushtetuese, po as logjike që Presidenti, i cili është
zgjedhur nga ky parlament të tentojë të shpërndajë një parlament ndaj të cilit
nuk ka asnjë tagër, për arsye se, për shkak të natyrës së republikës tonë
parlamentare, Presidenti është i dalë prej këtij parlamenti. Dhe nuk mund të
përmbyset bota sepse në qoftë se presidenti do t’i lejonte vetes të zhbënte
organin prej të cilit i buron gjithë fuqia kushtetuese, politike dhe
institucionale, do të thotë që të ishim në një situatë absurdi. Dhe besoj që pa
u kthyer bota përmbys, kjo nuk mund të ndodhë.
Nga ana tjetër opozita ka deklaruar se nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve në 30 qershor, duke krijuar për këtë qëllim edhe aleancën për mbrojtjen e demokracisë. Çfarë do të bëni për të siguruar një process të qetë zgjedhor dhe si do të veprohet nëse do të tentohet bllokimi i qendrave të votimit?
Ministri Lleshaj: E kam dëgjuar disa herë këtë
paralajmërim të opozitës për të parandaluar ose për të penguar zhvillimin e
zgjedhjeve të lira në datë 30 qershor. Madje opozita pretendon që ka fuqi të
madhe për ta bërë, pra ka fuqi të madhe për t’i prishur zgjedhjet, për të mos e
lejuar zhvillimin normal të tyre, por unë do të pyesja: në qoftë se opozita e
ka këtë fuqi për t‘i prishur zgjedhjet, ka fuqi për të dëmtuar një proces të
madh zgjedhor, i cili zhvillohet në të gjithë vendin, rreth 5000 qendra votimi,
do të pyesja: Përse nuk e përdor opozita këtë fuqi në mënyrë konstruktive për
t’i ndrequr zgjedhjet? Në qoftë se paska fuqi për t’i prishur, përse nuk ndreq?
Pse nuk përpiqet që zgjedhjet të zhvillohen të lira, të ndershme, të drejta,
demokratike, dinjitoze për Shqipërinë dhe pastaj përmes këtyre zgjedhjeve ajo
mund të rrisë fuqinë e saj politike.
Nuk kuptoj se si mund të përdoret fuqia e një
force politike për të prishur, ndërkohë që mund të përdoret për të ndrequr.
Sigurisht metafora të tilla për prishje
zgjdhje si komitete shpëtimi ose aleanca për të mbrojtjen e demokracisë janë
metafora të cilat e kanë humbur çdo vlerë. Janë metafora të cilat burojnë nga
mendje të paorganizuara dhe që nuk e njohin as shtetin, as ligjin, as
demokracinë dhe as kushtetutën dhe dua të them që si të tilla ato nuk mund të
kenë shans për të krijuar situata paralele në shtetin shqiptar.
Askush nuk mund të mendojë dhe nuk mund të
shpresoj dhe nuk mund të guxoj të mendoj që mund të ndërtojë institucione
paralele, të cilat minojnë funksionimin normal të shtetit shqiptar.
Zgjedhjet janë një e drejtë kushtetuese e
qytetarëve, është një detyrim kushteues i shtetit për t’i organizuar ato, për
të krijuar mjedisin e nevojshëm që ato të zhvillohen të drejta, të lira dhe të
ndershme. Kushdo që futet në këtë lojë për të prishur zgjedhjet, futet në një
lojë me ligjin me kushtetutën dhe me të ardhmen e vendit, me parimet
demokratike, futet në një lojë të rrezikshme dhe një ballafaqim të rrezikshëm
jo vetëm me institucionet e shtetit shqiptar po edhe me partnerët ndërkombëtarë
të Shqipërisë, të cilët qartësisht po thonë dhe po ftojnë të gjitha mediat e
arsyeshme që të futet në rrugën dhe hullinë e ligjit, të ikin nga kjo retorikë,
e cila nuk sjell asnjë rezultat përveçse penalitete të padobishme për askënd.
Zoti Lleshaj a kanë informacione Ministria e Brendshme, Policia dhe agjencitë ligjzbatuese se në 30 qershor mund të tentohet konflikti social?
Ministri Lleshaj: Institucionet dhe njësitë
ligj zbatuese të shtetit shqiptar nuk kanë asnjë informacion se me 30 qershor
mund të kemi një konflikt social. Konflikti social i pretenduar, i reklamuar
apo i dëshiruar prej disa mendjeve të nxehta është një opsion i pamundur.
Jo, nuk do të ketë konflikt social në
Shqipëri, as me 30 qershor, as me 30 nëntor dhe as me 30 dhjetor për arsye se
në Shqipëri nuk ekziston asnjë lloj konflikti midis shtresave, midis
qytetarëve, pra një konflikt social.
Ajo që ekziston në Shqipëri është një aspiratë
e pashpresë për të marrë pushtetin në rrugë të paligjshme dhe kjo nuk mund të
lejohet.
Ajo që sot shitet apo tentohet të shitet si
mundësia e një konflikti social në Shqipëri, është thjesht përpjekje për të
minuar arritjen më të madhe të Shqiptarëve në këto tre dekadat e fundit që
është ngritja e një sistemi drejtësie, i cili më në fund do të krijojë shpresë
për një rend të drejtë, të barabartë për të gjithë qytetarët e këtij vendi.
Mundësia për një konflikt social është e barabartë me zero, mundësia që të kemi
konflikte midis grupeve të caktuara apo elementeve të caktuara kriminalë, të
cilët synojnë të shkatërrojnë ose të dëmtojnë ose të cënojnë një proces zgjedhor,
po, për këtë kemi informacione që ka përpjekje ka plane ka organizime, për të
bërë të mundur cënimin e procesit zgjedhor.
Për të bërë të pamundur që qytetarët shqiptarë
të shkojnë të ushtrojnë lirisht të drejtën e tyre për të vituar apo për të mos
votuar, por këto informacione lidhen me elementë apo me grupe të caktuara.
Dhe këtu nuk jemi në rrafshin e politikës,
jemi në rrafshin e kriminalitetit dhe bazuar në të gjitha prerogativat që
parashikon kushtetuta, kodi zgjedhor dhe ligje të tjera të Shqipërisë, janë
marrë të gjitha masat që qytetarët të kenë mundësi të ushtrojnë në liri të
plotë të drejtën e tyre për të zgjedhur në datën 30 qershor.
Ndërkohë që kujtdo që mendon të mund të
intimidojë, cenojë apo të dëmtojë procesin zgjedhor duhet t’iu themi që
tërhiquni nga idetë e gabuara, nga iluzionet e gabuara për arsye se do të keni
përballë ligjin, kushtetutën shqiptare, do të keni përballë qytetarët e vendit,
të cilët mbrojnë të drejtën e tyre për të votuar, do keni përballë aleatët,
partnerët, miqtë e Shqipërisë, të cilët janë në mbështetje të këtij procesi
jetik për vendin.
Vendi është në prag të hapjes së negociatave
të anëtarësimit për në BE, vendi është në fillimin ose në kulmin e një sezoni
turistik, jetik, të domosdoshëm për ekonominë dhe askush nuk mund të guxojë që
të cenojë këto gjëra kaq të rëndësishme për qytetarët shqiptarë, të cilët duan
punë, duan qetësi, duan mirëqenie, duan integrim europian dhe jo rrëmujë të
pakuptimtë.
Z.Ministër, sot policia e Elbasanit dhe forcat speciale arrestuan kreun e grupit kriminal të fisit Çapja, por bashkë me të janë arrestuar edhe zyrtarë dhe ish zyrtarë të Autoritetit të Medias. Ku qendron implikimi i tyre në këtë çështje, për çfarë janë prangosur ata?
Ministri Lleshaj: Sot policia ka zhvilluar një
aksion të madh, një megaoperacion, madje edhe dje, edhe sot në Elbasan janë
kryer goditje shumë të rëndësishme të policisë kundër krimit të organizuar. Unë
nuk di të them asgjë për CV-të e atyre personave që janë arrestuar.
Në këndvështrimin e Policisë së Shtetit, në
këndvështrimin tonë, personat që arrestohen nuk kanë asnjë cilësi tjetër përveç
cilësisë së personit të dyshuar për pjesëmarrje në veprimtari të krimit të
organizuar. Dhe çdo përpjekje për t’i klasifikuar disi ndryshe persona të
caktuar të arrestuar, më duket e padobishme për momentin.
Procesi është në zhvillim, në hetim. Ajo që
vlen të theksohet është që suksesi i sotëm i Policisë së Shtetit është një
tjetër tregues i përmirësimit të jashtëzakonshëm të fuqisë së saj goditëse.
Mos harroni që në harkun e disa muajve janë
vënë para drejtësisë disa nga ekzemplarët më të njohur të krimit të organizuar
në vend, emra të njohur dhe ky proces është thjesht në vazhdim. Operacioni për
goditjen e krimit të organizuar është në zhvillim të plotë dhe dua të garantoj
qytetarët që jo vetëm në Elbasan, por në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë,
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me prokurorinë dhe me struktura të tjera
ligjzbatuese do ta vazhdojë këtë operacion jetik për të ardhmen europiane të
vendit.
Janë dy gjëra që ne duhet të bëjmë tani fort,
në kuptimin e organeve ligjzbatuese: është lufta kundër krimit të organizuar,
lufta kundër emigracionit të paligjshëm dhe azilkërkimit të paligjshëm në
vendet e BE-së.
Këto të dyja janë prioritete të mëdha të cilat
na kërkohen shumë jo vetëm nga qytetarët e këtij vendi, jo vetëm nga e ardhmja
jonë por dhe nga partnerët tanë të cilët na masin çdo ditë suksesin bazuar në
këto 2 tregues të rëndësishëm.
Goditja sot në Elbasan është vetëm një goditje
e madhe e radhës. Ka patur shumë që e kanë paraprirë, jam i sigurt që do të
ketë shumë të tjerë që do të vijojnë në të ardhmen për ta bërë Shqipërinë atë
që duhet të jetë. Faleminderit!