Skadon afati, 34 parti regjistrohen në KQZ për zgjedhje

Ka skaduar afati i vendosur nga Komisioni Qëndror Zgjedhor për t’i dhënë mundësi partive politike për t’u regjistruar për të garuar në zgjedhjet e 30 qershorit. Janë regjistruar gjithsej 34 parti që kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhje. Por në këtë listë mungojnë partitë e Koalicionit Opozitar.

Kështu nuk janë regjistruar në zgjedhje PD, LSI, PR, LZHK, PDK, PBDNJ, PDIU, si dhe të tjera që nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit. Dita e djeshme ishte afati i fundit ligjor i vendosur nga KQZ, brenda të cilit partitë politike do të duhet të dorëzonin kërkesat për regjistrim në zgjedhje.

Në pritje për të marrë vulën përfundimtare nga KQZ si pjesë e zgjedhjeve janë edhe 8 parti të tjera, të cilat kanë dorëzuar brenda afatit ligjor kërkesat për regjistrim në KQZ. Një prej tyre është edhe Bindja Demokratike, e cila depozitoi kërkesën në limitet kohore. E në këto kushte i takon KQZ të vendosë për regjistrimin e tyre në zgjedhje.

Në total, pjesë e garës për zgjedhjet e pushtetit vendor do të jenë 42 subjekte politike, që kanë respektuar afatet ligjore për regjistrim.

Partitë e regjistruara në KQZ:

1. Partia Socialiste e Shqipërisë                                     Edi Rama

2. Partia Socialdemokrate Shqiptare                            Skender Gjinushi

3. Partia Fryma e Re Demokratike                                Bamir Topi

4. Partia Demokracia Sociale                                          Paskal Milo

5. Partia Ligj dhe Drejtësi                                                Spartak Ngjela

6. Partia Lista e Barabartë                                               Ben Blushi

7. Partia Zgjidhja                                                                Koço Kokëdhima

8. Partia e Gjelbër                                                               Edlir Petanaj

9. Partia Kristian Demokrate                                           Dhimitër Muslia

10. Partia Aleanca Demokristiane                                   Zef Bushati

11. Partia Socialiste e Moderuar                                      Gjergji Koja

12. Partia Unitetit Kombëtar                                            Idajet Beqiri

13. Partia Emigracionit Shqiptar                                     Kostaq Papa

14. Personat me Aftësi të Kufizuar                                  Gjovalin Shqalshi

15. Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare                            Genci Sakaj

16. Partia e të Drejtave të Mohuara                                 Ilir Vata

17. Demokracia e Re Europiane                                       Koçi Tahiri

18. Aleanca për Barazi e Drejtësi Europiane                  Valentino Mustaka

19. Partia Demokrate për Integrim dhe Prosperitet     Kujtim Muça

20. Partia Ardhmëria Shqiptare                                       Emin Subashi

21. Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen                     Kristo Kiço

22. Partia për Demokraci dhe Solidaritet                       Gaqo Apostolo

23. P. Për Mbrojtjen e të drejtave te emigranteve         Ymer Kurti

24. Partia Komuniste e Shqipërisë                                  Qemal Cicollari

25. Partia Bashkimi Demokrat Shqiptar                         Ylber Valteri

26. Partia Ora e Shqipërisë                                                Zef Shtjefni

27. Partia Bashkimi Liberal Demokrat                           Arian Starova

28. Partia për Liri, Demokraci dhe Etikë                       Arian Galdini

29. Partia Kombëtare Konservatore                                Kujtim Gjuzi

30. Partia për Mbrojtjen e te Drejtave të Puntoreve    Kadri Isufaj

31. Partia Aleanca Kuq e Zi                                                Kreshnik Spahiu

32. Partia e Reformave Demokratike                              Krenar Rryçi

33. Partia e Pajtimit Kombëtar,                                        Spartak Dobi

34. Partia Socialpuntore Shqiptare,                                 Ramadan Ndreka

Basha: S’do lejojmë zgjedhje farsë. Të dënohet Rama, Dako e Gjiknuri

Në përfundim të nënshkrimit të marrëveshjeve me partitë aleate të Koalicionit Opozitar, kryetari i PD-së Lulzim Basha tha për mediat se nuk do të ketë zgjedhje farsë dhe se kërkojnë dënimin e Ramës, Dakos e Gjiknurit për akuzën e krimit elektoral.

Basha gjithashtu tha se koalicioni opozitar do të jetë maxhoranca e re e vendit që do të vijë në pushtet vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“PD ka përfunduar paraditen e sotme nënshkrimin e marrëveshjes  se koalicionit politik dhe qytetar pë zgjedhjet e ardhshme. Në orët e ardhshme ky koalicion do të zgjedhohet me të tjera parti për t;i dhënë Shqipërisë të ardhmen që meritor. Pë r t’i dhënë fund zgjedhjeve false. Qëllimi është që të kthejmë vendimmarrjen në duart e shqiptarëve. Kjo qeveri ka detyruar shqiptarët të ndërmarrim një eksod. Do angazhohemi që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira. Do i japi, fund krizës kushtetues që gjykata të jetë larg ndikimeve politike për të vepruar me një standard. Do i japim fund krimit politik të vjedhjes së votave. Zgjedhje farsë në Shqipëri nuk do ketë, pa u ndëshkuar krimi elektoral. Pa u vënë para drejtësisë Edi Rama me Vangjush Dakon dhe Damian Gjiknuri. Marrëveshja nuk është thjeshtë një konfirmim i vullnetit politike. Në supet tona qëndron një msion kombëtar. Në funksion të këtij misioni akti i parë do të jetë formësimi me gjithë faktorët shoqërorë i platformës për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për të sjellë mirëqenie për të gjithë shqiptarët. Largimi i shkaktarit të kësaj gjendje që shkaktoi politike, arsim dhe ekonomi false dhe krijimi i një qeverie tranzitore që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Dua të citoj Tomas Xheferson: Tirania është populli ka frikë qeverinë, liria është kur qeveria ka frikë popullin”, tha Basha.

LIVE

LIVE – Opozita u bashkua sot zyrtarisht në koalicion. Bashkë për Shqipërinë si Europa! #ShqipëriasiEuropa

Publiée par Lulzim Basha sur Mardi 23 avril 2019

Pendarovski kryeson zgjedhjet presidenciale në Maqedoni

Është zhvilluar dje në Maqedoninë e Veriut raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Në garë merrnin pjesë 3 kandidatë, Stevo Pendarovski i ndjekur nga Gordana Siljanovska dhe Blerim Reka i vetmi kandidat shqiptar.

Raundin e parë të zgjedhjeve e ka kryesuar Stevo Perandovski që është kandidat i partive LSDM, BDI dhe rreth 30 parti të tjera me 42,68%, ndërsa pas tij u rendit Siljanovska e VMRO-DPMNE, e cila arriti të grumbullojë 42,55% të votave. Ndërkohë kandidati shqiptar Blerim Reka mori gjithsej 10,43 % të votave të numëruara.

Reka u shpreh i kënaqur me rezultatet në komunat shqiptare ku tha se ishin bindshëm triumfues por edhe në komunat maqedonase duke thënë se kishte marrë vota në çdo komunë. Ai nuk la pa hedhur akuza lidhur me procesin zgjedhor duke thënë se elektorati ishte i kapur dhe votuesit kanë qenë nën kërcënim.

Sipas medieve maqedonase raundi i dytë zgjedhor do të zhvillohet më 5 maj dhe kandidati favorit është Stevo Pendarovski.

Maqedonia Veriut në heshtje zgjedhore, nesër votohet për Presidentin

Maqedonia e Veriut do të mbajë ditën e diel më 21 prill raundin e parë për zgjedhjen e presidentit të ri. Në garë marrin pjesë 3 kandidatë, mes tyre edhe një shqiptar.

Stevo Pendarovski është kandidati i koalicionit qeveritar, Gordana Siljanovska Davkova është kandidatja e mbështetur nga partia opozitare VMRO-DPMNE dhe shqiptari Blerim Reka garon si kandidati i pavarur.

Raundi i parë për zgjedhjet presidenciale është caktuar më 21 prill, ndërsa i dyti më 5 maj. Të drejtën e votës do ta ushtrojnë 1 808 131 qytetarët, ndërsa 1 782 qytetarë të tjerë do të votojnë jashtë territorit të Maqedonisë së Veriut. Këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale në vend që nga pavarësia në vitin 1991.

LLeshaj: PD është kthyer në bandë, por s’mund të pengojë zgjedhjet

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në një intervistë në Report TV tha se zgjedhjet do të zhvillohen në datën 30 qershor dhe asnjë parti nuk mund t’i pengojë ato. I pyetur për deklaratën e Berishës i cili tha se një ‘97 e dytë ia vlen për të mbrojtur votën e lirë, LLeshaj tha se “zgjedhjet nuk do të mund t’i pengojë asnjë parti që dëshiron të kthehet në bandë”.

Ai gjithashtu garantoi se Policia e Shtetit do të jetë në krye të detyrës për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

“PD mund të tentojë të bëjë gjithçka që mendon në qasjen e saj për jetë a vdekje. Nuk e di se ç’mund të jetë kjo dilemë sot në këtë shekull. Shqiptarët e kanë provuar logjikën e antagonizmit jetik jetë a vdekje dhe do dinë ta përkthejnë vetë këtë retorik absolutisht të papranueshme, të paligjshme.

Zgjedhjet janë kryeinstitucioni demokratik mbi gjithçka. Kush mundohet t’i heqë shqiptarëve të drejtën e zgjedhjes po bën veprën më të rëndë penale. Çdo parti ka të drejtën të bëjë zgjedhjet e veta, të jetë parti, të kthehet në bandë, por të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur s’jua ka dhënë njeri, e kanë fituar vetë, dhe atë të drejtë nuk ka mundësi t’jua heqë askush, sikur të përpiqemi, të bëhemi edhe bashkë. Ditën që vjen dita e zgjedhjeve, do bëhen zgjedhjet.

Unë besoj që Policia e Shtetit është plotësisht e aftë për të garantuar ligjshmërinë në Shqipëri. Tek zgjedhjet përveç policisë, janë qytetarët e vendit që janë mbi të gjithë, që do të ushtrojnë të drejtën e tyre.

Marrëzi në këtë vend kemi parë shpesh herë gjatë këtyre viteve, në ’96; ’97; ’98, shqiptarët kanë arkivuar mjaft memorje për të reflektuar. Historia përsëritet në trajtë komedie, për arsye se duhet të dimë: Shqipëria është vend anëtar i NATO-s.

Nuk ndihem mirë teksa i dëgjoj këto thirrje në pragun e një vendimi historik për Shqipërinë që është hapja e negociatave për në BE”, tha Lleshaj.

Një ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në TV  se “për votën e lirë ja vlen çdo veprim që kur kombet kanë sakrifikuar për të ja ka vlejtur.  PD është në betejë për jetë a vdekje me armikun më të egër, të votës e rendit që është Edi Rama. PD është për fitore, ose vdekje”

Basha: Dialog vetëm me largimin e Ramës

“PD do të hyjë në bisedime për të formuar një qeveri tranzitore vetëm me largimin e Ramës!” kështu ka deklaruar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Në një deklaratë për mediat pas përfundimi të mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, ku u miratuan edhe 3 kushtet e PD-së për të hyrë në zgjedhje, Basha tha se pa largimin e Ramës nuk mund të ketë kurrsesi zgjedhje të lira.

“Misioni ynë është i qartë. Këshilli Kombëtar, në përgjigje të aspiratës për ndryshim, ka sanksionuar hapat për betejën tonë politike që ka objektiva të qarta: të çrrënjosim krimin, korrupsionin që pamundësojnë mirëqenien, t’i shërbejmë qytetarëve shqiptarë duke i kthyer shpresën dhe mundësinë në shtëpinë e tyre. Vendimi është i qartë: PD do të futet në zgjedhje vetëm kur të garantohen kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme. “

“Sot çdo shqiptar e ka kuptuar se kjo qeveri ka rënë. Kryeministri më i paaftë, çdokush e ka kuptuar që me Ramën nuk vazhdohet më. Largimi i tyre do na çojë drejt një qeveria tranzitore. Ne do të shpalosim propozimet tona për mandatin e një qeverie tranzitore të cilat do të përfaqësojnë konsensusin e përbashkët. Pa largimin e Edi Ramës nuk ka dialog, do vazhdojë përballja në të gjitha format.” – ka thënë Basha

Tre kushtet e Bashës për t’u futur në zgjedhje

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka parashtruar sot në mbledhjen e Kryesisë dhe Grupit Parlamentar 3 kushte që PD të regjistrohet në zgjedhjet e 30 qershorit.

“1. Partia Demokratike e Shqipërisë të regjistrohet në zgjedhje vetëm pasi të jenë krijuar kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kriza e rëndë politike në vend, nuk mundëson standardet demokratike për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është provuar se Qeveria e Edi Ramës ka bashkëpunuar me krimin e organizuar për blerjen e votave.

2. Partia Demokratike e Shqipërisë angazhohet në mbrojtje të demokracisë dhe të drejtës së votës së lirë të mos lejojë përveç zgjedhjeve të lira asnjë farsë elektorale; të pamundësojë përmes përshkallëzimit të aksionit opozitar dhe qytetar, mbajtjen e zgjedhjeve fasadë, të diktuara nga krimi i organizuar dhe paratë e pista që shkatërrojnë demokracinë dhe vullnetin e qytetarëve shqiptarë.

3. Të mandatojë Kryetarin e Partisë dhe Sekretarin e Përgjithshëm për të negociuar me partitë politike të opozitës marrëveshjen për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, për mbrojtjen e interesit publik dhe aksionin opozitar për plotësimin e këtyre objektivave, përfshirë, mandatin dhe detyrat e Qeverisë Tranzitore dhe platformën për zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

Këto janë propozimet e Bashës që të kalojnë edhe për votim në Këshillin Kombëtar të PD dhe më pas do të jenë zyrtare.

Basha thotë se nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor

“Data e zgjedhjeve lokale do të shtyhet, zgjedhje në 30 qershor nuk ka për të pasur”. Kështu është shprehur mbrëmë në emisionin “Tempora” në RTV Ora, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ai u shpreh i bindur se zgjedhjet lokale nuk do të zhvillohen më 30 qershor dhe se kjo datë do të shtyhet.

“Zgjedhje më 30 qershor nuk ka për të pasur, data e zgjedhjeve do të shtyhet. Shqipëria nuk është një humbëtirë e Afrikës ekuatoriale apo republikave ish-sovjetike. Pa u ndëshkuar krimi elektoral duke filluar me Dibrën në 2016, pa u ndëshkuar përgjegjësit e krimit elektoral as që mund të mendohet që të garantohet një proces zgjedhor. Derisa nuk garantohet nuk mund të ketë zgjedhje fallto”, tha Basha në emision.

Ndërkaq presidenti i Republikës prej kohësh ka dekretuar datën 30 qershor për zhvillimin e zgjedhjeve lokale, madje maxhoranca ka vijuar edhe me shpalljen e disa prej kandidatëve.

Serbët e Kosovës në pritje të “PO” së Beogradit

Pas vendimit të presidentit Thaçi për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri të Kosovës, duket se kryetarët serbë kanë nisur me përpilimin e listës së emrave, që pritet të kalojë për miratim nga Beogradi zyrtar.

Katër komunat veriore të Kosovës, Mitrovica, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan kanë një popullsi të konsiderueshme serbe dhe deri më sot janë udhëhequr nga kryetarë serbë.

Më herët, kryeministri Haradinaj u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të dalin të votojnë masivisht për të vendosur për të drejtën e tyre.

Palmer, mesazh të qartë nga SHBA: Opozita të hyjë në zgjedhje

Zv. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Matthew Palmer ka dhënë sot në Tiranë një mesazh të qartë për opozitën shqiptare: Të marrë pjesë në zgjedhjet lokale.

Pas takimit që zhvilloi dje pasdite me kryeministrin Rama, Palmer sot do të takohet edhe me Presidentin Meta dhe krerët e opozitës, por më parë ka zhvilluar një bashkëbisedim me gazetarët.

Ai theksoi se të gjitha partitë politike duhet të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme, ndërsa opozita duhet të përfshihet në dialog për reformën zgjedhore.

“Nuk jam këtu për të negociuar një platforme me palët. Të gjitha partitë politike duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe duhet të punojnë fortë për to dhe procesin politik.

Shqipëria ka një qeveri legjitime me të cilën ne bashkëpunojmë. Ajo është vend aleat dhe do të ketë suportin tonë. Jam konfident se kjo qeveri do të çojë vendin përpara dhe do vazhdojë me zbatimin e reformave si ajo në drejtësi.

Është përgjegjësi e opozitës për të marrë pjesë në zgjedhjet e qershorit. Ajo duhet të ndajë vizionin e saj me mbështetësit dhe të punojë fortë. Vetëm në këtë mënyrë mundet të fitojë në arenën politike”, është shprehur Palmer.

Sipas axhendës, zv.ndihmës sekretari i Shtetit, Matthew Palmer do të takohet me kreun e PD, Lulzim Basha në orën 13:45. Ndërsa pas një ore, zyrtari i lartë i DASH do të takohet me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi. Në orën 17:30 Palmer do të pritet në presidencë nga Presidenti Ilir Meta.

Skip to toolbar