Meta kërkon “shpëtim” te raporti i ODIHR

Një ditë pasi publikoi raportin me 55 faqe ku i bënte mbrojtjen vetes përballë Komisionit të Venecias, Ilir Meta ka shkruar një editorial të gjatë, me shumë referenca nga Raporti i OSBE/ODIHR, që sipas tij, janë “skaneri që ndan shtetin e propagandës nga shteti i së drejtës”. Meta, duke cituar raportin e ODIHR, i jep vetes meritën se “Presidenti ka qenë mbi palët” dhe “ka bërë të pamundurën për të zgjidhur krizën politike”. “Ky konstatim i OSBE/ODIHR më 14 qershor, vetëm katër ditë pas firmosjes së dekretit për shtyrjen e 30 qershorit, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve vendore, tregon se Presidenti, në mënyrë të vazhdueshme dhe këmbëngulëse, në respekt të pozicionit të tij kushtetues mbi palët, kishte bërë të gjitha përpjekjet për zbutjen dhe tejkalimin e krizës, për të zëvendësuar konfrontimin me dialogun gjithëpërfshirës”, shkruan ndër të tjera Meta. Më tej, Meta gjen “fajtorin”, që sipas tij nuk pranoi dialogun. Ai akuzon Kryeministrin Edi Rama për kokëfortësi, duke i quajtur 7 letrat publike të kreut të qeverisë drejtuar Bashës për dialog, si “konsum propagandistik”.

“Por çfarë e bëri të pamundur rishikimin e datës së zgjedhjeve përmes dialogut gjithpërfshirës? Tashmë është shumë e qartë: kokëfortësia dhe vendosmëria e Kryeministrit Rama për të zhvilluar zgjedhje pa opozitën, pa bërë përpjekjet më minimale dhe të sinqerta, për të shmangur pasojat. Ky konstatim i OSBE/ODIHR tregon qartë se deklarimet publike të Kryeministrit për dialog ishin vetëm për konsum propagandistik, pasi duke mos pranuar shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, ai e bënte të pamundur arritjen e dialogut me opozitën”, shkruan Meta.

Më tej, pasi e sulmoi opozitën për “djegie të parlamentit”, Meta rikthehet te flirtimi me Bashën, duke i dalë në mbrojtje. Një ditë, pasi në një intervistë në TV Klan Kryeministri Edi Rama deklaroi se “nuk do të komentojë më deklaratat e kundërshtarëve”, gjë të cilën e kishte lënë të kuptohet qysh në verë, madje as deklaratat e Metës “se do ti jepte titullin ‘Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”, Meta shprehet se ‘opozita nuk kishte pse të futej në zgjedhje, pasi Kryeministri nuk i jepte mundësinë të merrte pjesë në zgjedhje demokratike”.

“Për çfarë do të ulej opozita në dialog me Kryeministrin, nëse ai nuk i jepte mundësinë të merrte pjesë në zgjedhje vendore demokratike dhe sipas standardeve europiane?! Opozita ishte larguar nga Parlamenti dhe 182 deputetë dhe kandidatë të saj kishin refuzuar mandatet e përfaqësimit. Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare përsëri 18 vende të opozitës kanë mbetur bosh në Kuvendin e Shqipërisë, që sot ka 122 deputetë nga 140 që është numri i detyrueshëm kushtetues”, thotë Presidenti.

Meta gjen përsëri argument për të sulmuar reformën në drejtësi. Sipas tij, mazhoranca “kishte përjashtuar” opozitën nga zbatimi konsensual i Reformës në Drejtësi. Rasti, sipas Metës, ishte zgjedhja e  Prokuores së Përgjithshme Arta Marku.

“Ndërkohë që më parë mazhoranca e kishte përjashtuar opozitën nga zbatimi konsensual i Reformës në Drejtësi duke e provokuar me zgjedhjen antikushtetuese të Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm (term ky që nuk ekziston në Kushtetutë) me 69 vota në mënyrë tërësisht të njëanshme. Në këto kushte, a mund të shkonte opozita në një “dialog” për ta uruar Kryeministrin për fitoren me 100% të bashkive dhe këshillave bashkiakë pa kundërshtarë, duke patur parasysh se partitë e Opozitës së Bashkuar përfaqësojnë nga zgjedhjet e fundit lokale të vitit 2015, 48.6 % të votave ndërsa PS bashkë me aleatët 43% të votave?!”, shkruan ndër të tjera Meta.

Ndërkohë, Ilir Meta, duke iu referuar raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet, synon një tjetër “vetëmbrojtje” në kuadër të procesit të shkarkimit të tij. Madje, editoriali i Metës, vjen fill pas Intervistës së Kryeministrit Edi Rama të së hënës në Tv Klan, ku deklaronte se “shkarkimi i Presidentit është proces dhe do t`i shkohet deri në fund”. Meta, ndonëse e “mori lehtë” në fillim, pasi deklaroi se do të qëndronte në zyrë deri në përfundim të mandatit kushtetuese, megjithatë, prej momentit që në lojë është futur Komisioni i Venecias, Presidenti është bërë “serioz”, duke përdorur çdo argument, që sipas tij është ligjor dhe kushtetues, për tu mbrojtur.

I tillë ishte dhe raporti i të hënës me 55 faqe, ku në gjithë frymën e tij, Meta paraqiste veten si “i paanshëm” dhe “mbi palët”, por nga ana tjetër, në gjithë frymën e raportit, Presidenti tregonte qartë pozicionin e tij, më opozitar se sa vetë opozita. Frika e shkarkimit është dukur qartë, Meta ka pranuar në disa mënyra shkeljen e Kushtetutës, aq sa për herë të parë ai përmendi se “do të jepte dorëheqjen, nëse Komisioni i Venecias vërteton shkeljet e Kushtetutës”. /Realstory.al/

Drekoi me zyrtarin e DASH, Rudina Hajdari tregon detaje: Ja për çfarë u interesua

Gjatë vizitës që zhvilloi në Tiranë, Drejtori për Europën Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, David Kostelancik, pati dhe një drekë pune me deputetët e opozitës parlamentare në Kuvend. Rudina Hajdari, pjesë e këtij takimi, ka zbuluar detaje nga biseda e Kostelancik me deputetët e opozitës parlamentare. Sipas Hajdarit, zyrtari i DASH ishte shumë i interesuar për Reformën Zgjedhore. Bashkëkryetarja e komisionit për këtë reformë, deputetja e djathtë, u shpreh se shpreson që Reforma Zgjedhore të bëhet kusht ndërkombëtar ashtu si Reforma në Drejtësi.

“Ai erdhi në Tiranë për të parë situatën poltike. Ishte shumë i interesuar për reformën zgjedhore. Kostelancik shprehu dëshirën për t’u takuar dhe me anëtarë të tjerë të komisionit të Reformës Zgjedhore. Folëm dhe për kërkesat që grupi opozitar ka për sistemin zgjedhor. Nuk jemi thjesht për adresimin e kërkesave të OSBE-ODIHR, por për ndryshimin e sistemit zgjedhor. E kemi thënë që prej fillimit. Takimi me Kostelancik zgjati 90 minuta. E pranishme ishte zëvendës ambasadorja e SHBA-së. Ajo ishte shumë e hapur për reformën. Shpresoj që reforma zjgedhore të bëhet kusht ndërkombëtar si për Reformën në Drejtësi. Duhet që pas 30 vitesh të kemi zgjedhje jo të kontestuara’’, deklaroi Hajdari.

Kryetarja e Grupit Parlametar të deputetëve të djathtë në Kuvend, Rudina Hajdari gjatë fjalës në një studio televizive, ku është shprehur se ‘nuk është penduar’ që nuk dogji mandatin e deputetes. Gjatë fjalës së saj, Hajdari ka thënë se ‘lufta bëhet në Kuvend’ dhe jo jashtë tij. “Zgjodha rrugën e duhur, jo vetëm unë por i gjithë grupi parlamentar, për të thënë që është djep i demokracisë dhe përballë çdo lloj qeverie, i vetmi vend ku mund të përballemi është parlamenti, aty bëhen ligjet.” u shpreh Hajdari. E kritikuar vazhdimisht për lapsuset e saja gjuhësore, të cilat kanë ardhur shpesh për shkak të jetës për një kohë të gjatë në SHBA, Rudina Hajdari është shprehur se për të nuk përbën problem. Ajo thotë se kritikat ndaj saj, vetëm për shkak të lapsuseve, e bëjnë më të fortë, ndonëse tregon që i ndjek shumë pak rrjetet sociale.

“Të bësh gabime është njerëzore nuk jam njeri perfekt, kam gabimet e mia, nuk është problem për shqiptarët. impenjimi kryesor, të shpalos gjëra te reja e problematika që shqetësojnë shqiptarët sot dhe të mos tërheqin vëmendjen. Nuk është e lehtë të bësh deklarata të tilla, por është e nevojshme duhet një njeri që të thotë atë ç’ka po ndodh. Jam mësuar tashmë, kritikat më bëjnë më të fortë nuk më shqetësojnë, rrjetet sociale mundohem mos i ndjek shpesh është krijuar një rreth vicioz ndoshta edhe i koordinuar. “ u shpreh Hajdari.

Gjithashtu, Hajdari ka folur edhe për mundësinë e krijimit të një partie të re. Ajo është shprehur se nuk e përjashton këtë mundësi, por sipas saj, nuk është momenti i duhur për të diskutuar krijimin e një fraksioni të ri politik. “Qytetarëve u intereson fakti që të kenë përfaqësues sa më të mirë. Nuk është lehtë të krijosh parti. Kur drejton parti ke përgjegjësi të tjera. Nuk është një precedent i lehtë. Nuk e përjashtoj si opsion. Nuk kam frikë nga kjo gjë. Por nuk është momenti i duhur për ta diskutuar’’, u shpreh Rudina Hajdari.

Ka vetëm një mënyrë për të ‘fituar’ prej raportit të OSBE/ODIHR

Nga Astrit Patozi

Zgjedhjet e 30 qershorit ishin edhe më të këqija, se sa ato përshkruhen në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it. Dhe këtu nuk ka ndonjë gjë për t’u çuditur, sepse afro 250 vëzhgues të huaj nuk mund t’i shihnin dhe konstatonin të gjitha shkeljet në një proces zgjedhor problematik dhe tërësisht të zhbalancuar, i cili kishte nisur mbrapsht që në çastin kur disa forca kryesore politike morën vendimin për të bojkotuar. Por ky raport realist nuk të jep shumë mundësi për t’u krenuar, sepse është njësoj sikur dikush të fërkojë duart se i doli fjala që e zuri ujkun duke ngrënë, pasi më parë i kishte varur atij mëlçitë në qafë.

30 qershori është një histori për t’u harruar, si për ata, që nuk po i gëzohen dot fitores “publiçitare” të 61 bashkive, të cilët dëshmuan se i vjedhin votat edhe kur nuk kanë fare kundërshtar përballë, po ashtu edhe për të tjerët, që po thonë se kanë fituar me 85 qind, mëgjithëse nuk morën pjesë në zgjedhje fare. Raporti nuk e thotë, por e lë të nënkuptohet qartë, se të dyja palët janë pjesë e përgjegjësisë për produktin dhe rezultatin e deformuar të 30 qershorit. Natyrisht, secili mund të shkëpusë prej raportit vetëm paragrafët, që i pëlqejnë apo interesojnë, dhe kjo ka ndodhur pothuajse gjithmonë me të gjitha dokumentet ndërkombëtare për Shqipërinë.

Por kjo nuk e ndryshon fare nevojën emergjentë të vendit për të lënë pas një epokë të palavdishme dhe shumëvjeçare me zgjedhje të manipuluara për shkak të sistemit tonë politik, i cili ndodhet në fazën fundore të degradimit. Raporti OSBE/ODIHR-it është një arsye më shumë se përse kjo qeveri nuk meriton të qëndrojë asnjë ditë të vetme në pushtet, por në një vend të lirë ky objektiv arrihet vetëm përmes zgjedhjeve. Ndaj edhe ai nuk mund të shërbejë kurrësësi si një justifikim për të përligjur mospjesmarrjen në procesin e shumë debatuar të 30 qershorit, dhe aq më pak si një shtysë për teka apo trille të tjera, që mund të dalin për të shmangur apo shtyrë zgjedhjet e radhës.

Shqipëria po vuan sot pasojat e një krize të fortë përfaqësimi, të cilën 30 qershori, për shkak të kontekstit politik të paprecedent, e theksoi edhe më shumë. Dhe e vetmja rrugë për ta zgjidhur krizën politike në një vend demokratik është vota. Nëse duam që raportin e OSBE/ODIHR-it ta lexojmë me realizëm duhet të nisim që sot betejën për zgjedhje të parakohshme, sepse nuk ka më dilema për kalbëzimin e plotë të “Rilindjes”, si filozofi dhe si praktikë qeverisëse. Por, sigurisht, që zgjedhjet e reja nuk do të kishin asnjë kuptim pa një reformë të plotë dhe rrënjësore, e cila në radhë të parë duhet të çrrënjosë pushtetin absolut të kryetarëve të partive, duke mos u dhënë praktikisht asnjë mundësi njerëzve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Ne nuk kemi nevojë edhe për një palë zgjedhje të tjera të dështuara për t’u bindur se komisionet e votimit dhe të numërimit, duke filluar që nga KQZ-ja, nuk mund të lihen prapë në mëshirën e miilitantëve politikë dhe për këtë mjafton të lexojmë raportin e fundit të OSBE/ODIHR-it. Oferta e qartë dhe e detajuar për një sistem të ri politik, që nis me zhbërjen e ndryshimeve kushtetuese të 2008-ës dhe vijon me një reformë të thellë zgjedhore, duhet të jetë hapi i parë i opozitës për t’i dhënë vendit një zgjidhje afatgjatë për këtë krizë të rëndë politike. Në rast se kjo gjë nuk ndodh, gjithkush në Shqipëri ka të drejtë të mendojë se edhe opozita është e interesuar për ta ruajtur statuskuonë e kryetarokracisë dhe se ajo thjesht po pret kohën se mbase një ditë mund të vijë në pushtet, për të gëzuar të njëtat privilegje kushtetuese dhe ligjore, të cilat prej 6 vjetësh po i keqpërdor, jo pa sukses, Edi Rama.

Basha me akuza të vjetra për Ramën (refuzon zgjedhjet)

Lulzim Basha ka shpërndarë një video në rrjetet sociale mëngjesin e të martës, ku akuzon kryeministrin Edi Rama se udhëton jashtë vendit për interesa personale. Kreu i PD, në videon e publikuar në Facebook, tregon se sipas tij, udhëtimet e Kryeministrit Rama janë për interesa personale. Në video shfaqen disa foto të shefit të qeverisë, i cili në fakt i ka bërë vetë publike më herët, kur  ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitave të tij artistike në disa vende të Europës dhe jo vetëm. Megjithatë, për Lulzim Bashën, udhëtimi i Kryeministrit Rama jashtë vendit për të prezantuar punimet e tij artistike, ‘janë udhëtime për punë personale’. Veç videos, Basha shkruan dhe një koment, ku shprehet se shefi i qeverisë është ‘artist i mashtrimit’.

“Edi Rama është artist i mashtrimit. Gjithçka që ka premtuar, gjithçka që ka thënë ka qenë mashtrim me qëllim për të vjedhur dhe grabitur bashkë me kriminelët dhe oligarkët. Çdo projekt, program dhe politikë është mashtrim për shqiptarët në shërbim të oligarkëve. Pasuri dhe Luks për vete, Papunësi, Varfëri dhe Pasiguri për njerëzit. Mashtrimeve dhe gënjeshtrave të Hajdutit psiqik ju ka dalë boja. Hajdut psiqik, Rama ik, Shqipëria si Europa”, shkruan Basha.

Megjithatë, kreu i opozitës vijon refrenin e akuzave ndaj mazhorancës, duke lënë të kuptohet se nuk ka bërë progres në aspektin e pranimit të dialogut. Edhe në këtë reagim të fundit, Basha vetëm sulmon kreun e qeverisë (për fotot që vetë Rama i ka publikuar në rrjetet sociale), ndërkohë që nuk thotë asnjë fjalë për ftesën zyrtare që mazhoranca i bëri të hënën nga sesioni i ri parlamentar, ku e ftoi opozitën të jetë pjesëmarrëse në hartimin e reformës zgjedhore.

Në fakt, si një nga kërkesat kryesore të opozitës, për ‘zgjedhje të lira e të ndershme’, reforma zgjedhore mund të jetë pikëtakimi kryesor i dialogut mes mazhorancës dhe opozitës, çka mund t`i jepte zgjidhje dhe krizës politike. Në fakt, reforma zgjedhore ashtu si dhe reforma në drejtësi, janë një proces i nxitur dhe mbështetur nga ndërkombëtarët dhe më konkretisht amerikanët. Por Basha as këtë herë, nuk flet për ftesën e mazhorancës, e cila pas 30 qershorit, ashtu si para 1 qershorit, ka treguar gatishmëri për dialog dhe për të bashkëpunuar në procese të rëndësishme demokratike të vendit, ku shtyllat kryesore janë reforma në drejtësi dhe ajo e zgjedhjeve.

Kosovë, partitë në lëvizje për koalicionet para zgjedhjeve

Partitë politike në Kosovë janë hedhur në përpjekje për të siguruar koalicionet parazgjedhore para mesnatës së të premtes kur edhe kalon afati i paraparë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti u takuan të enjten për të vazhduar diskutimet rreth një mundësie të tillë. Lutfi Haziri, që është udhëheqës i fushatës së Lidhjes Demokratike, tha se këto dy parti janë afër bashkimit me njëra tjetrën.

“Takimet janë të rregullta dhe të punës, nga këto ditë e fundit keni njoftime më shumë ma herët nuk i keni pasur, kemi punuar në nivele të grupeve të punës tash ka ardhur niveli politik. Kryetarët e partive janë duke punuar për të finalizuar marrëveshjen parazgjedhore në mes dy subjekteve. Ky është vullnet i LDK-së dhe ky vullnet nuk ndryshon deri në minutën e fundit përkundër që LDK-ja mundet t’i fitoj zgjedhjet vet, është e gatshme me i fitu zgjedhjet vet”,tha zoti Haziri.

Zoti Haziri shprehu besimin për bashkimin e dy subjekteve politike rreth një koalicioni të përbashkët.

“Në politikat sektoriale i kemi definuar dhe jemi pajtuar, nuk kemi dallime, tash jemi duke punuar në politika kadrovike dhe natyrisht LDK-ja e ka kandidatin e vet për kryeministre, jo kandidatën e mundshme por kandidate për kryeministre, ne dëshirojmë ta bëjmë kryeministre të Republikës. Ata de fakto e kanë liderin e tyre, zoti Kurti ka qenë gjithmonë i nominuari i vetëm i Vetëvendosjes për kryeministër, nuk kanë pasur plan të dytë”,tha zoti Haziri.

Ndonëse caktimi i kandidates për kryeministre nga Lidhja Demokratike u duk se dëmtoi këto negociata, meqë lëvizja Vetëvendosje kërkonte që ajo të kandidonte kryetarin e saj Albin Kurti, janë hedhur ide për mundësinë e një marrëveshjeje që do të mundësonte një rotacion në drejtimin e qeverisë në rast se krijohet një koalicion i tillë dhe fiton në zgjedhje.

Deri më tash janë krijuar dy koalicione parazgjedhore ,në njërën anë Nisma Socialdemokrate e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, ndërsa tjetra ndërmjet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Socialdemokrate. Tani për tani, Partia Demokratike nuk ka hapur negociata me ndonjërën prej partive tjera.

Kosova do të votojë më gjashtë tetor, pas shpërndarjes së parlamentit të Kosovës javën e kaluar dhe mese një muaj pas dorëheqjes të kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Këto zgjedhje shihen të rëndësishme për Kosovën për shkak të sfidave me të cilat pritet të përballet qeveria e re, posaçërisht me çështjen e tarifave ndaj mallrave serbe dhe ripërtëritjen e bisedimeve te pezulluara me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, që është edhe kusht për integrimet evropiane të tyre. /VOA/

Bie plani i Salvinit, Italia mund të shmang zgjedhjet

Italia mund të shmang zgjedhjet e parakohshme. Paralajmërimin e ka bërë Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella. Pas dorëheqjes së kryeministrit Conte, presidenti Mattarella ka zhvilluar takime me liderët kryesor të politikës italiane. Pasditen e të enjtes ai ka konfirmuar se diskutimet për gjetjen e zgjidhjes së krizës do të shtyhen deri javën e ardhshme, pasi Lëvizja 5 Yjet ka kërkuar mandat për të dialoguar me Partinë Demokratike, me qëllim krijimin e një koalicioni të ri mazhoritar dhe qeverisës.

“Ka pasur një ndarje mes dy partive që përbënin shumicën e vjetër. Kriza duhet të zgjidhet brenda një kohe të shkurtër. Konsultimet e reja do të vijojnë të martën e ardhshme. Unë jam informuar nga disa parti se kanë nisur bisedimet për një marrëveshje në parlament për krijimin e një qeverie të re. Dhe më është kërkuar që të kenë kohë për të zhvilluar diskutimin”, ka thënë Mattaraella, duke i lënë kohë deri të martën partive që nuk duan të shkojnë në zgjedhje.

Megjithatë ai ka paralajmëruar se nëse marrëveshja nuk arrihet, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme. “Unë kam një detyrë të pashmangshme që të mos e ndaloj shprehjen e vullnetit mazhoritar të Parlamentit siç ndodhi. Në të njëjtën kohë unë kam detyrën të marrë, në interes të vendit, vendime të shpejta”, tha Mattarella, duke paralajmëruar se koha për bisedime mes partive nuk do të jetë e gjatë.

Në fund ai ka sqaruar se nuk do të miratojë asnjë qeveri, që nuk do të ketë shumicën dhe besimin e Parlamentit. “Vetëm qeveritë që fitojnë besimin e Parlamentit me marrëveshje dhe me një program qeverisës, janë të mundshme, në mungesë të këtyre kushteve, rruga është ajo e zgjedhjeve”, ka thënë kreu i shtetit në Itali. Nëse partitët e tjera në Parlament do të arrijnë një marrëveshje, duke krijuar një mazhorancë të re qeverisëse, atëherë do të minohej plani dhe dëshira e Matteo Salvinit për zgjedhje në Itali.

Në fakt, zëvendës kryeministri italian, ka krijuar bindjen se ka mbështetje të madhe në elektorat, si në veri ashtu dhe në jug, nisur ky argument nga zgjedhjet për parlamentin evropian, ku Lega Nord e Salvinit, doli e para në Itali. Por tashmë do të pritet me interes deri të martën, për të parë nëse kundërshtarët e Salvinit do të arrijnë të krijojnë një mazhorancë të re, duke shmangur zgjedhjet, rezultati i të cilave mund të jetë i paparashikueshëm.

Bojkotuan zgjedhjet, S`ka më para për PD dhe aleatët

Bojkoti i zgjedhjeve dhe djegia e mandateve nga Partia Demokratike së bashku me aleatët e saj, nuk ka vetëm pasoja politike. PD, LSI, PR, PAD, LZHK, PDK, PDIU dhe PBDNJ nuk do të marrin para nga buxheti i shtetit për zgjedhjet lokale të vitit 2023. Sipas Kodit zgjedhor, pika 87/3, për zgjedhjet e qeverisjes vendore si kriter për ndarjen e fondeve përdoret rezultati në shkallë vendi për këshillat vendorë, i shpallur nga KQZ për zgjedhjet paraardhëse.

Në këto kushte, në zgjedhjet e ardhshme lokale, partitë opozitare të sipërpërmendura nuk do të përfitojnë asnjë lekë nga buxheti i shtetit, për të përballuar shpenzimet e fushatës në zgjedhjet e vitit 2023. Megjithatë, këto parti nuk përjashtohen nga e drejta për të përfituar para për zgjedhjet parlamentar e të vitit 2021, pasi morën pjesë në zgjedhjet paraardhëse, të vitit 2017.

Gjithsesi, me anë të ligjit nr 8580, partitë politike në vend kanë të drejtë të përfitojnë para nga buxheti i shtetit edhe gjatë viteve jozgjedhore. 70% e këtij fondi që jepet nga buxheti i shtetit, shpërndahet sipas numrit të të deputetëve të fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare. Gjithashtu, partitë opozitare që bojkotuan zgjedhjet e 30 qershorit, kanë të drejtë të mbajnë selitë e tyre të vendosura në ndërtesa publike, përcaktuar sipas ligjit 8580.  

Kuvendi letër “Venecias’, kërkon opinion për shkeljet kushtetuese të Metës, Ruçi: Duam përgjigje të shpejtë

Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar një letër Komisionit të Venecias, ku i kërkon një opinion lidhur me rolin e Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor. Në letrën e firmosur nga kryetari i Kuvendit Gramos Ruçi, Venecias i kërkohet një opinion për tetë pika të parashtruara në letër. Duke bërë një përblmedhje të gjithë situatës, nga dekreti i vitit të kaluar për miratimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit, mbajtjen e procesit nga KQZ në bazë të Kodit Zgjedhor, dekretin e dytë të Ilir Metës për anulimin e datës së zgjedhjeve, e deri te vendimi i Kuvendit për shkarkimin e Presidentit, Gramoz Ruçi i kërkon një opinion Komisionit të Venecias, së pari për rolin e Presidentit të republikës në regjimet parlamentare si Shqipëria, në raport me pushtetet e shtetit sa i takon proceseve zgjedhore.

Në pikën e dytë, Gramoz Ruçi pyet Komisionin e Venecias lidhur me “detyrimet kushtetuese dhe konventore që i imponohen Presidentit të Republikës në regjimet parlamentare, siç është edhe Shqipëria, në ushtrimin e kompetencës për caktimin e datës së zgjedhjeve”. Në pyetjen pasardhëse, Kuvendi kërkon të di nëse “ka kufizime në ushtrimin e kësaj kompetence, të përmendur në pikën dy, që rrjedhin nga e drejta demokratike zgjedhësve për ta ushtruar këtë të drejtë sipas marrëveshjes kushtetuese, me siguri dhe parashikueshmëri?”.

Një tjetër pikë, që Kuvendi kërkon opinion nga Komisioni i Venecias, është nëse “Kompetenca e Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, është e drejtë e tij për të vendosur ushtrimin e e sovranitetit të popullit, apo një detyrum i tij për të garantuar cilësisht ushtrimin e sovranitetit popullor, brenda kufizimeve që sovrani ka vendosur nëpërmjet Kushtetutës së miratuar prej tij”, thuhet në letër.

Gjithashtu, në pikën pesë të letrës, Kuvendi kërkon një opinion nëse “Presidenti, pasi e ka caktuar datën e zgjedhjeve dhe organet e administrimit të zgjedhjeve janë duke kryer veprimet sipas ligjit, e anullon dhe cakton një datë tjetër, a kemi cenim të parimeve të së drejtës për të zgjedhur dhe të sigurisë kushtetuese?”, thuhet në letër.

Pika e gjashtë, është në funksion të pikës së pestë, ku kërkohet të mësohet “nëse në rastin e mësipërm kemi ndërhyrje të Presidentit të Republikës në procesin zgjedhor, duke cënuar të drejtën e subjekteve zgjedhore për të konkurruar në mënyrë të barabartë dhe të lirë”.

Në pikën e parafundit, Kuvendi kërkon opinion, se nëse “Dekreti i Presidentit për anulimin e datës së 30 qershor si datë të mbajtjeve të zgjedhjeve, që zgjat qëndrimin në detyrë të të zgjedhurve të mëparshëm, a respekton parimin e periodicitetit të zgjedhjeve”.

Në pyetjen e fundit, Gramoz Ruçi i drejtohet Komisionit të Venecias: “Duke patur parasysh se ndryshimi i datës së zgjedhjeve ndikon tek pritshmëritë ligjore për subjektet zgjedhore dhe zgjedhësit, a konsiderohet se cenohet siguria juridike në këto raste? A është i lidhur cenimi i sigurisë juridike me pasojat që vijnë apo mjafton shkelja e parashikimeve kushtetuese dhe cenimi konsiderohet i kryer”, përfundojnë tetë pikat, ku Kuvendi kërkon opinion nga Komisioni i Venecias.

Në fund, Kryetari i Kuvendit i kërkon Komisionit të Venecias, që opinioni i tyre për këto kërkesa do të ishte shumë me vlerë të jepej sa më shpejt në kohë, për shkak të situatës ku ndodhet vendi. Pritet që opinioni i Komisionit të Venecias të jetë vendimtar në ecurinë e punës së Komisionit Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës, pasi sipas mazhorancës kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën. Mazhoranca po ndjek me kujdes çdo hap ligjor, duke kërkuar mendim edhe nga ky organ ndërkombëtar konstitucionalit, çka do të thotë, se vendimi përfundimtar për shkarkimin e Ilir Metës, do duhet të jetë i “pakundërshtushëm nga të gjithë”, siç dhe u shpreh ambasadori i Italisë në Tiranë në studion e “Real Storyt” të gazetarit Sokol Balla.

Komediani Zelensky fiton zgjedhjet në Ukrainë, koalicion me një ‘rock star’

Partia e Presidentit Volodimir Zelensky është duke kryesuar rezultatin paraprak të zgjedhjeve parlamentare në Ukrainë, raportonojnë mediat ndërkombëtare. Sipas të dhënave që jep Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Ukrainë, rezultatet paraprake e nxjerrin fituese partinë “Shërbëtori i Populli” me 42.19% të votave, pasi deri në mëngjesin e të hënës është numëruar 1/3 e fletëve të votimit.

 Ndërkohë, partia pro-ruse e opozitës, ka siguruar 12.75% të votave, ndërsa partia e ish-presidentit Petro Poroshenko ka marrë 8.71%. Në votimet e të dielës u regjistrua pjesëmarrja më e ulët në zgjedhjet parlamentare në 25 vitetet e fundit në Ukrainë, me vetëm 49.9% të votuesve. Zelensky është shprehur se do të ishte i lumtur të bashkëpunonte me partinë “Zëri”, kryesuar nga rok-star Svitolsav Vakarchuk, për të krijuar një koalicion qeverisës.

Aktualisht partia “Zëri” ka marrë rreth 6.39% të votave, ndërsa një zëdhënës i saj është shprehur se kjo parti është gati për të mbështetur një koalicion qeverisës, me kusht që ai të mos jetë i mbështetur nga oligarkët.

Volodimir Zelensky është një ish-komedian në Ukrainë, që arriti të mposhte në zgjedhjet presidenciale tre muaj më parë Poroshenkon, duke fituar presidencën në balotazhin e dytë me 73.2% të votave.

Ndonëse nuk kishte përvojë në politikë, Zelensky arriti të përcillte në popull mesazhe të forta kundër korrupsionit dhe oligarkëve, dhe tre muaj më pas, ai pritet të ketë nën kontroll edhe qeverinë e vendit.

Ademi i hedh “hi syve” Topallit: Dogjëm kartonë (që shkrumbuan klasën)

Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka deklaruar se PD nuk ka djegur shkolla, por disa kartonë, duke mos përmendur faktin se ato ishin materialet zgjedhore që ndodheshin brenda një klase dhe bashkë me “kartonët”, ajo klasë doli jashtë përdorimit, siç duket edhe nga pamjet e ditës së ngjarjes. Voltana Ademi është mbrojtur me faktin se po mbronte shkollën nga policia, duke i hedhur “hi syve” Topallit, por jo vetëm, për djegien e shkollës, ku ishte instaluar KZAZ nr. 3 në Shkodër

Pamjet nga momenti i djegies së “kartonëve”, siç pretendon Voltana Ademi

“Në Shkodër nuk është djegur asnjë ndërtesë. Atë ditë janë djegur kartonë. Shkolla nuk është djegur. Ne nuk i djegim shkollat, ne nuk i djegim institucionet. Ne nuk kemi lejuar policinë që të ndërhynte dhe të bënte çfarë të dojë”, ka deklaruar Ademi e ftuar në studion e “News 24”. Ajo u shpreh se Partia Demokratike nuk është një parti e dhunës, edhe problemet ka dashur t’i zgjedhë në mënyrë demokratike dhe me anë të gjykatave shqiptare.

Pas zjarrit në një klasë në katin e parë të një shkolle në Shkodër, Jozefina Topalli shpërtheu kundër Lulzim Bashës e Voltana Ademit, aty ku ndodhej KZAZ-ja nr. 3, duke u shprehur se ‘djegia e shkollës nuk është historia e Shkodrës, e kundërta është historia e këtij qyteti’.

“Kjo nuk ka ndodhur kurrë në 3 dekada. Një demokrat nuk djeg as mandate as shkolla. Një demokrat i vërtetë nuk hedh as molotov e as ka frikë nga zgjedhjet”, shkruante ish-deputetja e PD-së, duke iu drejtuar Lulzim Bashës dhe drejtueses së bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi, që kishte dalë ‘flamurmbajtëse” e zbatimit të dekretit të Metës.

Madje, për këtë ngjarje të turpshme reagoi edhe deputetja Rudina Hajdari, e cila premtoi dhe dha në dispozicion të ndërtimit të klasës së djegur rrogën e saj si deputete.

Skip to toolbar