Fushata: Qeveria cakton fondin për partitë

Në mbledhjen e datës 5 qershor, Këshilli i Ministrave ka miratuar fondin prej 65 milionë lekësh, i cili do iu shpërndahet partive politike që do të marrin pjesë në garën e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.

Vendimi i Këshillit të Ministrave është publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë, ku thuhet se “për financimin e fushatës zgjedhore për organet e vetëqeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019, në programin “Mbështetje për partitë politike” shtohet fondi prej 65 000 000 (gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekësh, i cili iu shpërndahet subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në këto zgjedhje, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”.

VKM-ja hyn në fuqi menjëherë, ndërsa paratë do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. “Efekti financiar i parashikuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”, thuhet ndër të tjera në VKM.

Vendimi i plotë:

V E N D I M  PËR

NJË SHTESË FONDI NË PROGRAMIN “MBËSHTETJE PËR PARTITË POLITIKE”, PËR FINANCIMIN E FUSHATËS ZGJEDHORE, TË SUBJEKTEVE PJESËMARRËSE NË ZGJEDHJET PËR ORGANET E VETËQEVERISJES VENDORE, TË VITIT 2019

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 87, të ligjit nr.10019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 13, të ligjit nr.99/2018, “Për buxhetin e vitit 2019”, si edhe të vendimit të Kuvendit të Shqipërisë nr.59/2019, “Për miratimin e fondit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore të vitit 2019”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Për financimin e fushatës zgjedhore për organet e vetëqeverisjes vendore të datës 30 qershor 2019, në programin “Mbështetje për partitë politike” shtohet fondi prej 65 000 000 (gjashtëdhjetë e pesë milionë) lekësh, i cili iu shpërndahet subjekteve zgjedhore pjesëmarrëse në këto zgjedhje, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Efekti financiar i parashikuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2019.

Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

Përgjimet e Dakos: Duam të dëgjojmë mendimin tuaj!

Këtë të mërkurë gazeta gjermane “Bild” publikoi pesë audiopërgjime të dosjes “Nr.399”, që dyshohet se  implikon kryetarin aktual të bashkisë së Durrësit Vangjush Dako dhe drejtues të bandës “Avdylaj”, në blerje votash.

Këto përgjime kanë qenë tema e ditës në Shqipëri, duke shkaktuar reagime të shumta nga partitë politike të opozitës, mazhorancës dhe institucioneve të drejtësisë, ku këto të fundit janë vënë në lëvizje për të gjetur prokurorët që kanë “nxjerr skeretin hetimor”.

RealStory.al, fton qytetarët shqiptarë të marrin pjesë në një sondazh, për të dhënë mendimin nëse këto përgjime se nëse këto provojnë tezën e opozitës për shitblerje të votës, ndërhyrjen në vota apo mbetet një rast i izoluar.

Për të dhënë përgjigjen tuaj për këto tre pyetje, votoni në sondazhin e mëposhtëm:

Përgjimet e fundit Dako-Avdylaj:

Viti elektoral, bashkitë “lëshojnë dorën” për lejet e ndërtimit

Viti elektoral për zgjedhjet vendore ka bërë që bashkitë të jenë më dorëlëshuara për lejet e ndërtimit duke i trefishuar sipërfaqet e dhëna për ndërtim krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërkohë që pjesa më e madhe e sipërfaqeve të dhëna për ndërtim i përket Bashkisë së Tiranës, duke qenë edhe bashkia më e madhe në vend.

Në tremujorin e parë 2019, janë miratuar gjithsej 245 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 221 leje të miratuara në tremujorin e parë 2018, duke shënuar një rritje prej 10,9 %. Ndërkohë, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e parë 2019, është rreth 581.236 m2, nga rreth 200.944 m2, miratuar në tremujorin e parë 2018, duke shënuar një rritje me rreth 2,9 herë më shumë.

Shifrat zyrtare janë bërë publike nga INSTAT, ku rezulton se nuk janë shtuar vetëm sipërfaqet e dhëna për ndërtim krahasuar, por edhe vlera e parave të përfituara nga lejet, të cilat kanë mbushur buxhetet respektove të bashkive. “Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinerike, në tremujorin e parë 2019, është 25,2 miliardë lekë, nga 10,2 miliardë lekë miratuar në tremujorin e parë 2018”, deklaron INSTAT, ku sipas përllogaritjeve ky tregues u rrit me rreth 2,5 herë në tremujorin e parë 2019, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë.

Tipologjia e lejeve

Duke u nisur nga tipologjia e lejeve, rezulton se sipas tabelave të INSTAT pjesa më e madhe e lejeve janë dhënë për ndërtime për banim, pikërisht 161 leje, ku mes tyre 28 janë për ndërtesa me tre ose më shumë kate dhe 7 për pallate. Ndërkohë janë dhënë edhe 84 leje për ndërtesa jo rezidenciale, pra për hotele, zyra, ndërtesa industriale dhe tregtare. Por çfarë ndodh. Pavarësisht se lejet në numër janë më shumë për ndërtime për banim, në sipërfaqe ndodh e kundërta. Sipas shifrave, për ndërtesa për banim janë dhënë leje për sipërfaqe rreth 218 mijë metra katrorë, ndërkohë që për ndërtesa për biznes janë dhënë leje për sipërfaqe rreth 363 mijë metra katrorë.

Lejet sipas bashkive

Sa i përket lejeve të lëshuara nga secila bashki, Tirana, duke qenë edhe bashkia më e madhe në vend ka lëshuar 94 leje për tremujorin e parë të vitit 2019, duke e ulur numrin krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2018. Tirana ndiqet nga Durrësi me 26 leje dhe Elbasani e Lezha me nga 24 leje, ku Lezha rezulton se ka lëshuar 2.5 herë më shumë leje se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Dibra dhe Kukësi rezultojnë se kanë lëshuar leje më pak këtë tremujor, vetëm nga një leje, ku në të njëjtën periudhë të vitit 2018 nga Bashkia Dibër ishin lëshuar 7 leje të tilla, ndërsa nga Kukësi asnjë leje. Fieri, Vlora dhe Shkodra rezultojnë e kanë ulur numrin e lejeve krahasuar me vitin paraardhës.

Zyrtari amerikan: Zgjedhjet nuk shtyhen. Opozita të respektojë Kushtetutën!

Damon Wilson kryesoi të martën delegacionin e Kongresit Amerikan në Shqipëri të cilët zhvilluan takime me krerët më të lartë të shtetit. Gjatë qëndrimit të tij në Tiranë Wilson, që mban postin e drejtorit ekzekutiv të organizatës amerikane Atlantic Council, tha në një intervistë televizive se zgjedhjet në Shqipëri duhet të mbahen në kohën e caktuar, pra më 30 qershor.

Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për veprimet e ndërmarra nga opozita, si djegia e mandateve, braktisja e parlamentit dhe zhvillimi i protestave të dhunshme, duke i cilësuar këto praktika që dëmtojnë demokracinë në vend.

“Kam pasur mundësinë gjatë vizitës time në Tiranë, për të takuar Presidentin e Republikës, kryeministrin e vendit dhe anëtarë të parlamentit dhe ata në opozitë. Unë jam një mbështetës i fortë i aleancës Amerikane me Shqipërinë dhe mbështes fort evolucionin e saj demokratik. Kemi parë qeveri të ndryshme, tranzicion dhe pushtet dhe këto janë pjesë e demokracisë.

Unë jam pak i shqetësuar në këto momente sepse mendoj se është me rëndësi që institucionet demokratike që shqiptarët kanë ndërtuar t’i përdorin ato, që të mund të funksionojnë. Që njerëzit të kenë mundësinë për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë përmes kutisë së votimit, për t’i bërë të qarta qëllimet e tyre përmes demonstratave paqësore dhe për të marrë rolin e tyre në parlament për të shprehur kundërshtimet e tyre dhe shqetësimi im tani është se ne po shohim pak përpjekje që po shtyjnë në thelbin kushtetues të demokracisë këtu dhe unë besoj fort në atë që partitë politike t’i pranojnë përgjegjësitë e tyre, duke pranuar mandatet e tyre duke përfaqësuar idetë e tyre përmes mjeteve kushtetuese dhe mendoj se është shumë e rëndësishme sepse Shqipëria përfaqëson fytyrën e saj në botë duke e bërë të qartë se Shqipëria jo vetëm që është gati për Bashkimin Europian, por se Shqipëria është një vend i mirë për investime të huaja dhe për këtë njerëzit duan të shohin një nivel të caktuar stabiliteti politik, institucione demokratike që funksionojnë dhe një sistem drejtësie që përgjigjet ndaj këtyre detyrave dhe kërkesave.

Prandaj mendoj se tani është një sfidë fatkeqe ku kemi disa parti që janë larguar nga mandatet e tyre në parlament, që herë pas here janë përfshirë në akte dhune në proteste dhe mendoj se në një Shqipëri moderne që është në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe aleatë e Nato-s, do të shpresoja që këto praktika të jene pjesë e të shkuarës dhe të shikojmë ushtrimin e demokracisë në këtë vend. Ne duhet ta institucionalizojmë mënyrën sesi nuk biem dakord me njeri tjetrin. Nuk mundet të ndodhë që fituesi i merr të gjitha dhe duhet që zgjedhjet të ndodhin sipas planifikimit”, tha Wilson në një intervistë për News 24.

I pyetur për zgjedhjet ai tha se duhet të respektohet kushtetuta dhe zgjedhjet të zhvillohen në datën e caktuar.

“Ekziston një proces kushtetues. Në SHBA kemi një mandat katër vjeçar presidencial, dy vite për dhomën e përfaqësuesve, gjashtë vjet për senatin, dhe ndonjëherë kjo kohë shërben mirë për një parti dhe ndonjëherë është koha më e keqe për një parti për të shkuar në zgjedhje. Këtu në Shqipëri keni rregullat tuaja dhe proceset kushtetuese dhe kodin zgjedhor dhe mendoj se është me rëndësi që të ndiqet ai kod. Keni zgjedhje lokale që mbahen në fund të qershorit që duhet të mbahen sipas planifikimit, keni zgjedhjet parlamentare që mbahen pas disa vitesh dhe duhet t’i përmbaheni. Mendoj se është një ushtrim për muskujt e demokracisë për të treguar se strukturat, institucionet dhe sistemi që keni ndërtuar po i shërben popullit”, tha Wilson, i cili vlerësoi reformën në Drejtësi dhe tha se Shqipëria meriton hapjen e negociatave me BE-në.

Gjermanët “tradhtojnë” Bashën, CDU/CSU: S’mund të kërkojmë shtyrje zgjedhjesh

Mark Hauptmann, deputet i parlamentit gjerman, ka folur në lidhje me deklaratën e disa ditëve më parë që dy kolegët e tij Johann David Wadephul, nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU në Parlamentin Gjerman dhe Christian Schmidt, nga CSU, dhënë për “Deutsche Welle”, ku shprehën mundësinë e shtyrjes së datës së zgjedhjeve vendore, për të zgjidhur krizën në vend.

Hauptmann tha se asnjë grup parlamentar nuk ka të drejtë të kërkojë shtyrjen e zgjedhjeve, pasi De facto kjo do të thotë të kërkosh të ndryshosh Kushtetutën e Shqipërisë. Ne bëjmë thirrje që të zgjidhet kriza e brendshme në Shqipëri dhe se pozita dhe opozita të ulen në dialog për të gjetur një marrëveshje të përbashkët.

“Është e vërtetë se po ndjekim me shumë shqetësim krizën e brendshme në Shqipëri. Për hir të së ardhmes Europiane të Shqipërisë, duhet të zhvillohet dialog midis qeverisë dhe opozitës, si dhe të dyja palët duhet t’i qasen njëra-tjetrës duke qenë të gatshme për kompromis për të mirën e stabilitetit demokratik. Nuk është e zakonshme për ne të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Si grup parlamentar, ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë shtyrjen e zgjedhjeve në një shtet të pavarur. De facto, kjo do të mund të konsiderohej si një kërkesë për të ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjin zgjedhor të vendit. Si pasojë do të lindnin pyetje mbi sovranitetin e një shteti të huaj. Stabiliteti demokratik po ashtu përfshin detyrimin për të respektuar rregullat e legjislacionit ndërkombëtar.” – tha Hauptmann për mediat.

Ciriaco De Mita, gjallë! Jo vetëm. Zgjidhet dhe kryekomunar

Ciriaco De Mita, 91-vjeçar, është zgjedhur Kryetar i Komunës Nusco, komunës së vogël të provincës së Avelinos, ku ka lindur më 2 shkurt të vitit 1928 dhe ka banuar gjithmonë. Ish lideri Demokristian fillon kështu mandatin e dytë radhazi si Qytetar i Parë i Nuscos, duke mundur kundërshtarin Francesco Biancaniello, i cili është kryetar i listës “Rifillojmë nga Nusco”.

Pavarësisht moshës së tij, De Mita ishte favorit që në fillim, kur kandidoi kundër Biancaniello, pasi ishte një personazh i respektuar në komunitet, fakt i cili u përkthye me 1497 vota pro dhe 1087 vota kundër. Megjithatë, kjo fitore ishte më e vështirë, krahasuar me atë të pesë viteve më parë, kur ai fitoi me 78 për qind të votave.

Një ditë më parë italianët votuan jo vetëm për përfaqësuesit e tyre në parlamentin italian por edhe për drejtuesit e rinj në 3 mijë komuna. Por teksa janë njohur pjesa më e madhe e fituesve, lajmi që bëri xhiron e mediave italiane ishte fituesi në komunën e vogël të Nuscos në provincën e Avellinos.

Në Shqipëri vetëm 2 milionë votues

Pak ditë më parë Ministria e Brendshme prezantoi listën e qytetarëve shqiptarë me të drejtë vote për zgjedhjet e 30 qershorit. 3.45 milionë shqiptarë e janë me moshë madhore mbi 18 vjeç, duke pasur mundësi për të ushtruar edhe vullnetin e zgjedhësit.

Sipas studimit më të fundit të Pew Research Center mbi emigracionin, rreth 41% personave me shtetësi shqiptare të moshës madhore (18 vjeç e sipër) jetojnë në vende të tjera të botës (Greqi, Itali, SHBA, Gjermani, etj.).

Duke ndërthurur këto të dhëna, rezulton se në Shqipëri banojnë vetëm 2.1 milionë zgjedhës, ndërsa rreth 1.44 milionë të tjerë jetojnë jashtë saj.

 Ndërkohë, sipas vlerësimit të përafërt të INSTAT-it, numri i banorëve të rritur (18 vjeç e sipër) në Shqipëri është rreth 2.2 milionë (ku përfshihen edhe shtetas të huaj me banim në Shqipëri).

  Për këtë arsye, shifrat e Peë Research Center mund të jenë më të vlefshmet për përcaktimin e numrit të zgjedhësve me banim këtu.

Basha përgjigjet në mënyrë poetike, por eviton polemikën direkte me Ramën

Pas letrës së pestë publike të kryeministrit Edi Rama, i cili e ftonte në dialog ka reaguar kreu i opozitës, Lulzim Basha. Me një postim në Facebook, Basha shkruan se opozita nuk do të bëjë asnjë hap pas, ndërsa thekon se beteja për demokracinë është misioni më i madh dhe fisnik, që nuk duhet dorëzuar. Postimin Basha e ka shoqëruar edhe me një album fotografik nga protesta e djeshme, si një përgjigje për fjalët e Ramës se protesta e opozitës po tkurret çdo ditë e më shumë

Postimi i Bashës

Ne jemi Populli i Europës, ne jemi Populli i Lirisë, ne jemi Populli i Demokracisë. Ne jemi njerëz që besojmë në vlera, besojmë tek dinjiteti i njeriut, besojmë tek familja, besojmë tek atdheu.

Demokracinë nuk e japim, të drejtat dhe liritë tona nuk i dorëzojmë. Beteja për to është misioni më i madh dhe më fisnik i njeriut të lirë. Beteja me të keqen, po e çliron dhe fisnikëron shoqërisë dhe kombit tonë.

Forca jonë është bashkimi, forca jonë është qëndresa, forca jonë është përballja deri në fitoren e kësaj beteje për Shqipërinë si gjithë Europa. Asnjë hap pas!

Përgjigjet Basha: Do përballemi në çdo qendër votimi

Kreu i opozitës Lulzim Basha nuk ka bërë asnjë hap pas pavarësisht letrës publike të kryeministrit Rama, ku i është përgjigjur nga Durrësi, duke deklaruar se Rama kërkon kapitullimin e popullit para krimit. Në një takim me qytetarët në qytetin bregdetar, Basha tha se nuk do të ketë asnjë hap pas, ndërsa shtoi se se me 30 qershor do të ketë përballje me çdo qendër votimi.

“Na propozon që më 30 qërshor të bëjmë sehir kur ai bën grusht shteti me zgjedhje falso, kur 1.4 milionë shqiptarë janë me karta të skaduara. Që janë 1.4 milionë karta të falsifikuara. Na propozon zgjedhje në Durrës me një një asistente hajdute si kryetare bashkie tani që Vangjush Dako po e përpin vorbulla e hekurave. Na propozon Taulant Ballën  dhe Damian Gjiknurin si rojtarë të zgjedhjeve kur këta  do jenë para togave të zeza. Edi Rama na propozon kapitullimin. Na propozon zgjedhje ku nga Artur Bushi dhe Tërmet Peçi rikandidojnë, ku në fakt dekriminalizimi duhet t’i çonte përpara drejtësisë”, deklaroi Basha nga Durrësi, duke treguar vendosmërinë e opozitës se nuk do të ketë zgjedhje pa dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Basha tregohet i prerë: Jo pazare me Ramën

Kryedemokrati Basha përsëriti nga Berat se nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë marrëveshje me Ramën. Zgjedhjet e lira do të realizohen vetëm nëse Rama largohet për t’i hapur rrugë garës së ndershme.

“Nuk ka kompromis me të keqen. Nuk ka pazar me Ramën. Këtu nga kjo sallë, 4 muaj më parë u zotova se nëse ligji për vettingun e politikanëve nuk do të miratohej, opozita do të bënte hapin përfundimtar dhe do t’i bindej sovranit për të djegur mandatet. Kjo ndodhi! Këtu nga kjo sallë ju them: Pazar me Edi Ramën kurrë më. Largimi i tij është i panegociueshëm për t’i hapur rrugë vullnetit popullor dhe garës së ndershme dhe zgjedhjeve të lira.” – tha Basha

Skip to toolbar