Ristani: Basha të futet në zgjedhje me Ramën, nëse s`e largon dot ndryshe

Arben Ristani tregoi në “Real Story”, se sipas tij, votat e pavlefshme të 30 qershorit, tregojnë që ka një rrevoltë ndaj qeverisë. Megjithatë, Arben Ristani shprehet se në këto momente është mirë që PD të fokusohet te vetja, duke u futur në rrugën e reflektimit. “Zgjedhjet e 30 qershorit, me votat e pavlefshme, pjesëmarrjen, treguan që ka një rritje të mosdakordësisë, të revoltës, ka vend për ndryshim, por çështja është se a do të jemi ne ata që do të bëjmë ndryshimin?! Në fakt, do të doja shumë që fokusi të ishte te qeveria, por bëjmë mirë që të kthehmi dhe te vetja. PD gjithsesi funksionon si institucion, dhe gjërat zgjidhen brenda mekanizmave që paraqet institucioni. Unë shpresoj që këto që po ndodhin të nxisin frymën e reflektimit”.

Arben Ristani shprehet se ky reflektim duhet të përfshijë edhe Lulzim Bashën, duke pranuar zgjedhjet. “Nuk është përgjegjësia vetëm për veten, por për të gjithë shqiptarët. Besoj që është moment reflektimi, duhet ta bëj dhe Bashën për këtë që po ndodhë. Duhet të kapërcejmë dhe vetveten në këtë. Po përdor një shprehje të Berishës, që i tha Bashës “në këto momente duhet të kalosh dhe detin në këmbë”. Unë besoj që në zgjedhje do shkojmë patjetër, nuk ka rrugë tjetër”, tha Ristani.

 Mirëpo problemi është deviza e PD, që me Ramën nuk futet në zgjedhje. Në këtë pikë, sipas Ristanit, PD përsëri duhet të reflektojë, pra të futet në zgjedhje me Ramën, nëse s`ka mundësi për ta larguar atë në rrugë tjetër. “Me Ramën apo jo? Nëse çështja është e realizueshme, dakord, por nëse nuk e arrijmë dot, duhet të futemi në zgjedhje me Ramën, të përballemi. Shembujt i kemi, nuk do shpikim në këtë mes. Është vendimmarrja institucionale e PD është nuk ka dialog me Ramën. Unë besoj që ka nevojë për reflektim, ka nevojë që të mblidhemi ta diskutojmë. Të gjendet mënyra të shkohet në zgjedhje, qoftë dhe në zgjedhje të parakohshme. Shqiptarët të papërfaqësuar sa i përket votave të djathta. Ky rezultat është një rezultat shumë i keq që duhet korrigjuar. Prishen balancat e demokracisë, për mua do duhet të gjejmë mënyrë për të shkuar dhe në zgjedhje të parakohshme”. /Realstory.al/

Ristani në “Real Story”: Rruga dështoi, zgjidhja vjen prej zgjedhjeve, po a është gati PD?

Arben Ristani deklaroi në “Real Story” se e vetmja rrugë për të dalë nga kriza janë zgjedhjet. Të parakohshme apo në vitin 2021, sipas ish-Sekretarit të Përgjithshëm të PD, në demokraci ka vetëm një rrugë për të mposhtur kundërshtarin, zgjedhjet. “Ristani: Sigurisht që shtatori nuk është larg. Unë besoj që rrugë për të dalë ka. Në demokraci zgjedhjet janë rruga e vetme për të ndryshuar pushtetutet. Edhe protestat janë forma demokratike, por në përfundim do shkojmë në zgjedhje, normale apo të parakohshme”, tha Ristani, duke shtuar se tashmë është koha që PD të krijojë besim te shqiptarët. “Patjetër që zgjedhjet janë. Demokratët presin që PD t`i fitojë zgjedhjet, dhe në këto kushte, dhe e vetmja mënyrë që të kompensohet qenia jashtë institucioneve, duhet të rritet doza e besimit te lidershipi. Që të rritet besimi, do të duhet, duke u nisur dhe nga një sër sondazhesh, kjo do të thotë që ka probleme me besimin te njerëzit. Pasja e një programi të mirë është pjesë. Ky program i mirë, do dhe njerëzit që do e realizojnë programin. Besueshmëria do duhet edhe te njerëzit që do e realizojnë programin. Ajo që mungon sot është stafet që do realizojnë nesër programin”, u shpreh Ristani.

Megjithatë, për Arben Ristanin, aktualisht Partia Demokratike ka dhe një problem tjetër. Mungesën e një ekipi, i cili do të duhet të prezantojë dhe të bind shqiptarët me një program. Në këtë pikë, Ristani u shpreh se PD duhet që së pari të hapet si parti, duke reflektuar demokracinë e brendshme, në mënyrë që më pas, këtë demokraci ta reflektojë dhe në qeverisje. “Idea ishte që do bëjmë të mundur që “do ketë zgjedhje pa Ramën kryeministër”. Kishte optimizëm, mendohej që do ia dilnim një situate të tillë. Të dyja vendimmarrjet kanë qenë njër pas tjetrës. Sidomos në situata revoltash, është e vështirë të kërkosh dialog. Për tu kthyer te arsyetimi, nga ana tjetër, programi duhet dhe rregullat brenda partisë. PD duhet të reflektojë demokracinë e brendshme, që do e reflektojë në qeverisje. Partia duhet të respektojë dhe funskionojë në bazën e disa parimeve të caktuara. Unë besoj që ka nevojë për tu vënë në pah dhe për tu zbatuar, për të qenë të dukshme për publikun. Ka një punë që ka nisur në PD, por që është në fazat e para. Ekipi i mirë, sigurisht dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët, na duhet patjetër që të kemi mbështetjen e tyre. të gjitha këto, unë besoj që e bëjnë përsëri PD forcë fituese”, tha Rsitani.

Duke u shprehur se Basha ka përgjegjësi për atë që ka ndodhur deri më tani, Ristani u shpreh se tashmë nuk është koha për të diskutuar të keqen që kanë shqiptarët nga Rama, por çështja është se sa e përgatitur është PD për të marrë besimin e shqiptarëve. “Patjetër që lideri i PD ka peshën e vetë të përgjegjësive. Ajo që unë e kam parë me inters, me shumë miratim te zoti Basha, ka qenë ndjesia për të kërkuar ndjesë pas një gabimi. Unë di të them pas zgjedhjeve të 2017, pavarësisht se u ndikuan nga bandat, për ato përgjegjësi që ishin dukshëm të lidershipit të PD, ai ka kërkuar dhe ndjesë. Ajo që nuk duhet të ndodhë është përsëritja e gabimit të 2017. Politikanët kanë demagogjinë e tyre dhe retorikën e tyre për të shprehur mendimin. Unë besoj se koha është për të thënë të vëretën. Nuk mban më retorika që duket sikur u hedhë sy shqiptarëve. E vërteta është kjo; Rama nuk po drejton mirë vendin, që po krijon shumë probleme, për ekonominë, drejtësinë, është e keqe e madhe që shqiptarët e kuptojnë. Çështja është se sa të përgatitur jemi ne për të marrë besimin e shqiptarëve dhe për të fituar zgjedhjet”.

Basha ndryshon mendje prapë: Jo zgjedhje në 13 tetor (me Ramën)

Lulzim Basha  ka shkruar një Twitter për vizitën e tij në Vienë, tre ditë pas publikimit të lajmit se liderët e opozitës po zhvillojnë një vizitë në kryeqytetin e Austrisë, ku do të takonin drejtues të lartë të OSBE. Basha shkruan në mesazhin e tij: “Në Vienë me përfaqësuesit e lartë të OSBE ndamë shqetësimin për krizën dhe qëndrimin e pandryshuar të Opozitës së Bashkuar: zgjedhje të lira e të ndershme me një qeveri tranzitore pa Edi Ramën, që garanton lirinë e votës dhe ndëshkimin nga drejtësia të hajdutëve të zgjedhjeve”.

Pra, kreu i PD rikthehet te retorika “Rama ik”, ndonëse ditët e fundit ka lënë të kuptohet se ishte gati të futej në zgjedhje (ndoshta  dhe me Ramën Kryeministër). Një deklaratë të tillë e bëri disa ditë më parë pas një takimi me Presidentin Ilir Meta, ku pas 40 minutash bisedë kokë më kokë me kreun e shtetit, Basha u shpreh se 13 tetori ishte një mundësi për të zgjidhur  krizën. Megjithatë, deklarata e Bashës duket se del kundër asaj të Kryemadhit, që tre ditë më parë në Durrës, por dhe të mërkurën në Berat, foli për fushatë elektorale të LSI dhe përgatitjen për zgjedhjet.

Ndërkohë, të enjten Ilir Meta i bëri thirrje opozitës  nga Durrësi të jetë e përgjegjshme dhe të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit. “Opozita të jetë e përgjegjshme për të marrë pjesë në këto procese demokratike. Në rast se opozita nuk dëshiron të marrë pjesë në një proces të ligjshëm, opozita fjala vjen Partia Demokratike, LSI-ja, disa parti të tjera, atëherë jam i sigurt që do të inkurajohen disa forca të tjera politike, të cilat të paktën të kenë kandidatë në të gjithë Shqipërinë e të regjistrohen në kohë” tha Meta.

Ky qëndrim i Lulzim Bashës vjen në një moment, ku opozita po përpiqet me çdo mjet ligjor për të nxjerr të pavlefshëm 30 qershorin, dhe në krahun tjetër, kërkon ndërmjetësim ndërkombëtar për zgjidhjen e krizës. Nuk dihet ende nëse qëndrimi i Bashës për “Rama ik”, pas takimeve në Vjenë,  është edhe i aleatëve të tjetër të opoziës dhe veçanërisht Monika Kryemadhit, megjithëse në mesazhin e tij, Basha saktëson “qëndrim i pandryshuar i opozitës së bashkuar”.

KQZ do të numërojë 11 kuti të Lezhës, PD: Atje s`ka manipulim votash

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të enjten që të pranojë kërkesën e Eduard Ndocaj, për të rinumëruar votat në 11 kuti në Lezhë. Pas këtij vendimi, ka ardhur dhe një reagim nga Partia Demokratike. Sekretari për Çështjet Zgjedhore i PD, Ivi Kaso, me anë të një reagimi në rrjetet sociale, shprehet se KQZ ka vendosur të hapen 11 kuti, që sipas Kasos, nuk janë manipuluar votat.

“Nën shembullin e ndritur të “marifetit” me Idajet Beqirin, KQZ ka vendosur që nesër, në vijim të një kërkese ankimore për Bashkinë Lezhë, të hapë dhe të kontrollojë rregullshmërinë e procesit të 30 Qershorit vetëm për 11 qendra votimi ku PS ndihet e sigurt që s’ka patur manipulime”.

“Qëllimi, jo fort i fshehur është që t’i tregohet botës mbarë se votimet ishin të rregullta e të vlefshme, jo vetëm këtu por në mbarë vendin. Ajo që e nxjerr bllof këtë skemë farsë “dorëzimi të kontrolluar” është se nga frika se mos del në shesh manipulimi me listat e zgjedhësve, në këto qendra, KQZ ka vendosur të mos ta hapë fare kutinë e materialeve zgjedhore. Pra, thënë shkurt e me dy fjalë: Proces farsë për t’u hedhur hi syve njerëzve”, shkruan Ivi Kaso.

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, parasheh se të premten nuk do të ketë asnjë surprizë nga votat e 11 kutive që do të hapen në Lezhë, duke paragjykuar vendimin e KQZ-së dhe procesin e rinumërimit të votave, që në fakt është kërkuar nga një kandidat, që pretendoi gjatë zgjedhjeve edhe se pati kërcënime nga rivalët.

“Dekreti” i ri i Metës s`e kap Fletoren Zyrtare

Të enjten e 27 qershorit, pasi takoi krerët e partive opozitare dhe përfaqësues të trupit diplomatik në vend, Ilir Meta firmosi dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në 13 tetor, dekret që u firmos vetëm 3 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.  Mazhoranca nuk e njohu dekretin duke e cilësuar si anti-kushtetues, as Partia Demokratike nuk e ka njohur këtë dekret, pasi shprehet se nuk do të ketë zgjedhje pa përmbushur kërkesat e saj.

Qëndrimi tjetër, që rrëzon Dekretin e Ilir Metës, është akti i mospublikimit të dekretit me numër ‘11 211’. Pra, Dekreti për zgjedhjet lokale të 13 tetorit nuk është botuar në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Në sajtin zyrtar të Qendrës së Botimeve Zyrtare, gjatë muajit korrik janë botuar  disa akte ligjore apo udhëzime, përfshirë dhe një dekret të Presidentit të Republikës për dhënien e shtetësisë, që mban datën 26.6.2019.

Sipas Nenit 10, pika 1, të Ligjit për funksionimin e Fletores Zyrtare, aktet zyrtare (ligje, dekrete, udhëzime etj), “Afati  i  botimit  të  akteve  të  botueshme  është  jo  më  vonë  se  10  ditë  nga  data  e ardhjes së aktit për botim”. Ky afat praktikisht ka kaluar, por nuk mund të thuhet me siguri se çfarë ka ndodhur.

Mos botimi në Fletoren Zyrtare të Dekretit të Metës mund të ketë shkaqe të ndryshme, përfshirë dhe atë të dërgimit jo në kohë të dekretit për botim nga Presidenca në Qendrën e Botimeve Zyrtare. Për të sqaruar këtë situatë, Realstory.al, i dërgoi një kërkesë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë për marrjen e informacionit, në lidhje me sqarimin e arsyeve për vonesën e publikimit të Dekretit të Presidentit  për mbajtjen e zgjedhjeve më 13 tetor.

Kujtojmë se Dekreti i datës 10 qershor, për anulimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit, u botua dy ditë pasi ishte firmosur nga Presidenti. Gjithsesi, situata është ende e paqartë, dhe s`mund të spekulohet rreth saj, derisa të dalin arsyet pse ka ndodhur kjo vonesë për publikimin e dekretit Nr.11 211, të Presidentit të Republikës, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 13 tetor./Realstory.al/

Zaloshnja: PD rritet me 100 mijë vota, përgjysmohet LSI

Nga Eduard Zaloshnja

Nga një projeksion që i bëra votave, bazuar në një sondazh që zhvillova ditët e para të korrikut, rezultonte që, nëse zhvillohen zgjedhje parlamentare sot, PD-ja dhe satelitet e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj) marrin rreth 635 mijë vota. Ndërkohë, LSI-ja merr rreth 85 mijë vota.

Me pak fjalë, shohim se me rritjen e PD-së dhe satelitëve të saj, kemi një tkurrje të LSI-së. Në fakt një korelacion i tillë vihet re në të gjithë dekadën e fundit.

Para dy vjetësh situata ishte ndryshe. Në zgjedhjet e 2017-ës, PD-ja dhe satelitët e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj) morën gjithsej 535 mijë vota, që përbën minimumin e tyre historik. Ndërkohë, LSI-ja mori plot 225 mijë vota, që përbën kuotën maksimum të saj në zgjedhjet parlamentare.

Kështu, në vitin 2009, PD-ja dhe satelitët e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj.) morën gjithsej 760 mijë vota, ndërsa LSI-ja vetëm 75 mijë vota.

Në vitin 2013, PD-ja dhe satelitët e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj.) u tkurrën me 80 mijë vota, ndërsa LSI-ja u rrit me 105 mijë vota.

Në vitin 2017, PD-ja dhe satelitët e saj tradicionalë (PR+PDIU+LZHK+PDK+PBDNJ+etj.) zbritën në pikën më të ulët (535 mijë vota), ndërsa LSI-ja kapi pikën e saj më të lartë (225 mijë vota).

Grafiku shoqërues e ilustron qartë këtë korelacion elektoral: Kur bie PD etj., rritet LSI, dhe anasjelltas.

Rama mesazh opozitës pas protestës: Fituesit fillimisht fitojnë, pastaj nisen në betejë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së 10 kombëtare të opozitës, mbajtur para kryeministrisë. Shefi i Qeverisë ka përdorur një thënie të një gjenerali dhe shkrimtari kinez, Sun Tzu, me të cilën mesaduket i dërgon dhe një mesazh kundërshtarëve të tij politikë. “Fituesit fillimisht fitojnë, pastaj nisen në betejë. Ndërsa humbësit nisen njëherë dhe më pas rreken të fitojnë”,  është ky mesazhi që përcjell kryeministri i vendit drejtuar opozitës. Në fakt, mesaduket Rama me këtë mesazh kërkon të thotë se është tepër vonë për të thirrur fitore, pasi opozita  refuzoi dialogun para zgjedhjeve me 7 letrat publike të kryeministrit.

Në fakt, dialogu do të kishte qenë dhe një fitore për vetë opozitën, pasi prej tij, shtyrja e zgjedhjeve mund të ishte një mundësi, dhe sot opozita jo vetëm që mund të dilte e fituar (pjesëmarrjen në zgjedhje), por njëkohësisht mesiguri nuk do të kishte humbuar as një pjesë të bashkive të vendit, të cilat tashmë janë fakt që do të drejtohen nga socialistët pas 30 qershorit. Ndaj, për kryeministrin Rama fitore mund të cilësohet fakti që 30 qershori u mbajt, rendi kushtetues u ruajt, ligji u zbatua, dhe tashmë është koha për beteja, ndoshta dhe për dialog me opozitën, derën e të cilit, Rama në fakt e ka lënë hapur pas datës 1 korrik.

Ndërsa hyrja e opozitës në betejën për të larguar kryeministri, duke djegur mandatet pa i menduar mirë pasojat politike, është një humbje e parakohshme, dhe kërkesa për fitore pas humbjes së gjithë pushteve, përfshi së shpejti dhe shkarkimin ‘de jure’ të Presidentit, që tashmë ka konfirmuar haptazi pozicionin e tij, është një humbje, pasojat e të cilës ende nuk mund të thuhen me siguri se sa të rënda do të jenë për opozitën.

A është ky mesazhi që Rama ka dashur të thotë me shprehjen e famshme të Gjeneralit kinez, apo ka dashur të thotë diçka tjetër, edhe këtë s`mund ta themi me siguri të plotë, por një gjë është e qartë; për Qeverinë, 30 qershori është një fitore, një fitore jo për vlerën e mandateve lokale më shumë se një fitore e Kushtetutës dhe ligjit në një vend demokratik, që aspiron rrugën e integrimit evropian.

PS merr 70% të këshillave bashkiake, PSD del e dyta

Veç drejtimit të 60 bashkive të vendit, Partia Socialiste ka arritur të fitojë 70 % të mandateve të këshillave bashkiakë. ABC News ka siguruar të gjitha të dhënat zyrtare të KQZ për parlamentet lokalë, ku forcë e dytë rezulton partia e Tom Doshit, ndërsa alternativa opozitare, Bindja Demokratike, ka siguruar vetëm 1.5 % të vendeve në këshilla.

60 kryebashkiakët e zgjedhur nën logon e Partisë Socialiste, nuk do të kenë probleme në menaxhimin e pushtetit të tyre lokal, kjo pasi selia rozë ka arritur të sigurojë shumicë dërrmuese të këshillave bashkiakë në cdo bashki të vendit. Sipas të dhënave zyrtare që ABC News ka siguruar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezulton se Edi Rama ka  fituar 70 % të mandateve lokale.

Në mbarë vendin janë zgjedhur 1 619 këshilltarë, nga të cilët 1 136 i ka fituar Partia Socialiste. Në dy bashki, në Delvinë dhe Konispol, PS i ka fituar 100 % të karrigeve të këshilltarëve.

Alternativa kryesore opozitare përballë Edi Ramës ka arritur të sigurojë vetëm 24 mandate këshilltarësh, që përbëjnë 1.5 % të totalit.

Nga të dhënat rezulton se Partia e dytë në rang kombëtar, pas sociaslitëve të jetë partia Social Demokrate, që pas tërheqjes së Gjinushit, praktikisht drejtohet nga deputeti Tom Doshi. Kjo parti ka siguruar 81 mandate, ose 5 % të totalit.

Numrin më të lartë të këshilltarëve, kjo parti e ka në Shkodër dhe Vaun e Dejës, zona ku Doshi ushtron dhe influencën e tij më të madhe politike.

Partia e tretë, që ka vetëm 2 mandate më pak se sa partia e Doshit, është Demokracia Sociale e Paskal Milos. Kjo parti ka fituar 79 mandate, ose 4.8 % të totalit, e cila një shtrirje me 1-3 mandate në mbarë vendin.

Me këto shifra PS do ta ketë të lehtë të garantojë shumicën në këshillat bashkiakë, një element i domosdoshëm që kryetarët të mund të kalojnë buxhetet apo projektet e debatueshme.

MANDATE NË MBARË VENDIN 1619 100%

PARTIA SOCIALISTE 1,136 – 70%

PARTIA SOCIALDEMOKRATE 81 – 5 %

PARTIA DEMOKRACIA SOCIALE 79 – 4.8 %

BINDJA DEMOKRATIKE 24 – 1.5 %

Mitsotakis fiton në Greqi, Tsipras pranon humbjen: Urova kundërshtarin

Kyriakos Mitsotakis, i partisë Demokracia e Re, ka arrtiru të sigurojë një mandat qeverisës për katër vitet e ardhshme në Greqi, pasi fitoi në zgjedhjet parlamentare të së dielës në 7 korrik. Kreu i konservatorëve grek, ka marrë 158 vende në parlamentin e ri të Greqisë, nga 300 që ka gjithsej, duke fituar kështu shumicën e nevojshme për të krijuar qeveri, pa pasur nevojë për koalicion.

Pas fitores në zgjedhjet e të dielës, afër përfundimit të nuërmimit të votave, Mitsotakis, ka bërë një reagim ku shprehet se do të jetë kryeministër i të gjithë Greqisë. “Unë do të jem kryeministër i të gjithë Greqisë dhe do të punojë shumë fort që të bind edhe qytetarët që nuk na votuan. Jam plotësisht  vetëdijshëm për përgjegjësinë kombëtare, qëndroj modest ndaj vendimit të populli, por edhe marr forcë për të nesërmen”, tha Mitsotakis.

Kundërshtari i tij, kryeministri në ikje Alexis Tsipras i SYRIZA-s, ka pranuar humbjen në zgjedhje, duke deklaruar se e kishte telefonuar Mitsotakisin për fitoren, dhe se tani i mbetej vetëm të respektonte vullnetin e popullit grek. “Respektoj vendimin e popullit. Kontaktova Mitsotakis dhe e përgëzovë për fitoren e tij. Në demokraci ndryshimi i qeverisjes është thelbësore. Nuk do të bëjë atë që kanë bërë kundërshtarët e mi, por do të respektoj vullnetin e popullit”, shkruan Tsipras.

Një mesazh urimi ka ardhur edhe nga Bashkimi Europian. Ka qenë kreu në ikje i KE, Jean-Claude Juncker, ai që ka shkruar një Twitter ku uron kryeministrin e ardhshëm të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. “Dëshiroj t’ju përgëzoj për fitoren tuaj bindëse në zgjedhjet parlamentare. Ti e di lidhjen time personale me Greqinë dhe njerëzit e saj që kanë duruar kaq shumë gjatë dekadës së fundit. Dinjiteti, elasticiteti dhe angazhimi evropian i grekëve meritojnë respekt”, shkruan Juncker.

PD njeh zgjedhjet: Do sfidojë rezultatin

Në një kohë që frenat e organizimit të protestës së 8 korrikut i ka kapur LSI, partnerja e saj në opozitës, PD-ja, vijon të merret me 30 qershorin. Ndonëse i bojkotoi dhe tha se nuk i njeh zgjedhjet, PD konteston rezultatin, njësoj sikur të ishte parti pjesëmarrëse në zgjedhje, pavarësisht se logjikisht, mosnjohja e zgjedhjeve duhet të shoqërohej edhe me mbylljen e këtij diskutimi.

Por jo, PD kërcënon tani, (gjë të cilën duhet ta bënte ndonjë parti pjesëmarrëse në garë), se do të padisë zëvendëskryetarin e KQZ-së, Denar Biba dhe deputetin Taulant Balla për krim zgjedhor.

“Ky është një rast skandaloz që e vendos KQZ-në në pozitën e një fasoni, që punon me materiale gjysëm të gatshme, të cilat i vijnë  nga zyra e Edi Ramës dhe bandës së tij. Taulant Balla është përfshirë në listën e personave që kanë kryer krim zgjedhor dhe bashkë me, Denar Bibën dhe kamikazë të tjerë do të paditen për shpërdorim detyre, fallsfikim dhe manipulim të votës”, tha ish-deputetja e PD-së, Orjola Pamuri gjatë një konference për shtyp nga Selia Blu, duke referuar rastin e numërimit të votave për bashkinë Elbasan.

Pra një rast i pazakontë që ndodh vetëm në Shqipëri, një parti politike që nuk merr pjesë në zgjedhje, për më tepër nuk e njeh fare procesin si të ligjshëm, tani që ka kaluar një javë nga fakti, jo vetëm që e njeh procesin zgjedhor zyrtarisht (pavarësisht se nuk e thotë), do që të bëhet dhe faktor, duke ngritur një padi për “krim elektoral”.

Skip to toolbar