KQZ do të numërojë 11 kuti të Lezhës, PD: Atje s`ka manipulim votash

AKTUALITET


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të enjten që të pranojë kërkesën e Eduard Ndocaj, për të rinumëruar votat në 11 kuti në Lezhë. Pas këtij vendimi, ka ardhur dhe një reagim nga Partia Demokratike. Sekretari për Çështjet Zgjedhore i PD, Ivi Kaso, me anë të një reagimi në rrjetet sociale, shprehet se KQZ ka vendosur të hapen 11 kuti, që sipas Kasos, nuk janë manipuluar votat.

“Nën shembullin e ndritur të “marifetit” me Idajet Beqirin, KQZ ka vendosur që nesër, në vijim të një kërkese ankimore për Bashkinë Lezhë, të hapë dhe të kontrollojë rregullshmërinë e procesit të 30 Qershorit vetëm për 11 qendra votimi ku PS ndihet e sigurt që s’ka patur manipulime”.


“Qëllimi, jo fort i fshehur është që t’i tregohet botës mbarë se votimet ishin të rregullta e të vlefshme, jo vetëm këtu por në mbarë vendin. Ajo që e nxjerr bllof këtë skemë farsë “dorëzimi të kontrolluar” është se nga frika se mos del në shesh manipulimi me listat e zgjedhësve, në këto qendra, KQZ ka vendosur të mos ta hapë fare kutinë e materialeve zgjedhore. Pra, thënë shkurt e me dy fjalë: Proces farsë për t’u hedhur hi syve njerëzve”, shkruan Ivi Kaso.

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, parasheh se të premten nuk do të ketë asnjë surprizë nga votat e 11 kutive që do të hapen në Lezhë, duke paragjykuar vendimin e KQZ-së dhe procesin e rinumërimit të votave, që në fakt është kërkuar nga një kandidat, që pretendoi gjatë zgjedhjeve edhe se pati kërcënime nga rivalët.




Skip to toolbar