Përfaqësuesi ligjor i Bindjes Demokratike, Fabian Topallaj ka reaguar në lidhje me protestën e qytetarëve kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Topallaj ka shkruar një status në rrjetet sociale, ku shprehet se fajin për prishjen e teatrit e ka Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi.
“A e dini se Rama dhe Veliaj mund ta shembin Teatrin Kombëtar edhe nëse Gjykata Kushtetuese konstituohet edhe mblidhet që nesër duke e rrëzuar “Ligjin Fusha”. Kjo për shkak të mungesës së PD dhe LSI në zgjedhje. Makutërria e Veliajt dhe Ramës për të zëvendësuar Teatrin Kombëar me kulla gjigande betoni në mes të Tiranës, frenohej nga ligji për “vetëqeverisjen vendore” që parashikonte se pronat e Bashkisë mund ti kalonin në shfrytëzim privatit vetëm nëse këtë e dakordësonte me 3/5 e këshilltarëve bashkiakë”, shkruan Topallaj.
Më tej ai sqaron se as vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk do të ketë vlerë, lidhur me mbrojtjen e Teatrit. “Dhe sot, pavarësisht se Presidenti i Republikës ka goditur këtë ligj në Gjykatën Kushtetuese, vendimmarrja e kësaj të fundit nuk ka më asnjë rëndësi për çështjen, sepse Rama dhe Veliaj kontrollojnë 59 këshilltarë në Këshillin Bashkiak të Tiranës dhe mund të përdorin lirisht procedurën e vjetër ligjore për të bërë përsheshin e ëndërruar ne sheshin e godinës së teatrit”, shkruan Topallaj.