Tërmeti, Basha: Anulo koncesionet. Rama: Të ndalojmë Check-up dhe Rrugën e Arbrit? Jo!

AKTUALITET


Ndërsa kreu i opozitës Basha nuk ka pranuar të ulet në tryezë me Kryeministrin Rama për situatën emergjente për shkak të tërmetit, por i ka kërkuar të anulojë koncesionet, duke akuzuar se janë planifikuar për t’ua dhënë 10 oligarkëve, kreu i qeverisë i ka kthyer përgjigje negative dhe me ironi ka ngritur pyetjen, “Të ndalojmë Check-up dhe Rrugën e Arbrit? Në asnjë mënyrë!”

Kryeministri Edi Rama u pyet nga Durrësi nëse qeveria mund të pezullonte disa koncesione për të përballuar situatën e rëndë pas tërmetit shkatërrimtar që goditi Durrësin dhe Thumanën, duke lënë pas shkatërrime të mëdha ndërtesash.


“Për sa i përket pastaj historisë së oligarkëve, unë nuk e di se cilët nga ata që fshihen pas këtij emri të hiqen. Duhet të ndalojmë kontrollin shëndetësor bazë të popullsisë për të rindërtuar? Jo! Duhet të ndalojmë pagesat për hemodializën e atyre që shyqyr që ju ra trupi rehat aq sa mund t’u bie atyre njerëzve që kanë sëmundje të rëndë në trup, duhet të ndalojmë pagesat për instrumentet mjekësor që e kemi ulur thuajse në zero numrin e infeksioneve? Jo! Duhet të ndalojmë punimet për Rrugën e Arbrit? Në asnjë mënyrë. Do t’i bëjmë të dyja dhe kjo do të shikohet ditë pas dite”, deklaroi Rama, duke shtuar se nëse dikush ka ide sesi mund t’i bëjmë këto gjëra, jo për propagandë, jo për t’ia hequr njërit dhe për t’ia dhënë tjetrit, atëherë janë të mirëseardhura, për ndryshe janë deklarata që mund të hidhen.

Por, i menjëhershëm ka qenë sërish reagimi i kreut të opozitës, i cili nuk ka lëvizur nga qëndrimi i tij. “I bëj thirrje atyre që po e përdorin këtë kohë dhimbjesh dhe vuajtjesh për axhendën e tyre politike, ta fokusojnë energjinë dhe vëmendjen tek ata që kanë më shumë nevojë se kurrë për ndihmë! Për këdo që ka vullnetin të dëgjojë, ky është propozimi ynë në këtë fazë të emergjencës”, deklaroi Basha, duke përsëritur 3 pikat e opozitës për planin e emergjencës.




Skip to toolbar