Dëmet e tërmetit, Voda: Nga 469 objekte të inspektuara, 21 do të shemben

AKTUALITET


Zëvendësministrja e Brendshme, Rovena Voda bëri një bilanc paraprak të dëmeve që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit. Voda tha se nga inspektimet e bëra deri më tani në 3 bashkitë, Durrës, Krujë dhe Shijak, janë inspektuar 469 objekte dhe identifikuar godinat e pabanueshme dhe se cilat do të shemben. Gjatë një deklarate për mediat, Voda tha se inspektimi i godinave është bërë nga ekspertët e huaj që kanë ardhur nga Greqia, Turqia, SHBA, BE, Zvicra dhe Franca si dhe ekspertë shqiptarë. Aktualisht janë për t’u shembur vetëm 21 godina në qarkun e Durrësit.


“Ne kemi marrë masa urgjente. Deri tani, janë 469 objekte që janë inspektuar në Durrës, Krujë e Shijak. Janë 800 efektivë në gatishmëri për të përballuar situatën. Në Bashkinë Durrës janë inspektuar 378 objekte nga ku 150 janë të pabanueshme dhe 21 për t’u prishur. Në Bashkinë Krujë janë inspektuar 46 objekte, 5 janë të pabanueshme, asnjë për t’u prishur. Në Bashkinë Shijak nga 45 objekte të inspektuara, 25 janë të pabanueshme dhe asnjë prej tyre nuk është për t’u prishur. Vazhdon shembja e banesave të shkatërruara nga tërmeti, ku deri më tani janë prishur 15 objekte të shkatërruara, 8 objekte në qytetin e Thumanës dhe 7 objekte në Durrës”, u shpreh Voda.

Zëvendësministrja Voda tha se 300 psikologë ndodhen në terren për të punuar me qytetarët dhe fëmijët pas traumës dhe frikës që la tërmeti te banorët. Sa i takon shërbimit shëndetësor, Voda tha se është i përqendruar në qendrat 24-orëshe afër zonave të prekura dhe ekipet në terren në hotelet ku janë banorët.


“1990 vizita dhe trajtime mjekësore në hotele ku janë vendosur banorët e mbetur pa strehë si pasojë e tërmetit. 376 të sëmurë kronikë të evidentuar në hotele kanë marrë trajtimin e nevojshëm. 1500 fëmijë po marrin shërbim psiko-social. 300 psikologë dhe punonjës sociale po japin trajtim psiko-social

Për ndjekjen e situatës dhe pasojave të tërmetit, Autoriteti Kombëtar Ushqimor ka vendosur trupat inspektuese pranë qendrave të grumbullimit të produkteve ushqimore të cilët kontrollojnë çdo produkt ushqimor.

Për monitorimin nga Autoritetit Kombëtar të Ushqimit janë angazhuar në total 80 inspektorë, duke monitoruar rreth 60 vendgrumbullime të produkteve ushqimore të cilët kanë kryer rreth 240 inspektime të ndara sipas një grafiku në grupe, sipas zonave dhe turneve” u shpreh Voda.