Tërmeti i 26 nëntorit me magnitudë 6.4, edhe pse dëmet kolosale i kishte në Thumanë dhe Durrës, ai shkaktoi dëme edhe në Tiranë.
Një pallat i ndërtuar vetëm 5 vite më parë ka pësuar dëmtime dhe një çarje vertikale nga tarraca deri në dysheme pas tërmetit të fuqishëm. Pallati i ndodhur në zonën e Freskut në Tiranë ka pësuar çarje të madhe që ka shkaktuar panik tek banorët. Në këtë pallat jetojnë afërsisht 120 familje. Vijimi i lëkundjeve të tokës ka bërë që banorët të ndihen edhe më të pasigurt në të.
Dëmtime ka shfaqur edhe një pallat në zonën e Astitit, i cili është ndërtuar 6 apo 7 vite më parë. Banorët thonë për mediat se vijojnë të qëndrojnë në pallat, por të frikësuar pasi dëmet e pësuara janë të mëdha.
Tërmeti ka shkaktuar dëme në rreth 500 banesa në Tiranë, dëme për të cilat kryebashkiaku Erion Veliaj tha se do të rikuperohen menjëherë pa kalimit të këtyre momenteve.




