Shkarkimi, Mema mesazh Halilit: Më duhet qetësi

AKTUALITET


Ardian Mema foli në konferencë për shtyp të premten në prag të ndeshjes me Laçin. Ai foli fillimisht për veten, duke u shprehur se ndeshjet e fundit është vënë nën presion. “Ndeshjet e fundit kanë sjellë disi presione në skuadër  aq më tepër te unë, nuk flas në emër të skuadrës por në emrin tim. Kjo më vë mua disi në presion sepse pretendohet që ndeshjet e Tiranës të fitohen, duke qenë se këtë vit është ekip elitar. E rëndësishme është që të fitohen ndeshjet. Ekipi ka luajtur shumë mirë, nuk ka pasur probleme tekniko fizike dhe tekniko taktike”, tha Mema.

Sipas tij, në ndeshjet e fundit skuadra nuk është ndihmuar nga fati. Për këtë arsye, trajneri Mema i shkoi shumë pranë shkarkimit nga detyra, por u ribesua nga presidenti Refik Halili. Në konferencën për shtyp, Ardi Mema i dërgoi një mesazh presidentit, duke i kërkuar qetësi. “Fakti që është edhe 100-vjetori i klubit, na vë pak në presion. Unë nuk jam magjistari apo profeti i futbollit, që të them se nesër do fitojmë, dhe do largohem kur të dua unë. Drejtuesit duhet të kuptojnë, se klubit i duhet qetësia. Duhet të shikojmë nga e ardhmja. Nëse gjërat na dalin nga kontrolli, do kemi edhe probleme. Kemi qenë pushim këto kohë, tani do e shohim nesër në fushë”, tha Mema.


Ndonëse luan mirë, rezultatet e tre ndeshjeve të fundit nuk ishin në të njëjtin raport me lojën. Po çfarë nuk shkon te Tirana, që lojën e bën të mirë, por rezultatet mungojnë? Ardian Mema shprehet se shkaku janë gabimet. “Për këtë flas më shumë me lojtarët. Duke qenë se kemi pasur fatin e keq, duhet të kemi akoma më shumë përqendrim. Nuk kemi një kundërshtar që na ka mbajtur në fushën tonë. Fati është pjesë e lojës. Nuk duhet t’ia lëmë gjërat në dorë të fatit. Ca punë duhet t’i bëjmë akoma më mirë. Kjo nuk është për të justifikuar lojtarët, por për t’i vënë me këmbë në tokë që të jemi më të përqendruar”, tha Mema.

Në fund ai foli dhe për përballjen me Laçin. Objektivi janë tre pikët, por së pari kërkon që skuadra të jetë e përqëndruar dhe të mos pësojë gola. “Mendoj se ndeshjet me Laçin kanë qenë të forta. Është ekip me ekuilibër. Të godet në momente të caktuara, me lojtarë të mirë. Ky ekip, vjet e kemi pasur problem. Nuk është se na pritën miqësisht. U treguan të egër me ne. Ne nuk kemi armiq, por kemi kundërshtar. Çdo ndeshje e konsiderojmë kundërshtarin sipas radhës, por nuk i ndajmë, i mirë apo i fortë, në kuptimin e egërsisë. Laçi ka ekip të mirë dhe nuk duhet të kishte aq pikë sa ka. Nesër në ndeshje, do jetë e luajtur fort, shpresoj të kemi fat, e të mos pësojmë gola që nuk duhej t’i pësonim”, tha ndër të tjera Mema.




Skip to toolbar