Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, një valë arrestimet kanë ndodhur gjatë mbrëmjes së mërkure, mes të cilëve edhe disa biznesmenë.
Sipas mediave televizive, janë arrestuar të paktën 20 persona, mes të cilëve 7 biznesmenë që operojnë kryesisht në biznesin e ndërtimit dhe të firmave të konstruksioneve.
Të arrestuarit janë vënë në pranga nga Drejtoria e Krimit Ekonomik në bashkëpunim me Tatimet, në kuadër të luftës kundër informalitetit.
Hetimet ndaj të arrestuarve kanë nisur disa muaj para, ku u vërtetua se i kanë shkaktuar shtetit një dëm prej miliona lekësh me faturat tatimore dhe TVSH.
Aksioni për arrestimin e tyre po vijon prej dy ditësh dhe ende po kërkohen persona të tjerë. Ky operacion vjen në kuadër të aksionit anti-informalitet që është shtrirë në të gjithë vendin dhe ka sjellë arrestime e bllokime të qindra bizneseve që janë kapur me shkelje.