Topalli merr “timonin” e opozitës: Luli mashtroi, nuk ekziston më për PD

AKTUALITET


E ashpër, e drejtpërdrejtë, akuzuese dhe luftarake. Kështu është shfaqur ish numri dy i PD-së, Jozefina Topalli në një status të publikuar të mërkurën në facebook në të njejtën kohë kur Basha mbante konferencën e vonuar për shtyp.

Topalli, një nga zërat më të ashpër kundër Bashës, ka treguar dhe njëherë se ajo është gati të marrë frerët e opozitës, të largojë Bashën nga drejtimi i gabuar i PD-së dhe të sjellë ndryshim në selinë blu.

Në mesazhin e saj Topalli e akuzon Bashën për nxjerrjen e PD-së jashtë sistemit, për prishje të marrëdhënieve me ndërkombëtarët, për shkatërrimin e partisë demokratike dhe për bashkëpunim me Ramën.

Sipas saj Basha dhe Rama mbajnë njëri-tjetrin në pushtet dhe se falë opozitës së Bashës, Rama vijon të jetë kryeministër.

Topalli shkruan se nëse Basha nuk do të bojkotonte zgjedhjet, as Shkodra dhe as ndonjë bashki tjetër nuk do të ishin të gjitha sot në duart e Ramës.

“Koha vetëm po konfirmon atë që unë besoj dhe kam përsëritur vazhdimisht, se Edi Rama dhe Lulzim Basha mbajnë reciprokisht njëri- tjetrin, dhe ndajnë interesa të mëdha mes tyre. Edi Rama e çoi Valdrinin në Shkodër, por mandatin për Kryetar Bashkie të Shkodrës ia dhe ti Lul, me bojkotin e zgjedhjeve. Po të kishte një kandidat të djathtë, Valdrini as në ëndërr nuk shihte karrigen e Kryetarit të Bashkisë. Për më tepër je tepër i vonuar në luftën krimit. Në Shkodër, qytetarët prej disa muajsh, tregojnë për dyshimet e thella të së kaluarës të komprometuar të Valdrinit. Por ti për muaj nuk fole. Ashtu siç nuk fole për vite për Mark Frrokun e kompaninë e tij. Ti Lul nuk mbulon dot shpartallimin që i bëre PD me vendimet tuaja personale anti demokratike që i more vetëm për të mbrojtur karrigen tënde. Po te mos ishte Lulzim Basha, sot Shkodra e shume bashki te tjera nuk do binin ne duart e PS. Po të mos ishte LB, Edi Rama nuk do te ishte sot Kryeministër, por do ishte rrëzuar 100 herë dhe vendi do kishte një tjetër qeverisje; Po të mos ishte LB, Edi Rama nuk do kontrollonte të gjithë pushtetin vendor; lista e deputetëve nuk do ishte ajo lista qesharake e 2017. Nuk do kishim parë të zëvendësohen beteja politike me luftë vezësh pulash dhe sot nuk do shikonim të uleshin në karrigen e Kuvendit figura komike dhe të padenja për atë që duhej të ishte altari i demokracisë. Po të mos ishte Lulzimi, Deputetët e PD mund të ishin dinjitozë, do ishin në parlament duke përfaqësuar votuesit e tyre e duke mbrojtur interesin publik të shqiptarëve, duke bërë beteja politike për një ekonomi më të mirë dhe një jetë më të sigurte”, shkruan Topalli.

Ajo akuzon Bashën për shkatërrimin e partisë, për marrjen e postit të kryetarit të PD-së me vota të vjedhura dhe për mos mbledhje të strukturave të PD-së për 6 vite me rradhë.

“Po të mos ishte pazari si formë komunikimi mes krerëve të opozitës dhe qeverisë, sot skena politike shqiptare nuk do ishte e deformuar siç është tani, sot shqiptarët nuk do jetonin në dëshpërim për shkak të vrasjes së perspektivës dhe mbytjes së shpresës që një opozitë normale sjell për vendin e saj. Pas 3 dekadash ngjitjesh e uljesh, përpjekjesh e sakrificash , demokracia brenda forcave politike është në agoni. Dhe kjo sepse krerët e partive kanë vrarë votën brenda vehtes. Në 6 vitet që drejton opozitën LB jo vetëm ka habit me humbjet e tij të pandalshme e katastrofike,  por ai ka vrarë votën brenda saj, ka vjedhur votat në shtëpinë e tij ( dhe kjo me video, me zë e figurë). Është i vetmi kryetar partie që pas numërimit të votave për forumet e partisë i dalin më shumë vota se votues.( me dokumenta). Ai do mbahet mend si njeriu që nuk mblodhi për 4 vite rresht asnjë forum të saj për asnjë vendimarrje. Do mbahet mend për emërimet më pas në forume të disa personave që nuk thonë asgjë për askënd.

Do fillojë të mbledhë forumet vetëm pas fshesës e spastrimeve të mëdha në parti, pas gjuetisë së shtrigave ndaj demokratëve, pas përçarjes e shkretimit që i bëri PD, për të noterizu vendimet e tij të çmendura, si ajo e djegies së mandateve e dhe te mos hyrja në zgjedhje.

Megjithë pakënaqësinë në rritje ndaj qeverisë, LB nuk i shkoi kush pas, sepse siç koha e ka vërtetuar ai është i rremë. Kauzat nga goja e tij janë fallso e të rreme. Jo sepse njerëzit e Edi Rames nuk kanë blerë vota. Kanë blerë sa kanë dasht sepse e dinin që LB-së kjo nuk i interesonte sa kohë ishte në qeveri dhe kishte bërë pazarin për bashkëqeverisje me Ramën në vazhdim.

Ishte kjo arsyeja, që Lulzimi urdhëroi anëtarët e PD-së në KQZ, që të votonin 7:0 rezultatin e zgjedhjeve të 2017; urdhëroi që të mos bëhej asnjë shënim kundërshtues në procesverbale dhe te mos ankimohej asnjë qender votimi, duke legjitimuar mandatin e dytë të Ramës. Dhe për 2 vite rresht nuk pat asnjë fjalë për çështjen. U kujtua vetëm kur erdhi koha e fushatës, kur me shpresën e presionit të djegies se mandateve kërkonte rezultatin në tavoline.( njëlloj si me çadrën). Kur ai thoshte se vota e zgjedhjet i lira janë qëllimi ynë gënjente. Gënjente sepse së pari ai nuk ka bërë kurrë zgjedhje të lira në partinë që ai drejtoi. Gënjen sepse ka fallsifiku votat për vehten e tij si kryetar, dhe ka fallsifiku listën finale të emrave te KK dhe Kryesisë”, shkruan Topalli.

Teksa e cilëson këmbanë alarmi vendimin për djegien e mandateve të deputetëve të PD-së, Topalli shkruan se Basha do të mbahet mend për frikën patologjike dhe papërgjegjshmërinë që ka treguar si drejtues opozite.

“Do mbahet mend për papërgjegjesinë e frikshme që ka tregu sidomos në opozitë. Ky të lë pa fjalë në mënyrë konstante. Djegia e mandateve nga LB ishte një këmbanë e fortë për ata që kanë minimumin e përgjegjësisë mbi rrezikun që sjell papërgjegjësia e një njeriu, që nuk e vret ndërgjegja për asgjë. Në 1946 i pushkatuan deputet e opozitës , por mandatet nuk i tradhtuan. Mos futja në zgjedhje ishte një tjetër alarm i madh për rrezikun që mbart me vete njeriu që merr vendime kaq të papërgjegjshme. Lulzim Basha të lë pa fjalë kur humbjet e 2015 i quante rritje dhe rimëkëmbje; kur pas humbjes katastrofike të 2017 nuk lejoi as kohë për analizë dhe me buzë në gaz shpalli vetengrirjen dhe vete-kurorezimin( pa garë). Të habit kur i dhuron Ramës edhe ata pak bashki që i kane mbetur dhe thotë se fituam me 85%. Të habit me akuzat që i drejton kundërshtarit për gjerat që ka bërë vetë apo ka ndër mend t’i bëjë vetë. Nuk i lëviz qerpiku kur thotë se unë bëra dekriminalizimin, ndërkohë që kur grupi i ish deputetëve që e filluan këtë betejë dhe u kërcënuan nga krimi, i hodhi, që t’ i shqyente krimi, ndërkohë që vetë merrej me katin shtesë tek pallatit të tij dhe si kryetar, për vite rresht nuk përmendi një emër të dyshuar për rekorde kriminale. Është i vetmi rast në botë në botë, që kur pakënaqësia ndaj qeverisë rritet në kulm, kryetari i opozitës zbret ne kulm ( 13%). Unë nuk kam lexu as dëgju që të gjendet sot një njeri që nxjerr vetë forcën e tij politike nga sistemi, ia heq karriget e parlamentit, e hedh jashtë çdo bashkie e Këshilli Bashkiak e për vehte të vazhdojë të mbajë karrigen e tij”, shkruan Topalli.

Ajo e mbyll ligjëratrën e saj të gjatë me një mesazh të drejtëpërdrejtë drejtuar demokratëve. “Unë nuk besoj se PD-së i është mpirë nervi politik; Nuk besoj se demokratët janë të lumtur dhe aq më pak që të konformohen me tradhëtinë që i beri njeriu që vetëm i gënjeu”, shkruan Topalli teksa duket se paralajmëron rikthimin e saj në PD dhe marrjen e drejtimit të opozitës.

“Nuk besoj se të rinjtë kanë model, njeriun që bëri gjithë perëndimin kundra, që i dha mandatin e dytë Ramës për 14 milion euro të pallatit të tij, që dogji çdo përfaqësim të PD në nivel qëndror e lokal me premtimin e rremë për qeveri tranzitore e largimin e Ramës; që duke qene në opozitë e çoi partinë në humnerë, shqiptaret i çoi në dëshpërim dhe të rinjve i dha rrugët e botës. Luli nuk ekziston më për demokratët. Për Shqipërinë, Luli bashkë me Ramën janë bërë një kosto e patolerueshme. Shqiptarët kanë një problem për të zgjidhur. Ata nuk mund të tolerojnë më, që 4 vetë të mbajnë peng jetën e tyre e të bijve të tyre”, përfundon Topalli.

Realstory e ka paralajmëruar më herët nisjen e lëvizjes Basha ik, por me këtë mesazh Topalli tregoi qartë se ajo mund të jetë padyshim drejtuesja e kësaj lëvizje dhe rivalja më e ashpër që mund të sjellë largimin e Bashës.



Skip to toolbar