Trump fiton çështjen në Gjykatën Supreme të Miçiganit për pjesëmarrje në zgjedhje

BOTA


Donald Trump ka shënuar një fitore në luftën e tij kundër sfidave për të drejtën e tij për të garuar për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë, pasi më 27 dhjetor Gjykata e Lartë e Miçiganit refuzoi të trajtonte çështjen për diskualifikimin e tij nga zgjedhjet e brendshme presidenciale në këtë shtet.

Gjykata Supreme e Miçiganit tha se nuk do ta dëgjojë apelin nga katër votues të këtij shteti që kërkonin që ish-presidenti të mos lejohej të garonte në zgjedhjet partiake republikane të 27 shkurtit për shkak të rolit të tij në trazirat e 6 janarit të vitit 2021, kur mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan, shkruan REL.


Votuesit argumentuan se Trump, që konsiderohet kandidati kryesor për të fituar kandidaturën e republikanëve për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, nuk mund të shërbejë si president në bazë të një neni të Kushtetutës amerikane që ndalon personat që të shërbejnë në një zyrë federale nëse ata përfshihen në “rebelim apo kryengritje” pasi bëjnë betimin për t’i shërbyer SHBA-së.

“Ne nuk jemi të bindur që pyetjet e paraqitura të shqyrtohen nga kjo Gjykatë”, tha ky institucion i drejtësisë.




Skip to toolbar