Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Britaninë e Madhe, presidenti i SHBA-së, Donald Trump është pritur në një takim nga kryeministrja në largim Theresa May, të cilës ai i ka ofruar një marrëveshje shumë të mirë tregtie me SHBA-në, pasi Britania të dalë nga BE.
Trump e bëri një deklaratë të tillë në një takim me drejtues të biznesit, së bashku me kryeministren May, në ditën e dytë të vizitës së tij.
Në këtë takim merrnin pjesë pesë kompani të mëdha biznesi britanike dhe pesë amerikane, ministra dhe zyrtarë të lartë të cilët kanë biseduar në për marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.
Trump tha se besonte se ka hapësirë për zgjerim të mëtejshëm të tregtisë midis SHBA dhe Mbretërisë së Bashkuar.
“Unë mendoj se do të kemi një marrëveshje shumë, shumë substanciale tregtie,” i tha ai zonjës May.
“Kjo është diçka që doni të bëni dhe njerëzit e mi duan të bëjnë,” shtoi ai.
May tha se kishte “mundësi të mëdha” për Britaninë dhe SHBA-të të punonin së bashku në të ardhmen.
Megjithatë vizita e Trump në Britani është pritur me protesta të shumta të banorëve atje.
Një “demonstrim kombëtar” është planifikuar në Sheshin Trafalgar të Londrës, ndërsa protesta janë mbajtur gjithashtu edhe në Birmingham, Stoke, Sheffield, Glasgow, Edinburg, Chester, Leicester, Oksford dhe Exeter.