U vra me snajper, kamerat filmojnë vrasësin e maskuar të Kastriot Reçit

AKTUALITET


Të tjera detaje janë zbardhur nga vrasja e 47-vjeçarit Kastriot Reçi nga Rrësheni, i cili u vra mesditën e së martës përpara lokalit të tij në qendër të qytetit, ndërsa policia ka shoqëruar dhjetëra persona të cilët i ka marrë në pyetje për hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen. Nga hetimet paraprake rezulton se Kastriot Reçi është qëlluar me snajper nga tarraca e një pallati, para lokalit të tij. Arma snajper është gjetur pas krimit në katin e parë të pallatit, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar pamjet e autorit, i maskuar, duke u larguar në këmbë.

47 vjeçari është qëlluar me snajper në zemër nga një distancë prej 150 metra, ndërsa Reçi ka qenë së bashku me të vëllanë. Reçi sapo kishte parkuar makinën dhe po hynin në lokal “Mirdita” në pronësi të tyre. I vëllai i 47-vjeçarit kishte hyrë vetëm disa minuta më parë në lokal.


Viktima qëndronte gjithmonë në të njëjtin lokal duke u ulur te cepi i lokalit, për shkak se i druhej një atentati të mundshëm.

Atentatorët kanë gjetur një pikë ku ta godisnin pa u vënë re. Kamerat kanë filmuar autorin i cili ka qënë i maskuar duke bërë të vështirë edhe identifikim e tij.

Disa persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje rreth kësaj ngjarjeje, por deri më tani nuk ka asnjë të ndaluar si autor të dyshuar të krimit.

Vrasja dyshohet të ketë ndodhur me motiv hakmarrjen, për shkak të një historie vrasjesh të nisur në shtator 2016. Pjesë e ciklit të vrasjeve është edhe ajo e vëllait të Kastriotit, Gaspër Reci, i vrarë me 4 plumba në Romë vitin 2017.




Skip to toolbar