Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i forcave të posaçme “Shqiponja”, pasi nuk iu bind urdhrit për të ndaluar, ka shkaktuar reagime të shumta nga qytetarët.
Pasditen e djeshme qindra prej tyre dolën e protestuan te godina e Ministrisë së Brendshme për t’u zhvendosur më pas te Kryeministria. Të gjithë bënë thirrje për dorëheqje të ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Situata u tensionua disa herë te Ministria e Brendshme ku mbeti i plagosur gazetari Andi Llabuti, një polic, por edhe u lëndua këngëtari Stresi. Protestuesit qëlluan me sende të forta edhe dritaret e këtij institucioni. Më pas turma u zhvendos te Kryeministria, ku zemërimin e shfrynë fillimisht te pema e Krishtlindjes, të cilën e dogjën dhe e rrëzuan, për të mësyrë më pas drejt derës hyrëse. Protestuesit nuk i kanë ndalur as policët me të cilët patën konfrontime të forta fizike. Kur u duk se situata po përkeqësohej e po qëllohej me tulla, gurë e sende të forta dera e kryeministrisë, ndërhynë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, që e shpërndanë turmën me gaz lotsjellës.
Nga përplasjet te Kryeministria mbetën të lënduar tetë punonjës të Policisë, të cilët kanë marrë më pas ndihmën e duhur mjekësore. Efektivët janë plagosur në kokë dhe trup nga gurët dhe sendet që protestuesit kanë hedhur në drejtim të tyre. Ndërkohë, disa të rinj gjatë protestës të revoltuar kanë thyer xhamat e Ministrisë së Brendshme, por menjëherë ka ndërhyrë një qytetare, e cila u ka kërkuar të vetëpërmbahen pasi janë këtu kundër dhunës dhe se ato paguhen me taksat tona. “Mos çuni, ne nuk jemi të dhunshëm. Ata paguhen me taksat tona”, ka thënë qytetarja.
THIRRJET NË PROTESTË
Gjatë protestës qytetarët mbanin pankarta të ndryshme në duar, ndërsa nuk mungonin thirrjet e herëpashershme. Mes trumës dëgjoheshin thirrjet “Drejtësi për Klodianin”, “Unë jam Klodiani”, si dhe thirrje që ministri Lleshaj të dorëhiqej: “Jepe dorëheqjen”, “Poshtë komunizmi”. “S’ka zot që na ndalon sot, le të na vrasin”, shprehej një prej protestuesve. “Turp për një shtet, turpi ju mbuloftë! Ne jemi shtet i sapondërtuar demokratik, por kjo s’është demokraci funksionale, është demokraci fallco, poshtë diktatura!”, ka thënë një tjetër protestues. Të rinjtë më pas kanë ndezur qirinj përpara Ministrisë së Brendshme. Por me kalimin e minutave situata u tensionua. Të rinjtë e shfrynë zemërimin duke goditur institucionin me sende të forta por edhe me hurma, ndërsa pati edhe të lënduar. Ndërkohë, në “Murin e Kujtesës” te Ministria e Brendshme, ku janë të shënuar në formë simbolike me yje efektivët e Policisë të rënë në krye të detyrës, protestuesit kanë shkruar edhe emrin e Klodjan Rashës.
POLICIA: 3 POLICË, RËNDË
Lidhur me protestën e zhvilluar mbrëmjen e djeshme ka reaguar edhe Policia e Shtetit. Sipas Policisë, të plagosur kanë mbetur nëntë policë, ku tre prej tyre kanë marrë dëmtime serioze në kokë e trup.
“Tubimi i nisur pasditen e sotme para godinës së Ministrisë së Brendshme u përshkallëzua në veprime të dhunshme, duke thyer xhamat e Ministrisë së Brendshme dhe duke plagosur disa punonjës policie që ishin në shërbim, në ruajtje të institucionit. Më pas, turma u drejtua në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, duke u përqendruar përpara Kryeministrisë. Ekstremistë të dhunshëm kanë hedhur sende të forta, gurë, pllaka, kapsolla e sende të tjera, duke plagosur 9 punonjës Policie dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe në sheshin ‘Skënderbej’. Si pasojë e plagëve të marra, 3 punonjës policie janë në gjendje më të rëndë në spital, pasi kanë dëmtime serioze në kokë dhe në trup, të shkaktuara nga sulmi me sende të forta nga protestuesit, ndërsa 6 punonjës policie janë në gjendje më të stabilizuar. Edhe disa mjete policore u dëmtuan me sende të forta.
Policia e Shtetit bëri të gjitha përpjekjet për menaxhimin me shumë përmbajtje të dhunës së papritur dhe të padrejtë ndaj punonjësve të saj dhe ndaj institucioneve. Episodi i papranueshëm i vrasjes së një qytetari nga një punonjës policie, i cili po hetohet në gjendje arresti, nuk mund të përdoret si pretekst për të ushtruar dhunë të verbër, për të plagosur rëndë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe shkatërruar pronën publike dhe private”, tha Policia.
